Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hidhet në qarkullim vepra letrare e Martin Camajt, botim akademik

| E shtune, 16.10.2010, 02:25 PM |


Shekulli

 

E gjithë vepra letrare e Martin Camajt, e botuara në të gjallë të autorit, dhe veprat e lëna postume, u mblodhën në dhjetë vëllime të cilat nga dje janë në qarkullim. Botimi akademik dhe filologjik (Botimet Onufri 2010, 15 000 lekë) shteron veprën letrare të Camajt poet lirik, prozator, tregimtar, dramaturg.

 

Projekti i Degës së Albanologjisë në Universitetin e Mynihut, një trashëgimi për të cilën Camaj kontribuoi deri pak para se të ndërronte jetë, kurorëzohet në përvjetorin e 85-të të lindjes së "shkrimtarit më të spikatur të mërgatës shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar", siç e cilëson prof. Bardhyl Demiraj.

 

Demiraj i cili është në krye të Degës së Albanologjisë në Mynih, ka drejtuar punën për botimin akademik të veprës së plotë letrare të Camajt. Bashkë me Erika Camajn, të shoqen e shkrimtarit dhe prof.

 

Franceso Altimari, ai prezantoi mbrëmë në Hotel Tirana rezultatin e projektit. I hartuar në bazë të kriterit kronologjik të gjithçkaje që është shkruar prej viteve pesëdhjetë deri në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, studiuesit kanë mbajtur parasysh edhe aspektin e ballafaqimit që ky autor, i ndaluar në Shqipëri, do të ketë me lexuesin e tij të gjuhës amë. Për këtë arsye çdo vëllim është pajisur me një fjalor fjalësh të rralla, variantesh dialektore, me shpjegime.

 

Botimi ka një parathënie përshëndetëse nga Ismail Kadare, dhe shoqërohet me tekste kritike nga studiues dhe njohës të veprës së Camajt.

 

Pas këtij botimi, dy konferencave shkencore, njëra në Mynih dhe tjetra në Tiranë, pritet së shpejti që Presidenti i Republikës t'i akordojë "Nderi i Kombit" një njeriu me kontribut të painteres për vite me radhë në ekzil.

 

 ___________

 

Camaj më 1980: Nuk shkruaj kundër dikujt, por për fjalën shqipe

 

Fatmira Nikolli, Gazeta Shqiptare

 

Ai nuk ishte njeri që urrente dhe nuk shkruante kundër dikujt, por përfjalën shqipe dhe për letërsinë". Kështu, shprehet për Martin Camajn, një njeri që e ka njohur nga afër. I mohuar, i detyruar të rrinte larg vendit që i dha jetë, Camaj, nuk përdori letërsinë si armë kundër atyre që e mohuan. Në fund të viteve 1980, arbëreshi Francesco Altimari gjendej në Mynih. Ai pati fatin të ishte student i Martin Camajt, por me kohë do të bëhej edhe mik në shtëpinë e tij. Shpesh mësuesi e studenti do të bashkëbisedonin për letërsinë e për veprat e shkrimtarit të mërguar. Altimari mori pjesë në promovimin e kolanës së veprave të ish-profesorit të tij, ku gjeti kohë të na rrëfente edhe bisedat e bëra me të. "Njëherë i kam marrë një intervistë gjatë një udhëtimi në tren", - tregon Altimari, duke na njohur me detajet e një njeriu që pak e njohim. Më poshtë, profesori i katedrës shqipe në Itali, Altimari, na ofron kujtimet e tij dhe bisedat që morën jetë në Gjermani, në ditët e fundit të jetës së shkodranit.

Nga familja e Camajt mësuam se ju jeni takuar disa herë me shkrimtarin. Kur ka qenë hera e parë që jeni takuar me të?

Camaj kishte njohje e miqësi të ngushta në botën arbëreshe e sidomos me akademikët e prof. Solanon, sepse Camaj shkonte çdo vit për kërkime. Një miqësi të madhe ka pasur edhe me vjehrrin tim Luka Perrone. Dhe sa herë vinte në Kalabri takonte rrethin e miqve që ishin të lidhur edhe me Ernest Koliqin. Atëkohë, ishte një rreth intelektualësh që me Koliqin punonin për revistën "Shejzat".

