Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Janaq Pani: Fshati me shakaxhinj

| E premte, 15.10.2010, 09:40 PM |


Janaq Pani

 

FSHATI ME SHAKAXHINJ - Humor popullor

 

E ku nuk të shpien udhët në vite. Po ngado që të vesh do të të dalë se s'bën përpara një individ shakaxhi që lezeton fjalën e

mendimin e bën të kullojë mençuri me finesën e humorit. Lere pastaj po të të bjerë fati të kesh përditë në sofër një fshat të tërë

me shakaxhinj, atëhere është e ç'është. Ky fat më ra mua në hise para shumë vitesh. Kërkimet gjeologjike më shpunë të gërmoj

në malet përreth Golemit malor për të gjurmuar dukuritë e mineralit të fosforit në atë trevë. Qendra e ekipit gjeologjik u vendos të

ngrihet në një rrëke zalli në anë të fshatit. Ndryshe nga venbanimet e tjera me këtë emër, ky Golemi që ze në gojë është në zonën

Kurveleshit e është i vendosur mbi supet e maleve në lartësinë 1000 metra. Të arrish atje duhet të përshkosh gryka të thella si hone

e të kapërxesh qafa mali.

       Në këtë fshat punova e jetova mes njerëzve ca vite.Veç mikpritjes tradicionale atje u përballa edhe me një humor aq të larmishëm

e të shëndetshëm, sa them me vehte shpesh, që nga ai humor do më jenë shtuar edhe ca vite jetë. Që të mos e bëj tërkuzë fjalën,

tani nga pusi i atij humori të mençur unë do të bëj "fut e kërre kovën", se dua t'u a përcjell edhe lexuesve që janë të thekur për këtë

humor. Nuk do të më ketë fjala atë intesitet e bukuri si ta dëgjosh nga goja e tyre, por përsëri e ka brenda atë tharm humori që të

bën të mbash ijet me duar nga të qeshurit. I qoftë rruga e mbarë rrëfimit...

       ...Xha Lutoja, para vitit 1967 kishte qenë muhip në fshat. Mbas këtij viti, si kudo në ato vite të lanetisura, institucioneve fetare

iu vu kazmanë themele. Institucioni shpirtëror në popull veç nuk ra që nuk ra, ishte e vetmja kala që nuk e morën dot komunistët.

Ndaj kur në fshat ndërronte jetë ndokush, në mënyrë klandestine e thërritnin xha Luton për t'i kënduar xhenazes te koka sipas ritit

fetar. Në një nga herët, si kreu shërbesën xha Lutoja iu drejtua, atje qoftë, mikut të tij të shtrirë që kishte nisur udhën për te të

shumtët: "Ike filan? Mirë bëre që ike. Tani shko e bënik të fala Leninit e Stalinit të m'i thuash të mos ketë lloi se Golëmi u bë koo-

perativë. Po ti pate fat se t'i veshëm një pakë shollë të ra në këmbë, se ne të tjerët, kur të na vijë rradha do na nisin zbathur..."

       Dikur fjala shfryu dhe xha Lutos iu shtuan  në kurikulum ca vite burg. Kjo që rrëfeva kish bërë vaki ca vite më parë se unë të

shkoja në Golem. Xha Lutoja, tashmë e kish lënë "shtëpinë pa qera" e tani ndihej i respektuar në fshat. Mua m'u hëngër muhabeti

me xha Luton qysh në fillim e më pëlqente shoqërimi me të. Më habitnin njohuritë e tij në shumë fusha e sa për humorin nuk kam

se ç'të them. Në  një nga ditët u gjenda vetëm me atë ballë për ballë.Po kthehesha nga puna e rruga i binte të kaloja bri ca parce-

llave të mbjella me misër. Misri qe rritur një bojë njeriu e kallzat ta bënin me sy. Në anën e parcellës shoh xha Luton të ulur she-

shazi me shatin në mes të këmbëve e po shplodhej i humbur në mendimet e tij. I shkova pranë e këmbyem nga një cigare. Më

erdhi keq që këtë të moshuar mbi të gjashtëdhjetat e kishin caktuar të vadiste misrin për t'u a shpurë ujin rrënjë më rrënjë. Kishte

përveshur tutë e pantallonave prej doku deri mbi gjunjë e qe llangosur me baltë. I them si për t'i ngritur pak humorin, që dukej që

atje larg se i qe lagur baruti:" Po përse ke punuar këmbëzbathur o xha Luto..." Vuri buzën në gaz e u gjallërua: "Nuk ia kam thënë

njeriu këtë. Për herë të parë je ti që e dëgjon, - më thotë me një ton shpotitës e me një hidhësi në buzë,- eh, more Janaq djali, u

mundova ta ze socializmin mbathur po nuk ia arrita dot, e thashë mbase zbathur do ta arrij..."

