| E marte, 12.10.2010, 07:30 PM |
Adem Zaplluzha u lind në Prizren, më 1943.
Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Një kohë punoi mësues nëpër fshatrat Studençan të Therandës dhe Hoça e Qytetit, afër Prizrenit. Ndërkohë punësohet si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës. Me shkrime filloi të merret kryesisht me poezi që nga mosha e fëmijërisë. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë të cilën e botit në revistën ”Pionieri” më 1957. Si i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës bashkë me shokët e punës dhe të pendës themeloi grupin letrar “Lulëkuqet e Kosovës”. Në kuadër të punës së këtij grupi qe botuar përmbledhja “Ngjyra e Kohës” në të cilën e përfshi një numër i konsideruar i poezive të tij. Krahas krijimeve të publikuara në revistat për fëmijë,botoi edhe një sërë krijimesh letrare nëpër gazeta dhe revista që dilnin në Prishtinë Shkup dhe
Në Boras të Suedisë, botohet një antologji “Jehona e Shekujve “ autor Sokol Demaku ku paraqitet me disa punime.
Është anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Prishtinë .
BIBLIOGRAFI LETRARE
1. “Puthje”-poezi “Rilindja”, Prishtinë,1974.
2. “Ecjet e Viteve të Mëdha”, poezi,”Jeta e Re”,Prishtinë 1995.
3. “Çamarokët e Theporres”, poezi për fëmijë ,”Shkëndia”,Prishtinë 1996.
4. ”Muret”,poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë,1997.
5. “Morfologjia e Dhembjes”,poezi, “Faik Konica”,Prishtinë 2ooo
6. “Ai vjen Nesër”, poezi,Qendra e Kulturës, Këlubi letrar “Fahri Fazliu”,Kastriot,2oo7
7. “Letër nga Mëgimi”,poezi, Klubi letrar “Fahri Fazliu”Kastriot ,2oo7
8. “Letër Nga Mërgimi 2 “ poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi Letrar ,Fahri Fazliz, Kastriot 2oo7
9. ”Udhëndarja”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi Letrar , “Fahri Fazliu” Kastriot ,2oo8
10. ”Thirrje e Gjakut”, poezi,”Qendra e Kulturës”, Klubi letrar, “Fahri Fazliu”Kastriot 2oo8
11. ”Asgjë Sikur Molla”, poezi,”Qendra e Kulturës”, Klubi letrar “Fahri fazliu” Kastriot,2oo9.
12. “Vesa në Lotin Tim”,poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi Letrar “Fahri Fazliu”,2oo9,
13. ”Puthja e Gozhduar”,poezi,”Qendra eKulturës”,Këubi letrar, “Fahri Fazliu”Kastriot ,2oo9.
14. ”Kashelasha në Vargje”,poezi për fëmijë,”Qendra e Kulturës,Kastriot, 2oo9.
15. “Pema e Bekuar”, E përkthyer, Rumani,2o1o.
16. ”Bajraktarët e Vatanit”,poezi satirike,Klubi letrar,”Fahri Fazliu”Kastriot 2o1o.
17. ”Hijet e ndryshkura”,poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2o1o.
18. ”Stuhi në Kutulishte”,poezi,”Qendra e kulturës”,Kastriot.2o1o.
19. “Posa ikte Nata”,poezi, “Qendra e Kulturës “,Kastriot,2o1o.
20. ”Loja e Myshqeve”,poezi,”Qendra e Kuturës”,Kastriot,2o1o.
21. ”Lumëbardhi dhe gjëma”,poezi,”Qedra e Kulturës”, Kastriot,2o1o
22. Metafora e Heshtejes”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Kastriot,2o1o
23. ”Hyji në Prekaz”, poezi,”Qendra e Kulturës”,Kastriot,2o1o.
