| E hene, 11.10.2010, 09:57 PM |
Mustafa Kruja Polemikë e pazakontë me shkrimtarin turk Sulejman Nazifi
Nga Eugjen Merlika
Dokumenti që botohet sot është padyshim një nga perlat e publicistikës shqiptare. I përket vitit 1909, është një letër që Mustafa Merlika Kruja, atëherë student 22-vjeçar i Mylkijes në Stamboll, i dërgon Sulejman Nazifit, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Perandorisë Turke n’atë kohë. Letra, që pati një nismë krejt vetjake nga ana e autorit, pa as më të voglën shpresë se mund të bëhej publike, ishte një fushë rrahje mendimesh e gjykimesh me shkrimtarin kurd.
Duke marrë parasysh moshat dhe pozitat shoqërore të biseduesve, ndoshta nuk do t’ishte i tepruar krahasimi me duelin e famshëm biblik ndërmjet Davidit e Goliathit. Sulejman Nazifi kishte nisur të botonte një varg artikujsh me titullin “Shqiptarët”, në një gazetë të njohur të kryeqytetit turk. Në to, autori i shkrimeve akuzonte shqiptarët për qëndrime të dyshimta e kërkesa që vinin në diskutim besnikërinë e tyre ndaj Perandorisë, mbas shpalljes së Hyrrjetit. Shkrimtari kurd i shihte këto qëndrime në “ndiesit kombëtare” që kishin filluar të shfaqeshin, simbas tij, mbas shpalljes së Kushtetutës, e konkretisht në kërkesat shqiptare për të shkruar gjuhën e tyre me shkronja latine, apo për të pasur nëpunës të kombësisë së tyre në vilajetet e veta. Simbas tij, këto prirje ishin frute të “intrigave” të Austrisë e të Jezuitëve e shprehje të aspiratave të pak shqiptarëve.
Në letrën e tij, studenti i ri nuk paraqet aspak kompleksin e vështirësisë ndaj autoritetit të njohur, por me argumente të sakta, me forcën e logjikës, në një debat prej 11 pikash, zbërthen copa-copa impiantin e akuzës, “jo me ndiesín e Shqiptarit ekstremist, por me mendësín e nji Osmanlliu të matun”. Si një avokat i pasionuar por gjakftohtë i popullit të tij, ai merr në mbrojtje çdo dëshirë apo prirje të bashkatdhetarëve të tij, për të pohuar qenësinë e tyre kombëtare edhe se ai komb “... âsht nji pjesë e padame dhe mâ besnike e mbretnís othomane...”. Në harmonizimin e logjikës së dualizmit të argumenteve të kundërta mes tyre, qëndron edhe merita më e madhe e djaloshit polemist. Ai mbështetet fort tek të gjitha vlerat e kombit të tij, te personalitetet e shquara të tij si vëllezërit Frashëri apo Sulejman Delvina, që kanë dhënë një ndihmesë të çmuar në kulturën otomane, por mbeten gjithmonë bij të popullit të tyre.
Shkrimi përshkohet nga një nerv polemik i fortë, ndonjëherë kalon në ironi të hapur, por stili ruan masën, pa kaluar asnjëherë në fyerje apo poshtërim. Mendimi i kundërshtarit luftohet me forcën e arsyes e t’argumenteve, rrëzohet e hidhet poshtë, por edhe falënderohet, respektohet e nuk bëhet objekt sharjeje, edhe pse bëhet fjalë për probleme tepër të rëndësishme.
E parë në këtë prizëm, kjo letër bëhet model i qytetëruar i polemikës intelektuale dhe një shembull shumë aktual për publicistikën e sotme shqiptare, duke treguar jo vetëm forcën e rrallë të pendës së djaloshit Kruja, por edhe formimin e tij të shkëlqyer atdhetar e kulturor.
Dokumenti
1909
Mustafa Kruja Sulejman Nazifit në Stamboll. Letër e hapun. Tyrqisht. I del zot kombit e gjuhës.
