Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ali D. Jasiqi: Nostalgjia për ambientin rural

| E merkure, 13.10.2010, 09:55 PM |


NOSTALGJIA PËR AMBIENTIN RURAL

 

Nga Ali D. Jasiqi

 

Ambienti rurale me të gjitha begatitë e saj ,duke filluar nga burimet e ujit të freskët,blegërima e qengjave,loja e fëmijëve, bashkë me fyellin e bariut gjer ke agimet në vatër – janë disa nga subjektet lirike të poezisë të përmbledhjes “Me  ka marrë malli” Loja mbi gurë” e poetit Liman Zogaj,duke shpreh kështu një nostalgji për të kaluarën jo të largët. Autori vazhdon ti numërojë edhe disa objekte të kësaj natyre siç janë :sofrat e shtruar  në oda,flaka e prushit në oxhak,krisma e dasmave,  lotët në vdekje, bekimet e Nënave,  buzëqeshjet e vashave nën qershi,  një vrap kali pa jele, ogiçi  bri dredhur,  gurgullimat e krojeve dhe se fundit  agimet në vatër. Kjo nostalgji hetohet edhe në disa poezi të tjera. Dhe  jo vetëm kaq. Poeti  angazhohet edhe për trajtimin e shumë çështjeve dhe probleme që e preokupojnë njeriun tonë dhe botën e tij  të brendshme. Kjo bie në sy në të gjitha poezitë e tij të ndara në katër cikle,sipas motiveve që trajtojnë ato:(”Mbi flatra të shqiponjës”,“Më ka marrë malli”,”Loja mbi gurë”dhe “Nëpër dallgë dashurie”).Siç shihet edhe nga vetë titujt e cikleve subjektet lirike të kësaj poezie janë të larmishme. Janë këto krijime frymëzimesh sa subjektive aq edhe shprehje e  botës njerëzore, që do të thotë se poeti  synon  thurjen e vargjeve që nuk kufizohen vetëm në botën e vet të mbyllur,por edhe për atë të përgjithshme.

Poezitë e tij gjejnë frymëzim ne tema të preferuara të poetit siç janë,bie fjala,e kaluara me të gjitha traumat që ka sjellë nëpër valët e jetës,pastaj poezitë për problemet e përgjithshme, ato ku i këndohet luftës dhe lirisë dhe se fundit poezitë e dashurisë.

Për Liman Zogajn tema e mërgimit është  burim i pashtershëm i frymëzimit, si edhe të shumë poetët të tjerë. Kjo plagë e shoqërisë sonë sjellë edhe tragjedi në familjet e mërgimtarëve:

            Kurrë mërgimeve

Nuk desha djep

As sot nuk dua varr

(“Lot mbi arkivol”)

ose

Kurrë mërgimeve

Nuk desha djep

As sot nuk dua varr

Duke medituar për çështje të ndryshme Liman Zogaj vjen  te përfundimi se lufta është e tmerrshme, por nganjëherë është shpëtimtare për njerëzit qe kanë vuajtur nen okupimin e armikut. Kjo ndodhi edhe në luftën e fundit kur hordhitë serbe ikën me bisht nën këmbë sepse :

1999 dimrat u thyen

Terri u bë dritë

Krisma e maliherit

Natën e bëri ditë

(“1999 dimra”)

Në këtë vazhdë ai do të këndojë edhe për luftëtarët e patrembur që ranë në altarin e lirisë për të mbet të pavdekshëm, si bie fjala, Habib Zogaj – Arbri, të cilit i është kushtuar edhe poeziaMeteor drite

Edhe një temë tjetër behët frymëzim i poezisë se autorit të përmbledhjes “Loja mbi gurë”. E kjo është çështja e bashkimit kombëtar shqiptar, ëndërr e vazhdueshme e popullit të ndarë në disa shtete. Madje një poezi e tij edhe është titulluar “Bashkimi”

 

Njëri nga Lladroci

Tjetri nga Kumanova

Herë thërrisnin Shqipëria

Herë thërrisnin Kosova

 për të dëshmuar kështu se kjo ëndërr një ditë do të behet realitet, gjë që është e pashmangshme në të ardhmen .

 Në ciklin e fundit i gjemë poezitë në të cilat i këndohet dashurisë, kësaj temë të pashtershme për të gjithë poetët e të gjitha kohërave dhe vendeve. Për këtë autor dashuria është e  shenjtë, është diç që të tronditë, diç që të kallë dhe nuk të lenë të qetë:

Sonte

Lutem të bjerë shi i madh

Nëpër dritën e vetëtimave

Ta gjej emrin te porta prej druri

( “Kam frikë”)

Poezitë e kësaj përmbledhje  janë të shkurta dhe koncize, të thurura  me metafora dhe figura të tjera. Të gjitha këto e bëjnë këtë  poezi  të lexueshme dhe të kuptueshme për të gjitha shtresat dhe moshat e lexuesve.