Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vaso Papaj: Përse nuk flasin ullinjtë?!

| E shtune, 16.10.2010, 04:40 PM |


Vaso Papaj

 

Përse nuk flasin ullinjtë?!

 

-Mos e shkruaj, Patri! Të lutem!

-Nuk të pyes, Gjergj. Kështu ke thënë gjithmon ti.

-Patri,të lutem! Mos e shkruaj!

-Kishe një muaj që kërkoje. Disa muaj. Një vit. Pse mos të them pesëdhjetë?...Që kur ke lindur.Dhe tani që erdhi dita , më thua : hesht!... Jo Gjergj, nuk do të hesht.

 

                                                                         o o o

 

Zbresim nga veturat buzë një rruge fshati. Jemi shumë. Dhjetë, ndoshta pesëmbëdhjetë.Thuajse nuk i njoh.

Buroni na drejton. Na presin dy fshatarë. Një plak dhe një mesoburrë. At e bir.

-Ky është dajë Coni.- thotë Buroni.-I ka parë me sy.

U japim dorën.-Mirëseerdhët!

Ecim. Pluhur dhe vapë nëpër një shteg. Tokë e përzhitur fundvere.Kodrinë buzë Erzeni.  Besdisje manaferrash nëpër këmbë.

-Eh,mor Buron!Mos vdeksh kurrë! Të rrofshin gocat me gjithë ç`ke! I gjete më në fund…

-I gjeta,posi.

Ti Gjergj si i ngrirë je sot. Në njëshkollonë vjen pas meje. Kthehem e të shoh. Vështrimhumbur. Lëkurëthekur. Muskujngrirë.

-E gjetëm më në fund, Gjergj. Qe deshira jote, por dhe detyra gjithashtu: Të kishte një varr. Rrofsh Buron! Ja arrite…Sa janë kështu?!..Hedhur ferrave, pa emër. O Zot!

S` kaloi shumë dhe udhërrëfyesit na ndalën.

-Ja këtu, buzërrëpire.

-Rrofsh vëlla!Rrofsh me ç`ke!...

Kishte një tezgë aty pranë. Ca thasë prej bezeje, dy lopata, një qysqi…

Grupi mori frymë rëndë. Shikonim njëri tjetrin. Mos e provoftë kurrë njeriu një zhvarrim. Aq më shumë një të tillë.

Përplasje lopatash. Ca pika djerse mbi dheun e shkrifët. Ritëm që krijon ankth. Gratë zunë dënesën.

-Ju lutem, s`e kemi bërë kështu.

Punonte i biri i dajë Conit dhe një më i ri. Po nuk u desh dhe shumë. Disa lopata. Ja aty, tamam. Të shponte si thikë  goditja e qysqisë. Dhe eshtrat nisën të shfaqen. Mes dheut. Të nxirra por dhe të forta gjithashtu.

-Kujdes, o cun! Mos i jep lëndesë ma shumë.

-Më le, o xhaje. Se mos hera e parë.

-Tamam tre. Në sy i kam si sot.

Më në fund gërmimi mbaroi. Mbi atë vend të ngushtë , disi të pjerrët, u dukën qartë kockat me tri kafka.E qartë, e qartë. Të tre…

-Të përqafuar-shtoi dikush.

Tani nis më e vështira:Ndarja.Një fjalë goje:Ndarje. Ç` do të thotë ndarje? T`i ndajmë, thoni? Më duket e pamundur. Sigurisht, s`do t`ia arrinim dot. Miq të nderuar! Sigurisht. Diçka do të mbetej e pandarë. E vështirë sigurisht. Mundet edhe e kotë. Le që…Pesëdhjetvjetë, të nderuar.Bashkë, të përqafuar. Me nga një plumb pas koke. Me ëndërrat e ndërprera, detyrat e pakryera, amanetet e pathëna.O Zot! Përse?...Përse?...

