Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Çerkin Ismaili: Ethe të trishta (VIII)

| E diele, 03.10.2010, 12:53 PM |


Çerkin Ismaili

 

Ethe të trishta

 

(Roman)

 

 

5

 

Rrugës për në Prokuple , gjeneral Gexha urdhëroi të ndalej kolona ushtarake. Të parët  nga kupola e tankut dolën gjeneral Gexha dhe kolonel Xhungalliqi. Në ballë të kolonës shkonin tanket e vjetra të prodhimit rus që nxirrnin tym, pastaj  autoblindat ngjyrë blu  pasoheshin nga pizgauerë të prapavijës dhe  shërbimi i itedantes  me njësitin e autokuzhinave. Pas tyre vinin pesë mauna të ngarkuara me kufoma.

 Sapo doli nga tanku kolonel Xhungalliqi pshurri në blindat e  një tanku të vjetër, duke sharë . I shkreti as që kishte guxuar të pshurrë kur i fluturonin mbi kokë Apaçët amerikanë. Shlirshëm pshurrën edhe të gjithë ushtarët dhe batalioni i të burgosuëve, ndërsa gjeneral Gexha  përkulur në gjunj herë bënte kryq e herë puthte tokën, pa vërejtur se në tokën që ai  puthte, të tjerët pshurrnin!

- Të poshtër,  si guxoni ta  pshurrni tokën e shenjtë, a? Po poshtëroni shpirtin  e Car Lazarit dhe shenjtërinë e Shën  Savës, a?- gjenerali qortoi ushtarët, ndërsa tre ushtarë nga togu i skizofrenëve zgërdhiheshin dhe numëronin paratë dhe florinjtë e plaçkitur në kryeqytet dhe as që ia varnin gjeneralit që derdhte jargë përmallimi për tokën. Gjeneral   i fyer dhe i papërfillur   pa një pa dy nxori nga këllëfi revolverin e tipit ”TT” dhe  vrau që të tre ushtarët skizofrenë. Ushtarët tjerë dhe kolonel Xhungalliqi u stepën kur panë skizofrenët duke kastisur me këmbë për të dhënë shpirt. Nuk guxuan të nxirrnin asnjë fjalë. Pastaj gjenerali me gjakftohtësi urdhëroi kolonelin t’u merrte kufomave plaçkën e vjedhur ,  ushtarët  e togut të  hajnave  t’i ngarkonin  në maunat me kufoma  pasi  i shpalli  të vrarët dezertorë të luftës. Kufomave akoma u rridhte gjak, kur  kolonel Xhungalliqi  u përkul duke  futur duart nëpër xhepa të kufomave  dhe, pasi u shkundi mirë xhepat, nxori  banknotat e markave  dhe dollarëve, duke u muanduar tinëz t’i fusë në xhepat e vet. Gjeneral Gexha duke pirë një hurp raki nga gastarja   përcolli me kujdes çdo veprim të  kolonelit:

- Pis, more, mi jep ato para ! A nuk e di se plaçka i takon gjeneralit, a? Kolonel Xhungalliqi i zënë ngusht nisi të dridhej , ndërsa duart i ngatërroheshin në xhepa , kurse goja nuk i bënte të arsyetohej.

- Më shpejt! Më shpejt! Shkund xhepat sa nuk ta bëra kokën shoshë! Edhe kufomat e ushtrisë së shenjtë do t’i plaçklitësh a? Qen bir qeni!- u kërcënua generali.

- Ja merri , zotëri gjeneral! Të gjitha merri! Nuk desha t’i vjedh, por disi mendja më është çoroditur! Ah, kjo paraja e poshtër i prish mendjen njeriut! Mendova se do t’mi falësh!

Gjenerali  pasi numëroi paratë, u hodhi një shikim edhe stolive të florinjta , pastaj i futi në xhepa , ndoshta i penduar që i vrau tre ushtarët skizofrenë!

Gabova! Shumë gabova! U nguta! Lakmia njeriut i prish arsyen ! Gabimet më të mëdha  gjeneralët i bëjnë kur veprojnë në afekt! Nuk e dita se këta të mjerë e kanë kryer me aq përkushtim misionin  ushtarak, sipas urdhërave dhe parimeve  tona luftarake! Mendova se janë të krisur, ama shumë paskan vjedhur, bre! Këso stolish    nuk ka as mbretëresha e Anglisë?! Nuk kishte as  mbrertëreshë Maria e mbretërisë tonë?! As në oborrin e sulltan Mehmedit këso stolish nuk janë gjendur?! Sa do të gëzohet Snezhana ime kur t’i shohë?! Do të  çmendet nga gëzimi kur t’i varë në qafë! Do të më përqafojë, do të më puthë, do të më ledhatojë Snezhana ime e dashur! Jo, jo, jo ! Këta nuk i paskan merituar plumbat !? Gabimisht i vrava! Por, ani do t’i shpall të shenjtë pasi që  kryepopi  ti’ spërkasë kufomat  me ujë të bekuar dhe do t’i tymosë me temjan! Pastaj , shpirtërat e tyre do të fluturojnë në qiell mbi krahët e engjujve  për t’u prehur në amshim afër  shpirtit të Shën Savës!? Mos harro kolonel t’ia dorëzosh patrikut trupat e tyre! A dëgjove? Shpirtërat e tyre e  meritojnë prehjen  pranë shpirtit të Car Lazarit ose Shën savës ?!