 

Ju vetë kur e takuat? 
Kanë qenë vitet 1970, kohë kur unë isha student. Mbaj mend që një herë, ai erdhi e na dha një leksion, e kjo ka qenë hera e parë që unë e kam takuar Martin Camajn. Mbajti një leksion për letërsinë. 
Çfarë tha për letërsinë? 
Ishte ambientuar me botën arbëreshe dhe e ndiente shumë afër atë. Ishte bota shqiptare alternative e tij, sepse bota shqiptare e tij e mohoi, për shkak të regjimit. Ai i njihte vlerat e përbashkëta me botën arbëreshe. Pothuaj çdo vit ne takoheshim me të. Më tej unë kam qenë në Mynih, ku pata fatin të isha student në katedrën e tij. Vizitat u bënë të shpeshta edhe të tipit familjar. Kam qenë shpesh edhe në shtëpinë e tij. Ruaj edhe një intervistë që ende nuk e kam botuar ende por do ta botoj. Ai nuk para jepte intervista. 
Si ia morët intervistën dhe çfarë iu tha? 
Ia kam marrë intervistën kur ishim duke udhëtuar në tren drejt Mynihut. Ishin vitet e fundit të jetës së tij, mbase muajt e fundit diku në vitin 1990, pak para se të sëmurej e të ikte. Më tha disa gjëra që më tej i shkroi në veprën "Palimpsest". Ai në një farë mënyre u rrëfye. Ishte katolik dhe katolikët rrëfehen, por jo shkrimtarët sepse e bëjnë këtë përmes veprave. Në atë rast, duket sikur kishte për të thënë diçka të thellë ose ndjente diçka mbase edhe për qarqet intelektuale shqiptare. 
Çfarë ju tha për qarqet intelektuale shqiptare? 
Ai nuk kishte një qëndrim të egër ndaj tyre, megjithëse ka qenë i përndjekur. Ka pasur raste kur edhe tek arbëreshët i mohohej e drejta, ose ishte i kushtëzuar sepse herë-herë kushtëzimet e vjetra mbërrinin edhe atje, dhe shihej si një 'figurë jo e dashur'. Ai ishte një njeri që kishte ndenja dashamirësie ndaj të gjithëve. Nuk preokupohej që ishte i 'përndjekur' nga politika dhe nuk reagonte ndaj kësaj. Ai thoshte: "Unë nuk shkruaj kundër dikujt, shkruaj për letërsinë, për fjalën shqipe". Ai ishte shkrimtar dhe nuk i interesonte dhe një shkrimtar i mirëfilltë nuk ka mburoja. 
Gjatë takimeve të shumta, çfarë iu ka bërë më shumë përshtypje nga ato çfarë bisedonit me të? 
Ai ka qenë mësuesi im, e nga ana e metodës, ne jemi ajo çfarë na kanë dhënë mjeshtrit tanë. Ka rëndësi që stafetën që na ka lënë mjeshtri t'ia dorëzojmë dikujt sa më lart e sa më mirë. Ai ishte kundër diletantizmave. 
A iu fliste për shkrimtarët shqiptarë? 
Jo, nuk më ka folur për ta. Me sa di unë ai nuk ka mundur dhe i ndalohej të takohej me ta. Ai ishte më i lidhur më shkrimtarët kosovarë, sepse i botoi në Prishtinë veprat e para dhe më rezulton që kishte kontakte më të shumta me ta. 
A ndihej i kërcënuar ai? 
Jo nuk ndihej, përkundrazi ndihej shumë i lirë. 
Për çfarë shqetësohej? 
Ishte i preokupuar se si do të perceptohej, si do të lexohej si do të merrej, letërsia e tij. 
Cilat qenë temat kryesore për të cilat folët? 
Ishte më së shumti preokupimi i tij për letërsinë që shkruante. Ai thoshte: "Unë nuk jam një shkrimtar që mund të lexohem lehtë. Si mund të më lexojnë lexuesit shqiptarë, kur jetojnë në atë gjendje?". 
Në ç'vit ia bënte ai këto pyetje vetes dhe juve? 
Duhet të ketë qenë fundi i viteve 1980. 
Si ishte Camaj njeri, jashtë letërsisë? 
Ai nuk kishte urrejtje. Ka disa shkrimtarë që përdorin letërsinë si armë për të shprehur urrejtjen kundër politikës. Ai nuk e bëri këtë. Ai shkroi atë që dëshironte, atë që ndjente. Shkrimtari nuk është në shërbim të një ideologjie. Ai kishte të drejtë të ishte i armatosur kundër regjimit në Shqipëri, por ai nuk e bëri. Kontakti i tij me letërsinë europiane e bëri që të kishte gjuhën e vet, të ishte një laborator e të kishte stilin e tij. 
A ka ndonjë dimension të tijin që ne nuk e njohim, dhe që ju që ishit në kontakt me të e zbuluat? 
Camaj ka pasqyruar një botë shqiptare të veçantë. Letërsia e tij lind dhe zhvillohet në një ambient të veçantë, ndaj bota shqiptare që ai jep është një botë e filtruar. Letërsia na jep mundësinë të kemi një tjetër vizion të jetës dhe të botës. Ai na jep ndjenjat e një bote shqiptare që nuk i kishin shkrimtarët e tjerë dhe kjo veçori lidhet me jetën e tij.

