Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Janaq Pani: Fshati me shakaxhinj - Humor popullor 2

| E diele, 17.10.2010, 05:10 PM |


Janaq Pani

 

Fshati me shakaxhinj

 

Humor popullor 2

 

Këtë herë ma k'ënda ta bredhërij mendimin andej nga Ksamili. Jo në Ksamilin e sotëm, por në atë të shumë e shumë viteve

më përpara që e gëzonte virgjërinë si e kish gatuar Zoti. Kjo hapësirë e blertë ishte kullotë e Golemasve dhe rezervat gjuetie për

ata që qenë veshur me pushtet. Rastisi një herë që Ministri i Brendshëm i atyre viteve, nuk po ia zemë emrin në gojë, bashkë me

parinë e rrethit të Sarandës kishin ardhur të gjuanin për derr të egër. Në gjah e sipër patën plagosur një të tillë. Bisha e plagosur,

në turrin e saj për të shpëtuar kokën, përshkoi e trembi kopenë e golemasit e turravrap u fsheh diku matanë kodrës që lan këmbët

te liqeni i Butrintit. Edhe çobani u ngre i alarmuar nga vendi por e pa se nuk i bëri dëm derri dhe u ul përsëri. Gjahtarët e ndiqnin

bishën këmba-këmbës në gjurmët e gjakut. Kur arritën te çobani mbajtën hapat dhe i pari i tyre e pyet në se ia zuri syri një derr

të plagosur të kalonte këndejpari.

       Iu përgjigj çobani pa luajtur vëndin: "Këndej e la vrapin, më përçau bagëtinë malukati e hodhi kodrën përmatanë."

       Ministri, edhe ai lab, deshi të bëjë humor dhe e pyet përsëri:"Po a e pe qe femër a mashkull ?

       Çobani nuk e la të bjerë në shesh rromuzi: "Po nuk i mbajti këmbët ai malukat që t'i shihja hallatet, por them se mashkull do

të ketë qënë, se kur hodhi të kaptën foli e tha:"E ç'mi rruan k... ata që më qëlluan!

       Ministri i befasuar e i zënë ngushtë i kthehet si me inat:"Nga të kemi?" "Nga Golëmi,-ishte përgjigja.

       " Hajde të ikim,- u thotë ministri të tijve, - se këtu kemi rënë në usta..."

Me që jemi në shoqëri me një personazh derr të egër, do t'i mbetej hatëri po të mos e rrëfenim edhe një ndodhi tjetër por me

një tjetër të Golëm. Ky i golemasi prej vitesh kish mik shtëpie Manolin nga Nivicë Bubari. Nuk duhet të jetë rastësi që edhe ky miku

na qënkej njeri i veshur me pushtet, po jo në atë rang sa ata që takuam më lart. Të përbashkët me ata kish pasionin e thekur të

gjahtarit. Nuk i hynin në sy lepuj e thëllëza,  inatin e mbante vetëm me derrat e egër. Por në një nga ditët e vitit i vjen të

golemasit lajmi i hidhur se Manolin e ka çarë derri i egër në gjueti. Ngrihet i golemasi, lë të gjitha punët në mes të sheshit, merr

edhe nikoqiren me vete e nisen më këmbë për në Nivicë në vakinë e mikut. E ku gjendej makinë në ato kohë. Si kaptuan qafa e

shpate mali e i dualën fshatit të mikut kundruall, dëgjon t'i flasë gruaja nga pas që e ndiqte si manare:"Pa mbaji pak këmbët, o

burrë!" "Ç'të gjeti, u lodhe? Duro se ja arritëm!- ia kthen burri. "Gjetkë e kam hallin, o  burroo. Atje ku do vemi dua t'ia them

edhe unë ca ligje mikut. Nuk më ka hije të rri si vuvë. Vrava mëndjen tërë rrugën po nuk qullosa gjë. Thashë të më japësh ti

ndonjë mëndje."

