| E enjte, 14.10.2010, 09:57 PM |
Heroizmi popullor, burim i pakrahasueshëm frymëzimi
Koçi Petriti – violina e baladave shqiptare
Nga Mihal GJERGJI
Koçi Petriti është bashkëkohës i Lasgush Poradecit, Dritëro Agollit, Agim Shehut, Jorgo Bllacit, Arben Dukës etj. Ata që jetojnë me poezinë dhe janë autorë krijimesh, e kam fjalën për ata që meritojnë titullin e lartë të poetit, doemos, në forcën e fjalëve të tyre, ndjejnë edhe shkreptimat e lirikëve tanë të mëdhenj. Poetët, të parë së toku, ngjajnë si apostuj në një darkë mirësie të shtruar nga Apolloni, e sikush i parë në planin vetiak, të kujton shenjtorët. Këta të fundit, kanë nga një datë të caktuar, me siguri atë të largimit nga kjo botë, që kremtohet si dita e tyre, e në nderim, besimtarët i festojnë sipas riteve që ka krijuar njerëzimi. Ndërsa poetët, kanë të shënuar në kalendarin e kohës vetëm ditëlindjen. Për Koçi Petritin është shkruar data 1 mars1941.Vëndi i djepit, Sovjani i Korçës… Gurët e çmuar të krijuesve, inteligjenca njerëzore i kalon nga njëri brez te tjetri. Pas gjysëm shekulli, poezia e Koçit lexohet gati me një frymë dhe të lë të njëjtën shije, atë që krijon mrekullia e magjisë. Para se të flasim për krijimtarinë e tij, formën dhe përmbajtjen e saj, për mjeshtërinë artistike të kësaj violine të baladave tona, lirikave dhe elegjive, do ndalemi pak në planin etik e moral, sepse edhe ky, përpara se të jetë krijues, është njerëzor, është prej mishi e gjaku si gjithë të tjerët.
Ndërsa të tjerët mbijetojnë, krijuesi jeton, dhe në sajë të të qënit krijues, është edhe kujtesë, pse jo edhe shënjtërim. Poeti ka filluar të shkruaj në vitet 60-të, në një kohë të vështirë për të deklaruar zërin e lirë dhe zjarrin e ndjenjave që kishte brenda. Ai nuk shkruan kot, por edhe s’mund të heshtë:
“Të shkruaj kot më dridhet dora
ta mbyt dëshirën thyhem “krak”
e shpirt i ftohtë si dëbora
ma thith gëzimin e më mplak”.
Poeti i vërtetë s’mund ta ngrejë lavdinë mbi fatkeqësinë e të tjerëve, dhimbja njerëzore është edhe e tij, dhe ai, këtë dhimbje, e bën pjesë të shpirtit e të këngës së vet:
“Sikush më sheh që qesh nga vreri
askush s’beson kur them:
Eh, ku do gjej mes këtij ferri
kërcu ku kokën të mbështes?”.
Këto vargje janë shkruar shumë herët, por, sigurisht që s’mund të shikonin dritën e botimit para viteve 90, ndryshe poeti do ishte kryqëzuar. Ai nuk ka lindur luftëtar, të tillë e bëri jeta. Pritat që i bëhen lumit gjatë rrjedhës së tij, e bëjnë edhe më të fuqishëm, por, e shtrëngojnë të kërkojë një rrugë të re. E në këtë dalje nga shtrati edhe mund të dëmtojë, por i detyruar.
E shikoj vazhdimisht duke lëvizur kujdesshëm trotuareve të kryeqytetit, sikur ecën mbi urën e Bushtricës, e cila i rizgjon kujen e skllevërve që murosën gjakun dhe kokallat në rrugën “Egnatia”, poshtë themeleve të betonuara dhe drithërimën e sirenave sipër binarëve ku turfullon përbindëshi metalik.