 

__________

 

E qeshura ndër lot e Martin Camajt

 

Josif Papagjoni, Gazeta Shqiptare

 

I arratisur nga Shqipëria në vitin 1948, ende një djalosh, fatalisht i gjendur në një kalvar vuajtjesh si i mërguar dhe si i papranuar nga dheu amë, me pezmin e mungesës së lexuesit të tij të një gjuhe e shpirti, ai mundi falë talentit të padiskutueshëm ta tejkalojë stadin e letërsisë shqipe të kohës, jo përjashtimisht në poezi por edhe në disa proza me afëri përkah paradigmave të një Koliqi. E vetëmbyllur dhe pa komunikime me rrjedhat postmoderne të letërsisë botërore, megjithatë Camaj u bë për letrat shqipe në gjysmën e dytë të shekullit XX një protektor i munguar i frymës së saj properëndimore, shenjë gjeniumi, fati dhe konfirmimi. Ndonëse më drojturazi, edhe për dramaturgjinë ai rreket të sjellë formatin e munguar të saj. Janë bërë të njohura dy drama: “Loja e mbasdrekës” (dramë në dy pjesë me prolog dhe epilog), marrë nga libri “Shkundullima”, Mynih 1981 dhe “Kandili i argjandit” (lojë në dy pjesë), marrë nga libri “Rradhonjtë e zjarrit”, Kozencë 1993, përmbledhur në një botim të vitit 1996 në Kosovë. Andaj dhe, afërmendsh, nuk është çudi pse ka ekzistuar shi ky divorc i zgjatur me mediumin shqiptar, çka nuk e nderon aspak kritikën. Këto radhë kanë brenda vetes edhe pendesën time, për aq sa më takon. Të ngopura me ide dhe mesazhe përtëritëse, dramat realizojnë një fekondim midis poetikave tradicionale (sidomos “Kandili i argjandit”) dhe strukturave moderne e postmoderne (sidomos “Loja e mbasdrekës”).

 

“Loja e mbasdrekës”

“Tregohet se në shekullin e kaluem, - na bën me dije autori në shënimet mbi landën e dramës “Loja e mbasdrekës”, - përmbi Drin, përpara se ky lum then qafën, vdiq një malësor. Ai e kishte lanë me fjalë që t’i baheshin drekët mortore ma të mëdhatë që mund të ishin. Malësori kishte arsyetuar kështu: po vdes pa lanë djalë në votër. Mbasi për së gjalli nuk kam qenë as trim, as i pasun, së paku në vdekje dëshiroj që gjindja të flasin për mue. Duhet të më marrin në gojë për një ditë... E la me gojë që në drekët e tij të qitet raki e mirë rrushi që rritet kokërrvogël... një përjashtim, ndoshta me paramendim të keq, simbas mendimit të vetjes kryesore të Dramit” (Martin Camaj, Vepra letrare 5, Drama, Apollonia, 1996, f. 7.)

