Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Llazar Bano & Luan Çipi: Qeverim Kushta, Inxhinieri i talentuar, që ndërtoi 40 vjet

| E hene, 11.10.2010, 09:58 PM |


QEVERIM KUSHTA

Inxhinieri i talentuar, që ndërtoi 40 vjet

 

Nga Llazar Bano dhe Luan Çipi

 

Qeverim Kushta, djali i Mësuesit të Popullit, vlonjatit Ibrahim Kushta, qysh në moshë shumë të re e pëlqente profesionin e ndërtuesit dhe kishte shumë dëshirë të merrte këtë

profesion në jetë. Por, që të realizonte këtë dëshirë aso kohe, nuk ishte e lehtë. I dolën përpara shumë raste dhe shumë mundësi deri te mjekësia, por ai donte  vetëm ndërtimin! Pas shumë përpjekjesh, kjo dëshirë u përputh me fatin dhe ai fillon studimet ne Teknikumin e Ndërtimit në Kryeqytet, që e mbaron me sukses. Pas kësaj futet ne Fakultetin e Inxhinierisë të UShT dhe del inxhinier ndërtimi.

Fati e kishte shkruar që këtë mjeshtëri të bukur dhe të vështirë inxhinieri i ri ta ushtronte tërë jetën dhe të bënte një emër, që mund ta lakmonte dhe mjeku më i mirë.

Punën e filloi si teknik ndërtimi në Fabrikën e Çimentos. Ishte i ri, shumë i ri, i porsa dalë nga bankat e shkollës. Kishte merak për punën! Provonte emocionet e para, që janë për këdo krejt të natyrshme. Dhe këto emocione i kaloi me sukses. Tereni i vështirë ku ngrihej Fabrika, ngarkesa e punës që përballonte, jo vetëm që se trembën, por e kalitën edhe më shumë. Përfiton me mençuri nga përvoja e inxhinierëve të huaj dhe fillon rrugën e jetës me fitore. Tekniku i ri i ndërtimit dha shenja se premtonte shumë për të ardhmen! Aty në praktikën jetësore, djaloshi i ri kupton dhe më shumë se ngritja e nivelit të arsimimit ishte domosdoshmëri për të ecur para.

Pas një viti pune, shkëputet dhe shkon në Universitetin Shtetëror Tiranë për studime në degën e inxhinierisë së ndërtimit dhe në periudhën 1954-59 e përfundon dhe atë me sukses.

Në vitin 1959, inxhinieri i ri emërohet në zbatim punimesh ndërtuese në NShN”Perlat Rexhepi” Vlorë, në kantierin e ndërtimit pranë Fabrikës së Çimentos, ku punon edhe tre vjet deri në vitin 1961, kur i dalluar në punë emërohet në kantier e qendrës, si kryeinxhinier edhe për pesë vjet të tjerë. Ndërkohë kantieri shumëfishohet dhe përfshin ndërtime të shumëllojta në qytet e fshat dhe për të gjithë rrethin.

“Pasioni” ishte virtyti që e karakterizonte gjithë jetës inxhinierin Qeverim Kushta, po ai shoqërohej dhe nga mendimi krijues. Lufton dhe këmbëngul për ngritjen e nivelit profesional të zbatuesve të projekteve, zgjedh, krijon dhe vendos dokumentacionin teknik, synon për ngritjen e cilësisë dhe të rendimentit e efektivitetit në punë. Një punë të veçantë novatore e krijuese Qeverim Kushta bëri për ndarjen e proceseve të punës ndërtuese, për atë nismë që u quajt specializimi i punimeve të ndërtimit, duke e përqendruar vëmendjen  te punimet e rifiniturës, për të korrigjuar kështu edhe një nga dobësitë e punimeve të atëhershme. Eksperimentimi i punimeve të specializuara nisi në banesën “Hark”, pallati masiv 6 katesh pranë qendrës së pushtetit lokal, provë që arriti rezultate të kënaqshme. Brigada e posaçme u zgjodh me specialistë nga më të aftët, u instruktua dhe u ndihmua çdo ditë direkt nga inxhinieri pasionant e krijues Qeverim Kushta. Kjo  formoi dhe mendimin nga të gjithë qytetarët vlonjat që ky pallat të ngelet, deri në ditët tona, si model për cilësi e komoditet.