“Nën Qabe ka eshtra
mbi Bushtricë trena
thellë asaj ka kuje
mes kësaj sirena…”
Në këtë hapësirë kohe që mban shekujt brënda, flet edhe historia: “Nëpër dejt e urës/ brënda betonimit/ hesht, nën gjak e qumësht/ legjend’ e murimit”. Në pamjen e jashtme, poeti 69-vjeçar që ka mbetur po aq i freskët sa në djalërinë e tij, të duket i largët si sundimtarët, mirëpo e vërteta nuk qëndron në sipërfaqe. Shikimin e hedh tutje, sikur kërkon diçka mes ujrave, “në mëngën e gjolit” ku treti ëndrrat e djalërisë. Flet qetë e shtruar, lëviz pak vetullat e trasha si të hapte dyert e baladës “Suliote”, pastaj nxjerr gurgullimën e kristaltë nga buzët mishtake të cilat rrinë gati si të ngjitura nga mjalti i fjalës poetike. Në njërën dorë mban një çantë. Brenda saj është gjithmonë një fletore shënimesh, një gazetë letrare e ditës dhe një libër të cilin do ta dhurojë apo që ja kanë dhuruar në shënjë vlerësimi. I mirëpritur në sallat e mësimdhënjes, i vlerësuar në ambjentet intelektuale, i pranishëm në hidhërimet dhe gëzimet e kolegëve. Jo rrallë e shikoj me bashkëshorten në krah, “të vetmen perëndi”.
Në mbasditën e ditës së parë të martesës, në mars të vitit 1972, kur “rrëmbeu” Shkëndijën, për shkakun e biografisë së tij të trazuar dhe familjeve me përkatësi të ndryeshme klasore, shkroi edhe poezinë :“ Duhet të prisja që veç ty të të desha/ i rrethuar kështu përjetësisht me xixëllonja/ jam unë që të dua vërtet gjer në eshtra/ apo ti të më bësh të të harroj je e pazonja?”. Te poetët dashuria nuk njeh moshë, as mirësia. E në ikje e sipër njeriu merr me vete shumë pengje. Koçi kujton me emocion poezinë “Intime” në rreshtat e së cilës flasin njerzit e tij; “Emin kalorsi”, motrat dhe të afërmit e tjerë të gjakut, po kështu dhe poezinë kushtuar vëllait dëshmor, “Nevruzi iku”. Atje është jeta e tij, nga gjërat më të thjeshta të cilat mbajnë brenda miturinë, deri tek ato më të rëndësishmet, me zërat njerëzorë të familjarëve, mikpritjen dhe krenarinë e fisit. Atje gjen të djeshmen deri në detaje, atje është edhe nëna e poetit që “dilte si zonjë mbi zonja”. Megjithëse partizan e luftëtar, Nevruzin edhe të vdekur s’e lanë të prehej i qetë:
” Dy varre ndrroi fatziu Nevruz
gjer te i treti u tret
si hënë e mbytur pus më pus
ka nënën varr të vet”
Krijuesi, aq sa është tokësor, është edhe hyjnor. Ai qëndron mes mallkimit dhe urimeve shpresëdhënëse. Ai s’merr përsipër rolin e nxitësit të konflikteve, por e godet të keqen duke krijuar modele të reja e duke ia afruar ato lexuesit të gjerë. Çuditem, si ka arritur ta botojë në vitin 1967 poezinë “Ara e vetme” . Fshatarit, arën e vetme ia kanë zënë xhandarët me ndërtimin e parrullës “rroftë mbreti”. Shkrimi i parrullave në faqe të kodrave e maleve, s’praktikohej në kohën e mbretit, por në atë të qeverrisjes komuniste. Simbolika është e qartë: “Si gur sinori bujku mbeti/ E s’dinte nga t’ia mbante/ I ngjau sikur mbi “Rroftë mbreti”/ Një foshnjë e flakur qante”. Pastaj vazhdon shtjellja e gjëndjes aq të trazuar të njeriut anonim të kësaj shoqërie të varfër:
“I erdhi rrotull me parmëndë
Siç vjen luan i lidhur
Në zemër kish një gur të rëndë
Në fyt një lëmsh të hidhur”.