Dhe ka ndodhur një plojë njerëzore, 24 të vdekur, prej të cilëve ka shpëtuar vetëm njëri, Zeka, tash një lypës 70 vjeçar. 50 vjet më pas, ai nxit një rigjykim të ngjarjes, tinëzisht i dëshiruar edhe nga të tjerët. Historia ngjethëse e gjakmarrjes ka qenë veçse një përdhosje e rregullave të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Po pse janë vrarë me shoqi-shoqin? Nga frika. Dyshimi. Dhe teprimi. Ndodhia, si mynxyrë e gjëmë, nuk shëmbëllehet drejtpërdrejtë në formën e një identifikimi dhe veprimi direkt, përkundrazi ajo a) ritregohet puqur distancës së nevojshme historike dhe b) rimishërohet, rivitalizohet, tanimë në formën e një sprove, e një kinse “inskenimi” falë lojës të pranuar nga të gjithë personazhet. Pikërisht kjo gjetje – loja brenda lojës apo teatri brenda teatrit – e afrojnë ndjeshëm strukturën e dramës me tipologjinë bashkëkohore, duke sjellë ndërmend këtu, bie fjala, shumë nga teknikat dramaturgjike të Pirandelos apo efektin e tjetërsimit të përdorur nga Brehti.

Sado që një “lojë”, ajo shërben veçse si një pretekst për zhbirilime në të fshehtën e gjakderdhjes së ndodhur dikur, identifikimin e fajtorit apo fajtorëve, sikurse depërtimin në shpirtrat e ngucur të vetjeve vepruese. Qysh në krye të herës autori e paralajmëron përmes Zekës karakterin e dyfishtë të “lojës”: edhe si mjet reminishent për të risjellë në mendje mynxyrën, edhe si një riciklim të mundshëm të krimit duke shfrytëzuar po Kanunin dhe frikën. “Mbrenda një ore keni për t’u kujtue edhe ju se unë luej përnjimend; ku ashtë plaku-derdhet gjaku, thotë fjala e urtë... e aty ku jam unë” – thotë ai. (f. 11) Më tutje, përmes Gjormit, gjaksit të mundshëm të Zekës (i cili i ka vrarë gjyshin), dramaturgu përcakton: “Natyrisht se ashtë një lojë, po due me thanë, jo gjykim i vërtetë. Edhe si ta qesim Zekën fajtor, na nuk mund ta dënojmë për një faj të bamë përpara një gjysmë shekulli kur këtu ndër male sundonte vetëm Kanuni. (f. 41) Por, sakaq, Kanuni nuk e ka më autoritetin e dikurshëm juridik, ndërsa shoqëria vetë ka ecur përpara. Unë dëshiroj të zbulojë rranjët e së keqes, për t’i çel sytë të gjithëve se gjakmarrja ashtë plagë, zezonë e përhershme! – deklaron Gjormi (f. 21), kurse Bjeshka ia pret: S’ka ma gjakmarrje këndej, por shpagim. Në vend të vriten burrat e malësisë, i djegin arën armikut të vet, natën për hanë. (f. 21) Ka ndryshuar, pra, forma.

E funksionalizuar si një lojë, rreng a sprovë për të zbuluar të vërtetën, personazhet detyrohen të luajnë njëherësh dy vetje: vetveten dhe tjetrin (si rol e maskë). Në këtë vallëzim vetjesh e kahesh të veprimit, përtej Zekës si bartës fillestar i krimit njëkohësisht dhe i penduari i mëvonshëm, hyjnë e dalin në lojë që të gjithë, filluar nga e shoqja e tij, Bjeshka, nga gjakësi i mundshëm Gjormi, nga dëshmitari i vetëm i plojës Mjak Prushi, dikur fëmijë 8 vjeç sot mjeku i krahinës, mëpastaj Kasapi që merr përsipër rolin e policit, Jonja në bujtinën e së cilës bëhet gjyqi dhe riinskenohet ngjarja, një fëmijë shurdh-memec (metafora e ndëshkimit dhe shurdhërisë), masa e malësorëve që ndjekin pas gardhit “ngjarjen e re” si spektatorët shfaqjen, deri tek Gjyqtari, i cili merr përsipër jo vetëm të “mbyllë një dosje krimi” por edhe të kryej rolin e regjisorit.

