Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Luz Thaqi: Libër për mallin e atdheut

| E merkure, 06.10.2010, 09:10 PM |


LIBËR PËR MALLIN E ATDHEUT

 

Mikel Gojani: Nju Jorku, botë në miniaturë, Nju Jork – Prishtinë 2010.

 

Nga Luz Thaqi

 

Udhëpërshkrimi,  që nga shkrimet e para të cilësdo letërsi, mbetet njëra ndër format më besnike të ofrimit te realitetit nga përshkruesi tek lexuesi. Edhe sot, kur mediet elektronike kanë primat në informacione, megjithatë, udhëpërshkrimi  mbetet  aktual dhe i preferuar  për lexuesin, sepse ai shpjegon narrativen me imagjinativën, lidhjen e të djeshmes me të sotmen, dhe së fundmi pasqyron atë që ndodhë  në momentin e përshkrimit.

Është shumë e vështirë, që këto aspekte  të përfshihen kaq mjeshtërisht, siç  bën autori Mikel Gojani, i cili për një kohë të caktuar qëndrimi në SHBA mblodhi aq shumë dhe shtroi aq shumë  sa që ndokush,  i cili, edhe jeton atje me vite nuk mund t’i përfshinte letrarisht.

Pra, libri i Gojanit , “Nju-Jorku, botë në miniaturë”, ngërthen në vete një kolazhe  fatesh të mërgimtarëve tanë  dhe të qytetarëve amerikanë, të  përshkruar në mënyrën më  brilante. Gojani, me këtë rast ngërthen shumë detaje të realitetit amerikan, të cilat ndodhin vetëm në këtë nën qiell   dhe që nuk mund të gjenden në shtypin vendor, por, që,  Gojani më thellësinë e vet prej gjurmuesit dhe vrojtuesit të zellshëm mund t’i përfshinte, hetonte e përshkruante.

Në libër, autori gërsheton dhe trajtesa shumëdimensionale, që nga fatet e bashkëbisedueseve, deri në të arriturat e tyre jetësore e profesionale,  që përbëjnë  botën tonë shqiptare në “Vendin e Premtuar”,   e që i dhanë aq shumë Atdheut.

Pra,  thelbi kryesor që përvijohet në librin e Gojanit, është pikërisht lidhja shpirtërore e të mërguarve me dheun e vet më të gjithë atë  mall dhe ëndërr    përfshinë në vete.

Në këtë aspekt, Gojani,   shpjegon në mënyrën më të mirë këtë lidhje, të mërgatës me Atdheun, e cila lidhje që njëqind vjet, pa u ndalë  veproi si një  trung i përbashkët dhe gjithnjë duke i dalë  zot Dheut të të Parëve.

Libri i Gojanit do të mbetet gjithnjë i freskët për lexuesit, të cilët janë të interesuar të shohin një peizazh të gjallë të kësaj lidhje të cilën  lidhje Vinces Doxa (poeti  i mirë njohur arbëresh) do ta quante në përkushtimin e tij në një libër, Popullit tim të copëtuar, të shpërndarë, por gjithnjë një.

 

New-York 2010