| E merkure, 13.10.2010, 09:56 PM |
MONOGRAFI PËR 10 VJETORIN
Dr. Selim Cana: “10 vjet të Mjekësisë familjare”, botoi Shoqata e intelektualëve “Jakova”, Gjakovë, 2010
Nga Halil Haxhosaj
Emri i Dr. Selim Canës në Gjakovë, por edhe më gjerë, është i njohur më shumë në lëmin e mjekësisë. Ai me punën e tij prej mjeku specialist i mjekësisë familjare që e kryen në Qendrën komunale të mjekësisë familjare në Gjakovë është i respektuar, madje i kërkuar nga pacientët dhe tejet i dashur për ta. Por këtyre ditëve emri i tij u bë i njohur edhe si autor i monografisë së parë të një historiku të zhvillimit, madje edhe lindjes së një dege pothuajse të re të mjekësisë në Gjakovë, në veçanti dhe në Kosovë në përgjithësi, që është mjekësia familjare. Mjekësia familjare e konceptuar kështu, e zhvilluar, madje edhe e konsoliduar në këtë mënyrë ishte edhe në të kaluarën, por jo me këtë formë dhe mënyrë.
Dhe Dr. Selim Cana i hyri pasqyrimit të kësaj forme, pra, të re. Ai jo vetëm që shkroi, por edhe shfaqi të gjitha ato përpjekje, insinuata, përkrahje e shumë e shumë të tjera që u bën për avancimin, përmirësimin dhe konsolidimin e mjekësisë në Kosovën e pasluftës. Institucionet shëndetësore në Gjakovë, por edhe në Kosovë, ishin të shkatërruara. Objektet e këtyre institucioneve në përgjithësi ishin djegur, shkatërruar, madje edhe plaçkitur nga falanga serbe. Ato pak pajisje mjekësore që kishin shpëtuar dhe kishin mbetur sado pak të pa shkatërruara nuk kishte mundësi të kënaqnin kërkesat e popullit të masakruar, të dërmuar dhe të sfilitur pas luftës gjenocidale të Kosovës. Mu për këtë nuk munguan ndihmat ndërkombëtare, por poashtu edhe angazhimet e palodhshme ekipore të mjekëve të komunës së Gjakovës. Në mesin e këtyre mjekëve, mbase edhe në krye të tyre ka qenë edhe Dr. Selim Cana. Ky si autor i librit tregon në hyrjen e tij për qëllimet, angazhimet dhe sukseset e arritura dhe qëllimin që kishin në ditët e para të çlirimit. “Mjekët dhe infermierët dhe i tërë stafi i Mjekësisë familjare do të ekzagjerojnë diturinë, humanitetin dhe do të respektojnë sovranitetin e pacientit gjatë kurimit në QKMF”. Andaj libri trajton në mënyrë kronologjike, madje edhe historike 10-vjeçare zanafillën dhe zhvillimin e Mjekësisë familjare në komunën e Gjakovës dhe rrethinës së saj. Por, duhet evidentuar faktin sepse Dr. Selim Cana, në faqet e librit e shtrin interesimin e tij edhe më gjerë. Ai shënon edhe specializuesit e mjekësisë familjare edhe nga komunat e tjera, si nga Deçani, Klina, Juniku, Istogu, Rahoveci, disa mjekë nga Peja, e të tjerë.
Libri i Dr. Selim Canës “1o vjet të Mjekësisë familjare” fillon me përkushtimin e autorit: “Punonjësve të qendrave të Mjekësisë Familjare: Gjakovë, Ponoshec, Cërmjan, Skivjan, Rogovë, Erenik, Oroize ku kam punuar që nga implementimi i Mjekësisë familjare, me dëshirën e mirë besoj se kam arritur të shpreh edhe një pjesë të shpirtit të tyre”. Në fund të këtij përkushtimi është edhe kjo thënie: “Mjeku familjar është çelës i sigurt i shëndetit tuaj”, të cilën autori e ilustron me një çelës dhe dry.
Libri vazhdon me botimin e Konventës ndërkombëtare mbi të drejtat e mjekut dhe personelit mjekësor që është një kod mbi të cilin shtrihen dhe funksionojnë këto të drejta. Për të vazhduar me “Të drejtat e fëmijëve handikap” që mbështetet në Kushtetutën e Organizatës botërore të shëndetësisë (OBSH), organeve të tjera adekuate për mjekësinë dhe shëndetin. Të gjitha këto janë një orientim i qëllimshëm i autorit që ta paraqesë në mënyrë sa me reale, madje edhe objektive lindjen, orientimin, madje edhe zhvillimin e Mjekësisë familjare në Gjakovë, duke u modifikuar nga mjekësia e përgjithshme, e cila kishte zhvillim shumë të hershëm në sistemin e kaluar të zhvillimit të mjekësisë në përgjithësi.