Përtej kësaj strukture interesante, autori ka mundur të shprehë një ide çlironjëse dhe apeluese. Bjerrja e fuqisë rregulluese e juridike të Kanunit si shprehje e gjithëpranuar e vendosjes së të drejtës, nuk përjashton respektimin e tij në atë çka ai ka ende të mirë, ashtu sikundër, nga ana tjetër, një shtet i së drejtës në një shoqëri të emancipuar s’ka pse mbetet rob i vetëdijes anakronike a kodeve të ngurtësuara.

Gjormi: Teza ime ashtë: degjenerimi i Kanunit çon në zezonë. Struktura e vjetër ligjore në kundërshtim me rendin e ri, apo zëvendësimi i vetëm i pjesshëm i Kanunit nga ligji ndërkombëtar kushtëzuan zvetënimin e njenit apo të tjetrit ligj. (f. 50)

Ndonëse zgjidhja e konfliktit përfundon me vdekjen e Zekës, në fakt autori thuajse e ka falur atë, ndërsa katarsën reale e ka realizuar nëpërmjet pendesës, si kuptim tërësor dhe situatë (më në fund) e prajshme për të gjithë pjesëmarrësit në lojë. Falja nuk vjen nga ligji, por nga ndërgjegjja.

Gjormi: Simbas çdo të drejte njerëzore – dhe këtu ngul unë kambë deri në fund – Zeka nuk mund të dënohet, as për ngjarjet e Prronit të Mbylltë, as për vrasjen e mavonshme. Edhe kundër dëshirës së tij, jam i shtrënguem të shfaqi: na nuk jemi në gjendje as ta dënojmë, as ta shpallim të pafaj. (f. 67)

Po pse vallë? Sepse kanuni si e drejtë edhe pse ndëshkohet, nuk përjashtohet. Nëqoftëse dikur ai ishte një rregullator i jetës, përkundrazi në kohën e re nuk mund të funksiononte më si një prani e dobishme juridike e dokësore. Ky konflikt me vetveten përbën edhe kualitetin e funksionit të tij social në një realitet etnopsikologjik që nënkuptonte progresin. Camaj bëhet sa avokat, aq edhe gjykatës i Kanunit si pjesë e antropologjisë historike-nacionale të shqiptarëve. Gjormi, në epilog, i thotë gjyqtarit: Me vendosmëni ia dhe dënimin në fund, jo Zekës, por hijeve të tan gjaksorëve përpara e mbas Përronit të Mbylltë. Zeka ta dha gurin e arën në dorë sepse ai vetvetishëm, pa e kullue punën gjatë, lypi prej teje prehjen e përjetshme, vdekjen, e ti këtë ia dhe pa përlye ndërgjegjen, petkun tand të zi… (f. 74) Prandaj dhe shkrimtari fajëson çdokënd pjesëmarrës, jo vetëm Zekën si shkaktarin parak të gjëmës. Të gjithë, sekush për të mbrojtur a përligjur veten, sado që realizojnë “hakmarrjen” e tyre duke shkaktuar vdekjen e Zekës (i goditur prej ankthit nga hemoragjia cerebrale), nuk i shpëtojnë dot vetëndëshkimit, tanimë në trajtën e pendesës dhe të pengut. Ata e kuptojnë se në mynxyrën e ndodhur 50 vjet më parë të gjithë bujtësit ishin vrasës dhe të vrarë, ndëshkues dhe të ndëshkuar. Pas 50 vjetësh, ndëshkuesit dhe i ndëshkuari, përkundrazi, bashkohen në harkun e dy proceseve: Falja dhe Harresa. Vetëm përmes faljes dhe harresës mund të zërë kore një krim (ndoshta pa autorë direkt, por me vetë Kanunin si të tillë); vetëm përmes tyre mund të lind dhe në fakt lind katarsa, paqja sociale. Vetëdija kristiane ka ndihmuar që përfundimi logjik i veprimit dramatik të shpallet si mesazh shërues për të nesërmen e shqiptarëve. “Edhe për ju që ndiqni këtë lojë - artikulon mesazhin e drejtpërdrejtë të autorit Gjormi - një lutje: kur të mbetni vetëm, sonte ose nesër, as fjalët “gjak, gjakderdhje, zezonë e urrejtje” të mos ju bien ndërmend. Lëshoni përfytyrimet e hidhta në ujë të rrëmbyeshëm! Por mos na harroni ne…” Fare qartë: Mos harroni Kanunin, mos harroni gjakderdhjet e pafajshme dhe absurde, mos harroni se e drejta ka udhë të tjera rivendosjeje, se njeriu shqiptar lipset të qytetërohet... Dhe si për të krijuar një kontrapunkt me këtë porosi, po me gojën e Gjormit autori hedh dyshimin mbi fajin, qyrku i të cilit u vishet tri gjësende: frikës, absurdit të rrethanës (porosia e të vdekurit për t’u përcjellë me fjalë lavdëruese, pije e këngë) dhe dehjes. Kësodore, lehtas e lehtas, tragjikja shkapërcehet dhe nuancohet edhe si sarkastike (Gjormi: Por ma i kuptueshëm do të kish qenë Zeka sikur të na kish thanë ne të gjithëve para se me dhanë frymën: qe, ju burrave të urtë, ju po jau la kopilin te dera. Si dijekeqësi, i vdekuri i Përronit të Mbylltë, që e la me gojë që të dehen burrat në drekët mortore të tij!) (f.. 74)