Nji Kyrd mohues i kombsís së vet, nji ndër shtyllat mâ të forta të letërsís tyrke moderne, Sulejman – Nazifi, kishte nisun të botonte në gazetën “Tasvir – i – Efkjar” të Stambollit nji varg artikujsh ndën titullin “Shqiptarët”. Mbas të parit artikull qi botoi lên me kalue ndonji ditë dhe mbasandej me nji veré lajmon se me gojë e me shkrim shumkush i kishte pasë bâmë kundrështime mbi sa kishte pasë shkrue e se ai për së shpejti kishte për t’u u përgjegjun të tânve n’artikujt tjerë qi do të botonte. Mbas këtij premtimi të gazetarit M. M. Kruja merr guximin, ndonse student i ri e i pazoti me u matun me nji kolos të letërsís tyrke si Sulejman Nazifi, edhe ai me i bâmë verét e kundrështimet e veta. I a shkroi në trajtë të nji letre private. S’ishte askund rasa me shpresue se do t’a botonte. Kur qe, jo mâ vonë se në të parin numër të gazetës së tij, nesret, letra e Mustafás po na del e botueme fjalë për fjalë e me nji shënim përkëdhelës: e botonte për vlerën letrare qi çmonte në tê. Letra ishte e ndënshkrueme me dý siglat A. Xh. (Asim Xhenan ka qênë pseudonymi i Mustafás në ndonji shkrim të vogël letrar të përparshëm në gjuhë tyrke). “Un nuk besoj, na shkruen vetë Mustafa, t’a ketë shtwmë përnjimênd vlera letrare e shkrimit anmikun t’onë në nji gjest fisnikije t’atilë siç ka dashun t’a tregojë ai vetë. Mâ fort më thotë mêndja se disi i hwni frika nga Shqiptarët “e marrë”, siç na quejshin neve Tyrqit, edhe kërkonte rasën të prapsej me nji farë nderi për mos me vijue fushatën, e këtë rasë duket se i a dha letra e ime. Mjerisht gazeta qi e pat botue atë shkrim më pat humbun.” Por atij i ndodhej koncepti, për fat të keq edhe ky pa datë, të cilin, mbasi i përket nji çâshtjeje kombtare, po e përkthejmë besnikisht këtu poshtë.
Z. Sulejman Nazif beut
Zotní,
Më ka gzue për së tepri “nji veré” e Juej qi këndova në “Tasvir –i – Efkjar”- in e sodshëm. Na thoni se “prej fjalve e letrave” qi keni pasun “prej shumkuj” keni kuptue se artikulli qi kishit botue këto dit mbi “Shqiptarët” “paska shkaktue mendime e gjykime të ndryshme ke disa bashkatdhetarë”. M’epni lêjën pra të ju pohoj se edhe un jam nji nga ata bashkatdhetarë qi nuk pajtohen me Jue në sa keni shkrue n’at artikull.
Më duhet me pohue se kam mbetun tepër i turbulluem kur kam këndue artikullin t’Uej, jo me ndiesín e Shqiptarit ekstremist por me mendësín e nji Osmanlliu të matun. Por turbullimin t’em as i a shfaqa kuj as ju a shkrova Juve. Më ka pëlqye të rrij gjithmonë mbë nj’anë nga disa qëllime e deshire qi kanë pushtue trût e zêmrat e nji shumice të madhe nga të gjitha shtratet e popullit t’onë në të katër anët e vêndit qyshë prej shpalljes së Kushtetís e këndej, si edhe prej polemikash qi kanë rrjedhun soje. Veçse shënimi i sodshëm i juej po m’a kthen në nji detyrë ça mâ parë m’ishte dukun si punë e padobishme, mbasi Ju po zotoheni me i largue n’artikujt qi do të botoni mbas këndej ato dyshime qi kanë lemë prej artikullit të botuem parandej. Nuk m’u duk pra punë e urtë mos me përfitue prej këtij premtimi t’Uej edhe un.
Mâ së pari më bâhet se kryej nji detyrë tue Ju falun nderës për ato fjalë të mira qi keni pasun mirsín me shkrue mbi kombin t’em, i cili âsht nji pjesë e padame dhe mâ besnike e mbretnís othomane; e në këtê jam i sigurtë se ndërpretoj ndjesít e gjithë bashkëkombsavet të mij.
