| E shtune, 09.10.2010, 06:48 PM |
Jorgo S. Telo
KU TË TROKASËSH?
(Satirë)
Të kesh një merak a një brengë,
Të përthahet shpirti,
të bëhet dru.
Pezhishkat e harresës
të sulmojnë pandërprerë;
Ku të trokasësh, ku?
I erdhëm kësaj bote
Vetja për të qenë.
A e gjen veten gjithkush këtu?
Rrokur prej zemërate
Zemra butake
Kalon në shfrim sakaqherë:
Ku të trokasësh, ku?
Ndodh të mos kesh ujë apo drita;
Mbeturinat
frymën të të zenë…
Të të zërë tmerri gjithashtu.
Të të dalin maskat,
Të të rrokë frika…
Po, ku të trokasësh, ku?
Ndodh të të pritet çdo sinjal…
Telefon, internet
A në të voglin ekran,
Mbetesh hallakatur
si duduk a si hu.
Po ku të trokasësh, ku?
Ndodh të mashtrohesh
nga specie pa “cipë”…
Të të shkundin xhepin gjallesat pa tru
Të biesh në çarkun me dhëmbë
të së pistës politikë…
Ku të ankohesh, ku?
Ndodh të na shtohen grabitjet, gjaksitë.
Të kërkohet ryshfeti
Atje – lart, aty - këtu.
“Nëma, se s’ma ke! – pa dert e pa frikë;
Po ku të trokasësh, ku?
Ndodh që të shkelen ligjet dhe përpjetë
Atje ku gatuhen…
Bobooo e bubuu…!
Nën babëzi, djallëzi e marifete
Si manarë po ecim kuturu.
Po ku të trokasësh, ku?
Ndodh të ankohen të rinj e moshatarë
Të çdo ngjyre dhe rozë apo blu.
S’kanë strehë të gdhihen
a s’kanë ç’të hanë;
Po ku të trokasësh, ku?
Ndodh që të endesh për një firmë e vulë
E gjaku të të ndizet në tru.
Vendos që të drejtën
të mos e kërkosh kurrë,
Se s’ke ku të trokasësh… ku?
Ndodh të të digjet gjithçkaja prej vapës
Prej përmbytjesh
të mbetesh kërcu.
Mundet të rrekesh gojën ta hapësh;
Po ku të trokasësh, ku?
Ndodh që të mbetesh rrugëve i papunë
Dhe sikur të kesh
Diplomë, pra, të kesh tru…
Titullari e do “bakshishin” të majmë
Mjerë unë e mjerë ti…!
Themi kështu e ashtu…
Poku të trokasësh, ku?
Kur shpirti të vete në majë të hundës
Me engjëjt brenda vetes
bie në ujdi…
Sipas trashësisë së brengës
Sipas rëndesës së hallit
Ecën marramendës,
Të dhemb mes e gju.
Po kërkon të trokasësh, ku?
E nis, o mik,me kryeplakun,
me këshillë komune e bashki
Vijon te Prefektura e te Qarku
Përgjërohesh,
kërkon hakun
E prapë mbetesh po ai…!
Ecën lart e poshtë e tutje e tëhu
Po ku të trokasësh ku?
Demokracinë për dore kap atëhere
E troket serbes
në Kryeministri.
Nuk sheh që jashtë saj ka potere
Ah, ç’ditë paske zgjedhur dhe ti!
Dëmokracinë e përfshin për qafe
Kërkon që të hysh
dhe në Kuvend.
Po na shkon, o mik, gafë pas gafe.
Bojkoti Kuvendin po e çmend….!
Mbushesh frymë të shkosh në Presidencë
E shprehjet i përzgjedh siç di ti.
Si harrove që parvjet, vjet e sivjet
Presidentit s’po i shkrep, siç di Ai?
Troket së fundmi
si dhe qëmoti
Ku ke më shpresë, në Portë të Zotit.
Po Zotin e gjen të hutuar.
Ai me ngrohtësi të fshin faqesh lotin:
Dashurisht të thotë, i dëshpëruar:
“Ende, o bir, këtë botë
Djalli e ka në duar!”