-Këta nuk duhen ndarë kurrsesi.-tha dikush-Po na mësojnë edhe kështu. Na mësojnë të mësuarën, vëllezër. S`ka kuptim. Le t`i rivemë bashk. Do ta gjejmë një metër dhe  të shkrifët. Një pllakë mermeri vetëm të bardhë. Emrat dhe një vazo. Dhe fëmijët, motrat, nipat do të shkojnë ngahera. Një lule me vesë , të nderuar. Një kurorë, një trëndafil nga nënat që s`janë më. Heshtje. Heshtje që don të thotë shumë.

-I kishin lidh prej dore.-tha dajë Coni.-Ja teli. Aksham qe. Ranë me diellin. Dy lopata dhe. Aq. Dhe natën lehën qentë. Qyqet nuk pushun sa ditë. I mlova me të gdhi. Buzë rruge, ja këtu…

Vend i zhveshur. Barzhuritur. Vetëm Erzeni dhe ullinjtë mund të ishin dëshmitarë. Atje tej. Por Erzeni s`ish gjithmon po ai. Kurse ullinjtë janë pa gojë. Sikur të flitnin ullinjtë!?...

-Ky është baba.-më thotë  Gjergji. Zëri i tij mezi dëgjohet. Më tregon kafkën. O Zot!-Kishte një dhëmballë të shkulur djathtas. Ma thoshte nëna shpesh. Sikur ta dinte që do të vinte kjo ditë. Ishte më i vjetri , ndër ta, Patri. Tridhjetepesë pambushur. Shihe vrimën e plumbit. Prapa kokës. Vrimë e zezë sterrë. O Zot!

-Gjithmon prapa kokës.  Me të pabesë. Kush e mbolli këtë farë?!...

-Ai i riu është Vlashi-tha dikush.-Pa mbushur njëzet. Donte të jetonte. Kërkoi mbrojtjen e Ndues. E pësoi.

-Ndërsa ky, Selaudini , studenti. Shiheni!

Shkëmbime fjalësh nën zë, ç`të shikojmë!..I biri i dajë Conit me atë tjetrin pastronin eshtrat. I mblidhnin, i fërkonin me një furçë. Pastaj i futnin në njërin prej thasëve.

S`kishte lot. Ishin tharë lotët. Lum i vdekur dalngadalë. Ca ullinjë degëlodhur sikur shpërndanin paqen për rreth…Përse nuk flasin ullinjtë?!...

-Nuk morrëm një prift, Buron, një hoxhë. Qoftë edhe padre Markun!...-Qoftë edhe të tre…Na doli nga mend.

-Jo mor  bir! Ç`t`i hyjmë asaj??! Ata janë të bekuar. Të pafajshëm janë. Martirë.

Motra e Vlashit ndan llokume.Llokumet e dasmës që s`u bë kurrë.

Një zonjë po qeras.-Për Selaudinin , të nderuar miq! Do të kishit marrë diçka. Për diplomën, o shpirt! Që e le në mes.E qerasën këtu. Prapa kokës.

-Të nderuar miq! Një të ëmbël për Nduen. Nga nusja e djalit. Kishte fort qejf me ju qeras. Zakon i malësorit. Pas një muaji i lindi djali. Nuk gëzoi. Urojeni, të nderuar.

-Urojini, të nderuar!T`i kryejmë të gjitha njëherësh. Tani. Kjo është.

Thesi prej bezeje ishte fryrë. Në një farë mënyre dukej si kurrizi i nje gungaci. Kurrizi i vatanit, sekush tha. S`besoj të kishte vuajtje më. Ku janë qyqet, pse s`vajtojnë? Pse nuk tundet një gjeth në këtë zheg. Si të ngrirë duken ullinjtë?...

-Buron,i dashur! Përshëndetjen presim.