Dhe në fund, krijuesi sygjeron edhe zgjidhjen: ”E zemëruar çau parmënda/ Mbi fjalët “Rroftë mbreti”... Brënda këtyre vargjeve është edhe ndjenja e pronësisë së munguar e të rrëmbyer padrejtësisht, edhe krenaria e thyer e fshatarit të mbetur pa bukë, edhe ndjenja e revoltës për të ngritur grushtin që shëmb të keqen. Pra, poeti është një misionar që ka zgjedhur fjalën në vend të heshtjes. Fjala e tij i drejtohet njeriut-qytetar, lexuesit të sotëm e të nesërm. Shfletoj përmbledhjen me poezi të zgjedhura të këtij poeti, me lirika dhe balada interesante. Fjala poetike e Koçi Petritit është e lëmuar në kufijtë maksimalë, brënda saj ka zjarr dhe brënda zjarrit ka jetë. E qëmtuar me kujdes nga “mademi” popullor, ajo përpunohet e ngrihet në lartësinë e poezisë klasike dhe në shumë krijime, të asaj moderrne. Struktura e vargjeve njeh si konstruktor e si mjeshtër ndërtimi të njëjtin autor dhe lartësia e tyre është e lakmueshme.
Unë si poet, s’do isha i sinqertë po të mos deklaroja se e kam zili këtë arkitekturë drite qe derdhet mes vargjeve brilante. Gërshetimi dhe harmonizimi i ritmit që gjithmonë ka tendencën e rritjes, rimës dhe mendimit të fuqishëm që përcjell te lexuesi, është shumë i realizuar dhe i denjë për të qëndruar në krah të krijimeve të poetëve tanë lirikë të cilët i përmënda në rreshtat e para të këtij shkrimi. Poezia e Koçi Petritit është organike. Metaforat befasuese janë lënda e parë. Brënda këtyre vargjeve nuk ka montazh, fjalët dalin nga shpirti dhe shpirti i trazuar s’mund t’i mbajë brenda ato që e mundojnë aq shumë:
“Së pari pak m’u lodhën sytë
së pari pak, së pari pak
se s’pashë dot një mal të dytë
përballë mal, bunker përqark”.
Po cila është tematika e poezive të K.Petritit ? Fillimet e krijimtarisë së tij janë “Lirikat e Majit”, aq të ëmbla e të freskëta si një buqetë me lule, të botuara në vitin 1962, pastaj vijojnë ; “Përsëri në udhë”(1967), “Firma e popullit tim”(1974), “Prush nëpër shekuj”(1979),”Lulekuqet”-Prishtinë(1985), “Të dashurova ty”(1987) e duke përfunduar me “Poezi të zgjedhura”(2006). Koçi Petriti ka shkruar edhe katër libra me studime: “Në poetikën e Martin Camajt”(1987), “Alternativë komenti”(2006), “Komunikimi sfidues-Bota poetike”(2007) dhe “Fjala poetike-kuti e Pandorës” e botuar në vitin 2008.
Ato që spikatin në krijimtarinë e K.Petritit, janë baladat. Këto balada, të ndërtuara me ndjenjë dhe të realizuara artistikisht, përcjellin mesazhe domethënëse. Do përmëndja “Balada e urës”, “Balada e pusit”, “Baladë liqeni” (e thurur me merak Lasgushi), “Balada e plugut”, “Balada e by…” ( e cila u bë objekt referimi e keqinterpretimi nga shumë media, mbasi u botua në një kohë të vështirë për politikën shqiptare), baladat kushtuar trimave të trevës së tij të vendlindjes si Themistokli Gërmenji, Sali Butka, Kajo Babjenit, Shahin Matrakut etj. Mënyra e ndërtimit të baladave është e veçantë dhe impresionuese.
Moikom Zeqo,- në parathënien e botimit të ri, vetëm me balada të Koçi Petritit,- e cilëson poetin si “Kalorësi i baladave”., ndërsa shton:” Ky poet, e pasuron i sigurt poezinë shqipe, ai bën një antropologji shqiptare të baladës, pra një tipologji të saj...Koçi Petriti si mjeshtër i baladës është tejet i përkorë në strukturimin e vargjeve. Po të shihet me kujdes, e zbulon se lakonizmi nga një varg në tjetrin krijon gjithmonë diçka eliptike. Jo vetëm kuptimin, por më shumë nënkuptimin”.
Të njëjtën forcë kanë edhe poemat e tij, por brenda tyre ka më shumë analizë e detaje, më shumë frymëmarrje dhe vizion për lexuesin... Studjuesit, më shumë se sa kritika, kanë bërë vlerësime objektive e konkrete të poetit. Profesioni i kritikut i ngjan atij të kirurgut. Të dy kanë të njëjtin mision; të ekzaminojnë, kryesisht vlerat, dhe kur është e nevojshme edhe të shërojnë, por asnjëherë të vrasin. Rruga e gjatë e çdo krijuesi është edhe rruga e rritjes, prandaj është i vështirë përcaktimi i stacionit ku duhet të ndalojë kritika.
