Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Puto: Pas intervistës te "Zëri i Amerikës" më kërcënuan me jetë

| E merkure, 13.10.2010, 07:24 PM |


Nga Gilmana Bushati

 

Për herë të parë jepen detaje të krijimit të organizatës së parë joqeveritare në Shqipëri, në dhjetor 1990, dhe këto i tregon për "Gazeta Shqiptare" kryetari i parë i këtij forumi, profesor Arben Puto. Në këtë intervistë tregon fillimet e forumit, mbledhja e parë e të cilit u bë në hotel "Dajti" pjesëmarrësit e parë dhe cili ishte misioni i tij. Kërkesa për "lirimin e të burgosurve politikë" çështje aq e ndjeshme për regjimin e vjetër, solli mjaft probleme për anëtarët e forumit, e kryesisht për kryetarin Puto, i cili e kishte shprehur këtë mendim që më 16 dhjetor të 1990, në një intervistë dhënë për "Zërin e Amerikës". Profesori shprehet se pas kësaj interviste, ai mori në shtëpi telefonata kërcënuese, ku nuk kërcënohej vetëm ai, por edhe familja e tij. 
Profesor Puto, ju jeni një ndër iniciatorët dhe themeluesit e Forumit të të Drejtave të Njeriut. Si u krijua dhe cili ishte misioni i tij? 
Forumi i të Drejtave të Njeriut do të bëjë 20 vjet prej themelimit të tij, në dhjetor 1990. Siç dihet në mes të dhjetorit u krijua Partia Demokratike. Në kuadër të proceseve të transformimeve demokratike u krijua edhe forumi më 19 dhjetor. Ishte e para organizatë e pavarur, joqeveritare, me mision mbrojtjen e të drejtave të njeriut në një vend si ky i yni, ku mohoheshin dhe merreshin nëpër këmbë të drejtat më elementare. Ka qenë një iniciativë e një grupi intelektualësh, që e ndjenë për detyrë të jepnin kontributin e tyre për një mision sa të vështirë aq edhe human. 
Situata ishte e tensionuar. Megjithëse në krizë të rëndë, regjimi ishte ende në këmbë. Si ia dolët të krijonit një organizatë që kishte si mision një oponencë ndaj regjimit në një fushë mjaft të ndjeshme? 
Mendoj se puna ka filluar me një intervistë që unë personalisht i dhashë "Zërit të Amerikës" më 16 dhjetor 1990. Ajo u regjistrua e plotë nga ATSH-ja. Ishte pak e gjatë, por mjafton të ndalem në dy çështje kryesore. E para, ishte për vendosjen e pluralizmit në Shqipëri. Unë thashë se s'ka kthim prapa. Ka ardhur koha për ta transformuar shoqërinë në një shoqëri të lirë, moderne, demokratike, sipas standarteve europiane. Elementi i pashmangshëm i këtij rinovimi është vendosja e pluralizmit e daljes së partisë së opozitës në jetën politike. Çështja e dytë, kishte të bënte me të burgosurit politikë. Dihet se legjislacioni penal ishte tejet represiv, e drejta e fjalës së lirë ishte vepër penale. Neni famëkeq i Kodit Penal, 55, bënte shumë viktima. Madje përgjegjësia nuk ishte individuale, në këto raste e pësonte edhe rrethi i familjes, anëtarët e së cilës arrestoheshin larg vendbanimit të tyre. Duhet ngulur këmbë në këtë pikë. Kjo ishte masa e parë që duhej marrë; lirimi i menjëhershëm i të burgosurve dhe i internuarve. 
Ne jemi konsultuar me shtypin e kohës, gazetën "Zëri i Popullit", "Bashkimi" dhe nuk kemi gjetur gjurmë të kësaj interviste? 
Siç e thashë intervista u regjistrua nga ATSH-ja, por nuk mund të bëhej fjalë për botimin kur nuk kishte liri shtypi. Ajo u shpërnda në rrethim më të ngushtë. Me ra në dorë edhe mua një kopje. Pati jehonë, por u prit siç priteshin lajmet dhe komentet e "Zërit të Amerikës". Unë mora përgëzime të heshtura nga kolegë dhe nga miq. Por, pata edhe kërcënime. Në telefon me shanin, më fyenin: "tradhtar", "renegat", dëgjoja deri edhe kërcënime për jetën dhe familjen. Megjithatë, kaloi shpejt. 
