| E merkure, 13.10.2010, 09:29 PM |
Vangjush Ziko
BISEDË ME NIAGARËN
VETËVRASJA E NIAGARËS
U lodh së mbajturi mbi shpinë
plumbin e hirtë të reve.
E lodhë pyjet dhe lëndinat
që pas saj përkëdhelen.
E lodhi profili i ngurtësuar i qyteteve
me syt' e akullt të dritareve.
Qielli e lodhi me blicin e reve,
e lodhë grepat e përgjakur të peshkatarëve.
E lodhi
lundrimi,
përçmimi,
harrimi.
ÇMENDURIA JONË
Nuk jam i qetë aspak,
në vesh e në trutë
më thërmohet lumi,
shkumba e tij më lag,
më mbyti.
Zot,
shpalose ylberin,
besëlidhjen tënde të shenjtë.
Qetëso lumin
dhe ne njerëzit.
U çmendëm!
Rrimë në breg,
shkrepim blicat me zhurmë
si vetëtimat.
Pozojmë.
Gëzojmë.
Po bëhet
thërrime
një
lumë!
BISEDË ME NIAGARËN
Mes dy brigjesh prapë lundron.
Prapë pyje dhe re po ngarkon.
Qiell e dhe' po mbart mbi vete,
Rrez' e diellit mbi valët të tretet.
Pulëbardha të solli në sqep
Një peshk nga i vjetri breg.
Një re,as e bardh' as e zymtë
Të kujtoi ëndrrën lënë përgjysmë
Me dhimbje dhe gaz të trazuar
Për oqeanin gjoksshkumbëzuar,
Ku qiell i pafund hapet,
Ku jeta dhe vdekja gjen paqen.
Larg bliceve dhe kamerave
Në botën e kthjellët të valëve.
Niagara Falls - Niagara on the Lake,10.10.2010
Vangjush Ziko