Një veçori e shfaqur nga inxhinieri i ri Qeverim Kushta ishte se ai, ndryshe nga drejtues të tjerë,  kërkonte nga punëtorët punë, rendiment e cilësi, duke neglizhuar ”njollat” në biografi. Duke mos u ndikuar nga llafet, thash e themet dhe opinionet e imponuara, dhe i njëjti qëndrim u mbajt dhe më vonë, si drejtor apo shef, ku u shfaqën dhe më shumë aftësitë e tij teorike, praktike dhe drejtuese, administrative e organizative.

Puna projektuese dhe preventivuese ishte një tjetër dhunti e rrallë dhe pasion e “dobësi” i inxhinierit ndërtues Qeverim Kushta. Kjo u diktua shpejt nga specialistët e kohës deri ne Ministri, prandaj atë e përzgjodhën dhe e emëruan fillimisht si projektues në Byronë e Projektimit të Ndërtimeve në Vlorë, detyrë që e kreu për 4 vite. Shpejt Qeverimi shkëlqeu edhe si projektues dhe me intensitet punoi për ti dhënë qytetit të Vlorës objekte të bukura e të rëndësishme si shkolla e institucione në bashkëpunim me specialistë të talentuar të Byrosë se Projektimit, ku përgjegjës ishte Ing. Vangjel Loli, me  projekte zbatimi të kompletuara me arkitekturë, urbanistikë, konstruksion dhe deri në instalimet hidrosanitare e elektrike. Kështu u arrit të përfundoheshin me sukses projektet  cilësore për objektet e  rëndësishme të kohës si Shkolla “Ali Demi”, shkolla Tregtare, shkolla “Muço Delo”, shkolla Industriale, etj.

Nga viti 1970 deri në vitin 1977 Qeverim Kushta punoi si Kryeinxhinier në Ndërmarrjen e Ndërtimit “Perlat Rexhepi” në Vlorë. Në këtë periudhë të tërheq vëmendjen fakti se janë realizuar me sukses disa objekte të rëndësishme dhe voluminoze siç janë:

-Hidrocentrali i Smokthinës me kapacitet 9200 kw.

-Uzina e Sodë PVC

-Polivinil Kloridi

-Fabrika e Pllakave dhe Tubove prej Eternitit.

Të tërheqin vëmendjen disa fakte interesante për Hidrocentralin e Smokthinës. Kjo vepër e veçantë dhe e vështirë ndërtimore ishte jashtë kapacitetit dhe karakterit të ndërmarrjes, aq më tepër se tereni ishte tepër malor dhe pa infrastrukturën e nevojshme. Inxhinier Kushta me kurajë ngre zërin dhe me guxim mban qëndrim kritik ndaj çdo gabimi të projektit dhe propozon e ngul këmbë për ndryshime e masa konkrete, që çdo mangësi të korrigjohet dhe vepra të realizohet sa më shpejt. Korrigjohet konstruksioni i kanalit prurës i parashikuar me gurë, duke u zëvendësuar sipas variantit të inxhinier Kushtës, më të mirë, më me rezistencë, më të mundshëm e më të shpejt për ndërtim, me element  lugjesh beton arme të parafabrikuar. Duhet theksuar se në këtë drejtim një punë të konsiderueshme, për të përballuar vështirësitë e shumta, duke sakrifikuar, kanë bërë personeli inxhinjero teknik bashkëpunues e në veçanti  drejtori i kantierit Mehmet Kojani, inxhinieret Agim Pustina, Bashkim Kushta, Polimer Ruci, Miltiadh Çerkezi, Vangjel  Loli dhe Herman Shvencner. Për prodhimin e lugjeve të betonit u ndërtuan dy poligone në dy pika të caktuara, çka e lehtësoi dukshëm punën. Në këtë vend, ku copa e e shkëmbit, sa del nga nëntoka në sipërfaqe, thërrmohet dhe sikur shkrin, në atë vend me teren  shumë të vështir për ndërtim, në atë kantier hidrocentrali të projektuar keq, ndryshimet sollën dyfishimin e vlerës fillestare. Pikërisht aty, ku dhe ishin vështirësitë më të mëdha të jetës së tij, inxhinier Qeverim Kushta nuk u mposht, por u rit e u konsolidua si një krijues aktiv me sens praktik. Ky hidrocentral, tepër i vështirë dhe që vet projekti u korrigjua gjatë zbatimit, u ndërtua shpejt dhe punon pa ndërprerje me kapacitet të plot. Inxhinier Kushta e kujton me nostalgji këtë periudhe, duke e konsideruar si një nga punët më të rëndësishme të jetës së tij. Hidrocentrali Smokthinës njëkohësisht formon çelësin e suksesit dhe të bashkëpunimit të mëtejshëm midis dy drejtuesve të ndërmarrjes së ndërtimit “Perlat Rexhepi”,  midis inxhinierëve  Qeverim Kushta dhe Llazar Nasto, që paralelisht ndiqnin punimet në kantierin e rëndësishëm për ndërtimin e veprës industriale Sodë PVC, ku së bashku me inxhinierët kinezë, dhanë kontribut për punime ndërtimi cilësore dhe me teknologji më të përparuar.

