Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Luan Çipi: Bëmat e Nuros

| E shtune, 16.10.2010, 04:18 PM |


BËMAT E NUROS

 

Nga Luan Çipi

 

 Do tregoj radhazi tre ngjarja nga shakatë gazmore krejt të vërteta të ndodhura në jetën e Nuriut, një mikut të babit tim, që ka lindur në Gjirokastër po ka jetuar e është bërë i njohur më shumë  në Vlorë, ku  ka “ngrysur” dhe ditët e fundit të jetës së tij, dhe ka vdekur para 20 vjetësh, i mohuar e i persekutuar keqas nga veprimtarë politik antinjerëzor dhe i mbuluar nga pluhuri i harresës së kohës. Është dhe kjo një nga arsyet që më duhet ta kujtoj e ta përmend periodikisht.

 

Nuri D. formon një karakter fort të veçantë, që të bën për vete dhe, po e ke njohur nga afër, nuk mund ta harrosh kurrë. Gjithnjë i gëzuar dhe optimist; i shëndetshëm, energjik dhe në lëvizje të përhershme;  i veshur pastër dhe me shije;  i bukur dhe simpatik deri në moshë të madhe;  i shoqërueshëm me  të gjithë;  gojëmbël,  syqeshur dhe në humor krijues shumëformësh; me prirje artistike në këngë dhe dramaturgji;  poet i pasionuar bektashi me ndjenja atdhetare e mistiko fetare. Duke qenë gjithë jetës në humor e optimist, Nuriu mbahet mënd gjithandej, ku punoi e jetoi, për ato shaka e ngjarje gazmore të bukura, që vazhdohen të përhapen të emërtuara si Bëmat e Nuros.

Ai lindi në qytetin e Gjirokastrës, në vitin 1908, duke qenë kështu, bashkëmoshatar dhe shokë fëmijërie me ”komandantin” dhe bashkë me të e kemi parë  edhe në një fotografi interesante të vitit 1923: Nuriu, me mustaqe i krekosur dhe kapardisur lart dhe “komandanti i ardhshëm”, veshur si grua poshtë, si protagonist në një shfaqje teatrale të kohës.  Kjo është domethënëse se nga të dy protagonistët, më vonë,  gjatë viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri, u luajtën  po të njëjtat role:  Nga  Nuri D. rol aktori komik klouni,  demaskues e diskreditues i regjimit dhe nga “komandanti” rolin e një diktatori aktiv e dinak të papërsëritshëm.

Nuriu kur fliste të tërhiqte, si me magnet, me ato tregimet e bukura, që i përshtaste për çdo lloj moshe dhe që i paraqiste me aftësi të rrallë artistike, duke përdorur disa lloji zërash, në imitim të burrave, grave dhe deri kafshëve. Tregimet i vinte në mjedisin e duhur dhe i dilnin të natyrshme, por gjithnjë me qëllim edukativ, atdhetar dhe që të zgjonin gëzim dhe besim.

            Më kujtohet, njëherë, kur qortonte djemtë, që në të shkuarën emigronin së koti jashtë shtetit dhe atje as që rrinin për të plotësuar objektivin e tyre ekonomik, kulturor, apo për arsimim, po ktheheshin më budallenj nga ç’iknin. Për këta ai thoshte:

 

Vajti djali në Martalloz,

Doli shul e erdhi lloz...

Ç’pruri, ç’mësoi dhe ç’thotë

Gadra-budra nëpër botë.

 

           Tani të hyjmë më konkretisht në paraqitjen e ngjarjeve që u kam rezervuar:

 

1)Nurua, “ faktor” për fitoren e frontit Greko-Italian

                                               

Në kohën e okupacionit italian të Shqipërisë Nuriu kreu gjithfarë punësh të suksesshme tregtare. Një tregti, me leverdi doli për të, shitblerja e medikamenteve farmaceutike. Së bashku me disa mjekë dhe specialistë shqiptarë guximtarë, të etur për fitime të shpejta, Nurua çeli farmaci ambulante  mbushur me medikamente të sjella me çanta dore nga Italia në Vlorë, Tepelenë dhe në Gjirokastër, deri në Kapshticë e Kalibaq, aty ku ishin dislokuar më së shumti si mizëri, ushtri të shumta pushtuese italo fashiste. Me që në këtë kohë u përhapën shumë disa sëmundje masive e infektive si dizenteria, gripi dhe malaria, ilaçet kundër tyre kërkoheshin shumë. Edhe vetë ushtarët italianë, që erdhën për të përballuar luftën në frontin italo-grek, kishin kërkesa për gjithfarë ilaçesh, bandash, dizinfektantësh, pomadash e kremrash. Një rast fatlum ndihmoi për këtë biznes të leverdishëm.

Italianët, të pamësuar me ushqimet shqiptare, me mishrat e pakontrolluar e të pa mbrojtura nga një mori mizash e insektesh si dhe nga ujë të pijshëm me baktere nga burime edhe të ndotura, i zuri në masë të vjellët dhe “cërrla”, dhe masivisht i kaloi garnizonet italiane në dhembje koke, barku e deri në dizenteri.  Ky ishte momenti i duhur që e bëri pasanik  dhe të famshëm Nuriun.