Profili i vërtetë i çdo krijuesi, fytyra e tij e cila rrezaton mirësinë apo ligësinë, gjëndet te vepra që ka krijuar, te brumi me të cilin ka gatuar atë që i ka servirur lexuesit. Edhe mes kolegëve të artit ka urrejtje. “Edhe ëngjëlli edhe djalli, janë brënda tek i gjalli”- thotë mënçuria popullore. Kjo është më e dukshme te krijuesit mediokër të cilët arkivojnë mëritë e vjetra në gropat e zeza të urrejtjes dhe në momente të caktuara i shpalosin ato si antivlera përpara kundërshtarëve.
Jo rrallë bëhet pyetja: cili është ky shkrimtar, ku qëndron madhështia e tij? Kjo pyetje shtrohet edhe për poetin të cilin po analizojmë: Cili është Koçi Petriti? Përgjigjen përfundimtare e gjeta brënda vargjeve të elegjisë së tij të fundit “Pas shpine mal, përballë det”. Brenda kësaj elegjie ka një stuhi të vërtetë, ka meditim, dhimbje e ndjenjë revolte, ka nderim për vlerat e kombit dhe ndëshkim për ata që i nëpërkëmbin këto vlera. Ai bën një “skaner” të plotë trupit të Atdheut, zbulon plagët që ende vazhdojnë t’i dhëmbin, futet në thellësi të shpirtit të tij, pastaj ngre kokën lart dhe fshikullon si Fan Noli. Poeti intelektual bën një analizë të hollësishme të jetës shpirtërore dhe materiale në Shqipëri. Filozofia e krijuesit reflekton formimin e shëndoshë të profesorit të Fakultetit të Gjuhë-Letërsisë, brengat e shumta të shqiptarëve i shtojnë drithërimat e shpirtit. Poezia e tij pasqyron dhimbjen e popullit të cilit i përket e mes të cilit jeton. Fati i poetit s’mund të jetë ndryshe nga ai i Atdheut. Brënda këtyre vargjeve shpaloset akt pas akti drama jonë e përbashkët:
“ Lypsar nuk je e dorën shtrin
të vdesësh do e s’gjen qefin
Ti tokën shet e varrin ble
ke president e strehë s’ke”
Kjo është gjëndja reale në të cilën ndodhet shqiptari, i cili ka bërë emër në histori. E që të mos mbetemi pa të ardhme, poeti u referohet vlerave që ka krijuar ky popull. Krijuesit i vjen në ndihmë geni i sojlliut që trashëgon nga familja e tij dhe sjellja e fjalori me veshje aristokrate, të cilat i gjen jo rrallë në krijimet e publikuara: “Me perandor ke bërë krushqi/ lind çifligar e vdes çifçi/ E nën sulltan je gjeneral/ në dheun tënd ç’bastard fatal!”. Poeti është i shqetësuar për humbjen e vlerave që kemi krijuar. Botës i kemi dhuruar prijsa, papë e perandorë, kemi themeluar e ndërtuar shtete, jemi më tolerantët e më paqësorët në bashkjetesën fetare. Po pse kaq të drobitur, të nëpërkëmbur e të pashpresë për veten tonë, pyet poeti :
“O fis me dukë e kont e mbret
që shqip e gjuhë Shekspiri flet
Ndërton Egjypt, bën zap Liban
e Krisht e Muhamet s'i ndan”
Mbasi ke përfunduar së lexuari përmbledhjen poetike të Koçi Petritit, akoma ke një ndjenjë “urie” dhe kërkon ta shfletosh përsëri. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e lexuesit dhe ka merituar vlerësimin maksimal. Vepra e çdo krijuesi, qëndron përpara shoqërisë, ashtu si përjetësia përballë sahatit gjigand që mat ritmin e kohës . E gjykoj të nevojshme ta shoqëroj këtë shkrim me elegjinë interesante të K.Petritit: “Pas shpine mal, përballë det”- për kënaqësinë e lexuesit të nderuar.
