| E hene, 04.10.2010, 09:58 PM |
DY FJALË PËR NJË BURRË ME EMËR,
MEXHID HAXHIUN
Nga Luan Çipi
E kam njohur Mexhid Haxhiun qysh fëmijë, sapo kishte filluar të shquhej talenti i tij si futbollist. E kam ndjekur me dashuri e simpati dhe më pas, kur na çudiste me virtuozitetin e tij të pashoq të futbollistit xhongler, kur duke luajtur me topin e rrumbullakët bënte veprime të papara dhe, sikur ta kishte gjymtyrë të tij topin e futbollit, driblonte e sikur fluturonte me të dhe shënonte lehtësisht gola fantastik e njërin me të bukurin se tjetrin.
Më tej, na bëhej zemra mal, kur mësonim për korrektesën e tij maksimale në jetë e në shoqëri, krenoheshim nga çdo sukses i tij dhe, në periudhën e egërsisë komuniste të luftës së ashpër të klasave, na vinte keq për qëndrimet nënvleftësuese, denigruese e ndonjëherë fyese ndaj tij. Shumëkush e vuante poshtërimin së bashku me këtë njeri të duruar, gjithnjë të urtë, të sjellshëm e zëmër gjerë. Në këtë drejtim, sidomos ne vlonjatët, indinjoheshim e ndikoheshim edhe më shume se e dinim mirë edhe prejardhjen e shquar prej trimi dhe patrioti të Mexhid Haxhiut. E kaluara shkëlqente sidomos me gjyshin e tij, Osman Haxhiu, prefekt i Vlorës për një kohë të gjatë, burrë shteti, që spikati në veçanti si prijës i “Luftës se Vlorës”, epopesë vendimtare për vetë ekzistencën e Kombit Shqiptar.
E kam parë Mexhid Haxhiun, si futbollist sapo lindi, të instruktuar nga Vasillaq Ndini, trajneri i parë që e zbuloi, më pas me Loro Boriçin e madh dhe në dhjetëra ndeshje si futbollist virtuoz të Partizanit dhe Flamurtarit dhe pjesëtar të imponuar nga opinioni publik, te ekipi përfaqësues i Kombëtares Shqiptare, në krahë të Panajot Panos, të Vasil Rucit, si dhe të plejadës së shquar të futbollistëve të talentuar shqiptar, duke luajtur futboll të bukur, si rrallë të tjerë.
Stadiumi Flamurtari, aso kohe, mbushej plotë me burra e gra entuziaste që krenoheshin dhe inkurajonin në kor futbollistin e tyre të dashur, shumë të preferuar e tepër elegant. Kur ai rrëmbente befasisht topin dhe drejtohej drejt portës kundërshtare, me fanellën kuqezi dhe numrin 10 në shpinë, të gjithë e ndiqnin të emocionuar duke e inkurajuar “forca dhjeta” dhe kur i afrohej portës rrufeshëm në pozicion të volitshëm thërrisnin “zhyte Xhite” që do thoshte godit Mexhid fort drejt portës dhe atëherë, herë me të djathtën dhe herë me të majtën si s’pritej, goditej fort topi që prekte një nga trekëndëshet e portës, duke fluturuar si plumb në formë gjethi për t’u pleksur me rrjetat e brendshme djathtas apo majtas, ndërsa portieri shihej i shtrire në anën e kundërt. Dhe atëherë, në Vlorë, apo gjetiu në rrethet e kategorisë së parë, ku gjithnjë kishte qindra tifozë vlonjatë që shoqëronin ekipin, nuk pushonin britmat inkurajuese dhe emrat e nderit me të cilat e kishte pagëzuar populli Mexhid Haxhiun si “uragan i ndërprere, “brigadieri”, etj. Kjo nuk rreshti nga ditët e para kur e nisi si 16 vjeçar futbollin Mexhid Haxhiu dhe në vazhdimësi për të 16 vitet e jetës së tij aktive si lojtar titullar në fushat e futbollit, lojës masive popullore dhe ndofta midis të paktave kënaqësi, në ato ditë të vështira.
Mexhid Haxhiu u ngrit shpejt në nivelet më të larta cilësore të mjeshtërisë si futbollist, duke u klasifikuar me të drejtë dhe në anketën popullore sportive si sportisti më i mirë shqiptar i vitit 1972 dhe se fundi u përfshi midis dhjetë futbollistëve më të mirë të vendit për të gjitha kohët. Ky nivel i lartë cilësor u arrit, padyshim në radhe të pare falë cilësive vetjake, të talentit të tij të spikatur, punës këmbëngulëse e vullnetit të pamposhtur, po në ketë drejtim ka ndihmuar dukshëm fati që ai u lind dhe u rrit në Vlorën e futbollit. Kjo edhe për faktin që krahas tij në Vlorë bashkëvepruan shumë futbollist cilësor, mjeshtra sporti dhe anëtarë të ekipit kombëtar të futbollit ndër vite, po dhe që Flamurtari i Vlorës ka dalë kampion kombëtar dhe ka marrë kupa e supërkupa dhe për më tepër ka fituar ndeshje të bujshme ndërkombëtare me ekipe elitare në futbollin evropian, si me Barcelonën dhe Partizanin e Beogradit.