Ai burrë i mençur u mendua gjatë dhe vendosi të përfitoi maksimumin e mundshëm dhe desh Zoti i shkoi mendja që të bënte një rëngë të madhe historike, natyrisht si rezultoi dhe u vlerësua, me karakter patriotik mbarë ballkanik. Rënga u nxit pas konsultimit me shokët dhe pas shumë mendimesh e propozimesh konkrete, që e pasuruan mendimin fillestar fantastik. Detyrat e përcaktuara bashkërisht, u hodhën në një program të gjerë pune, të studiuar mirë deri në hollësi dhe me pasoja të parashikuar, aq të rëndësishme, saqë mund të barazohen me punën që mund te bënin divizione të tëra me luftëtarë. Atëherë, u porosit dhe u importua në sasi të mëdha një ilaç efektiv kundër cermës masive.  Ai u zgjodh në dhjetëra medikament të firmave konkurruese dhe u pëlqye, si për vetitë e shpejta çudibërëse po dhe për emrin tingëllues të pranueshëm në reklamat bombastike evropiane. Nurua vet, sipas programit, veç të tjerave, përgatiti parulla të shkruara në dy gjuhë, ku lexohej: “Blini sa më shumë ilaçin çudibërës  KASKARASAGRADA”.

 Porositë e tij për 300 mijë ushtarët fatkeqë italian, të udhëhequr deri direkt nga Konti Çiano, Jakomoni dhe viskonti Praska, që vinin e blinin ilaçe në shitoret farmaceutike të Nuros, për të larguar mundimin e dhembshëm dhe  njëherazi të ndotur dhe bezdinë e madhe që gati sa të çmendte, ishte : E pini, pa merak! Vërtet me të të heq më shumë barku, po ama jashtëqitja është e plot dhe përfundimtare. Pas kësaj, nuk të ngelet tjetër gjë në bark dhe s’ke se ç’nxjerr - veç ujë, të padëmshëm. Qëllimi  i tij ishte të merrnin sa më shumë ilaçin çudibërës kaskarasagrada, që bënte efekt super nxitës, po të parrezikshëm që vepronte e të mbante në gjendje shkarkimi e dobësie rezistence fizike për një kohë të gjatë, ndërkohë, sipas parashikimit të ustallarëve edhe fronti i kësaj lufte të mallkuar do të boshatisej më shpejt, kurse toka shterpë e kësaj zone do bëhej  pak më pjellore se do pasurohej në azot e fosfor.

 Ekspertët e mirëfilltë ushtarakë, që kanë shqyrtuar shkaqet e dështimit të frontit të madh të luftës ndërmjet Italisë dhe Greqisë, duan të thonë se, veç dezertimit masiv të rekrutëve shqiptarë, të mobilizuar nga italianët në dy batalionet shqiptare “Taraboshi” dhe “Tomori” si rezultat i urrejtjes shqiptare ndaj okupatorit të përbashkët; trimërisë greke, të vërtetuar historikisht; ndihmës së Anglezëve deri me avionë luftarak dhe faktit që kjo ishte një luftë e pa drejtë; një nga shkaqet vendimtare të dështimit të ushtrisë italiane ishte padyshim, përdorimi i kaskarasagradave të furnizuara, enkas, nga Nuriu.  Edhe unë jam i bindur për këtë, ndryshe do kish fituar Italia e Madhe, se raporti i forcave të hedhura në front dhe armatimi, që siç thonë ekspertët ushtarak janë vendimtare për fitoren, ishte një me dhjetë, në favor të italianëve.

Veç kësaj, ekspertët politikë që janë të shumtë dhe s’ka  pse mos të besohen, kanë nxjerrë në pah dhe kanë evidentuar rëndësinë atdhetare, nacionaliste, ballkanike të këtij veprimi të guximshëm të një të riu shqiptar. Kështu vihej në vend nderi  i shkelur i shkakut dyshues të luftës që nisi me prerjen barbare të  kokës prej grekëve të “patriotit” Daut Hoxha dhe, më e rëndësishmja, shlyhej dhe një detyrim hakmarrës që nuk mund të harrohej: Njëzet e një vite më parë, pikërisht në pranverën e vitit 1920, italianët, të dëshpëruar nga qëndresa popullore shqiptare në Vlorë, përdorën në masë me detyrim në burrat vlonjatë, vajin e ricinit, homolog i kaskarasagradës. Ndihej një turp masiv aso kohe, kur këta burra trima gjatë periudhës së vuajtjes së mundimshme, në vend që të përdornin dyfekun kundër italianëve, i kishin bllokuar duart te ushkuri i brekëve. Këtë poshtërim një shqiptar patriot nuk mund ta harronte! Dhe e pruri rasti, që në emër të tyre, të hakmerrej Nurua, duke e larë borxhin shumëfish me të njëjtën monedhë. Dhe, të kujtojmë një të të vërtetë të madhe, që Nurua, shlyerjen e borxhit e kishte traditë, siç u vërtetua edhe me rastin e ndodhisë me Mitatin, ngjarje që do shkoqitet  hollësisht më vonë, kur ai shlyen bujarisht borxhin e babës së tij me monedha ari... (vazhdon).