Në ndërtimin e Fabrikës së Eternitit kontributi i inxhinier Kushtës dhe shokëve të tij novatorë shkoi dhe më tej në përdorimin gjerësisht të elementëve parafabrikat me beton të paranderur, gjë që përmirësoi teknologjinë dhe shkurtoi afatin e ndërtimit dhe të dorëzimit të veprës para kohe.

Në vitet 1967-1981, inxhinierin e talentuar dhe tani me përvojë e nivel shkencor, e gjejmë të emëruar përgjegjës të Zyrës se Urbanistikës dhe Projektimit te Rrethit të Vlorës, padyshim një nga zyrat më të rëndësishme projektimi në shkallë vendi. Dobësia e tij tani janë projektet dhe vetëm projektet. Këtu edhe sedra e punës është më e madhe.

Ai shton kërkesën e llogarisë për rritjen  e rendimentit dhe të cilësisë në punën projektuese, ngulmon  dhe krijon kushtet për shfrytëzimin më të mirë të literaturës teknike, duke synuar në rritjen e volumit të projektimit, në funksion të shfrytëzimit maksimal të kohës së punës në dispozicion. Në këtë drejtim edhe duke shfrytëzuar profilin, prirjen dhe dëshirën e çdo specialisti, sipas modeleve të përparuara bashkëkohore, u arrit  një ndarje e specializim profesional. Këto masa efikase dhanë shpejt rezultatet e dëshiruara dhe vet specialistët projektues e preventives u bënë më të ndërgjegjshëm për të punuar edhe jashtë orarit, sipas kërkesave dhe modelit të drejtuesit të tyre pasionant, të cilin e konsideronin, jo vetëm drejtues por edhe shok të dashur, që i mbronte dhe i korrigjonte me dashamirësi dhe në mirëkuptim të plot.

Në muajin prill të vitit 1972 u krijuan kushtet që organet përkatëse të dërgonin në Itali, Inxhinier Kushtën dhe një specialist tjetër, për përvojë një mujore në punimet e rifiniturës dhe hidrosanitare, sipas një programi të përbashkët midis dy shteteve. Kjo vizitë në Italinë fqinje, me emër në botë për ndërtime cilësore e deri fantastike, ishte një privilegj dhe një shkollë e madhe për inxhinier Kushtën të etur për dituri. Ai atje, me  syrin teknik të një specialisti me përvojë e konstatoi prapambetjen tonë dhe diferencën në nivelet projektuese dhe ndërtuese, që vinin kryesisht nga diferencat e thella në shkallën e zhvillimit ekonomik e teknik. Kjo vizitë u bë një shkollë madhe për të, që e përjetoi me punë të sforcuar, duke mbajtur shënime e duke pyetur e u thelluar për çdo të re. Mbi këtë bazë të madhe vrojtimesh dhe përvoje u përcaktua metoda e transmetimit dhe aplikimit sa më të gjerë te punonjësit e Byrosë Shqiptare të projektimit, duke hartuar një program konkret për aplikim, që përfshiu:

-Montimin e elementëve të lehtë beton arme me boshllëqe, metodë që u zbatua në disa banesa të Vlorës;

-Suvatimin dhe bojatisjen me metoda të përparuara.  Kështu suvatimet e brendshme u bënë me llaç të zakonshëm, por të përzier edhe me doza të caktuara allçie, duke kryer njëkohësisht edhe procesin e patinimit.

