| E shtune, 09.10.2010, 06:08 PM |
Vangjush Ziko
TA DIJA
FITORE E MUNDIMSHME
Nuk e munda luanin
si Herkuli.
Më mundi.
Nuk sfidova vdekjen
si Gilgameshi.
Më mund kurdoherë,
po deshi.
Sfidova enigmën
si Edipi.
Munda egon,
Sfinksin tim të shpirtit.
Në mëngjes kapriçioze.
Në mesditë serioze.
Në mbrëmje nervoze.
Plasi tekanjozja!
TA DIJA
Ta dija se ishte mundim,
Dashurinë
s' do ta dashuroja.
Ta dija se ishte mundim,
Poezinë
s' do ta adhuroja.
Ta dija se ishte mundim,
Jetën
do ta mohoja.
Ta dija...Ta dija...Ta dija...
Asgjë nuk e dita.
Dhurata më ardhë të gjitha,
papritur,
fare së koti.
Sa mirë!
Jam i lumtur i botës.
BISEDË ME NJË YLL
Unë dhe ylli
shikojmë njëritjetrin
në netët pa gjumë.
Heshtur pyesim
duke i shkelur njëritjetrit synë.
Shkëlqen vetiu,
i them,
apo diellit ia merr dritën hua?
Pyetjen me pyetje ylli ma kthen:
Vargu vetë të mbiu
apo e ke nga kopsht i huaj?
Qeshim të dy me shpirt.
Syrin i shkelim njëritjetrit.
Më mirë tërë jetën eklips
se satelit i Diellit.
BUKA E FJALËS
Buka e fjalës,zairea ime,
Ma mban gjallë shpirtin.
Po mos më mbetet asnjë thërrime,
e vuaj dhimbshëm urinë.
Vuan ky shpirti,bëhet i belbër,
Vuan dhe ëndrra ime për jetën.
Mielli i fjalës bluhet në zemër,
Mokrën e butëz të poetit.
Çdo rrokje bëhet miell i magjishëm,
Gatuhet buka e bardhë e fjalës,
Buka e shpirtit,buka e mishit,
Mesha e shenjtë e ringjalljes.
Tetor 2010