Forumi u krijua dy-tre ditë pas kësaj interviste. Ç'rrugë u ndoq? 
Sigurisht detyra kryesore ishte krijimi i forumit. Me iniciativën e Kujtim Çashkut, regjisorit të njohur, u mblodhëm një grup intelektualësh në hotel "Dajti" dhe aty morëm vendimin. Mbaj mend këto emra që ishin në atë mbledhje, nuk përjashtoj që kujtesa të ketë lajthitur. Ishin: Ylli Popa, Kristo Frashëri, Piro Misha, Remzi Lani, Elsa Ballauri, Maks Velo, Agim Isaku, Ilirian Zhupa, Abdi Baleta. Në drejtim të forumit u zgjodha unë si kryetar, Kujtim Çashku si nënkryetar, Abdi Baleta sekretar. Përbërja e Forumit ka pasur ndryshime, iknin dhe vinin. Në analet e organizatës janë edhe emra të tjerë; Fatos Lubonja, pasi lirohet nga burgu bashkohet me Komitetin Shqiptar të Helsinkit dhe zgjidhet sekretar për një kohë të shkurtër. Në nëntor 1992 zgjidhet kryetar Jusuf Vrioni, që largohet kur mori një post në diplomaci. Në vitin 1995 vjen në radhët e KSHH-së Niazi Jaho. Dalë nga një internim shumëvjeçar bëhet një ndër anëtarët më të përkushtuar si këshilltar juridik, detyrë të cilën e kryen edhe sot me profesionalizëm të lartë. Dua të kujtoj edhe Viktor Dostin, shokun tim të shumëvuajtur të rinisë, që nuk është më. 
A keni pasur liri veprimi dhe a ia keni arritur qëllimit në misionin tuaj? 
Veprimtaria e forumit u shtri në disa drejtime. Por, kërkesa jonë e parë ishte lirimi i të burgosurve dhe të internuarve. Patëm rezultate që e kthyen çështjen e të drejtave të njeriut në një dimension të ri të transformimeve demokratike. Në atë kohë, në mos gabohem, ka pasur rreth 150 të burgosur politikë dhe shumë e shumë të internuar. Ne ndërhynim në organet përkatëse, veçanërisht në ministrinë e Brendshme, kërkonim leje të vizitonim burgjet dhe në fakt na kanë lejuar të shkonim në burgje. Më kujtohet se në një qeli unë kam takuar për herë të parë Fatos Lubonjën. Autoritetet e zvarritën çështjen e lirimit të tyre. Lirohej një grup të burgosurish, pastaj një tjetër. Ne kishim avantazhin të bënim presion sepse ne patëm një përkrahje të fortë nga ambasadat. Në mënyrë të veçantë do të përmend ambasadorët e Francës, Greqisë që e ngrinin çështjen me autoritetet. Ia dolëm më në fund kur u lirua grupi i fundit i të burgosurve politike në korrik 1991. Prej atëherë Shqipëria u bë për herë të parë një vend pa të burgosur të ndërgjegjes. 
Ne patëm përkrahje edhe nga jashtë. Në qershor 1991 na ftuan në Uashington për të bërë një tablo të përgjithshme mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri në komisionin përkatës të Departamentit të Shtetit. Ne vendosëm kontakte edhe me organizatën e madhe Human Rights Watch në Nju Jork gjatë vizitës që unë bërë atje me ftesë të tyre, në dhjetor të 1991. Veç asaj, shprehën solidaritetin me forumin tonë të gjitha organizatat e të drejtave të njeriut në Europë. Erdhën pranë nesh edhe të dërguarit e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit me qendër në Vjenë. 
Sot si organizatë e të drejtave të njeriut këtu te ne është Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH). Ç'lidhje ka me forumin tuaj? 
