| E hene, 04.10.2010, 05:40 PM |
DALLANDYSHJA, TRUMCAKU DHE QUKAPIKU - poemth-fabulë
Janaq Pani
Një trumcak arrakat
kuturisi një pranverë
pa u bërë hiç merak
shkon një çerdhe që ta zerë.
 
Për trumcakët,
varfanjakët,
kështu fati ua ka shkruar,
punën nuk e kanë në gjak,
ata s'dinë për të ndërtuar.
 
Kjo ndodhi ngjan si përrallë,
ky trumcaku e bë zakon
dhe pse sytë i 
zuri çerdhen nën ballkon.
 
2
Dallandyshja erdh' me gas
veshur syri plot me mall,
po te çerdhja kur u qas
eh, e shkreta ra në hall.
 
Pyet veten dallandyshja:
"Mos gabuar kam adresë
Kur mërgova, këtu kisha
te ballkoni një folezë."
 
I flet zogut që rri brenda:
(Si shaka një çast e merr)
"Shko e gjej folezën tënde,
mos na bëj, o mik me sherr!"
 
Ia kthen trimi:"Pa më lutur,
nuk dëgjoj nga ai vesh,
bjeri, se i bie bukur
sa të zerë...sqepi lesh.
 
Eh, sa bukur dimërova
te kjo çerdhe bukuri.
Hidhu dallandyshe motra
shko ndërto tjetër shtëpi."
 
3
I lutet butas sërish
trumcaku nga vendi s'u tund.
I thotë së fundi:"Ta dish
do qeshë kush qeshet në fund!
 
Se unë, o miki s'e ha thatë...-
i flet e qetë dallandyshja.
Do mbledh dhe kashtë dhe baltë
e tij në  burg do të mbyllja."
 
Ndërtueses s'ia hamë dot hakun,
lartoi çerdhen pa fjalë
burgosi brenda trumcakun
që jashtë më të mos dalë.
 
4
E ndjeu ky trimi rrezikun,
burgosur 
që larg thërret qukapikun,
i lutet si mik ta ndihmojë.
 
Vrapoi nga pylli në kodër
e erdh' u ndal në ballkon,
i flet dallandyshes:"Moj motër
trumcakun pse vallë e dënon?"
 
Mëson nga ajo të vërtetën
e thotë:"Bindës qenka shkaku,
për sot, të themi të drejtën
gabimin e bëri trumcaku.
 
Po ngjan vendim i nxituar
ndaj qejfi nuk ka për të ngelur,
në Kartë është e shkruar
Të Drejtat nuk duhen shkelur.
 
Pa ulu tani të mendojmë,
të marrim vendim të arrirë,
nga burgu, mendoj ta lirojmë
të ndjehet trumcaku i lirë.
 
Mandej t'ia shpallim në sy,
veprimi i tij përbën faj,
gabimin po s'e ndjeu ai
ia japim dënimin pastaj..."
 
5
Iu bind në çast dallandyshja
gjyqtar qukapikut me mend,
çak - çuk ia nisi nga prishja,
çliron trimoshin në vend.
 
Nga burgu kur doli trumcaku
hutuar qëndron ca dekika
gjersa i shkriu krejt gjaku
i ngrirë atypari nga frika.
 
Tani në liri u mbush frymë
e pa në sy qukapikun
dhe tha:"Pa drejtësinë
nuk kisha për ta hedhur rrezikun.
 
Thellë i penduar lyp ndjesë,
o mike, të lutem më ndje,
të hyra budalli në pjesë
kur timen e bëra një fole.
 
Dhe ti u nxitove, të shkretën,
ky çast do ishte fatal,
për pak më more dhe jetën
që vetëm Zoti e fal.
 
Gjykatës na u gjend qukapiku,
urtia e tij e gjykimit,
pa ndihmën e tij, o lum mike
do shkisnim në llumin e krimit..."
 
            +  +  +
Dy miqtë të penduar sakaq
kënduan të dy gjithë shend:
"QË BOTA TË RROJË NË PAQE
T'I NGREJMË DREJTËSISË MONUMENT."
 
Me krahët në erë qukapiku,
në shpirt i qetë nga lehtësimi,
dy miqtë i përshëndeti e iku
se kot nuk i shkoi mundimi...