Dhe tash më përket detyra tjetër me Ju dëftye n’artikullin t’Uej, të shkruem, jam krejt i bindun, me qëllimet mâ të mirat, ato pika qi kurrsesi s’kam mundun t’i pajtoj me logjikën e të vërtetën. Jam i sigurtë se nuk do të m’a kurseni nji ndriçim të mjaftueshëm mbi secilin dyshim qi kam për të Ju shfaqun.
1. “Në nji kohë kur pandehej se me Kushtetín othomane të tâna ngatërresat e mbrêndshme do të merrshin fund, në horizontin e atdheut t’onë filluen me u dukun disa kërkesa e tendenca të reja. Ndiesija kombtare e shfaqun prej bashkatdhetarvet t’anë shqiptarë në këto vjetët e fundit âsht nji nga to. Ajo âsht tue marrë nji formë qi mâ fort se botën othomane po fut në rrezik vetë të qênët e Shqiptarvet”. Kuptimi i ndiesís kombtare qi thoni, në mêndjen t’Uej, do të jetë pa dyshim tendenca e Shqiptarvet me u shkëputun prej mbretnís othomane. Ndryshe nuk do t’a kishit futun në rradhën e ngatrresavet të mbrêndshme qi puell Kushtetija e nuk do t’a kishit quejtun të rrezikshme deri për të qênët e kombit shqiptar. A s’âsht kështu, Zotní? Në qoftë se Shqiptarët, nji pjesë apo të gjithë, me të vërtetë kanë ushqye “këto vjetët e fundit” nji mendim të këtilë, Ju s’i keni tregue shkaqet e faktorët e ksaj gjâje e as un nuk po i gërmoj. Vetëm se Ju kujtoni qi nji tendencë e këtilë ndër né âsht fakt, apo jo?
2. “Gegët s’e kanë aqë të fortë ndiesín e gjuhës e të kombsís sa me i u kërcnue atdheut të përgjithshëm”. Don me thânë pra se edhe dashunija e gjuhës qênka gjithaqë e dâmshme sa dhe ajo e kombsís, qi për Jue s’ka ndryshim nga lakmija e autonomís dhe e indipendencës!
3. “Kjo pjesë fisnike e Shqiptarvet në kongresin e Dibrës e provoi se mâ parë se gjithça
âsht e don me mbetun othomane.” E po Toskët athue s’patën marrë pjesë n’atë kongres? Apo pretenduen atje se s’ishin ase nuk dojshin mâ me qênë Osmanllij?
4. “Por ata të Jugës, sadoqi e kanë provue gjithmonë se janë Osmanllij me zêmër e me
mênd, tash janë tue dhânë do shênje egoizme qi na bâjnë me u trêmbun për t’ardhmen.” Vallë a mund t’a marrim vesht natyrën e atyne shênjeve egoiste? Dhe nji nga to mos âsht vallë ajo shpallja e njohun për të cilën bâni fjalë? N’âsht kështû a do të thoni se të gjithë Shqiptarët e Jugës kanë pasun gisht n’atë shpallje a së paku qi e kanë pëlqye të gjithë? Apo do të gjêni nji tjetër spjegim për thesën t’Uej?
5. “ Po në këtë shpallje ngatrrestare kërkohet me të ngulun kâmbë qi nëpunsit e Shqipnís të dijnë edhe gjuhën shqipe, don me thânë të jenë Shqiptarë.” Pra kështu kush ka nxânë të flasë shqip u dashka të jetë me do e mos Shqiptar! E të këqijat qi mendoni se do të rridhshin prej këtij fakti a janë vetëm ato qi numroni n’artikullin t’Uej apo ka edhe tjera? A shihni nji ndryshim të madh ndërmjet ksaj kërkese të shpalljes “ngatrrestare” dhe nenit 5 – bis të vêndimevet të kongresit të Dibrës, të cilin të tânë e pëlqyen nji zâni me të përplasun duersh n’emën t’othomanís edhe Ju bashkë me ta?