       U mendua i golemasi qiri më këmbë ca çaste, pastaj i dha dum mendimit: " Kur të të vijë rradha ta qash mikun  do t'i thuash

këto që të them unë këtu. Futi në mend të mos i harrosh:

                                 O Manol më kishnë thënë, kush si ti,

                                 mal e fusha s'keshe lënë, kush si ti,

                                 shumë derra keshe ngënë, lum si ti,

                                 po ky ta zuri të tëmë, o ditëzi,

                                 se qe mut mbas muti zënë, o derëzi..."

       Na e hidhësuan gojën këto ndodhitë me derr ndaj do u kthejmë krahët.Edhe kaq sa rrëfyem e kanë shumë. Këmbë-këmbë tani do i afrohemi qëndrës e fshatit, te ajo salla që e kishin pagëzuar "Këndi i kuq", ku njerëzit bëheshin kokë më kokë e dëgjonin ligjëratat e të deleguarve nga Qëndra për fushatat që hapte Partia, një sot e një nesër për të revolucionarizuar jetën socialiste. Për këtë herë i paskish ardhur rradha emancipimit të gruas si në qytet dhe në fshat. Për të prurë fjalën e Partisë në Golëm, qe shkulur e ardhur vetë Kryetarja e Bashkimit të Grave të rrethit. Në sallën e vogël më shumë vend kishin zënë të moshuarit të mbështjellë në sherqet e zinj si krimbi i mëndafshit. Këta nuk i heqin nga kurizi këto sherqe dimër qoftë a behar ardhtë. Nuk mungonte as paria e fshatit të ulur në presidium në të dy krahët e të deleguarës si për t'i thëne se kështu do i bëhemi krah Partisë sot e mot e përgjithmonë. Presidiumi qëndronte mbas ca  tavolinave

këmbështrëmbëra të mbuluara me një beze të kuqe. Foli e foli e deleguara për këtë direktivë madhore për të ndërtuar mardhënie të reja burrë-grua në familjen tonë socialiste dhe për lehtësirat që duhet t'u krijohen grave në punë e në shtëpi. Duke folur asaj i tërhoqi vemendjen

një i moshuar i ulur në rradhën e parë e që një nënqeshje shpotitëse i kish bërë vend nën mustaqe. E emocionuar nga vala e entusiazmit

për ecurinë e mbledhjes i drejtohet:" Pa u trego ti xhaxha këtyre të rinjve se ç'të vjen për dore të bësh në shtëpi për t'i ardhur në ndihmë

bashkëshortes. I moshuari, si kroi zërin, bëri të ngrihet, por kryetarja, me një zë të butë si kadife që do e kishin zili edhe fëmijët, i tha të

mos mundohet, por të flasë nga vendi ashtu ulur. Xhaxhai ia plotësoi kërkesën e nisi të flasë ngadalë duke i çkoqitur fjalët një e nga një

si të numuronte kokrat e tespiqeve:" Unë, moj shoqe e nderuar kryetare, i shpie në shtëpi mbrëmje për mbrëmje nga një zallëm me

cfaka e saba për saba i llakanis dybekun..."

        Pa e mbaruar fjalën xhaxhai, salla u gajas, kurse atyre të presidiumit një fytyrë u vinte e një fytyrë u shkonte. Vetëm e deleguara nuk

arriti ta kapë ironinë. I kish pëlqyer mendimi i xhaxhait dhe iu drejtua atyre të rinjve në sallë:"Të mirrni shembull nga ky i moshuari. Të

gjithë të bëni si u shpreh ky xhaxhai... por brohorimat në sall e mbytën zërin e shoqes Kryetare të Grave të Rrethit.