Kush është, pra, fajtori?

Të gjithë dhe asnjë... Ndoshta fataliteti që mbart vetë kanuni, si një shkas për krim me cikël rreptësisht të mbyllur, i përsëritshëm pafundësisht e ritualisht. Apo keqkuptimi i kodeve të tij? Mos ndoshta konflikti i heshtur midis Kodit të Vjetër dhe Kodit të Ri, ku sekush i bën karshillëk tjetrit? Apo të tria së bashku?!... Them se këtë të fundit ka pasur, më së shumti në mendje shkrimtari.

 

Kandili i argjendit

Drama e dytë, “Kandili i argjendit”, bën një ajgëtim nga brenda dhe të pamëshirshëm të dukurisë së pasurisë, së paku në tri rrafshe: a) pasuria si shenjë fuqie, hierarkie dhe identiteti, b) pasuria si pretekst lakmie, disintegrimi shpirtëror, grindjeje dhe përçudnimi të natyrës njerëzore dhe c) pasuria si fenomen social, si grabitje e paligjshme dhe e dhunshme prej pushtetit komunist, si hakmarrje politike. Linja e parë e afron dramën drejt shtresëzimeve me natyrë mistike, thuajse okulte, të fuqisë së patjetërsueshme të arit, gjithashtu edhe si shenjë posedimi, lartësimi e fisnikërimi (ari i fshehur, sekreti i humbur me vdekjen e Shtjefnit, veprimi hetimor i Njeriut të Huej, Besa shtatzënë së cilës i besohet sekreti i arit të fshehur etj.). Linja e dytë i jep asaj kahje psikologjike dhe familjare (grindjet brenda familjes mes Lekës si trashëgimtari i parë në linjën e gjakut dhe pretendentëve të tjerë të trashëgimisë), ndërsa linja e tretë e përqas me tipologjinë e dramës politike (shfronësimet dhe grabitjet e pasurisë së shtresës së kamur për ndërtim rrugësh nga pushteti komunist, bashkë me rrjedhojat që vijnë). Raportin e njeriut me pasurinë autori e shikon jo ngushtësisht në planin politik dhe atë të diferencimit klasor, por si një situatë ekzistenciale prej nga shpërfaqen të vërtetat e fshehura të karaktereve të njerëzve.1