-Të nisemi , zoti gjeneral?!- tha me një zë lutës, kolonel Xhungalliqi. Na pret komandanti suprem i gjeneralshtabit. Na pret edhe populli i brengosur për fatin e ushtrisë sonë! Me lule na presin gratë. Të gjorat janë veshur në zi për neve si Penelopa për Uliksin! Të lutem gjeneral urdhëro ushtrinë të nisemi!

Gjeneral Gexha e shikoi vëngër kolonelin. Edhe ushtarët tek i zbraznin xhepat i shikoi ironikisht.

Ju  ndoshta  nuk e dini mirë atë maksimën e vjetër: ” Lufta e humbja i takojnë ushtarit, fitorja  gjeneralit!  Idiotë! Zbrazni xhepat ose të gjithëve do t’u shpoj kokat!- dhe gatësoi automatikun përsëri! Ushtarët, kokulur, pa nxjerrë asnjë fjalë, nxorën nga  xhepat edhe metelikët e fundit  që kishin vjedhur në kryeqytet dhe i hodhën  në një batanie që shtroi gjenerali , bri rrugës, në një rogë mali.

Rrezet e diellit shkëlqyen  në xhevahirët dhe  stolitë  e  florinjta, kurse shkëlqimi u reflektua  në sytë e gjeneralit dhe ushtrisë së molisur.  Koloneli e gjenerali filluan të grinden , si rëndom eprorët e luftës, kur humbin luftën   dhe ndajnë prenë:            

Ne nuk e fituam luftën , zoti general. Ne humbën edhe luftën edhe tokën e Shën  Savës. Preja e luftës duhet të ndahet barabar midis ushtarit dhe gjeneralit! Këso pabarazie nuk duron shpirti i Shën Savës! Car Lazari nuk ka  vepruar kështu si ti me luftëtarët e vet?! Pastaj, edhe unë duhet ta kem hisen time që më takon . Edhe unë kam fëmijë sikur ti, zoti general. Edhe gruaja ime si  jotja , në mungesën time , është detyruar të pranojë hamshorë! Kij mëshirë gjeneral, bile një qafore të arnautkave ma jep t’i dorëzojë  gruas  time, ta bartë si trofe lufte! Të ketë e shkreta me çka të mburret para shoqeve ! Nëse nuk i dërgoj ndonjë dhuratë do të më lë! Do të ikë pa më thënë lamtumirë! Do të më përqeshë  , do të më nënçmojë,  ndërsa fqinjat  do të më trajtojnë si  qyqar!  Edhe ata të gjeneralshtabit do të më degradojnë nëse nuk u sjell trofe lufte! Gjeneral Çiklopi është i pangopur, zoti ghjeneral! Mund të më vrasë nëse nuk ngopet me deviza e xhevahirë! E njoh mirë atë të pashpirt nga lufta në Bosnjë sa i pangopurr është?!. Gjeneral, të lutem, më fal diçka! Të bie në gjunj! Të puth këmbën! Të puth bythën! Aman, më fal diçka! Ruaje edhe fytyrën time! I nënshtruar yti, skllav yti do të jem në këtë dhe në atë botë!- lutej e dridhej kolonel Xhgungalliqi, duke derdhur lotët si qeni besnik,  kur e përzë i zoti.

Gjeneral Gexha as që u vari veshin lutjeve e ankimeve të kolonelit ndërsa  përcillte me vëmendje në mos ndonjë nga ushtarët po fshehte ndonjë metelik.

     -Silleni edhe një batanie se kjo u mbush, more kretenë! Çka po pritni ?! Hë! Nënën e nënës ju lofsha! Mos doni të vidhni, a? Ku keni parë ju more idiotë që ushtari të jetë më hajn se gjenerali?  Ju i vodhët unë i stërvjedh! A nuk ju mjafton që ju nxora nga birucat e burgjeve dhe klinikat e të çmendurve ? Nuk ju mjafton që shfryt sadizmin tuaj, a? Vratë, dhunuat, i bëtë shtatë palë qejfet e kësaj bote  dhe doni t’i mbushni xhepat edhe me stoli floriri, dollarë e marka gjermane? Mac! Të gjitha janë të miat!- dhe u shtri mbi grumbullin e markave, dollarëve dhe stolive të arit! Ha, ha! ha...! Lufta e ushtarit, plaçka gjeneralit! Kështu, ua pati ngul piratëve edhe Aleksandri i Madh , kur u kthye në Athinë. Njeriu më i pasur i botës jam ! Rroftë lufta! Rroftë krimi në luftë! Rroftë batalioni i hajnave dhe skizofrenëve!!!

Ushtarët me kokë të ulur shikonin gjerneralin e shtrirë mbi prenë e luftës , ndërsa nuk kuptonin në ishte çmendur apo aktronte rolin e  të krisurit.