6. “Ata qi kërkojnë gjuhën shqipe me shkronja latine janë sidomos ata qi i shërbejnë nji
mendimi t’atilë ase të gënjyem prej ksish.” Para se me Ju bâmë pyetjet e mija përmbi këtë pikë, due me Ju diftue se pjesa qi me të tânë mënderën e kobin e saj i ka vramë mâ tepër Shqiptarët n’artikullin t’Uej ka qênë sigurisht kjo. A e dini Ju, Zotní, se sa janë prej dy milûj e gjymsë Shqiptarësh dhe sa prej intelektualve të tyne ata qi e duen shqipen me gërma latine e sa ata qi s’e duen, tue fillue qyshë prej atyne qi kanë mbarue nji gjymsë gjymnazi e deri tek ata qi kanë krye mësime të nalta, qofshin pleq apo të rij? Ka mbasandej gjind të squet qi, sado të pashkollë, dijnë t’a çmojnë se ku âsht e drejta dhe e mira e tyne e përbashkët. Ju siguroj se as ndërmjet ksish nuk do të gjêni njerí kundra shkrolave latine për gjuhën shqipe. Sa për pjesën tjetër, kush mund t’a mohojë se as ata nuk mund të shpëtojnë nga influenca e të parvet? Kemi fakte qi na e provojnë se s’kanë mundun të shpëtojnë, me gjithë kshillat miqsore (!) të disave. Edhe ata e kanë kuptue se kombsíja e tyne nuk mund të qëndrojë veçse tue shkue asaj udhe. Kur âsht puna kështu, mbas mendimit t’Uej, pra, populli shqiptar, në shumicën e tij, u shërbyeka qëllimevet e deshirevet t’Austrís, ashtu? E atëherë deri Naim e Sami bej Frashri s’paskan qênë veçse vegla të lakmivet austrijake ase të mashtruem prej atyne veglave, apo jo?
7. “ Në qoftë se pranohen këto gërma, shkrimi e këndimi i kuranit do të bâhen të pamundshëm dhe në këtë mënyrë do të shkonte në vênd edhe qëllimi i atyne qi duen të shtrijnë influencën e vet tue i kthye Shqiptarët të krishtênë. Ky komb, qi mâ tepër âsht i dhânë mbas fés se mbas kombsís, dalkadalë e pa u kujtue aspak kishte me humbun gjân mâ të shêjtë e mâ të shtrêjtë qi ka: fén.” Ju e dini mâ mirë se un qi i ndjyemi Shinasí, për me u provue kundërshtarvet të vet se ishte i zoti të shkruente edhe mbas mënyrës së vjetër, ka hartue “ “Barika – i – Zafèr” –in. Athue keni dashun edhe Ju t’epni nji provë me kët’artikull se dijni të shkrueni edhe për vullgun? Ndonse pênda e Juej zakonisht âsht mësue të shkruej për pjesën mâ të zgjedhun t’atyne qi dijnë të këndojnë. Veçse në këtë rasë a m’epni lêjen të pretendoj qi edhe vullgun mâ fort se me e kënaqun keni pasë ndër mênd t’a gënjeni? Kam shpresë se n’artikullin e dytë qi premtoni do të keni mirsín t’a provoni thesën t’Uej kaqë të rândsishme edhe me disa argumenta të bindshëm.
8. “Nuk duem t’i shquejmë e t’i numrojmë këtu mjetet e intrigat tjera qi përdorin Austria
dhe Jezuitnit”. Ato mjete e intriga qi Ju s’dashkeni t’i përmêndni në fletoren t’Uej na Shqiptarët ka motmot qi po i këndojmë hollsisht në gazetën shqipe “Lirija” qi boton në Selanik Mid’hat be Frashri, i bir’i Abdyl beut. Vetëm Ju do të mundeni me na ndriçue se si bâhet qi kjo gazetë gati në çdo numër të saj të flasë kundra intrigave t’Austrís në Shqipní, kurse, simbas mendimit t’Uej, nji fletore shqipe nuk duhet të jetë veçse nji organ qi u shërben qëllimevet t’asaj mbretnije!