Niveli letrar i kësaj drame është më i lartë se ai i të parës. Për nga tipologjia, ajo përqaset me dramat realiste, ku askush nuk mëshirohet veçse të gjithë, pa përjashtim, stigmatizohen. Edhe personazhi i shkrimtarit që lë shteg për shëmbëlltyrë të pastër e të virtytshme, nuk i shpëton vdirjes dhe “nxirjes” në rrokapjekthin e përfitimit nga trashëgimia. Përpara floririt, askush nuk është ëngjëll; të gjithë janë veçse djaj. (Dora: Arin lypin të gjithë për vete, dikush në emën të familjes, dikush të popullit. Ku ashtë deh! ky metal, më thoni ku ashtë?) (f. 131) Shteti komunist është djalli më i madh. Ai shpik një rreng: mes për mes lagjes së të kamurve do të çel një rrugë të re për të rrëzuar mure e shtëpi me qëllim zbulimin dhe grabitjen e floririt të tyre të fshehur. Nomenklatura tjetër e familjes janë djajtë e vegjël, kush e kush të zhvat sa më shumë nga pasuria e fshehur e familjes pas vdekjes së kryefamiljarit, Shtjefnit. Të gjithë plot frikë e ankth, të gjithë syçelët. Ndërsa Dora pa prindër hamendësohet të jetë bija e Shtjefnit me gruan e bukur të mikut të tij të dikurshëm, të cilin e ka vrarë për t’i përvetësuar pasurinë, prandaj dhe e ka marrë atë me vete dhe e ka rritur në familjen e tij, kinse si përkujdesje.

Vërtetësia është nga vlerat menjëherë të dukshme të dramës “Kandili i argjandë”. Një vërtetësi, do ta quaja, sfiduese, të ashpër, pa kurrfarë zbukurimi. Autori është i paanshëm, andaj dhe objektiviteti i tij të bën ta admirosh. Ndonëse një antikomunist i deklaruar, si autor ai ruan vektorët historikë, pa i dekompozuar ata përmes subjektivitetit, tendencës së shpallur apo anësisë. Dhe për këtë shkak lexuesi zbulon relieve shpirtërore të mëvetësishme tek çdo personazh, duke i ajgëtuar ata në dikotomitë ekzistenciale të veseve dhe të drejtave, mirësive dhe ligësive, në shtjellën e një loje ku vihet në rrezik mbijetesa e tyre së bashku me statusin e dikurshëm social dhe ekonomik: humbjen e floririt. Satira fshikullon pjesën efemere, të dobët e instinktive të natyrës njerëzore si hipokrizinë, zilinë, makutërinë, tinëzinë, pabesinë, shtirjen, smirën etj. Ndjehem i habitur nga ironia, sarkazma dhe shpotia e Camajt ndaj kujtdo dhe çdo gjëje, ashtu si Fishta te “Gomari i Baba Tasit”. Ky mohim total, sa i takon karakterit të njeriut dhe mangësive të tij, jo vetëm që jep një shëmbëlltyrë fare të vërtetë që asnjë dramë e socrealizmit s’mund ta jepte, por as sot, askush, sipas meje, nuk ka arritur, me një “ftohtësi” dhe objektivitet të tillë të lavdërueshëm, të bëjë një fotografi kësilloji të natyrës njerëzore.

Në klimën e terrorit, panikut dhe mosbesimit reciprok, teksa mendon se komunistët më në fund do ta zbulojnë floririn e fshehur nëpërmjet torturave apo korruptimit, veprimi dramatik pëson një kthesë 180 gradë në saje të një sendërgjie bukur mirë të menduar. Krejt floriri është fshehur në karrigen prej të paralizuari ku rri Prendi, vëllai i Shtjefnit; ai është futur brenda tubave mbajtës të saj. I quajtur dhe Njeriu i Zotit (si urtan dhe i paralizuar që është), Prendi pra kthehet në mbrojtësin “hyjnor” të pasurisë së fisit: si mirëqenie, dinjitet, status, fuqi dhe sqimë sociale. Kjo zgjidhje e beftë që shkakton habi ndër ne, jo vetëm që realizon triumfin e të drejtës së rrezikuar si dhe një “happy end” të andshëm, por edhe rrjedhën e pritshme dramatike, ndoshta edhe tragjike të zgjidhjes, e transfiguron në një, ta themi, shaka ku situata lumturisht mbarset me gazmendin që prodhon veçse komedia. Dhe kjo na bën të kujtojmë se situata tragji-komike nuk është i pranishëm vetëm te elementi fundor i dramës, por si një perceptim tërësor i të gjitha nyjave të veprës.

Për ZSH: Gjergj Kabashi