Koloneli  u ndie i dobët para fuqisë së gjeneralit. Pa se mëshira i kishte vdekur  dhe mendoi se sapo  ta takojë komandantin suprem do t’i tregojë për të gjithat. Dielli ngadalë zbriste nga horizontet dhe u ofrohej majave të bjeshkëve të Gollakut për të përenduar, ndërsa gjenerali  i magjepsur nga shkëlqimi i arit dhe xhevahirëve ,  pas shumë çjerrjeve e sharjeve e zuri gjumi mbi grumbullin e parave dhe stolive. Kur ndonjë ushtar provonte tinëz të stërvidhte ndonjë metelik, gjenerali ngriste çepallat e njërit sy dhe me  kërrhamë trembte hajnat.

-Hë, do të vjedhësh,a?- i tha një ushtari që zhagas guxoi t’i afrohej grumbullit të stolive e parave.

- Jo, zoti gjeneral! Unë jam i ndershëm! Unë i zbatoj urdhërat! Qoftë larg e liga   të më shkojë mendja të vjedh thesarin e gjeneralit tim! Unë vetëm u afrova pranë teje të të pyes a më lejon të pshurr në tokën e shenjtë! Nuk mund ta mbaj më të shkretën!

-Pshurr more kush të ndalon, por në tokën e Shën  Savës nuk bën! Mbushi xhepat! Pshurr në gojën tënde! Pshurr në gojën e kolonelit, pshurr edhe  në gojën time, por në tokën e shenjtë nuk bën të pshurrësh! Kështu ka porositur patriku! A kupton?

Kur na bekoi kryepopi dhe u nisëm në luftë na pati porositur se vetëm toka që duhej ta pushtonim është e shenjtë, zoti gjeneral! Nëse është kështu si thoni ju , ne dhe populli ynë gojët e xhepat do t’i shndërrojmë në nevojtore!- sqaroi ushtari, duke u arsyetuar se nuk kishte ndërmend të vidhte.

Ashtu, a?- tha  gjenerali dhe  u ngrit në gjunj.

 Po, zoti gjeneral. Ashtu predikonte kryepopi!

Mirë, pra! Pshurr ku të duash, por m’u shporr qafesh! Sa shumë paskam fjetur! Në ëndërr  pash Rahilën dhe atë kurvën time tek grindeshin për stolitë. Flokët i shkulnin njëra tjetrës për paratë dhe stolitë e vjedhura. Herë e rrëzonte Rahila Snezhanën e herë Snezhana Rahilën. Snezhana i thoshte Rahilës se i kishte mashtruar burrin dhe e quante cigane , ndërsa Rahila i thoshte Snezhanës se burri i saj duke e kërcënuar se do ta vriste e kishte përvetësuar! Dreç o punë , nga e  mori vesh Snezhana se Rahila është ciganee?! Sa kënaqësi ishte të shohësh dy kurva të përgjakura që luftojnë kundër njëra tjetrës për një gjeneral ! Në Mesjetë trimat viktimizoheshin  në dyluftim për t’u bërë të denj për një vashë, ndërsa në ëndrrën time dy kurva luftuan midis veti për t’u bërë të denja për një gjeneral! Ani, ia vlen barra qiranë të luftosh për t’u bërë nuse e gjeneralit! Vetëm pasi që u përgjakën u ndanë   të poshtëruara! Sa interesante janë ëndrrat. Janë si era. Janë si fati.Janë si mëndja e çakërdisur. Ëndërrat janë fatkeqësitë e idiotëve. Herë të dërgojnë mbi re  e herë të përplasin në tokë. Mjerë ai që bëhet si unë  rob i ëndrrave. Kur ëndrrat janë të trishta sa nuk të çmendin, ndërsa kur janë të bukura, në zhgjëndërr dalin të hidhura. Me ëndrra të bukura u nisa ta çliroj tokën e  Shën  Savës. Lejlekë e dallëndyshe më thoshin ëndrrat se do të milen në tokën e Shën  Savës , kurse unë dhe ushtria ime qumështindo ta pinim! Por ndodhi e kundërta. Edhe mushkonjat ishin kundër meje dhe kundër këtyre fatzinjve! Na pickonin pa mëshirë! Pastaj vinin kruarjet, qelbosjet, infektimet...! Korbat e galat donin të na i nxirrnin sytë! Krratjet e tyre na i gërryenin trutë si krimbi lisin! Retë e zeza na rrinin mbi kokë si fantazmat ...!  Gjithnjë binte shi i përcjell me shtrëngata breshëri...! Kokërrzat e breshërit thyheshin mbi  kokat tona si në rraboka kungujsh.   Vazhdimisht ishim të lagur deri në palcë! Pastaj, balta dhe toka ishin armiqët më të mëdhenj! Sa e nxirrnim njërën këmbë, tjetra sharronte më thellë! Tokë e mallkuar na doli  ajo toka e shenjtë e Shën  Savës ! Marioneta  gënjente se ishte në anën tonë! E kuptuan   hilen tonë se çlirimi i tokës së Shën  Savës do të jetë skllavërimi i tyre! As Akunët e Xhehenemli Mëhallës nuk ishin për t’u besuar deri në fund! Na tradhtonin neve , i tradhtonin edhe ata! Dreç që u bie në fije nuk kishte! Edhe kuvë Rahila,  në fund, rikthimit tim në tokën e Shën Savës i tha: Malo morgen! Qentë sapo ngopeshin me eshtrat që u hudhnin , me të pabesë dezertonin,  kalonin në anën e armikut dhe duke u ngërdhucur i tregonin dhëmbët! Edhe  hajnat e skizofrenët e mi dezertonin si qentë! Vonë e kuptova se besa e qenve është pabesia! Zoti i nxjerrtë fare!  Sa ushtarë tanë i shqyen, ndërsa iknim nga ajo tokë e mallkuar, kur raketat dhe Apaçët amerikanë na  ndiqnin  si shpirtëra të këqij  dhe pandërprerë silleshin si fantazma mbi kokat tona! Kurrë nuk kuptova se qentë e Rahila gjatë natës u shisnin sekretet tona terroristëve  të Lush Rebelit! Pastaj  , pa i pandehur, na zënin pritat! Bëhej llakërdi! Britmat e tyre na çmendim, ndërsa qentë e Akunët, dreçi e di ku fshiheshin.  E kam ditur  se tradhtia është pjesë e luftës, por jo në atë masë sa shfaqej! Më shkonte mendja t’i vrisja të gjithë qentë me gjithë Lugatin , por pa ta nuk mund të luftonim!  Ndoshta  marioneta mendonte për të ardhmen e vet, ndoshta ishte në shërbim të dyfisht?! Ku ta di  unë i gjori?! Në  gjithçka dyshohet në luftë dhe kurgjë nuk besohet! Edhe rrena si tradhtia është pjesë e pakuptimtë e luftës! Dikur u besoja  zoologëve  se qeni është shtaza më besnike e njeriut! Ndoshta është ashtu, por në finalen e luftës edhe togu i qenve ishte kundër ushtrisë time...!Luftë të pabarabartë bëmë! Ushtria më fatkeqe e botës ishim që kur filloi lufta midis Kainit e Abelit,   të bijve të Evës  e Adamit! Gjithçka ishte kundër neve fatzinjve! Edhe qielli, edhe toka ishin kundër neve! Edhe mali, edhe lumenjtë edhe nëntoka ishin kundër neve! E tërë bota ishte kundër neve, kurse kurva Rusi, që shtihej se ishte mike jona  bënte sehir dhe  zgërdhihej me fatin tonë, kur as shpirti i Shën  Savës, as shpirti i Car Lazarit , as Zoti nuk mund të na ndihmonin! 

