| E hene, 11.10.2010, 07:16 PM |
Hyrje në një Histori të mendimit gjuhësor shqiptar
Begzad Baliu, Kërkime albanologjike, Instituti Albshkenca, Prishtinë,
Nga Prof. dr. David Luka
Në gjuhësinë shqiptare mungon një “Histori e mendimit gjuhësor shqiptar”. Pothuaj në të gjitha studimet e kryera për gjuhën shqipe mbizotëron karakteri përshkrues, që zë fill me biografinë e autorit e, në vazhdim, me analizën e veprës së tij. Kjo mënyrë studimi kushtëzohej shpesh edhe nga puna që një pjesë e mirë e këtyre shkrimeve qenë hartuar për t’u përdorur edhe si tekste për shkollat tona. Tipologjia e këtyre punimeve, që kryesisht i kushtoheshin trashëgimisë sonë shkencore në lëmin e gjuhësisë shqiptare, zakonisht nuk i kalonte përshkrimet kronologjike historike dhe, në ndonjë rast të veçantë, arrinte deri në analizën historike-kritike analitike.
Kjo gjendje do të paraqitet e tillë dhe do të vazhdojë që nga fillimet e studimeve për gjuhën shqipe e deri te vepra përgjithësuese e prof. J. Kastratit, “Historia e albanologjisë”.
Mendimi gjuhësor shqiptar para viteve 1944 ka tri tipare karakteristike, që përqasen me zhvillimet e këtij vendi dhe me fatin e tij në vorbullat e historisë europiane. Në njërën anë një elitë e shkëlqyer intelektualësh, përgatitur në shkollat më në zë të Europës, me kulme si Faik Konica, Gjergj Pekmezi, Eqrem Çabej, Aleksa ndër Xhuvani, Selman Riza, Justin Rrota, Ndre Mjeda etj. (duke mos përmendur këtu arbëreshët e Italisë) e që sillnin në Atdheun e tyre konceptet gjuhësore të kohës; më anë tjetër, një realitet analfabet, që po kërkonte të zgjohej kulturalisht, përfaqësuar nga një gjuhësi zyrtare mediokër. Në këtë përplasje, elita intelektuale nuk gjente terren për zhvillimin e aftësive të veta krijuese, sepse kërkesat e ditës e detyronin shpeshherë të merrej me punë të tjera, si me hartimin e teksteve shkollore etj. Ndërkaq konceptet gjuhësore të kohës, që ata kishin sjellë me vete nga shkollat ku qenë arsimuar, u nënshtroheshin shpesh interesave nacionale të çastit, me të cilat shqiptarët dilnin para botës për të kërkuar dëshmuar identitetin e tyre e për ta paraqitur atë sa më të lashtë e sa më të kulturuar. Për këtë mjafton të sjellim si shembull konceptet e shkollës romantike për prejardhjen pellazgjike të shqiptarëve, tezë që u shërbente për të mbrojtur të drejtën për vetëvendosje.
Në këto kushte lindën edhe veprat e studiuesve shqiptarë. Krahas punimeve të vlefshme, mbështetur mbi kritere kronologjike-historike e historiko-kritike analitike; krahas përgjithësimeve, objektit, metodës, periodizimit etj., për trashëgiminë tonë gjuhësore, lind nevoja e një vështrimi më të thellë qoftë në përmbajtje, qoftë në metodë, por veçanërisht për konceptet shkencore gjuhësore të autorëve tanë, të sjella gjithsesi nëpërmjet veprave të tyre, për të paraqitur e sintetizuar tashmë mendimin shkencor gjuhësor shqiptar.
Pikërisht për të paraqitur këtë mendim, tanimë të formësuar dhe të institucionalizuar, po punon dr. B. Baliu në veprën e tij “Koncepte gjuhësore”. Duke qenë i vetëdijshëm për vështirësitë e kësaj ndërmarrjeje, ai ka përqasur edhe platformën e punës së vet. Së pari do të merret me konceptet shkencore të autorëve të veçantë. Ky është hapi i parë, që gjithsesi mbetet i vështirë, sepse kërkon jo vetëm një përgatitje tejet serioze, një njohje të saktë e të plotë të shkollave e drejtimeve gjuhësore që kanë mbizotëruar në qarqet gjuhësore shkencore të Europës në kohë të ndryshme etj., por në të njëjtën kohë edhe pasqyrimin e këtyre shkollave në veprat e autorëve që do të analizohen.