24. ”Sinoret e Hinores”,poezi, Lidhja e Shkrimtarëve- Kastriot 2o1o
25. ”Don Kishoti dhe Rosinanti”,poezi,Lidhja e Shkrimtarëve,Kastriot,2o1o
26. ”Zjarri i Dashurisë”,poezi,Lidhja e Shkrimtarëve-Kastriot,2o1o
27. ”Kur Likenet Vallëzojnë”,poezi,Lidhja e shkrimtarëve-Kastriot,2o1o
ADEM ZAPLLUZHA
KUR LIKENET VALLËZOJNË
Poezi
Redaktor: Bedri Neziri
Recensent: Mazllum Baraliu
Lektor: Veli Veliu
Dizajni i ballinës:
SHOQATA
17.O4.2O1O, PRISHTINË
Trajtat e shiut
ME PAGURIN ANTIKË
Na i shkelën stërnishtat
Para se ti mbledhim demetet
Lumi humbi udhakimin
Mu në cep të mëhallës
S’ka lidhje nëse bie shi
Edhe ashtu miti i dragoit
I shkeli baladat
Kur Nuset e sollën pajën
As kuja s’belbëzoi
Për të satën ditë me radhë
Evgjitët e rrjepën lagjen
E qyqja asnjëherë më s’pushoi
Nuk durohet kjo gjendje
Të sëmurët s’kanë çarçafë
Në xhamat e palara
Pështyjnë zogjtë e sëmurë
Pastaj lëpihen djajtë
Përreth muranave
Nëpër lagjet antike
Prishen kalldrëmet shqiptare
Nuk m’i përfillën kërkesat
Sa kohë që zgjati greva e urisë
Pëllumbat më sillnin ujë
Kur e arnoja shpirtin
Dikur vonë në etjen time
Trokëllinë engjëjt
Nata kishte ikur përtej malit
Me pagurin antik
NË KODIN E LABËRISË
Ti je në gjendje
Ta kafshosh frymën e detin
Mos harro miku im se si fëmijë
Nuk i ke thyer dhëmbët
I kapërceve urat
Duke lënë pas mallkimin
Muratorët e ndërtuan
Muranën e rrëzuar
Kush nuk kaloi andej
Nëpër trajtat e ekstazës
Mëllaga e kuqe
Shtrydhte buzëqeshjen e pranverës
Myku kishte zënë udhën
Delet mbetën në lymërishte
Nëpër kullota të kositura
Nuk u përsëritën dyndjet
Atë ditë ma sollën kafen
Me filxhanin e Ali Pashait
Tepelena disi gjëmonte
Si malet e Këlcyrës
Miku im nga Labëria
Qeshi me atë zemër të madhe
Ullinjtë i pjeku acari
Para se të shtrydhnin lotin
Në kodin e Labërisë
gjallon atdheu ku
Mbi të gjitha dashuritë
Frymon pavdekshmëria
KOKA E PASHAIT
Nuk i tregova mikut
Udhën më të shkurtë
Jeta na mëson të dashurojmë
Edhe gjarprin nën gurë
Pa dashje më zuri nata
Në këtë gërnjollë
Honi i kujtesës
Rrotullohej për së mbrapshti
Asnjë lajm sonte
Në kallamin e misërnikes
Dyndja e milingonave
Befasoi qytetarët
Lumenjtë ndërruan rrjedhën
U tha bari nëpër luadhe
Lajmi për kokën e pashait
përplaset në sininë e pakallajisur
troku i çmendur
udhakon nëpër xhade
kalorësit mbetën pa fjalë
në atë ecje të misterioze
NË QERPIKËT E RRUFEVE
Posa erdhën dasmorët
Kali i kuq iku në harresë
Lajmi për tharjen e lumit
Nuk ishte risi për ne
Besuam se humbi uji
Mes shelgjishteve
Zogjtë nuk erdhën
Në festën e kërshëndellave
I konvertuam lagjet
Pas murosjes së urës
Myku lëshoi rrënjë
Në gjinjtë e nuses
Kërcëlluan dhëmbët
Si portat e kalasë
Lart në kodra
I gjetën burimet e humbur
Nga mynxyra e baladës
Vdiqën mëkatarët
Eremiti nuk erdhi mbrëmë
Në dasmën e luleve
Akullin e palosëm
Në telat e qemanes
Tingujt e humbën rrugën
Në qerpikët e rrufeve
KY SHI
Ky shi
Sa i bezdisshëm
Bie mbi çati
E dashura ime
Ky shi mbi çati
Tremb çdo njeri
Lulen e kujt
Përtypën laraskat
E dashura ime
Lulen e cilës nënë
E mallkoi burimi
Dhe pse ikën zogjtë
Nga kjo baladë
Që bluan kujtesën
Ky shi
Si trishtimi
Sonte po pikëlon
Në etjen e natës
Kur hutini
Përplaset me ironi
Dhe vajton agimin
Në trajtën e tij lakuriq
2.
