Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Liman Zogaj

| E diele, 17.10.2010, 04:05 PM |


Liman Zogaj

 

 

SHQIPJA NË HORIZONTET E BARDHA

(Mërgimtarit Zef Sokoli)

 

Unë jam Sizif i gjallë

I verbuar nga dashuria

Feniks i djegur

Dhe kurrë më

As nga prushi

As nga hiri

S’u bëra

As zog

As gur

Unë jam

Zogu i Diellit

Me Flamurin e Skënderbeut nën pupla

Me gjuhën e Naimit në këngë

Me lotin e Nënë Terezës në vaje

Unë kosovari i humbur

Deri në Horizontet e Bardha

Derdha lot

Kullova gjak

As memec nuk u bëra

Gjashtëdhjetë e katër vite fola me vete

Jam shqiptar i Kosovës

Atdheu im është Shqipëria.

 

Mbaj mjekër të gjatë

Sa një copë bjeshke

Sa një lis Pashtriku

Sepse malet më pagëzuan

Meteor drite

Me Formulën e Pagëzimit

Të përgjakur

Gjëma ime rri peng

Te Ura me harqe

Te gurra e Drinit të Bardhë

Te lisi me litarin e varur

Te oxhaku i kullës së djegur

Te shpata e përgjakur

E zvarranikëve të Karpateve

Te lapidarët e lirisë nën diell

 

Atdheun e lash në flak

I shkrumbuar ika

Trembëdhjetë net

Nëpër detin e trazuar

Trembëdhjetë ditë

Nëpër Ferrin e Dantes

Në mes të klithmës e vdekjes

Më pagëzuan Zef Sokoli

Titaniku i humbur

Pse ma kërkoni

Anamnezën e vrarë

Atje në Kosovën e rinuar e gjeni

Të gravuar me gjak

Në shkëmbinjtë e Kosovës

Në dheun e Shqipërisë

Betohem vetëm

Para flamurit me shkabë

Para shpatës së Skënderbeut

Te istikamet e Adem Jasharit

Tri herë betohem!

 

 

BIOGRAFIA E DJEGUR

 

Eja

Burr  i dheut

Të flasim si vëllau me vëllanë

Nëse je vetëtimë e vetmuar

Më merr në grykë malësorçe

Të njoh nga zëri

Nga sytë nga  vaji

Nga përmallimi i zjarrtë.

 

Nëse jam i verbër

Të betohem në bukë e kripë

Të njoh:

Kur ti ledhatoj plagët

Kur ta mas dhembjen

Kur ta prek lotin.

 

Eja

Bija e Arbërit

Të shkrehemi në buzëqeshje

Motër e vëlla

Sakatuar shtigjeve

Mbytur harrimit.

 

Nëse çalon

Të marr në duar

Si një tufë rrezesh

Si një lule

E vrarë nga vetëtimat.

 

Nese unë nuk mundem nga  dhembja

Këpute gërshetin e parë

E lidhma plagën

E fshima lotin

Dhe atë tufë gërsheti

Çoje në laboratorin nuklear

Aty i mëson analizat

E gjakut të shprishur të Arbërit.

 

Nëse  jam  në urnë

Këpute gërshetin e dytë

E ma mbulo hirin

Le të kujtojë

Se Motra u kthye me Ylber

Se dielli e mundi errësirën.

 

Kurrë  more

Do te kthehemi në kullat e gurit

Me dryrë të ndryshkur

E t’i trembim nga foletë

Shpendëkeqet.

 

E gjithë kjo nuk është

Lojë

Por plagë, dhembje e gjak

Biografi e djegur

ARBËR.

 

 

PRITJA NËPËR FURTUNË

 

Furtuna shkulte edhe lisa

E unë të prisja

Duke m’u rrokullisur lotët

Në pentagramin e rrudhave.

 

Nuk me duhet kamertoni

Ta akordoj vajin e mallit

 

Më mirë të isha Rozafa

Krua që nuk shter

Më mirë guri të isha.

 

Më mirë të ishe zog a dallëndyshe

Që kur të vije nga shtegtimi

Kishe pushuar e prehur

Në supet e mija prej guri.

 

 

SYRI PA DRITË

 

E paskam shkelë

Çerepin ku nëna gatuante bukë

Dhe nuk paskam thënë falem o Zot

 

U mbështeta në gurin futë të oxhakut

Dhe bërtita deri në kupë të qiellit

Mësoje anamnezën e sëmurjes time:

Jam verbuar mbrëmë

Nënë, moj!.

 

 

MOLLA E KUQE

 

Mollës së kuqe

Ia prenë pesë degë

Dallëndyshet thurin foletë më lartë

I ngrohin puplat nën diell

Zogjtë këndojnë simfoninë e fundit

 

Kur i bien gjethet mollës së kuqe

Më zë dhimbja

Për blerimin e vyshkur.

 

Një nga një i ruaj në shportë

Dhe tërë dimrin

Lutemi bashkë

Për pranverat e reja.

 

 

ZOGU  I  BALSAMOSUR

 

Edhe pendën time

E zuri pikllimi

Për  fluturën e ngrirë

Për lulediellin  prej druri

Për zogun e balsamosur.

 

Insekteriumin

Prej  qelqi të trashë

E ruanim në laboratorin pa çels

Sepse nuk kishim ç’të ruajmë

Gjilpërat e kishin operuar gjithësinë.

 

 

KOHA ERDHI

 

Pse edhe sonte hesht

Vetëm një fjale të na thuash

Nise kortezhin e ngrirë

Të mose na zejë terri

Edhe varrimin ta kem nëpër dritë.

 

O Zot

Për shpirtërat e ndritur shëroje:

Dhembjen

Harrimin

Vdekjen.

 

 

BISEDOVA ME  GURIN                  

 

Një  krua

       Buron nga gjoksi

A është kënga

A loti yt

O gur.

 

Kur zbriti ylberi

Mbi krua

E pyta:

A është shalli yt me ngjyra

A shoka që e lidh shtatin

Prej guri.

 

 

DIALOGU I FUNDIT

 

Prizren

Unë dhe ti oshëtimë

Krismë dhe klithje

Deri në maje të Pashtrikut.

 

Lum i Bardhë

Ti dhe unë

Valë, urë e gurit

Lot në bebzat e pëlcitura.

 

Në secilën dasmë

Erdha me peshqeshin nën sjetull

Në secilen vdekje

Erdha i përlotur.

 

Në festat e flamurit

U bëra daulle

       Me lekurën e pëlcitur

Duke pritur pranverat.

 

Për ZSH: Alban Voka