Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabit Rrustemi: Mëkatet që nuk i themi

| E enjte, 14.10.2010, 09:56 PM |


Sabit Rrustemi

 

MËKATET QË NUK I THEMI

 

(cikël poezish)

 

 

GJËEGJËZA MË E RE

 

E pres a nuk e kam ftuar

Rrugës me dashuri shtruar

 

Nuk më ka ftuar a më pret

Heshtja në Ditën Trembëdhjetë

Troket

 

Cilin më shumë nga ne e vret

 

(22 mars 2010)

 

 

SYTË

 

Një ditë

Kur të shporret kjo mjegull

Kur nuk do zgjatet më

Imja vetull

 

Dhe udha do na takojë papritur

Athua ç'kemi për të pëshpëritur

 

Do ecim sikur gjë s'ka ndodhur

Tek takon rëndom një të panjohur

 

Apo sakaq ndjenjat do shpërthejnë

Dhe sytë, oh

Sytë nuk do gënjejnë

 

(21 mars 2010)

 

 

PLANETI DASHURI

 

Kësaj hapësire të kthjelltë

Të kthjelltw e krejt të zbraztë

Ajo ka me ardhë

E ka me mbushë

Këtë botë

Me  bukuri shpirti

 

Nuk është sall fjalë

 

Një ditë Ajo

Ballin ka me ma prekë

Me buzët e saj

 

E faqet prush

Me ato të përflakura faqe

Që ka

 

Ka me më marrë në gji

Për tek ai planet i ri

Dashuri

 

(18 mars 2010)

 

 

RRËNJË E THELLË

 

Çepuri

Pa zë flet

Përmes shenjave

 

E  nuk lëvizë

As vend tjetër kërkon

Qoftë kur e zhveshë vjeshta

Kur dimri e ngrinë

A kur pranvera

Në jetë  e rikthen

 

Dhe vera e djeg në palcë

 

Ka një pikë

Çepuri

Një prehje ka

Një vend që askush

Nuk e prekë

Pos teje

 

Rrënjë të thella shpirti

Ka Çepuri

Që rron e gjallon

E ripërtërihet

Për ty

Imja dashuri

 

Çepuri

Edhe në heshtjen më të thellë

Brafullon

Një botë trandë

Universit të kaltër

Deri n’atë kupë qielli shpërthen

Për Ty moj Peh’rri

 

(17 mars 2010)

 

 

ECJA VERTIKALE

 

Jetojmë mes shpifësish

Mes ziliçarësh

Hajnash e vrasësish tinzarë

 

Jetojmë e kryejmë punët tona

Mes plumbash e fjalësh

 

Anise plumbat këpusin jetëra

Nuk shpojnë  sa fjalët

 

Sa e vërteta

Kur shfaqet akuriq

 

Mjerë ata që s'do kenë sy

S'do kenë fytyrë

As kohë s'do kenë

Për t'i tharë të palarat

 

Miq

Kudo që jeni

Ecjes vertikale

Mos i bishtëroni

 

Edhe nëse duhesh

Ngrënë dhëmbët

Dhimbjet

 

(12 mars 2010)

 

 

LUTJE  E DITËS

 

Zoti na ruajt

Nga hajnat

Nga rrencat

 

Që na shqyejnë xhepat

Na shtojnë brengat

 

Pa u skuqur

Pa u fshehur

 

Ditë'm drekë

Përmidis qytetit

Në emër të miletit

 

Zoti ua theftë qafën

Mbrapshtë ua ktheftë

Gjurmët

 

Atyre që përmbysin sofrën

Faqe botësh fikin votrën

 

(6 mars 2010)

 

 

NGA AJO QË DUA

 

Nuk shmangem

Nga ajo që e dua

 

Etja ime shuhet

Vetëm në tëndin krua

 

Ti rrjedh

A një fjalë s'e thua

 

Përjetshëm bunon në mua...

