| E hene, 18.10.2010, 09:41 PM |
Elsa Demo, Shekulli
Francesco Altimari e njohu Martin Camajn si një shkrimtar që e dashuronte librin edhe në një formë tjetër: si objekt të çmuar material që duhet të flasë që në momentin që e prek me dorë
Gegërishtja dhe arbërishtja në veprën e Camajt janë ligjërime që vijnë nga kërkimet e tij albanologjike dhe të historisë së gjuhës. Se si ndikon tipi i ligjërimit (gegërisht), dhe atmosfera arkaike e mesjetare si në rastin e romanit "Karpa" (botuar në Grottaferrata më 1987) edhe në estetikën e prezantimit të veprës, është një nga elementet që vë në dukje prof. Francesco Altimari, një nga njerëzit që ka kontribuar për botimin e plotë akademik dhe filologjik të veprës së Martin Camajt (1925-1994), prezantimi i së cilës u bë me ceremoni të madhe, më 15 tetor në Tiranë.
Profesori i Gjuhës dhe i Letërsisë shqipe në Universitetin e Kalbarisë, Francesco Altimari, i cili ndodhet në Tiranë për një konferencë mbi identitetin kulturor dhe identitetin letrar, në kuadër të javës së kulturës kalabreze, ka pasur një përvojë me Camajn me rastin e botimit të romanit "Karpa".
Prof. Altimari sot kemi një vepër që ka nisur të shkruhet më viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar, një vepër e cila nuk ka komunikuar me lexuesin. A ka evoluar leximi i letërsisë së Camajt?
Kemi botimin e plotë të veprës letrare të një autori jeta krijuese e të cilit s'ka qenë aspak e lehtë. Janë vepra që i përkasin fazave të ndryshme të jetës së Camaj që shprehin vizione të ndryshme. Kemi pasur mundësinë të botojmë edhe veprën e tij të fundit, "Kandili argjandit" të cilën ma kish dorëzuar mua dhe kolegut Anton Berisha. E kemi botuar në Kozenca pak para vdekjes së autorit. Dhe pas kësaj, pas vdekjes, monografinë për Shën Konstandinin arbëresh që ishte punimi i tij i fundit albanologjik.
Përveç këtij monumenti që i bëhet sot këtu Camajt, mendoj se i duhet bërë një monument tjetër që ka të bëjë me gjithë aktivitetin me spektër të gjerë në fushën e albanologjisë, për dialektologjinë arbëreshe dhe për historinë e gjuhës shqipe.
Përvoja e albanologut te shkrimtari, si ka ndikuar?
Mund të them se si shkrimtar ai përfitoi nga kjo përvojë e madhe albanologu e kërkuesi, prandaj çdo fjalë që ai pati mundësi, e përdori në letërsi me një denduri stilistike të veçantë. Prandaj ëshë një vepër nga ana letrare jo e lehtë. Camaj është një shkrimtar jo i lehtë, është i vështirë, siç mund të jetë një shkrimtar i vërtetë, jo lehtësisht komunikues.
Atëherë, mbetemi sërish tek pyetje si ka ndryshuar perceptimi i veprës letrare të Camajt, për shembull poezia e tij?
Tek letërsia e Camajt gjen një lidhje të dyfishtë së pari me një hermetizëm që vjen nga poezia gojore dhe me hermetizmin si rrymë letrare. Në Romë ai pati një pedagog të veçantë, si profesor të italishtes, Giuseppe Ungaretti.
Vepra e tij letrare përshkon shumë faza të kalimit të modernitetit në letërsi dhe pjesërisht, dhe në fund të postmodernitetit. Janë faza të ndryshme të historisë letrare evropiane që ai pasqyron në këtë vepër. Megjithatë ai ka lidhje të fortë me ato që janë aspekte tradicionale të letërsisë gojore shqiptare dhe letërsisë që njohu përmes dhe arbëreshëve. Nuk është e rastit se si vepra e tij u lidh me këtë traditë, me traditën arbëreshe duke përdorur motive edhe elemente stilistike leksikore që merrte nga letërsia qoftë e shkruar qoftë nga letërsia gojore arbëreshe. Ka qenë me të vërtetë një lidhje e ngushtë e Camajt me botën arbëreshe, sepse ai i kushtonte kësaj bote. Ai çdo vit vinte në krahinat arbëreshe të Italisë.Ju e keni njohur nga afër?
Po, po ishte mik familjar dhe mik i ngushtë i mjeshtrit tim, akademik, i ndjeri Francesco Solano. Ishin të dy albanologë. Të dy kanë shkuar më 1962 në Luvernë në Kongresin e Parë të Dialektologjisë Botërore. Kishin qenë nga figurat e pakta shqiptare që kanë marrë pjesë në këtë kongres.