Përderisa gjenerali    filozofonte  gjunjëzuar mbi grumbullin e stolive dhe parave të vjedhura në kryeqytet, kolonel Xhungalliqi dhe ushtarët e shikonin herë me  ironi e herë me dhembshuri , kurse tek pasi pshurrën, nisën t’i   shanin nënën  shpirtit të Shën  Savës dhe Car Lazarit që i shpuri  në luftën që i la me gishtërinj në gojë.

Një raketë e NATO-s që vinte nga përtej Adriatikut  drejt Nishit duke fishkëlluar si kobra pas viktimës,  zgjoi gjeneralin nga deliriumi i shkëlqimit vrastar të xhevahirëve   !

Kolonel Xhungalliqi, pasi vlerësoi  rrezikun nga raketa e tmerrshme , urdhëroi ushtarët të shtriheshin në baltë, ndërsa vetë u strehua nën tank.  Gjeneral Gexha i fali komandën kolonelit, duke drojtur se shkëlqimi i xhevahirëve e kishte vërbuar.

 Para se të urdhëronte nisjen e  kolonës  drejt kryqytetit të gjeneral Gexhës, koloneli   mbajti para ushtarëve  një fjalim  si duhej të silleshin kur të arrinin në kryeqytet:

   - Kur të arrimë atje duhet të ngrisni kokat lart si kuajt  kur me higëllimë vrapojnë pas pelave, ose si qentë në thekër kur u vardisen bushtrave ! Krenarinë e trumfit  mos e fshehni! Ndjehuni të gëzuar! Nuk duhet të paraqiteni zuzarë si në tokën e Shën  Savës! Sapo të zbritni duhet t’ia merrni këngës ”Hej çetnici...!”.  Pastaj  zbrazni rafalet triumfale! Togu i nderit dhe  vetë shefi i shtatmadhorisë, gjeneral  Çiklopi na presin në mënyrë madhështore! A kuptuat? Trumfalisht duhet të kthehemi! Humbjen do ta shndërrojmë në fitore ! Turpin në nder! Frikën në trimëri! Paraqituni Don Zhuanë para kurvave  tuaja! Kujdes, mos pirdhni si e kishit  zakon kur na sulmonte guerilja e Lush Rebelit se ashtu e fyeni  shtatmadhorinë !