Në qoftë se këtë hap të parë (“koncepte gjuhësore”), autori do ta hedhë me sukses, atëherë do të ketë të drejtë të hedhë edhe hapin e dytë, përgjithësimin e këtyre koncepteve, analizën dhe sintezën e tyre, mbi bazën e të cilëve do të ndërtojë mendimin shkencor gjuhësor të studiuesve shqiptarë.
*
Në veprën “Kërkime filologjike” autori ka marrë në analizë veprën e disa autorëve. Meqë këto shkrime janë hartuar në kohë të ndryshme e në rrethana të ndryshme, shpesh nuk paraqiten në të njëjtin nivel.
Shkrimi që duhet marrë si shembull për detyrën që autori i ka vënë vetes është “Konceptet linguistike të profesor Shefki Sejdiut”, që edhe paraprin veprën e prof. Sejdiut “Sprovë etimologjike”.
I ndihmuar tani edhe nga vetë Sejdiu, që në një intervistë të vitit 1987, shprehet: “Vetë metoda që kam aplikuar në studimet e mia shkencore është e re dhe mbështetet në parimet e onomasiologjisë dhe të linguistikës logjike”, dr. Baliu nis konstatimet: “Pra ai nuk është linguist si Selman Riza dhe nuk është filolog si Eqrem Çabej. Ai nuk është etimolog apo onomasticient që ka krijuar shkolla e Prishtinës apo e Tiranës, që çon përpara shkollën kombëtare në këtë fushë, por onomasiolog që me parimet e semantikës në përgjithësi e të linguistikës logjike ka çuar përpara rezultate të reja në fushë të gjuhësisë shqiptare e ballkanike, e veçanërisht në fushë të gjuhësisë në përgjithësi.”
Që në vështrimin e parë të Opusit të prof. Sejdiut bie në sy dallimi me albanologët e tjerë kosovarë. Sejdiu është produkt i pastër i shkollës filologjike të Zagrebit, që njihet si “qendër properë ndimore” e ish - Jugosllavisë. Tipari dallues i veprës së tij është puna që ky mbetet përfaqësues tipik i këtyre zhvillimeve europiane-amerikane në fushë të linguistikës në qarqet arsimore dhe shkencore të gjuhësisë shqiptare. Është ky shkaku që punimet e Sejdiut dallohen menjëherë nga ata albanologë kosovarë, që kanë ndjekur e ndjekin, shkollën filologjike të Beogradit.
Përmbajtja e veprës së Sejdiut ka përcaktuar edhe metodën e punës së tij, që shprehet e koncentrohet qartë në titullin e veprës “Sisteme, struktura, raporte”. Përgjithësimi dhe sinteza, të vendosura ngjeshur dhe forcërisht në skema logjike, i japin punimit të tij karakter origjinal të mirëfilltë. Një punë e tillë, thellësisht me analizë logjike, e çon atë shpeshherë në një homogjenitet të tejskajshëm të mendimit, prej të cilit rrjedhin edhe përfundimet. Ja si e përcakton Sejdiu punën e E. Çabejt: “...E. Çabej nuk arriti të lirohet nga metodologjia e shkollës vjeneze dhe mësuesi i tij N. Jokli, prandaj me vetëdije mbeti larg rrjedhave të etimologjisë (post)vartbu rgiane, e cila kishte bërë përparime kualitative në fushë të metodologjisë. Rrjedhimisht, ndonëse ai vetë është njohur më shumë si etimolog, rezultatet më të shënuara i ka si historian i gjuhës.”
Mbetet tani të vërtetohet nëse etimologjitë e E. Çabejt kanë zënë apo jo vend në fjalorët krahasimtarë të indoeuropianishtes, duke qenë kjo punë me shumë efekt në drejtimet e mëtejshme të albanistikës. Në këtë mes mbetet gjithsesi të vërtetohet nëse në tërësinë dhe në pasurinë e vet Opusi i E. Çabejt a përbën ndonjë ndihmesë për ballkanologjinë, për indoeuropiani stikën e, më tej, për teorinë e përgjithshme të etimologjisë?
Analiza të kësaj natyre pritet të na japë në të ardhmen dr. B. Baliu, duke kurorëzuar nismën e tij premtuese e shpresëdhënëse në dobi të mendimit gjuhësor shqiptar.
(Autori është pedagog në Universitetin "Luigj Gurakuqi" në Shkodër)