Mos mi ngacmoni
Trajtat e shikimeve
Mu kanë lodhur sytë
Nga këto pamje të gërryera
Përplasjet s’ndalen në këngë
Pasi që pushojnë vajtimet
Mos
Mos mi prekni plagët
Nga kafshimet e gjarpinjve
Qeni im
Fare mirë e njeh
Barin shërues
Ky shi
Mbi çati
I numëron kalimtarët
E dashura ime
I numëron
Parmakët e dritareve
Kur thyhen kangjellat
E kovave të urinimit
Deri sa i burgosuri pshurrë
Në ëndrrën e gardianit
18.04.2010, Prishtinë
KUR TËRBOHET ERA
Pak si rrallë po kalon
Kah mëhalla e evgjitëve
Nuset kanë humbur kujtesën
Që në lindjen e parë
Kënduam baladën e bareshave
Kur vajtoi gurra
Mali nuk e luajti qerpikun
As sa për një fije bari
Përtej urës kaluan delet
Natën e ndiqte etja
Atë ditë nuk ra shi
Kur i grishëm dasmorët
Fëmijët erdhën pas nesh
Deri në fund të sokakut
I mbollëm dëllinjat në lëndina
Për ta ndalur tërbimin erës
MË TËRË BUKURINË
I trembën gjethnajat
Në zverkun e malit
Nata ka kollitur
Deri vonë në mëngjes
Asnjë bar shërues nuk gjetëm
Në djersën e ujit
vaji kishte marrë dheun
Na mbytën ethet e zeza
Kot menduam ndërrimin e stinëve
Në degët e aguliçes
Ardhacakët e çmendur
E mbytën pranverën
Kur diellin e shoqëruan hajdutët
Dita mbeti pa pikë uji
Me sterrën e natës
Evgjitët e vranë hënën
Blegërima e deleve
Si në ëndërr i shkeli kullotat
Pranvera na priti në qoshe
Me tërë bukurinë e saj
EREMITI
Sa pak ditë paska muaji
Në sipërfaqen e gjethes
Bleta sot nuk erdhi
Me josh lulen e vetmuar
Pritëm edhe dy ditë
Për t’i mikluar kujtimet
Hasmëria u rrit mes nesh
Si dallga e tërbuar
Sot nuk dëgjohet zhuzhitja
Në rrënjën e mollës
Ikën dhelprat nga ky mal
Mos t’i zë mallkimi
E mbollëm luleshpatën
Në kujtim të shpresës
Murgu na i përzuri ditët
Përtej erës së temjanit
Sot eremiti ishte dehur
Me djersën e luleshtrydhes
Të gjithë kishin qeshur
Me vonesën e trenave
I THYEN URAT E HARRIMIT
Në tejdukshmërinë e kristaltë
Dehet nata e lodhur
Lulet humbin aromën
Si miza virgjërinë
Vijnë ushtarët e palarë
Me pisllëqet e luftës
Dita mbetet si peng
Në kujtesën e vrarë
Kur e thyen gotën
Në tingujt e qemanes
Asnjë zë nuk lëshoi trishtimi
Për ta frikësuar agimin
Dasma ishte në kulmin e saj
Nusja iku pa pajën e sjellë
Dhëndri esëll priti mëngjesin
Duke i Kafshuar thonjtë
Muret u damkosën
Nga fjalët e të dehurve
U thyen urat e harrimit
Në kazanët ku piqej mishi
QË NA NDJEKIN
Çfarë trajte ka kjo natë
Që i shtrembëron buzët
Uji nuk pihet me kashtë
Kur të zë etja në grykë
Miku im
Kurrë nuk flet për dashuri
Po aq mall ka në shpirt
Sa që i djeg gurtë
Ky heshtak i urtë
E do ngjyrën e remtë
Dhe sa herë t’i teket
Bisedon me zambakun
Në dashurin e tij
Fle syri i heshtjes
Dhe më vonë zgjohet malli
Për ta përpirë Titanikun
Erërave nuk ua lëshon rrugën
Dhe kacafytet në çdo stinë
Për t’i kafshuar vitet
Që na ndjekin si rriqrat
LULJA
Si mund të kuptohet
Dashuria ndryshe
Kur ajo fle
Në kujtesën tonë
Në thonjtë e tua
Mund t’i mbjellësh
Të gjitha lulet
Nusja ime
Të gjitha
Ti vetëm shkule barin
Dhe mbille
Nëse do edhe në hon
Ajo ka me zënë
Në kulloshtrën e syrit tënd
Kur urrejtjes
Ia dhuron hijeshinë
Për çdo ditë
Merr nga vetja
Nga një rremb dashurie
Dhe ta dhuron ty
Miku im
Lulja
Buron nga lulja
Dhe sërish bëhet lule
Në këmbët e bletës
ULET NË BREG
Ik nga korija
Si atkinat e egra
Shko e qëndro
Në maje të malit
Ashtu thjesht
I thuaj vetes
Se të pëlqen
Tregim i djalit
Mua nuk më zë gjumi
As kur lumi fle
Në dashurinë e saj
Buron bardhësia
Dhe derdhet
Në lotin e heshtjes
2.