P.S: Marrë nga libri “Ngjyrat e mendimit” i studiuesit Mihal GJERGJI
Elegji nga Koçi Petriti
Pas shpine mal, përballë det,
vend që e ha enigma e vet,
Enigma e ujkut që me bisht
ç'dele që prek e ndjekin çmendurisht.
Bregdetin perlë e dheun ar
kam prona e s'jam askund pronar.
Kam krom e naftë e shkoj shes gjak,
Përndjekur si indigjen zezak.
N’Evropë rroj, s’jam as Azi,
qaj nën dykrershin shpend të zi.
***
Ky Dhe shtrydh lëng nga drunjtë e vet,
sa derdh Shkumbini ujë në det.
Ky Dhe qeth lesh nga dhent' e tij,
sa vesh me triko tri Greqi.
Me pemë e vresht, me peshk e shpend,
me gjedh që ther e gjah që vret,
Me mollë e gur-madem për top,
Belgrad e Romë e Athinë i ngop.
Me zjarr nga lisi e lumi i vet,
me plazh që thek Ballkanin krejt,
Eden me tre cerberë përqark,
Det, gjol e lumi i vet e lag!
Cerber, bunker e sherr e terr,
Otranton varr, kufirin ferr.
***
O fis me dukë e kont e mbret,
që shqip e gjuhë Shekspiri flet,
Pushtime s’bën, pushtues je,
në çdo kënd Dheu ti djemtë i ke.
Pinjoll i gjakut tënd fisnik
mësoi të famshmin Kopernik.
Kur Kryqin Gjysmëhëna e prish,
parzmore Evropa Ty të kish.
Ndërton Egjypt, bën zap Liban,
e Krisht e Muhamet s'i ndan.
***
Ndan dy perandori në mes,
si eshka që gurstralli e ndez.
Këtej gurstrall, andej uror,
ti ndizu e digju e bjerë theror.
Në Lindje ç’nduk, në Jug ç’gëlltit,
Drejt Perëndimi e jashtëqit.
Ç’merr nga ky krah,ç’flak nga ai krah
tek ty vjen kont e shkon pasha.
Shkon Gjergj e Aleksandër vjen,
shkon Gonxhe e Nënë Shënjtore kthen.
***
Me perandor ke bërë krushqi,
lind çifligar e vdes çifçi.
E nën sulltan je gjeneral,
në dheun tënd ç’bastard fatal!
Rron në Paris, je parisian,
me gen sojlliu, binjak me arian.
Zbulon nëndheun tënd antik,
dhuron Shenjtorë e Viagrën shpik.
***
Në ç’labirinth të Botës bredh
e ç’lëmsh qytetërimesh mbledh,
Me fill t'Arianës si Tezeu
rikthehesh prap shqiptar te Atdheu.
Të tretesh do në varr me prind,
si ngjala që shkon ngordh ku lind.
***
O vend fatal, sinor e prag,
si bishë e kapur keq në lak.
Ti udhëkryqi e lidhza "Dhe"
mes Lindje e Perëndimit je.
Patkoi i Orientit trokrrebel
mbi ty me t’Oksidentit shkel.
Nën dy rresht kuajsh ngritur kas,
dy fronte gjoks më gjoks përplas.
Patkua e tank, avion e blind,
mbi zverkun tënd shkon-vjen si xhind.
Nën ta rri krrusur ti dhe klith,
si ura që dy brigjet lidh.
Ç'karvan shkon Lindje e Perëndim
mbi ty pëgën me kafshërim.
E Via Egnatia, ikur larg,
s’është udhë, po lumë vrer e gjak…
***
Të thonë pushtues, ti nj'atdhe
nën pesë shtete rob e ke.
I ndarë me kurth, Traktat e plumb,
skifter në paqe, në luftë pëllumb.
I shtrirë mbi kudhër, nën çekan,
o eshtërbluar në havan!
Mbi bark Ballkani plënc e pleh
kërthizë e prerë me drapër je.
***
Ti han buzë udhës, ku hanxhiu
mërgon e zot rri qiraxhiu,
Nga ç'burg nënvetëdije nxjerr
pleh primitiviteti e terr?
Atë që Evropa dit për dit
ka treqind vjet që e jashtëqit.
***
Nxin Lisi i Gjakut tënd tragjik,
klith Lisi i Tamblit tënd fisnik.
S'të ka frikë hasmi, mikun trëmb,
ç'ngre dhjetra vjet, një natë e shëmb.