KSHH-ja është vazhdim i forumit. Veprimtaria e forumit erdhi duke u vlerësuar gjithnjë e më shumë në qarqet e jashtme. Ne bënim kritika në adresë të qeverisë për shkeljen e të drejtave të njeriut. Kërkonim reformën në legjislacionin në fuqi, botonim literaturë të specializuar, tek ne vinin qytetarët me problemet e tyre. Forumi fitoi një emër. Në këto kushte forumi u pranua si anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, që përmbledh në gjirin e saj të gjitha organizatat e Europës. KSHH-ja u bë anëtare në mars 1992 dhe atëherë u quajt e udhës të ndryshohej emri në KLSHH. Por, detyrat mbeteshin të njëjta. Raporti me Federatën i shërbeu shumë Komitetit. Veç përkrahjes morale, Vjena filloi të na jepte edhe ndonjë ndihmë materiale. Më kujtohet se dhurata e parë ka qenë një faks. Ndihmë të vazhdueshme i ka dhënë Komitetit fondacioni 'Soros'. Një ndihmë po aq të çmueshme ka dhënë dhe po japin Komitetet e Helsinkit të Holandës, Norvegjisë, Suedisë. Falë këtyre ndihmave komiteti ka arritur të kryejë detyrën dhe ta zgjerojë veprimtarinë e tij. Forumi nuk kishte fondin e tij. Neve na jepnin ndihmë për qiranë, për telefon, për karburant. Vetëm në vitin 1994 na u dha një fond shumë modest. 
Organizata juaj u krijua po atë ditë që u krijua Partia Demokratike. Në çfarë raporti ka qenë forumi, më vonë komiteti, me Partinë Demokratike? 
Më dhjetor 1990 ne kemi qenë krah për krah. Partia Demokratike hapi një epokë të re, ajo solli pluralizmin në Shqipëri. Ne kishim një funksion plotësues atë të lirisë së individit. Por, ne ishim një organizatë të pavarur. Pas ardhjes në fuqi të Partisë Demokratike në zgjedhjet e marsit 1992, u vu re një tendencë për të kthyer në një aneks forumin, komitetin, misioni i të cilit është si gjithnjë të vëzhgojë situatën dhe të bëjë kritika në raste shkeljesh të të drejtave të njeriut dhe të standarteve të shtetit ligjor. Filluan të botohen sulme në shtyp, që u reflektuan edhe në veprimtarinë e organizatës. Me ndërhyrjen e Federatës së Helsinkit situata u normalizua shpejt. Komiteti ishte në gjendje të shprehej për probleme të rëndësishme të kohës. Ne dolëm me kërkesa që të lirohej nga burgu kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano. Ne denoncuam manipulimin e zgjedhjeve të majit 1996. U hap një fushatë kundër komitetit. Ne i qëndruam statusit si organizatë e pavarur joqeveritare edhe pas ngjarjeve të 1997-ës. 
Këtu fillon një etapë e re në veprimtarinë e KSHH-së. Vjen në krye një brez i ri, garda e vjetër nuk u largua, filloi të kryente rolin e konsulentit. Kjo është situata në fazën aktuale. Unë vetë jam larguar nga drejtimi i KSHH-së në vitin 2000. 
A ka ndonjë ndryshim në veprimtarinë e organizatës nga njëra periudhë në tjetrën? 
Sigurisht ka një ndryshim deri sa ndryshojnë rrethanat. Në dhjetor 1990 ishin fillimet e procesit të transformimeve. Problemet ishin të mprehta, na binte të ndesheshim me pushtetin. Sot është një situatë krejt tjetër. Është vendosur pluralizmi. Respektimi i të drejtave të njeriut është detyrë primare e pushtetit. Shqipëria ka aderuar në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. KSHH-ja në kushtet aktuale, pa hequr dorë nga vërejtjet kritike, zhvillon një veprimtari konstruktive. Realizon projekte të ndryshme mbi çështjen e minoriteteve, mbi gjendjen në burgje dhe të drejtat e të burgosurve, mbi autonominë lokale, etj. Me gjithë ndryshimin në kohë, një organizatë si KSHH-ja është gjithnjë e dobishme, si element i përsosjes së proceseve demokratike. 
Profesor Puto, duket se nuk është folur shumë për forumin në fillimin e veprimtarisë së tij. A ju vjen keq për këtë? 
Mund të jetë kështu, por ne jemi të bindur se në dhjetor 1990 kemi kryer një punë që është një aspekt shumë i rëndësishëm i transformimit të shoqërisë shqiptare. Krahas pluralizmit është edhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Gazeta Shqiptare - Për ZSH: Gjergj Kabashi