       Me xha Luton do të ndahemi tani e synë do ta hedhim te të tjerë anonimë të humorit. Udha do na shpjerë në një dasmë në

fshat. Darovia, një labe e vërtetë, i rriti fëmijët e i bëri për martesë, vetë burrë e vetë grua. Babai i fëmijëve kishte ikur para kohe

te të shumtët. Në dasmën e të bijës, me krushqit e dhëndërit nga kuçi erdhi edhe shoku Muslli, kryetari i këshillit të fshatit. Të zonjës

e shtëpisë i takonte nderi të rrinte në odën e burrave. Ndaj dhe krushku Muslli, duke ngritur gotën e rakisë i drejtohet:

                                           "  O moj krushka Darovi

                                             sonte do përpiqemi

                                             të vdesëm ja u, ja ti

                                             ndaj ta pimë këtë dolli..."

E zonja e shtëpisë nuk e la mikun të vazhdonte më tej dhe ia ktheu duke ngritur gotën dhe ajo:

                                           "  Mirë se erdhe krushku Muslli

                                             tij të kemi parësi

                                             do ta pi këtë dolli

                                             po s'shkon dashi me një dhi..."

       E tani me që jemi në ambiente krushqish nuk më rrihet pa ua thënë edhe një ngjarje tjetër. Dikur një djalë nga Kaparieli, lagje

e fshatit Golem i ngulur në një hon mali, kish kërkuar dorën e një vajze golemase. Kur shkelën shtëpinë në vizitën e parë krushqit

kaparielas nuk e kishin dhëndërin në shpurën e tyre. E, kur krushqit e vajzës u kthyen vizitën, u ra në sy se dhëndëri qe me cen, ai

na qënkesh çalaman. Sa u shtrua trapezi e zunë vend të dy palët e krushqve, daja i nuses ngriti gotën e rakisë e nisi këngën:

                                            " Fati që të bën me miq

                                              me të mirë e me të liq

                                              me të thyerit në kryq..."

       Do i lemë krushq e dasmorë e tani do u rrëfej si u bëra edhe unë personazh i humorit të tyre. Bejtashin e kisha minator në një

nga galeritë që hapëm në mal. Ishte i golëmas puro. Në një nga ditët, duke vrojtuar shtresat gëlqerore në ballin e galerisë 15o metra

në gjinë e malit, ca shenja më flitnin se mbas plasjeve të minave në mbarim të turnit të ditës do të hasej në shtresën e mineralit që

pritnim, ndaj iu luta Bejtashit po të mundej ta kontrollonte e të më binte sihariqin. Ai në syrin tim nuk u mëdysh e pranoi me gjysëm

zëri. Si kreu plasjen e minave aty rreth orës 4 mbasdite, iu desh të presë sa të delte tymi mbytës e galeria të ajrosej. Por nuk iu du-

rua gjatë e, bashkë me ndihmësin, duke përdorur një shami të lagur si filtër para fytyrës u futën nëpër tym. Ndihmësi nuk e kish arritur

mesin ndaj e pyeti Bejtashin që u gjend i pari në ballin e galerisë: " A doli shtresa?... Tjetri, i lodhur e mërzitur iu përgjegj: " Jo, për

sot jo, por ti mos bjerë në merak se e ka Janaqi në shkresa..."

       Kur ma thanë edhe unë qesha me shpirt si të bëhej fjalë për dikë tjetër.

       Në "shkresat" e mia, veç mademit të mineralit, kam edhe thesaret e humorit golemas, por duhet kohë e vend për t'i nxjerrë në

dritë. Këtu do të bëjmë një ndalesë e, ju po të jini kuriozë për të mësuar më tej, më shkruani e më nxitni pa m'u lutur, për të ndjekur

rrjedhën e rrëfimit...