9. “Çë do të fitojshin vallë Shqiptarët në qoftë se nji Reshid – Akif pashë, b.f., do t’a kufizonte aktivitetin e tij vetëm në ndonji vilajet të Shqipnís, sepse âsht Shqiptar, dhe vilajetet tjera të mbretnís t’a humbshin dobín qi u vjen nga veprat e gjenishme të tija? Kurrgjâ! Me sa bota othomane kishte me u dâmtue... dhe tepër fort”. Po qe se Shqiptarët kanë vetëm nji Reshid – Akif pashë a s’âsht nji deshir krejt i natyrshëm dhe legjitim qi t’a kenë atê në vilajetin othoman të Kosovës mâ parë se n’atê të Sivasit? Jo po në qoftë se burra Shteti shqiptarë janë mâ se nji si ai, për ç’arsye na do t’u a kursyekemi tepricën vilajeteve tjera të mbretnís? Për mendimin t’em âsht nji parim shumë i drejtë i shqencës administrative qi jo veç në Shqipní por në secilën krahinë të Shtetit të zgjidhen nënpunës qi dijnë gjuhën e vêndit, e vetëm kur këta mos të mjaftojnë të çohen ata qi s’e dijnë. Mbasi keni dashun të kritikoni “ Shpalljen”, vallë a nuk paskeni mundun të gjêni asnji pikë tjetër mâ të dâmshme se këtë për t’a bâmë objekt kritike? Mund të Ju siguroj se ajo “ shkresë ngatrrestare” s’ka gjetun pëlqimin e Shqiptarvet as nji për mijë. Veçse ajo pikë qi kritikoni Ju âsht nji nevojë administrative, mbi të cilën guxoj t’i tërhjek verén edhe qeverís.
10. “ Le t’a nxânë Shqiptarët e t’a përhapin gjuhën e vet po deshën. Veç le t’a dijnë edhe se
në mes të gjuhvet qi fliten prej popujve të ksaj mbretnije ka asosh qi janë aqë të mbarueme e të përparueme sa kurrë shqipja nuk mund të matet me to. Nji gjuhë parake kurrë nuk mund të bâhet gjuhë zyrtare. Dhe nji gjuhë qi s’âsht e përdorun zyrtarisht, edhe në qoftë se dikur ka qênë por mâ vonë e ka humbun atë funkcjon, ajo âsht e dënueme me u ndalun e me shkue gjithnjí ma poshtë.” Atbotë qênka për të na ardhun keq mâ së pari për emnat e Naim e Sami bej Frashrit qi qênkan përpjekun kot t’a ngjallin nji gjuhë të dënueme me vdekë, pa qênë të zotnit me e kuptue kët’aksjomën t’Uej, edhe së dyti për kombin shqiptar qi s’paska kurrkênd të zotin me e pamë atë greminë të mëndershme vdeket ku qênka tue u rrokullisun për me i a ngjitun dorën në kohë!
11. “ Kur Shqiptarët po e humbasin kohën tue u mundue me zgidhun e ndoshta me e caktue çâshtjen e gjuhës, nji bir fisnik e i squet i atij kombi si Sulejman – Fehmi beu1, mundimeve të të parve qi na kanë mbledhun e përpilue rregullat e bukurít letrare të gjuhës s’onë po u shton nji vepër të ré e të shëndoshë me titullin “ Letërsí “, nji vepër të kryeme me dituní e mjeshtrí. Ky fakt âsht nji nder për Shqiptarët dhe për Tyrqit nji element qetësues.” Madje këtë Shqiptarët e quejnë nji shênj të mirë edhe për gjuhën e tyne. Sh. Sami beu, qi me sa shokë tjerë i vû themelat gjuhës së vet e me gjithë pengimet e regjimit despotik shkroi disa vepra n’atë gjuhë, po ai Sh. Sami me “ Fjalorin tyrqisht” forcoi themelat e kalbët qi kishte tyrqishtja para tij dhe la për tyrqishten e ré nji vepër të pavdekshme. Bashkëkombtari i tij Sulejman – Fehmí beu e vazhdoi e e zbukuroi veprën e të parit. A thue s’âsht lêja me shpresue qi ky i fundit ka për të bâmë gjithashtu edhe për gjuhën e vet? Nji Shqiptar qi qênka i zoti me u shtue nji vepër të ré e të shëndoshë rregullavet e bukurivet letrare të gjuhës tyrqishte pse mos të mundet me bâmë gjithaqë edhe për shqipen e vet?
Xh. ( Ajn Xhim)