 

 

 

 

 

                                        *    *    *

 

 

 

Pas mesnatës,  kolona e cfilitur nga lufta nën komandën e kolonel Xhungalliqit, fare e zymtë dhe  e molisur, me sensin  e thyer për fitoren e premtuar kokulur hyri në Topçider . Si për inat të kolonës, atë natë vazhdimisht ra shi. Kokërrzat e breshërit nxirrnin  zhurmë vrastare nervash kur binin mbi çelikun e tankeve të vjetra sovjetike  , që Titoja i kishte blerë disa nga Stalini e disa nga Hrushqovi.  Vetëtima  , mumurmërima e rrufetë binin pareshtur. Në fytyrat e ushtarëve nuk shihej asnjë shenjë gëzimi. Krenaria e triumfit u kishte vdekur në tokën e shenjtë! As kënga e porositur e kolonelit nuk dëgjohej asgjëkundi!

I pari nga tanku doli kolonel Xhungalliqi, pas tij me batanien ngarkuar mbi supe  doli gjeneral Gexha, pastaj dolën togjet e hajnave , ndërsa të fundit kokulur u rreshtuan togjet e skizofrenëve dhe shërbimi i prapavijës që përbëhej nga personeli mjekësor, furnizuesit dhe shërbimi i itedantes. Pas rreshtimit kolonel Xhunga urdhëroi që ushtarët të mbanin qëndrimin ”Gatitu!”, por asnjë nga ushtarë nuk ia vari kolonelit, ndërsa  koloneli u shtir se nuk i shihte në errësirë! Me flamurin triumfal bëri disa hapa ushtarak drejt gjeneral Çiklopit që qëndronte  para togut të nderit. Mori qëndrimin  ”Gatitu!”, përshëndeti ushtarakisht dhe filloi raportimin:

-Zoti gjeneral Çiklop, Batalioni i gjeneral Gexhës u kthye triumfalisht në atdhe pasi çliroi tokën e shenjtë të Shën Savës dhe Car Lazarit, me bindje të thellë se ka kryer me nder misionin e vet që e kishte marrë për sipër! Batalioni kishte 500 ushtarë të zgjedhur nga gjeneral Gexha, ndërsa  janë kthyer 300! Batalioni kishte 200 ushtarë të rreshtuar në çetën  e skizofrenëve të zgjedhur nga spitali i neuropsikiatrisë dhe  200 hajna e vrasës ordinerë të zgjedhur nga Burgu Qendror  i kryeqytetit! Janë kthyer 300! Nga grupet guerile të Lush Rebelit janë vrarë 120, nga qentë tradhëtisht kanë rënë viktimë në finalen e luftës 30, ndërsa gjatë misionit të vjedhjes, plaçkitjeve dhe pas kurvave kanë  rënë heroikisht 50 ushtarë! Prenë e luftës, në atë batanie, e ka mbështjellur gjeneral Gexha, ndërsa 10 maune me kufoma të vjedhura janë në bisht të kolonës! Pas mbarimit të raportit ushtarak, kolonel Xhungalliqi përshëndeti ushtarakisht edhe njëherë gjeneral Çiklopin duke ia kaluar flamurin triuimfal! Gjeneral Çiklopi urdhëroi togun e nderit të shtjerë në qiell me tre batare trumfale! Në shenjë respekti dhe krenarie truimfale  ushtarët e Batalionit të gjeneral Gexhës pjerdhën po aq herë sa shtiu  togu i nderit të Shtatmadhorisë! Kënga e preferuar çetnike e kolonelit dhe bataret triumfale   krijuan një atmosferë sa festive aq edhe komike.

-Gjeneral Çiklopi i shikoi me përbuzje gjeneral Gexhën dhe kolonel Xhungalliqin , ofshani dhe shau ushtrinë triumfale: ”Le të shkojnë në rrotë të nënës ushtria e çmendur dhe gjeneralët budallenj!”

Kur gjeneral Çiklopi filloi rivistën ushtarake, ushtarët e trembur nga syri i tij, të arratisur ikën për t’u fshehur nëpër shelgjishat përreth brigjeve të Danubit dhe Savës, duke u betuar se kurrë më nuk do të shkonin në luftë pas gjeneralëve të çmendur, por do t’u ktheheshin zanateve të vjetra të vjedhjeve, përdhunimeve , plaçkitjeve nën kërcënimin e armëve  e vrasjeve në kryeqytetin e kolonel  Xhungalliqit. Errësira . breshëri, shiu, vetëtimat, murmërimat, rrufetë,pjerdhët, kënga çetnike... krijuan një atmosferë të pakupimtë të  cilën nuk e kuptoi njeri. Nuk e kuptuan as gjeneralët. Nuk e kuptuan as ushtarët e arratisur.

 

 

 

 

 

                                                   *    *    *

 

 

 

Pritjen  për  gjeneral Gexhën dhe kolonel Xhungalliqin , shtatmadhoria e gjeneralshtrabit nuk e kishte organizuar në pallatin e vet. Pallati kishte një muaj që ishte shndërruar në rrënoja si të Trojës antike.  Ishte bërë për gjynah të Zotit! Edhe   kazermat e Banjicës, Dedinjes e Topçiderit pa mëshirë ishin rrafshuar me tokë nga raketat e NATO-s.