Majëmalesh
Fluturon bleta
Me ujë këndellet
Gjumi i fjetur
Pema lulëzon
Në mijëra trajta
Përhapet tek ne
Aspak pa u tretur
3.
Edhe lumi
Nuk rri buzëvarur
Shkrihet së qeshuri
Atje poshtë nën urë
Kur i sheh lisat
Duke u kallur
Ulet në breg
Ndërton një mur
Hapërdahem nëpër kujtesë
Bredhi andej
E kthehem këtej
Si nusja e lalës
Nëpër luadhe
Largohem udhës
Me vrap
E dalë përballë atje përtej
ZISHËM LOTON
Sokëllin malet
Honi në heshtje belbëzon
Në fund të sinorëve
Zjarri kallet
Lastarët këputen
Në lagjen tonë
Kaluam tatëpjetën
Pa na zërë gjumi
Kojrrilat flatrat
I tundi në eter
Poshtë këmbëve të urës
Bënë naze lumi
Dikush me dhunë
Trokëllinë në derë
I hapëm porta
Si patëm zakon
Askush nuk na pyeti
Për dhembjen e gurit
Kur lagja në kënd
Zishëm loton
Dhe me kokë të sëmurë
Me afsh i bie murit
E VARIM NË MUR
Më duket se sonte
Baladat janë mykur
Ethet e korijes
Kanë zjarrmi të madhe
Kalorësit rrëfehen
Mbi kuaj duke ikur
Kojrrilat na mbesin
Të ngarkuara me halle
Gozhdakët tunden
Si varkat e mbytura
Kur deti çmendet në horizont
Dalin e na presin
Me të lutura
Zgjebanik e hajdut
Me disa kontë
Kur dikur vonë
Shkojmë në mejhane
Dehemi me natën
Që nuk harrohet kurrë
E mbushim krikllën
Me lotët e një nëne
Shpirtin tonë
Duke varur në mur
NË FILLIM TË ERËS
Melodia e blertë
Në gjumin e natës
Errësira shtrihet në hapësirë
Dalim e mbushim ujë
Me fundin e kënatës
Që e thyen disa të huaj
Kumti i zi
E përqafoj dheun
Në trokun e kalit
Freni i mëkatarëve
Ai i ziu
Përqeshi edhe atdheun
Disi pa dashje
Iu bashkua tradhtarëve
Erdhën e zhuzhitën
Me një zë që përvëlonte
I thyen kallamet
Në fillim të arës
Aty vetëm qyqja këndonte
Për ta zbrazur
Dhembjen e barrës
KËLTHITE SI KËRTHI
Në kodin tënd jetonte pranvera
Vitet i shkunde sikurse arrat
Herë dilje në mëhallë
E herë mbyllej dera
Të vlonte trupi
Kur korrje tallë
I mbolle fushat
Me dashurinë e të parëve
Këlthite si kërthi
Pahiri në djep
Dhe kurrë nuk u ndale
Ti pranë barbarëve
Armiqtë e tu duke i rrjep
U bëre kalorës
Pa e parë shalën
Mallkimi pat mbetur
Të dënesi pa brengë
Por ty miku im
Nuk mund të ndalën
Ti s’kishe lindur
Të mbetesh peng
U ndeshe nëpër fusha
Dole tejetej
Përherë fitimtar
Në log të mejdanit
Gjaku të vlonte
Krenarisht në dej
Kur i kaloje
Shtigjet e honit