 

Vitet 1981-1983 e gjejnë inxhinier Qeverimin si Përgjegjës të Seksionit Komunal të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë. Kudo që shkoi solli një frymë të re  me metoda  e kërkesa novatore. Transmetohet edhe këtu pa kursim përvoja shumë vjeçare në ndërtim, thyhen konceptimet e marrjes me vogëlima rutinë, duke  përcaktuar objektivat kryesore për bërjen dhe mirëmbajtjen e kanalizimeve, rrugëve, trotuareve e pastrim gjelbërimin. Edhe këtu u harmonizua dhe u ngrit në nivelet më të larta bashkëpunimi me personelin inxhinjero teknik e në veçanti me talentet e kohës inxhinierët Gjon Boçari, Llazar Nasto, Vangjel Loli, Resmi Canaj, Sami Canaj, Misto Mele, Arben Meksi, Piro Stefa etj. Në qendër të vëmendjes u vu harmonizimi i marrëdhënieve të mira me dikasterin e ndërtimit dhe të shërbimeve komunale në qendër, duke siguruar ndihmesë maksimale nga inxhinieret me emër në mbarë vendin, që drejtonin këto institucione si me  Ismail Ahmetin, Farudin Hoxhën, Leandro Zoton, Tomor Hoxhën Kudret Arapin etj.

Pasi mblodhi një përvojë pune 25 vjeçare, i kalitur fuqimisht në sektorin e vështirë të ndërtimit, inxhinier Kushtën e emërojnë Drejtor në Ndërmarrjen e Ndërtimit “Perlat Rexhepi” Vlorë, një nga ndërmarrjet më të fuqishme të vendit, duke pasur besim të plot te suksesi i padiskutueshëm i këtij kuadri, tashmë të formuar në të gjitha drejtimet. Në këtë kohë kjo ndërmarrje jetonte një periudhe të vështirë me probleme e mosrealizime të detyrave. Inxhinier Qeverim Kushta e mori me seriozitet e besim këtë detyrë. Ai konstatoi menjëherë dobësi të theksuara organizative. Kjo ishte hallka kryesore ku ai u kap,  për ta bindur dhe imponuar personelin drejtues dhe inxhiniero teknik që secili të kryente më së miri punën e vet. Ai konstatoi se në ndërmarrje kishte kuadro të zot, prandaj parashtron kërkesa dhe detyra për secilin dhe gjen përkrahje e mbështetje nga inxhinierët LLazar Nasto e Dule Arizi dhe ekonomistet Dhimitër Puka, Agron Bani dhe Tasim Tare, etj. Shumë shpejt u dukën rezultatet e para. Filloi realizimi dhe tejkalimi i detyrave të planit, që natyrshëm te shumë njerëz krijoi habi dhe shtroi pyetjen: Si u arrit?

Inxhinier Qeverimi modest përgjigjej: Asnjë sekret të veçantë nuk ka. Punë dhe vetëm punë , harmoni e mirëkuptim. Forcat aktive - këtu ishin.  Së bashku i vumë në lëvizje!

Inxhinieri Qeverim Kushta punoi në sektorin e vështirë të ndërtimit mbi 40 vjet, duke dhënë një kontribut më se të çmuar për ndërtimin dhe zbukurimin e qytetit të Vlorës. Dhe mos harrojmë se Vlora nuk ishte kjo, e sotmja. Ajo kishte boll kasolle dhe mbulohej me moçale. Vlora, Skela, Uji Ftohtë kanë qenë të ndara nga njëra tjetra me boshllëqe të theksuara. Inxhinier Kushta dha kontributin e tij të vlefshëm që ky bashkim të vinte sa më shpejt, për ta unifikuar në një qytet të vetëm e të bukur, siç është sot. Dhe në këtë tërësi ngelen dhe do të qëndrojnë për shumë vjet veprat e mira dhe të bukura ndërtuar apo projektuar prej tij. Disa prej tyre populli i ka pagëzuar me emra karakteristike, që do kujtojnë dhe do ta ruajnë të pavdekshëm vet emrin e inxhinierit  Qeverim Kushta.