Dhoma e pritjes ishte në një tunel të thellë me përplot labirinthe të errta në rrugën e ”Knjaz Miloshit”. Gjeneral Gexha e kolonel Xhungalliqi  ndiheshin të humbur në errësirën pa fund të tunelit të ndërtuar tridhjet vjet më parë, në kohën e luftës së ftohtë, mystekile për strehimin e Titos. U gëzuan  kur panë një dritë të zbetë qiriri, që mezi fiksohej në errësirën e dendur. Të ulur në kolltuqe kokë më kokë rreth një tavoline të pluhurosur qëndronin  shefi i shtatmadhorisë gjeneral Çiklopi dhe gjeneral Çullafiqi. Në errësirë sytë u shkëlqenin si gacat në rrëshiqin e kovaçit . Tavolina e pluhurosur ishte e mbushur përplot me mishra të fërguar, shishe rakie, vezë të ziera, kumbulla, ananas  e banana.  Kur hyrën gjenerali e koloneli, nikoqirët lëre që nuk u ngritën për t’u bërë sado pak nder të kthyerve nga lufta, por as nuk u liruan pak vend sa të uleshin. Gjeneral Gexhës që iu kishte tharë  gurmazi për një gëllënjkë raki,  në uzdajë, nga tavolina mori një gotë dhe një shishe raki dhe sapo filloi ta mbushte gotën, gjeneral Çiklopi, ngriti vetullën e syrit dhe i shikoi me egërsi si gjeneral Gexhën ashtu edhe kolonelin:

-Lëre atë gotë e atë shishe , more idiot! Kush të dha  leje t’i marrësh? Ti  meriton plumb në ballë e jo dolli rakie! Pis!- tha me një ton injorues dhe shikim zhbirues  gjeneral Çiklopi.

-  Mos u tall , gjeneral Çiklop!- u përgjigj gjeneral Gexha , duke u orvatur që përbuzjen e gjeneral Çiklopit ta shndërrojë në mahi. Më është tha gryka. Ndoshta një dolli të shkretë  e meritoj edhe unë?!

- Meriton plumb në ballë, more qyqar! A shkove në luftë të shenjtë apo t’u vardisesh kurvave ?! Edhe ti kolonel nuk je më i mirë se ky mut! Lëre që e humbët tokën e bekuar, por as misionin e djegieve , plaçitjeve e vrasjeve në tokën e shenjtë nuk e keni kryer me nder! Kur u nisët  u obliguat se do t’i sillni dhjetë mauna me kufoma , kurse nuk i sollët as gjysmën. Në vend  se t’i vrisnit  u organizuat shëtitje me tren! Në vend se t’i fusni në tokën tonë që t’i mbajmë pengje ose t’i vrasim kur do ta donte zemra ime ,  ju i akomoduat në Korridorin e Gligorovit!  Asnjëherë nuk hyrët në front me terroristët e Lush Rebelit !  Asnjëherë nuk nuk ua mbajti të ngjiteni në male ku vërtet luftohej! E tërë bota i frikësohej armatës tonë , ndërsa tani , jemi armata më qyqare e botës...! 

  Unë  prisja ta kem të gjallë këtu Lush Rebelin dhe me marifetet  e ceremonive tona  të flijimit modern, t’i prenim kokën atij gjarpëri, ndërsa ju  bythecat e dreçit  mburreni  se keni mundur  ta vrisni  nënën  e tij! Në vend të terroristit ju sollët një kufomë plakurusheje! Nënën e nënës ju shkërdhefsha !...

O, sikur ta kisha këtu në këtë errësirë Lush Rebelin e gjallë dhe të lidhur këmbësh e duarsh me pranga  do të isha njeriu më i lumtur i botës! Do ta kapja për mjekre! Një nga një me çekiç do t’ia shtypja  gishtërinjtë e duarve dhe të këmbëve ...!  Pastaj...! Do t’ia nxirrja njërin sy! Do t’i preja  njërin vesh,! Do t’i kisha zdeshur pantallonet e brekushet dhe do ta kisha bërë edhe njëherë synet  dhe, së fundit, me salltanët do t’i vurja kokën në cung! Para syve të tij do ta mprehjaa hanxharin! Do  t’i hapjaa xhepa në mishra, do t’i futsja kripë e biber...! Do të kënaqesha , kur do të çirrej! Zemra do të më bëhej mal kur do të kërkonte mëshirë nga unë! Dhe, në fund , nën ritmin hyjnor të këngës: Hej çetnici ...  do t’i nxirrja ngadalë- ngadalë gurmazin! Po , ja që Lush Rebeli nuk më erdhi!  Kjo e mallkuar lufte nuk m’i plotësoi të gjitja dëshirat Do të vdes i zhgënjyer!- përfundoi përgjërimin e vet gjeneral Çiklopi.