Si ishte personi i tij?
Njeri shumë i butë, me gjithë problemet e mëdha që kishte sepse ndihej pak i veçuar. Pata fatin që për dy muaj të shkoja me një bursë studimore në Universitetin e Mynihut, për të bërë disa kërkime me Camajn. Preokupimi i tij ishte si perceptohej mesazhi i tij letrar në botën shqiptare, një botë që e ai e kishte marrë me vete. Për të nuk ishte problemi i censurës në Shqipëri ku vepra e tij ishte e ndaluar. Ishte i sigurt se një vepër e një shkrimtari nuk mund të censurohet nga asnjë regjim, sepse është rëndësia dhe epërsia e fjalës së lirë që ngrihet mbi censurat e çdollojshme.
Ai vuan fatin e disa poetëve të rëndësishëm të traditës shqipe që janë pak ose aspak të përkthyer.
Jo, nga kjo anë duhet kujtuar një vepër që është bërë me parathënien e prof. Guzzetta-s dekan i albanologëve në Itali, në Palermo, me përkthimin e mjeshtrit tim prof. Solano, një vëllim poetik që për italishten është një mrekulli. Një zgjedhje antologjike të poezive më të mira të Camajt.
Por edhe këtu duhet të nënvizojmë se edhe në Amerikë është botuar dhe në botën gjermane. Natyrisht kuptojmë se ajo që bëri ishte jashtë mundësive të një shkrimtari të madh si ai. Edhe kaq sa përmendëm realizohej falë lidhjeve direkte që ai kishte me albanologë, nuk kishte mbështetjen e industrive kulturore. Sot shkrimtarët jetojnë në një dimension tjetër. Kanë ndihmën e industrisë kulturore. Ai, atë që bënte e botonte me vullnetin e vet dhe me shpenzimet e veta.
Kishte një pasion të tillë ndaj letrave që arrinte që mesazhin letrar të mos ta botonte në libra të çfarëdollojshëm. Ai insistonte që të kishte bukurinë estetike që t'i bashkonte këto vlera letrare në një botim të mirë. Prandaj u kënaqa kur pashë formatin editorial që i ka dhënë botuesi i "Onufrit" veprës së plotë.
Me të vërtetë, për atë kishte rëndësi që mesazhi letrar duhej të ishte brenda një mesazhi estetik. Prandaj çdo vepër kishte një portret, një vizatim të një artisti të madh. Një shkrimtar si ai kërkonte që vepra të prezantohej duke kombinuar vlerat artistike letrare me ato vizuale.
Dua t'ju kujtoj një ngjarje që ndodhi kur botoi veprën "Karpa". Romani është ambientuar në mesjetë. Në kohën kur do të botohej ky libër, në Itali flitej shumë dhe për këto vepra mesjetare. Flitej sidomos për "Emrin e trëndafilit" të Ecos. Ai insistoi që kjo vepër të kishte një lidhje të veçantë. Dërgoi 200 kopje - u bëra ndërmjetës - në abacinë e Grotaferratta-s ku ka murgj arbëreshë në ritin ortodoks, abaci e njohur botërisht, sepse ka qenë laborator i librit të lashtë, të njohur jo vetëm në Itali. Ndër të tjerët aty është restauruar Kodi Atlantik i Leonardos. E pra, Martini insistoi që "Karpa" të kishte një lidhje të veçantë, me lëkurë, të jepte ngjyrën mesjetare të këtij romani...
Ju keni një kopje?
Patjetër, e ruaj me shumë xhelozi. Ishte një dhuratë për miqtë e tij të rrallë. Kjo tregon edhe dashurinë e tij për letërsinë, për fjalën. Prandaj ju thashë që ishte një adhurues i fjalës shqipe. Këtë e shpreh qoftë në versantin albanologjik dhe atë që merrte nga versanti albanologjik e derdhte edhe në letërsi, duke përfituar nga kjo përvojë. Sepse për zanat, Martin Camaj ishte albanologjik, por ishte letrar për pasion.
Cilën vepër të preferuar keni nga Camaj?
Kam lidhje të veçantë me romanin "Rrathë".
Për çfarë arsyesh?
Është diçka e ndërlikuar për ta shpjeguar me pak fjalë. Rrathët janë kufizimet që i bëhen njeriut nga shoqëritë e errëta, që në një mënyrë nënkuptojnë ose mund t';i krahasosh me regjimet shtypëse, të shprehur në roman me simbole si rrathët e ujit, të zjarrit. Isha student kur nisa të përkthej me disa kolegë gjermanë disa kapitujve të këtij romani. Kushedi kur do ta mbaroj.