| E hene, 11.10.2010, 06:04 PM |
Janaq Pani
"TRIMËRITË" E XHAXHI GJEOLOGUT - Të qeshim pak
Kur xhaxhi gjeologu, një ditë
si malet e brodhi gjithandejë
u ul e të tij "trimëritë"
nisi me nge t'i rrëfejë.
...Në shpatet e malit Korab
dikur u hasa në arushë,
nuk dita nga ia mbajta me vrap
për pak dhe brekët i kam mbushë.
Kush thotë që unë s'jam trim,
t'ia mbathësh duhet guxim.
Në pyllin e Malit të Dajtit
hunguroi ujku aty pranë,
i qetë të rri nuk ma mbajti
nga vrapi desh brekët më ranë.
Mos thoni pastaj se s'jam trim
t'ia mbathësh duhet guxim.
Te Mali i Shenjtë Tomor
fishkëlleu nepërka tek shkoi,
ia mbatha pa më ardhë hiç zor
përpak pipia më shpëtoi.
Si unë nuk gjen tjetër trim
t'ia mbathësh duhet guxim.
Pa lere një herë, vogëlushë
kur mali qe fshehur nga bora,
sa brofi thëllëza nga gëmusha
më ra çekiçi nga dora.
Çdo trimi kjo na i ngjet
kur ndodh ajo që s'e pret.
Për fat, sa isha i ri
nuk nisi betejë gjëkundi,
se unë me kaq trimëri
i vija të gjithë përfundi.
Kur thonë kam zemër për luftë
Zoti atë mos e pruftë,
u them ballëhapur ta dini
se frikë nuk njoh unë trimi.
Por jeta është përvojë,
kush këmbë nuk ka të vrapojë
më pas nuk ka ç'të kallzojë...