 

(2 mars 2010)

 

 

REÇETË E PËRDITSHME

 

Me lotin e ftohtë të pritjes

Laji faqet

Sytë

E vish rrobat e shpirtit 

 

Shetitjen e mëngjesit

Bëje nëpër hartën e dashurisë

 

Nëpër secilën gjymtyrë

 

Kur të merr etja

Për freski mali

Kthe kah buzët e mia

 

Po pate kokëdhembje

Ftoje pëllëmbën përkëdhelëse

Që me prekje shëron

 

Mungesash mos u streho

Aty ku nuk jam

Mos më kërko

 

Hapit tim

Fjalës që hap atë portë zemre

I beso

 

(1 mars 2010)

 

 

KA PËR TA SHPRUSHUR

 

Në cilin do ishull

Të ketë shkuar

Çardo parajse ujore

Të ketë gjetur

Dashuria ime

Ka për ta shprushur

Mbi syrprinë të kaltër

Për ta nxjerrur

Për timin sy

Që s’ shterr në pritje

Për timen buzë

Që s’ digjet nëpër zjarre

 

(28 shkurt 2010)

 

 

LEHTAS DO ECË

 

Ti nuk je zgjuar akoma

Fli shpirt im

Fli

 

Nuk do të trazoj

As dhe me një puthje

Se mos ta prishë atë ëndërr

Brenda së cilës më ke fshehur

 

Lehtas do ecë

Nëpër atë fytyrë të çiltër mëngjesi

 

Asaj hapësire të bardhë

Të shpirtit tënd

Se mos më rrëshqet dora

A buza

A faqja ime 

 

Aty ku ti më pret

Më dëshiron

Qoftë dhe si ëndërr

 

(26 shkurt 2010)

 

 

ME FRYMËN TIME

 

Çepurin e mbulon bora

Lëkuren time prej dheu

Dhe ato gjethe

Që i la vjeshta

 

Po jo dhe ty

 

Unë të ngroh

Me frymën time

 

Ato fluska

Vetëm vallëzojnë e miklojnë

Buzët tona

 

(8 shkurt 2010)

 

 

E DIELA E DASHURISË

 

Java jonë e jetës

Përmbyllet përherë

Me një ditë të dielë

 

Le të jetë kjo ditë

E faljeve

Për mëkatet e bëra

Që nuk i themi

 

E lutjeve

Për ate që e duam

E nuk e kemi

 

Ditë e bekimve le të jetë

Për ate që e shijojmë

Thellë

Palëve të paqta

Të zemrave

Deri në amshim

 

E dielë e dashurisë

Le të jetë

Çdo ditë

 

(7 shkurt 2010)

 

 

DY FJALË

 

Dy fjalë

Mes dhëmbësh grimcohen

Mes gjuhësh

Zihen

Lagen

E përcëllohen

 

Nga skaji i të pathënës

Skajit tjetër

Të të thënës

 

Kërkojnë strehë

Prehje

 

Në ty

Në mua

 

Për ta njomë atë krua

 

(2 shkurt 2010)

 

 

PUSHTIM I ËNDËRRT

 

Ajo hyri tërësisht në mua

Duke kaluar portat

Oborrin

Shkallët

Pa një fjalë të vetme

 

Theu dhe drynat  e ndryshkur

Dhomave të shpirtit

Pa një çelës

Të vetëm

Pushtoi çdo gjë timen

Të dëshirtë

Të ëndërrt

 

As që mund ta dëboj më

 

O zot

Po si kështu e dua

A s’më thua

 

Nga ndjenjë e dashurisë

Jam i pushtuar

E nuk çlirohem dot

 

(31 janar 2010)

 

 

RRUGA E DASHURISË

 

Cilën  do rrrugë

Që do ta ecim

Sot

Nesër

Ka vetëm një emër

Dashuri

 

Kjo botë

Është krijuar prej saj

Dhe do e ecim

Do e ecim pambarim

 

(10 janar 2010)

 

 

KUR NDIHESH I HARRUAR

 

Mos u ndijë i vetëm

Edhe kur je i harruar

 

Kujtoje ate që e ke

Në thellësinë e shpirtit tënd

 

Për ta dashur këtë jetë

Si atë dashuri ëndrre

Vetë

 

(9 janar 2010)

 

 

KËSAJ NATE QË FRYN

 

Pemë jete e zemrës sime

Ti shpirti im i ëmbël

Mbyll sytë

Fli qetë tek unë

 

Kësaj nate që fryn

I tëri jam tek ty

 

Nuk lejoj të të tremb

As dhe një ëndërr

Përpos puthjes sime

 

Shih si shprushë

Atë buzëqeshje

Në tënden fytyrë

 

(7 janar 2010)

 

 

AI QË JAM

 

Le të ndërrohen ditët

Stinët

Vitet

 

Dashuria ime mbetesh  Ti

 

Thellësive të  shpirtit

Të ndjej

Kudo që je

 

Me ty ngris dolli

Sa herë puthen

Akrepët e  Orës

Ëndrra ime

 

Jam ai që jam

I tëri Dashuri!

 

(31 dhjetor 2009)