Nuk mund ta mbyllim këtë monografi modeste për inxhinierin e shquar pa theksuar edhe disa aspekte të tjera jetësore të tij:

Kushdo që e ka njohur në Vlorë apo më tepër ka punuar me inxhinier Kushtën e çmon atë si një punëtor të pa lodhur dhe specialist të mençur e krijues, po njëherazi dhe një shok e mik tepër të dashur e shumë njerëzor. Ai arriti të bëhet një drejtues i paharruar që është futur në zemrat e vlonjatëve, si njeri kërkues e këmbëngulës, po dhe i drejtë, vlerësues e dashamirës, ndaj merr nga secili falënderim, respekt dhe mirënjohje. Edhe jashtë pune, në bibliotekë, pistë vallëzimi, në shëtitje apo takimet shoqërore, do dalloje lehtazi pastërtinë, karakterin dhe thjeshtësinë e kësaj figure emblematike  e të dashur të njeriut vlonjat të thjeshtë e të çiltër. Prandaj edhe tani, sa herë që mund të shëtitësh më të, do takosh bashkëqytetarë që e  përshëndesin me dashuri, e përgëzojnë, e falënderojnë dhe i kujtojnë  “këtë apo atë të mirë”, apo që e ftojnë, në shenjë respekti, për “kafe”, duke tërhequr këshillat e tij ende të vlefshme, apo duke  kontribuar për mendime e zgjidhje  teknike e deri projekte  të thjeshta falas për nevojtarët, literaturë, manualë e përvojë, të cilat vazhdon ti japi me bujari, shoqëruar gjithnjë me buzëqeshjen e tij të ëmbël, karakteristike.

Po të gërmosh më thellë në figurën e tij, do të ndeshesh me një intelektual të kompletuar. Ai, pa u impenjuar direkt në asnjë parti politike, e njeh dhe e çmon të kaluarën e lavdishme historike të popullit tonë dhe krenohet me luftën nacional-çlirimtare, që na vendosi përkrahë fitimtarëve, duke qenë krenar për vëllain e tij Hasn Kushta, që dha jetën heroikisht për çlirimin e vendit, për babain e tij patriot, pjesmarës aktiv  edhe në Luftën e Vlorës në vitin l920 dhe në lëvizjen demokratike të qershorit 1924 dhe Mësues i Popullit, për të tre djemtë e tij të mirë e në veçanti për  Sokol Kushtën, Mjeshtrin e Sportit, legjendën e futbollit Shqiptar. Qeverimi, madje është marrë  edhe vetë me futboll, me sport dhe me art. Është këngëtar i mirë dhe njohës apasionant i muzikës, deri asaj operistike.

Tani, inxhinier Qeverim Kushta,  që sapo i mbushi 75 vjeç pensionist, shëtit optimist dhe i gëzuar rrugëve të Vlorës së bukur dhe çdo ditë e përshkon më këmbë rrugën Vlorë- Skelë-Ujiftohtë. Atij i gëzon shpirti kur shikon ndërtimet cilësore e të shumta, ndofta nga më të mirat në vend, që zbukurojnë çdo ditë Vlorën e tij të dashur. Ai krenohet dhe uron kolegët dhe nxënësit e tij ndërtues, arkitektët Sami Canaj, Pirro Stefa dhe Arben Meksi, konstruktorët Llazar Nasto, Ferdinand Xhaxho dhe Fred Marku, si dhe ndërtuesit e tjerë duar artë. Ai shqetësohet dhe porosit për kujdes e maturi, kur konstaton  shtrembërime dhe gafa urbanistike dhe dëshiron që të mos bëhen gabime, që kushtojnë  shtrenjtë dhe nuk ndreqen lehtë. Ai nuk reshtet së thëni: Mos ja zini Vlorës pamjen madhështore të detit, kujdes gjelbërimin, kujdes pyllin e Sodës!

Qeverim Kushta është i ngazëlluar dhe entuziast e optimist për gjendjen dhe perspektivën e qytetit të tij të lindjes, të bekuar nga zoti. Ai është i bindur, që specialistët e talentuar të ndërtimit të këtij qyteti, nuk do ta prishin perspektivën, por do ta bëjnë gjithnjë e më e më të bukur Vlorën e tij të dashur.

Vlorë, 10.10.2010