       Duke i lënë njerëzit të gajasen me naivitetin e të deleguarës së rrethit, një tjetër ndodhi më erdhi në mend të rrëfej. Kohë më vonë,

po në këtë sallë, një tjetër i deleguar nga qeveria e madhe në Tiranë e mblodhi popullin për të hapur një tjetër fushatë, atë të kultivimit

e të rritjes së prodhimit të zarzavateve e perimeve. Vetëm duke rritur rendimentet në prodhimin e preshit, domateve e kastravecave e të

tjera si këto, do të rritim të ardhurat e kooperativës dhe mirqënien e popullit, trumbetonte ky tellall i pushtetit. Në këtë sallë një bujk

kurajoz iu drejtua të ardhurut: O shoku i deleguar, po domatja e kastraveci, e më the e të thashë, duan nga një hu të mbahen për vete,

e nga do arrijnë të na mbanë edhe neve...

       Në këto histori, vemi e nga vemi, e përsëri shtegu do na nxjerrë te xha Lutoja. Arriti një kohë që buka në fshat gatuhej me një lloj misri

hibrid dhe i mykur. Buka dilte aq e hidhur sa u a hidhnin edhe qenve e nuk e vinin në gojë. Personat që drejtonin në atë kohë këtë ekonomi

bujqësore qenë të golemas si Bejkushi(kryetari i kooperativës), Alushi(përgjegjësi i sektorit), Siriu(sekretari i partisë) dhe Turabiu(kryetari

i këshillit popullor). Në fund të fshatit ishte një lerë për të pirë ujë bagëtia e njerëzia i thoshin Pus. Xha lutos që nuk i rrinte gjuha rehat

në një nga ditët u këndoi këtë këngë: Na mblidhen forcat te Pusi

                                                      flet Alushi e flet Bejkushi,

                                                      flet Siriu e Turabiu,

                                                      na vdiqën forcat uriu

                                                      po ç'të bëjë xha Lutfiu

                                                      t'i helmojë me bar miu.

       Xha Lutos i ra rruga të shkojë për një hall në Tiranë. I bëri konak një kushuri. Të ulur rreth tavolinës, si thotë populli që grepi nxjerr

ngjalën e fjala nxjerr fjalën, e pyet kushuriu xha Luton se si i kanë punët andej nga fshati. Dhe ky u gjegjet: " E ç'të të them, o kushëri,

edhe pulat e kotecit na shohin në dritë të syrit kur shkojmë, mender të përmjerim, e mezi presin sa të ngrihemi...

       Po e lëmë xha Luton në të mbarë të tij e do të tregojmë një ngjarje me Pajton se kështu i flasin në Golem Pajtimit. Pajtua punoi ca

kohë si minator në galeritë që hapëm ne të gjeologjisë rreth fshatit, si ju a kam çkoqitur më lart. Sa qëndruam në ato anë, të gjithë mi-

natorët e ndihmësat i kishim nga ky fshat. Të arrije galeritë të duhej të ngjitje të përpjetën e malit një orë e ca larg fshatit. Përditë në

trastë do u shihje copën e misërnikes e një shishe me dhallë. Më të rrallë ndonjë vezë e pak djathë. Dhe të mendosh se ndesheshin me

shkëmbin përditë. Veglat e punës qenë varreja, kazma e lopata dhe karoca e dorës për të nxjerrë jashtë galerisë materialin e rrëzuar.

Galeritë ishin aq larg sa nuk mund të mekanizoheshin. Në një nga mbasditet kur Pajtua u kthye i lodhur në shtëpi i thotë të ëmës:"Mëmë,

më bëj ndonjë gjë për të ngrënë."

       " Nuk kam gjë tjetër veç pak gjizë ka mbetur, - i thotë e dëshpëruar e ëma.

       " Mirë, ajo gjizë që është po kuqëma pak në vaj, - shprehu dëshirën e biri.

       I ati i Pajtos që pushonte në minder u hyri në mes: " A, jo kështu Pajto, nuk na del llogaria me dy gjellë, edhe gjizë, edhe të kuqur...

       Do ta lemë Pajton t'i ve buka me gjizë në bark dhe të atin të prëjë kockat në minderin me dhoga. Edhe ne kemi nevojë të pushojmë

e të vëmë në sira se çfarë do të rrëfejmë një herë tjetër. Mirë u takofshim miq.