Libri monografik “10 vjet të Mjekësisë familjare” ka disa veçanti. Ato secila në vete kanë rëndësinë dhe nuancimet dalluese. Por, fatmirësisht që në fillim të tij dominon historia e lindjes, ndërtimin dhe e zhvillimit të mjekësisë familjare, duke filluar në Ambulancën e fshatit Ponoshec të Gjakovës me ambulancat satelitore në Guskë, Sheremet, Mulliq dhe më vonë edhe në Korenicë, për t’u shtrirë në qytetin e Gjakovës dhe në të gjitha anët e trevës së saj. Kjo shtrirje bëhet e efektshme kur dalin kuadrot e para të mjekëve specialistë të Mjekësisë familjare. Autori këtij aspekti i kushton një vëmendje të posaçme. Mjekët specialistë të Mjekësisë familjare paraqiten të specializuar në katër gjenerata dhe një gjeneratë e fundit, e pesta, e cila, si thotë autori është “Gjenerata në specializim”. Në pjesën qendrore, e pse jo edhe më të spikatur të librit, autori Dr. Selim Cana, në mënyrë reale e objektive shënon të gjithë emrat e këtyre mjekëve, duke e paraqitur biografinë e tyre dhe kohën e specializimit. Për të qenë më bindëse, e pse jo, edhe më faktike, ai boton edhe fotografitë e tyre që kompletojnë figurën prej mjeku.
Këto shtrirje duken se janë një gjë tejet e qëlluar sepse ngrihet lartë figura e specialistit të Mjekësisë familjare. Mandej, disa nga mjekët e paraqitur në këtë kapitull nuk gjinden në mesin e kolegëve të tyre, sepse më nuk janë ndër të gjallë, por kanë vdekur. Paraqitja e portreteve të tyre në monografi, shpreh edhe njëherë anën humane, e pse jo edhe më të ndritur të mjekësisë në përgjithësi e të asaj familjare në veçanti.
E veçantë tjetër e librit është përdorimi i thënieve të mendimtarëve të shquar botërorë, që lidhen bukur dhe funksionalizohen me konceptin e humanitetin mjekësor, që ia shton domethënien monografike librit, duke e avancuar edhe ngritur vlerën e tij. Thëniet e shënuar në fund të portretit të secilit mjek të paraqitur në libër janë mbase perla që e shtojnë koloritin e punës së lavdishme të mjekëve. Këtë, autori e shpreh edhe në fillim të librit duke e botuar në tërësi Betimin e Hipokratit, që është çelësi i mirësisë, edukatës dhe moralit të mjekut dhe mjekësisë në përgjithësi në të gjitha anët e botës. Betimi i Hipokratit, përveç të tjerash ka për qëllim parësor që: “Do ta ruaj me të gjitha forcat e mia nderin e traditës fisnike të profesionit të mjekësisë”, thuhet në mes të tjerash në këtë betim.
Ky libër ka gjetur në mesin e mjekëve specialistë të Mjekësisë familjare edhe kujtime, që në një mënyrë ose tjetër zgjojnë kërshërinë e tyre të atyre ditëve që shënonin një histori të re të mjekësisë në historinë, poashtu të re, të Kosovës së çliruar njëherë e përgjithmonë nga okupatori serb, që më shekuj qëndroi në këto treva. Dhe nuk është çudi që ndonjëri prej tyre edhe t’i ketë ende të freskëta ato kujtime, përjetime, por edhe vështirësi nëpër të cilat kanë kaluar dhe me të cilat janë rropatur. Dhe të gjitha këto, por edhe të tjera, ua përkujton dhe nuk i lë që t’i harrojnë kolegu i tyre, Dr. Selim Cana.
Kjo vepër është e pasuruar edhe me literaturën e përdorur dhe të cituar nga autori i saj e shfrytëzuar nga tetë burime që janë një pasuri tjetër e veprës. Poashtu rëndësi e merituar për të është edhe një Rezyme, në të cilën autori Dr. Selim Cana i sqaron të gjitha synimet, aspiratat dhe interesimet për zhvillimin, konsolidimin dhe mbarëvajtjen e Mjekësisë familjare në Gjakovë që nga lindja e saj e deri në vitin 2010. Ai në mes të tjerash shkruan dhe porosit: “Që për Mjekësinë Familjare në dekadën a dytë të zhvillimit të saj, të shkruhet edhe më gjerësisht dhe kjo traditë të vazhdohet nga gjeneratat e ardhshme, sepse ka për të shkruar edhe më tepër se tash”. Kjo rezyme është e përkthyer edhe në gjuhën angleze, që në njëfarë mënyre e arsyeton ndihmën e ndërkombëtarëve për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e Mjekësisë familjare në Gjakovë, por edhe në Kosovë.
Vepra “10 vjet të Mjekësisë familjare” e autorit Dr. Selim Cana, vërtet ka rëndësi të madhe për mjekësinë e Kosovës në përgjithësi dhe të Gjakovës në veçanti. Kjo është vepra e parë e këtij lloji e shkruar kryekëput për historikun, lindjen, zhvillimin dhe jetën 10 vjeçare të Mjekësisë familjare. Andaj, është e arsyeshme porosia e autorit që jep për vazhdimin e shkrimit të historikut e kësaj mjekësie nga gjeneratat e ardhshme në dekadat e tjera të zhvillimit të saj. Ndërkaq autori i saj, Dr. Selim Cana, specialist i Mjekësisë familjare në Gjakovë identifikohet dhe është sinonim i konceptit të Mjekësisë familjare në këtë anë dhe më gjerë.