Ç'rrit tërë një jetë e zhbën një çast,
ç'fiton dy luftra e humb një bast.
Pagan, pa fe, fetar trefish,
me emër shpendi e shtat hyjnish.
***
O gjysmi Nol e gjysmi Zog,
ç’Kain të la përjetë ulok?
Ç’ndjek pas çdo prinjës çmendurisht,
si delja q’ujku e prek me bisht?
E besën mburr e besën prish,
baladë e thur mes pabesish.
Me aq mund sa bën bunkerët-varr
a s’ngre tre vila çdo shqiptar?
***.
Lypsar nuk je e dorën shtrin,
të vdesësh do e s’gjen qefin.
Ti tokën shet e varrin ble,
ke president e strehë s’ke.
Ç’ke burrëri ndër zyra e tredh,
altarin ndyn, vakëfin vjedh.
Një bushtër mbars, pjell tri parti,
ndërron tri fe për tri dhrahmi.
Majm bodigard, stërvit sambist,
zgjedh deputet kontrabandist.
Bën ”sankylotin” miliarder,
flak një gjeni, mban një kapter .
Mermerin shet, plitharin ble,
ke pyll për mbret, përdhe shtron fle.
Shtron fle përdhe e ar tregton,
bordell nuk ke e kurvëron.
***
O fis fisnik i bërë hajdut,
ç’lëmsh djajsh mbështjell, ç’fill shenjt këput?
I bërë gjarpër, zhgabë e ujk,
ç’gji greklatin, shkjaturku nduk?
Përmbys pronar, rrëmben tapi,
ngre kult kasollen me një dhi.
E ç’bard e ç’murg e ç’demiurg
S’e shëmb nën tel me gjëmb e burg?
Zengjinë e fismë e gdhin bari,
Zulu e ngrys një mbretëri.
***
Me ç’magjistricë e ç’pus me zift
zien Hoxhë e Sheh e Pop e Prift?
Si i nxin pa fe, si himne u ngre,
si i bën Makbeth në fron pa fre,
Si i ve mbi mbret, mbi komb, mbi Zot,
I pshurr mbi varr të qarë me lot.
***
O popullzi, klith, ulëri,
vetveten ke kufi e fqi.
Kufi e fqi ke truallin tënd,
gjer n’Australi ble një varr vënd.
Të thonë pushtues, ti nj’atdhe
coptuar pesë copa e ke.
Këtej shqiptar, andej shqiptar,
ndarë i ziu djep nga i veti varr.
Ti djep e varr mbi shpinë i mbart,
të shqyejnë anve e rritesh lart.
Përballë det, pas shpine mal,
në Shtrat Prokrusti, fis Tantal!
Mbas ambasade e gdhin mbi gur,
shkon shpend mbi skaf e vjen qivur.
S’të tremb ty plumb, as peshkaqen,
me tra Otranton kapërcen.
***
Kreshnik që bën me krajl dyfek,
ç’mish çikash çon në treg-gjerdek?
E ç’nuse qan e ç’motër klith,
ç’rracë ujku e nduk, ç’bir bushtre e thith?
Gjer u shartofsh me bisk hyjnor,
mbi trung të lashtë e stërgjyshor,
Tët bija i pafsh nën dem e mëz,
në shkofsh sojlli e u kthefsh sojsëz!
***
Po ç’qenka, oh, gjith’ ky shkretim,
o Zot, nga ç’fron lëshon mallkim !?
Ç’kurban kërkon e ç’akt martir,
ç’vakëf, ç’mekam e ç’manastir?
Ç’pendim, ç’flijim prej meje pret
ky vend që e ha enigma e vet?
Fal pronë e plëng, jap shpirtin tim,
e marr veç krim-ndëshkim shpërblim.
Qaj nën dykrershin shpend të zi
të djeshme e të ardhme e ç’jam tani.
***
Nxin Lisi i Gjakut tim tragjik,
klith Lisi i Tamblit tim fisnik.
Ti, Geg e Tosk, shpend dykrenor,
si pendë qe me nur hyjnor,
Si luledielli kryet kthen
andej nga drita e Zotit vjen.
Eh, ç’vend me djaj, shenjtorë e mbret,
vend që e ha enigma e vet!
Pas shpine mal, përballë det…