Pas fjalës së gjeneral Çiklopit dhomën e errët në fund të tunelit  e pushtoi një heshtje e  trishtuar. Askujt nuk ia mbante as të pohonte as t’i kundërvihej gjeneralit të rrokatur me një sy. Gjeneral Gexha  ishte mbledhur kruspull  si gjarpëri skutaç, ulur në një qoshe të dhomës së errët ,ndërsa kolonel Xhungalliqi akoma qëndronte gatitu, derisa fliste gjeneral Çiklopi . As vetë nuk diti  nga  mori guximin të fliste:

Po , gjeneral Çiklop, ke të drejtë! Gjeneral Gexha në tokën e shenjtë bënte jetë haremi me Rahilën! Aq i bënte për luftën  e për fitoren! Asnjë nuk e ka vrarë vetë! Edhe kryeqytetin e zbrazi nga njerëzit me trenin humanitar. Nuk kishim më kë të vrisnim! Nuk kishim as me kë të luftonim! Kryeqyteti ishte  plotësisht i zbrazur! Në male nuk na e mbante të ngjiteshim se  atje ishte banda e Lush Rebelit! Thonin se plumbi nuk e merrte atë terrorist, zoti gjeneral! Thonin se as shpata nuk e pret! As topuzi, thonin se nuk e zë! Me një plumb thonin se i vriste tre vetë! Ne i luteshim Zotit e Shën Savës të mos takoheshim  as pahiri me te , e lëre më ta kërkonim në male! Ne nuk shkuam atje për t’i lënë koskat, por shkuam ta  bëjmë sefanë e Zotit! Pasi që nuk na e mbajti të merremi me Lush Rebelin, e zurëm nënën e Lush Rebelit dhe ia dorëzuam major Zhugës! Ndoshta nuk ka gjë të keqe! Kur tërë qyteti kishte ikur asaj as mendja nuk i kishte shkuar të hynte në  Koridorin e Gligorovit. Ngadalë- ngadalë e masakroi plakurushën major Zhuga, dhe si për inat tonin, nuk nxori asnjë lutje, asnjë klithmë, asnjë piskamë! Unazën e saj e ka  gjeneral Gexha. Pasi majori  i preu gishtërinjtë e  kokën, gjeneral Gexha ia nxori unazën nga gishti! Thoshte se do t’’ia dhuronte Snezhanës së vet për ditëlindje ! Harrova të them zoti gjeneral Çiklop se  gjeneral Gexha, sapo patëm arritur në tokën e shenjtë, u  betua se do ta digjte kryeqytetin  si Neroni Romën! Por, nuk patëm kohë, zoti general! Apaçët  amerikanë na rrinin mbi kokë si ogur i zi, ndërsa pas neve si bisha të tërbuara u  lëshuan terroristët e Lush Rebelit! Kujt  i ra ndër mend të vurte zjarrë, kur bytha kërkonte shpëtim e  nuk e priste kokën të iknin bashkë! Ngado që shkonim hija e tij na ndiqte! Zëri i Lush Rebelit na çmendte! Shfaqej ku nuk e pandehnim dhe brenda dy minutash e kryente misionin  e vet dhe tretej si hije .

 -Mos rrej more qen bir qeni!- u dëgjua zëri i çjerrur  gjeneral Gexhës nga një qosh i dhomës në tunnel ku ishte mbledhur kruspull. Gënjen ky pis, gjeneral Çiklop! Rahila nuk ishte cigane, zoti gjeneral. Ajo ishte grua e familjes së Akunve. Dy burra huduma i  kishte e gjora dhe prapë ishte grua  pa burrë! Haruni ishte bixhozxhi, ndërsa Akuni , bishtaxhiu dhe agjenti më i përsosur i yni. Asnjë kufomë  nuk ka mbetur atje pa e ngarkuar në mauna! Të gjitha kufomave u vodhi ç’kishin në xhepa dhe m’i pruri  mua, ndërsa unë si sarhosh që jam e pa këtë të shkretë rakie nuk mundem, ia jepja Rahilës t’i ruante! Unaza e nënës së Lush Rebelit ka mbetur te Rahila, ndërsa për qëllimin tim përfundimtar , djegien e kryeqytetit të tokës së shenjtë nuk gënjeu! Më dhimbset ai i mallkuar qyteti që nuk i vura zjarrin si Drenicës, Llapit e Dukagjinit, por Apaçët, zoti general!  Apaçët fantomë janë fajtorë për dështimin tim!

Sa këndshëm dhe sa idhët rren gjeneral, Gexhë!- reagoi general Çiklopi. Ti mendon se unë nuk e di kush janë Akunët  , që vendasit i quajnë ciganë. Cigan  është  Akuni, cigan është edhe Haruni, cigane është edhe Tatlije  fallxhesha , cigane është edhe Rahila! Edhe gjyshja e saj Dalila, kurva e gjeneral Jankoviqit ishte  cigane! Cergarë të ndyrë të gjithë  janë! Me ciganë e  cigane bëje kurvëri e hajni në tokën e shenjtë dhe mendoje se me ciganë e cigane  do ta pushtosh tokën e shenjtë, kur nuk mund të gjeje njeri të pranonte as postin e ministrit!