-Të nderuar pjesmarrës! Ja ku arritëm t`i gjejmë më në fund trupat e miqve tanë të pushkatuar nga dora vrastare  atë Nëntor të largët. Qenë të fundit në listën që më ishte besuar. I lehtësuar tashmë dhe krenar, ju ftoj të heshtim një minutë  në kujtim të tyre. Me këtë rast, më lejoni të kujtojë edhe një herë Nduen, malësorin me besë, oficerin trim të xhandarmërisë mbretërore që qiti pushkë i pari më 7 Prill. E kam njoftë vet. Ka shërbyer në Shijak. Ç`do gjë mund të bënte, veç të vriste vëllezër, jo. Ngushullime djalit që s`e njohu kurrë! Të kujtojë Vlashin, çirakun marangoz. Korrierin partizan. Sigurisht iku prej andej. Ëndrrat e lirisë kishin nisur të ktheheshin në makthe. Makthe vdekjeje pas shpine. Mes vëllezërish. Nuk duroi. Kërkoi mbrojtjen e Ndues, që s`e mbrojti dot. Dhe të tretin, Selaudinin, i  barkut të njohur të Hafizit të Korçës. I biri. E la në mes akademinë në Firence. U kthye për t`i qit pushkë dushmanit.

Ja kështu, të nderuar miq! Tani i kemi midis nesh. Kaq ishte ajo që mund të bënim. Prandaj Mirdita sot është ketu, dhe Shijaku, edhe Korça gjithashtu. Të përqafuar. Le t`i kujtojmë pra, kështu,të bashkuar..

U mek zëri i dridhur i Buronit. Djersë të ftohta nga tëmthat. I ishin zbardhur buzët, i kishte humbur vështrimi andej tej, nga ullinjtë sehirxhinjë.

Përse nuk flasin ullinjtë?!...

Shteg i heshtur dhe një herë. Shteg memec. Njëshkolonë. Rrugë e kthimit, po ajo. Sigurisht pa prift, pa gjeneral, pa përkthyes, pa roje, pa kamera , pa gazetarë. Buronin kemi udhërrëfyes. E shoqëron një djal i ri.

-Përfaqëson Ministrinë e Brendëshme- tha dikush.

-Mirret me zhvarrimet.-tha një tjetër.

-Gjergj, mos më vështro ashtu, Gjergj. Ishim të rinjë athere. As e mendonim se do të vinte kjo ditë kështu. Po ja që erdhi. Lum si ti sot, Gjergj!I bardhë. Me korentin në trup dhe i bardhë. Me zinxhirë lidhur kokë poshtë dhe përsëri i bardhë. O Zot! Sepse veti e mishit është: ka mish-gurë, ka dhe mish-qullë. Lum si ti!

Hedhim këmbët nëpër tatëpjetë.

-Drejtë e në varreza, i dashur. Pa ceremoni. S`e kam menduar kurrë. Përse nuk flasin ullinjtë, Patri?!

-Edhe mund të flasin një ditë, Gjergj…Madje, duhet të flasin.

Po ai shteg përsëri. Po ato manaferra që bezdisin. Na përcjell Erzeni që rrëshket..Kemi krushq edhe ullinjtë.

-Nxitoni, të nderuar!

Gjysëm ore gjer në rrugën e fshatit. Kishim hequr nga supet një peshë të rendë. Pas pak do t`i hipnim veturave. E gjithë pesha tani sikur ndodhej brenda thesit të fryrë. Mbuluar me lule mbi tezgën e drunjtë. Lule dhe flamur mbi kurrizin e vatanit.

-Gjergj, sa do të shkojmë kështu, Gjergj?...U lodhëm së mbajturi kocka, së hapuri gropa, së hartuari fjalime…O Zot! Jepi fund një ditë!...

 

 

                                                                         ooo

 

 

Ullinjtë?!...Sehirxhinjë apo dëshmitarë janë?!...Hajde gjeje…Gjithsesi, dikush duhet të flasë. Qoftë edhe një vrimë e zezë sterrë, pas një kafke. Por , edhe në mos pastë gojë, a nuk duket sikur flet ??...