Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pal Ndrecaj: Poezi e futinës dhe daljes prej saj

| E hene, 04.10.2010, 07:59 PM |


Poezi e futinës dhe daljes prej saj

 

Nga Pal Ndrecaj

 

Libri “Lotët e luleve” i poetit Muharrem Kurti është i konceptuar si një përgjigje poetike e momentit tonë aktual dhe sfidave para të cilave na vë ky moment. Një përgjigje poetike e ndërtuar mbi tri koncepte të të menduarit që përmbajnë esencën e lëndës ideore dhe tematike.

Një prirje leximi që sheh në kontinuitetin logjik unitetin “heterogjen” të lëndës, më bën që këto koncepte t`i shoh në një plan trilogjik, që ngjajshëm me të gjitha ligjet e natyrës, paraqet një analaogji me vetë lindjen e jetës, zhvillimin e frymimin e saj brenda një hapësire që me shekuj ndërron mes tyre Rendin dhe Kaosin.

Meqë një karakteristikë e dukshme e filozofisë së të menduarit të poetit Kurti është pavarësia nga rrymat e doktrinat, përqasja e saj me mësimet dogmatike nuk duket e qëndrueshme, megjithatë, një ngjajshmëri në sistemimin e koncepteve që është analog me fazat e krijimit në rrëfimet mitike-dogmatike, është qartë i dallueshëm. Një argument që përligj këtë ide është vet strukturimi tematik i librit, i bërë në atë mënyrë që shpërfaq ndjenjat e individit dhe të shoqërisë në këtë moment që provokon shfaqjet dramatike në shpirtin e njeriut.

Shpërfaqja e ndjenjave nuk bëhet vetëm si një reagim pasiv ndaj krajatave, por ato “lansohen” si forma jetësimi, kundërvënie dhe ribërjeje. Në qoftëse në poezinë e poetit të përbotshëm me origjinë franceze, Gilom Apoliner, të titulluar “Rendi dhe Avantura” fjala rend është në kuptimin e konceptit të demoduar mbi jetën dhe artin, kurse avantura në kuptimin e të resë, që synon të gjejë shprehje, të shpërthejë, në vështrimin tim mbi poezinë e Kurtit nocioni rend është në kuptimin e harmonisë më të madhe të elementeve përbërëse të një mënyre qeniesimi që buron nga ajo që është më humane, kurse kaosi në kuptimin e tij të parë e të vetëm.

 

FUTINA OSE ANËT E ERRËTA TË JETËS

 

Hyrja në ambientetet poetike të Kurtit bëhet përmes një korridori të errët, të zymtë. Që në nismë të këtij udhëtimi ndeshim të gjitha të zezat që e kanë ndjekur njeriun në periudhën historike të emërtuar me titullin e poezisë kuptimplote “Futinë”, që do të thotë: futë, zi, errët. Pra, asociim për një mënyrë jete të dominuar nga e keqja.

Ashtu sikurse edhe pjesa dërmuese e poezisë sonë të pasluftës, edhe poezia e Muharrem Kurtit është një poezi e dhembjes, e klithjes dhe e reagimit kundër të keqes. Të gjitha këto, në poezinë e Kurtit vijnë si reagime logjike ndaj momentit kohor që u përmend në fillim e që shfaqen në formë të klithjes:

 

Pa liri

Nata të vret

Pas shpinës

 

Ajo që lë mbresa nga ky lexim është vargu i tretë, i cili është një frazeologjizëm për kulmin e të keqes: nëse vrasja është në vetvete diqka e keqe, vrasja pas shpinës është e keqja e të keqes.

 

NGADHNJIMI SI OBLIGIM MORAL

 

Nëse pjesa e parë e trilogjisë së koncepteve të këtij libri mund të emërtohet me kuptimet që sjell nocioni FUTINË, pjesa e dytë karakterizohet me tiparet që karakterizon një tjetër nocion, ai i strukturimit të elementeve që formësojnë qëndresën, rezistencën si formë reagimi kundër të keqes. Janë poezitë “Kriminelëve”, “Histori”, “Letër Din Mehmetit”, “Në teatrin antik”, “Sonte nuk shkruaj dot”, “Drejtësia e armiqve”, etj, ato që i përgjigjen një konstatimi të tillë. Ndërkaq, si një shembull ilustrativ për këtë do të veçoja vargjet:

 

Në luftë

Vetëm disa trima

S`e lanë atdheun

 

Ngulin këmbë

Të bëhen përmendore

Të atdheut

 

Në pikëpamjen time, ky libër mbyllet me idenë e ngadhnjimit, si veçoria e tretë e trilogjisë tematike të librit në fjalë. Vargjet që ndërtojnë atmosferën që pasqyron nocioni ngadhnjim gjenden në poezi të ndryshme që kanë shtrije në të gjithë librin. Këtu do të veçoja poezitë: “Robit të luftës”, “Ylli i poezisë”, “E nesërmja pa viktima”, etj.

Duke e përfunduar këtë vështrim, që domosdo është shprehje e një leximi dashamirës të tejskajshëm, do të thoja se poeti Muharrem Kurti i ka të gjëra mundësitë e prosperimit në fushë të artit, ndërkohë që nevoja për të zgjëruar sferën e interesimeve duke trajtuar tema nga sfera shpirtërore e psikologjike e njeriut do ta bënte poezinë e tij me veçori universale që i hapin udhët poezisë përtej vendit dhe kohës kur buron.