Gjimnazisti i maturuar me notat vetëm dhjeta, do të detyrohej të priste të vinin vitet e demokracisë që të lejohej për të vazhduar studimet e larta dhe për t’u diplomuar (prapë një çudi), së bashku me djalin e tij, po tashmë në moshën 50 vjeçare. Diploma e Universitetit për këtë njeri faktikisht me kulturë të gjere autodidakte dhe zotërues perfekt i italishtes dhe anglishtes, ishte një akt formal e moral, që mposhti vetëm një nga diskriminimet dhe padrejtësitë gjysmë shekullore.
E kam të pashlyeshme në kujtesë Mexhid Haxhiun, gjithashtu, si trajner të brezave të futbollit vlonjat. Nuk do më harrohet kurrë “spektakli me topa futbolli” i ideuar dhe i realizuar nga Mexhidi pasionant dhe këmbëngulës me një grup fëmijësh të talentuar futbollistë të rinj: Në një pushim ndeshjeje ndërkombëtare u shfaqën me madhështi në Stadiumin Flamurtari rreth 20 fëmijë shtatlartë, në gjithfarë pozicionesh, duke vrapuar me topat e futbollit në kokë, në sup, në qafë, në thembër e putër të këmbëve, që me përpikëri, ia përcillnin topin njeri tjetrit me shpejtësi maksimale për një kohë të gjatë, pa gabuar asnjëherë.
Në vazhdën e viteve, shumë më vonë, e shohim Mexhidin trajner të Flamurtarit dhe ekipeve të tjerë të futbollit elitar, gjithashtu të zgjedhur në Federatën e Futbollit; të caktohet ndërmjetës me Federatën Evropiane e Botërore të futbollit dhe me sportistë e trajnerë të spikatur kudo; të jetë pedagog i trajnerëve dhe arbitrave të futbollit shqiptar; autor dhe këshilltar asnjanës dhe përcaktues i të mirës, të përparuarës dhe të drejtës në sport, si dhe analist të thellë cilësor televiziv e deri gazetar sportiv.
Veprimtarinë e spikatur futbollistike dhe sjelljen shembullore të Mexhid Haxhiut unë i njihja mirë edhe sepse aktivizoheshim së bashku suksesshëm në aktivitetet sportive. Këto më mjaftonin për ta konsideruar atë, si u shpall më vonë në vitet e demokracisë, me plot meritë, “ Mjeshtër i Madh” në sport dhe nga mbarë opinioni publik u cilësua si një nga bijtë brilant e më të nderuar të qytetit të Vlorës e të mbarë Shqipërisë.
Po, kur e dëgjova, para pak ditësh, futbollistin e shquar Mexhid Haxhiun direkt, duke mbajtur një ese kritike e vlerësuese për shkrimtaren e pëlqyer e shumë produktive vlonjate, Vilhelme Vranari, për dy librat e saj të fundit, apo kur e kundrova më pas, në “intervistë televizive me zhurmues” te “Klani” me telekronistin dhe regjisorin e shquar Pandi Laço, unë jam mahnitur sërish, si ne ato vite kur ai demonstronte magjinë e futbollistit të madh.
Duke e dëgjuar, në të dy rastet, se çfarë fshihet këtë radhë te mendja dhe koka e tij, sërish u emocionova thellësisht, si në ato vite kur aq shumë vlerësohej më tepër këmba e tij e artë dhe njëkohësisht ndjeva sërish krenari, për shokun dhe mikun tim të zemrës, që si kurdoherë emeton cilësi të larta dijesh, mençurie, burrërie, vendosmërie dhe talenti shumëplanësh. Për kritikën letrare Mexhidi kishte bërë një pune serioze dhe të lavdërueshme, çka dukej, jo vetëm me mbresat dhe përfundimet e paraqitura, po edhe nga që u ishte referuar filozofëve dhe specialisteve të letërsisë, për të nxjerrë argumente bindës dhe përfundime të sakta. Pasi dëgjova dhe intervistën u binda edhe njëherë si për vullnetin po dhe për maturinë dhe tolerancën e tij, karakteristika këto të mbartura në vite. Ishin këto momentet që më nxitën të shkruaj këto dy fjalë dhe të falënderoj publikisht Mexhid Haxhiun.
Këto, gjithashtu më nxorën në përfundimin se Vlorës dhe Shqipërisë nuk i kanë munguar thesaret njerëzore, ato kanë qenë dhe janë midis nesh dhe u takon drejtuesve të politikës dhe të shtetit në qendër dhe në rrethe kryesisht, po dhe institucioneve e individëve me mundësitë përkatëse, t’i zbulojnë ato, t’i evidentojnë, t’i nderojnë e vlerësojnë, (e kush më shumë se ai do ta meritonte të ishte NDERI I VLORËS), t’i inkurajojnë, dhe t’i shfrytëzojnë, për aftësitë e tyre dhe si model përsosmërie, e t’i vënë më mirë në dobi të kombit.