Gjeneral Çullafiqi pa ndëprerë hante mish në hell e  ngrehte gota rakie, kurse akoma asnjëherë nuk kishte folur. Sikur nuk i interesonin llomotitjet e gjeneralëve mburracakë. Pasi që u ngop mirë, mori fjalën sa për t’i ndërprerë grindjet dhe po aq për të kryer punë:

-Miq të dashur nuk është koha për t’u grindur. Do të kemi kohë të grindemi me popullin dhe ata hajnat e skizofrenët e  Klanit të Zemunit dhe Gardën e Car Lazarit, por ejani ta ndajmë prenë e luftës. Gjeneral Gexhë hapi sihariqet e tuaja të luftës! Më shumë se shpirtin atyre të gjorëve nuk kishim ç’t’u mirrnim, por në saj të punës së gjeneral Gexhës, ne u morëm edhe shpirtin, edhe paratë edhe xhevahirët  dhe  në fund i vodhëm edhe kufomat e tyre!

Gjeneral Gexha u ndie i kënaqur dhe më i sigurtë nga përkrahja e gjeneral Çullafiqit dhe shpalosi dy bataniet e mbushura me para, stoli ari  dhe xhevahirë që shkëlqyen në dritën e qiririt.Të gjithë gjeneralë zgurdulluan sytë kur general Gexha hapi batanijet.Uha…! Sa xhevahirë e sa ari! As në Bosnjë nuk kemi  plaçkitur kaq shumë!- klithën të habitur gjeneralët.

- Kjo qafore në formë gjarpëri do t’i takojë Radës time. I rri bukur, ë ?. Edhe ajo është gjarpërushë si kjo qafore e arnautkave! E meriton , do t’i takojë!- foli i  pari gjeneral Çulafiqi.

-Besa këtë qafore nuk e more , gjeneral Çulafiq. Kjo do t’i takojë gruas time!- reagoi gjeneral Çiklopi. Gruaja ime është e verdhë si kobra  dhe kjo ngjyrë i shkon për shtati tenit të saj. Unë ndaj! Unë jam shefi  dhe pëëëst! Komandantit suprem i takon edhe kërbaçi edhe kulaqi! Kuptoni njëherë e përgjirthmonë! Mos u bëni të uritur!

Pasi që ndanë prenë e luftës, gjeneralët mbushën xhepat me dollarë, marka , stoli e xhevahirë dhe deshën të ikin, por kolonel Xhungalliqi i luti të uleshin edhe njëherë  ta bisedonin çështjen e kufomave , që  të dekompozuara nxirrnin erë të rëndë .

- Mua mos më përzieni në punët tuaja të turpshme! – reagoi gjeneral Çullafiqi. Ç’ju deshën kufomat, more budallenj?! Na e sollët ujkun në torishtë, more të krisur!Gjykata e Hagës, saktësisht, do ta mësojë nga  Lugati dhe Akunët sa kufoma  keni vjedhur!

- As mua mos më përzieni në punë të ndotura!- reagoi general Çiklopi. Unë jam në moshëtë thyer për të dalur para gjyqit!

- Besa , as unë nuk marr përgjegjësi!- ndërhyri kolonel Xhungalliqi. Akunët dhe Rahila , medet që mbetën gjallë!  Në Bosnjë, në fund  , i vrisnim spiunët , ndërsa në tokën e Shën Savës i harruam! Nuk i harruam, por nuk patëm kohë t’i rehatonim! Rahila fill e për pe do t’u tregojë agjentëve të Tribunalit të Hagës. Ajo  sigurisht që deri tani e ka zëvendësuar gjeneral Gexhën me ndonjë spiun ndëkombëtar, që kanë hyrë në tokën e shenjtë. Mos dhashtë Zoti të marrë vesh Lush Rebeli si ia  masakruam nënën. Këtu në tunel do të hynte  e do të na vriste!

Derisa fliste kolonel Xhungalliqi, gjeneral Gexha i  tëri dridhej. Pjerrdhët nuk mund t’i ndalte , ndërsa lotët i rridhnin rrëke:

- Ju lutem, kësaj radhe , më ndihmoni!- nisi të lutej general Gexha . Vetë më futët në grackë, mua të shkretin! Aman! Më ndihmoni të dal nga kurthi! Qëllimi im ishte i lartë, gjeneralë të dashur! Mendoja ta bëja shtetin të fortë! Juve t’ju bëj të pasur! Gratë  tuaja t’i bëjë të lumtura! Doja t’ju bëj heronj të vërtetë! Doja edhe unë të bëhem i pasur! Mendoja edhe për renegatët tanë në tokën e shenjtë! Do të varem nëse më heton Tribunali i Hagës! Rahila e Akunët të gjitha i dinë ! Një nga një vet i kanë ngarkuar kufomat! Nuk kam asnjë alibi të mbrohem! Ani Lush Rebeli, kur po më kujtohet! O Zot! Fryma po më ndalet nga emri i tij! Mallkuar qoftë Akun Bishti që e zuri nënën e tij dhe e solli në duar të  major Zhugës.O, i lumi major Zhuga që vrau veten! Ah, sikur të isha edhe unë trim  si  ai, do t’ia shkrepjaa vetes në tamth një të shkretë plumbi të ndryshkur  dhe do të vdisja i lumtur!

- Gjeneral Gexhë të lutem mos qaj se unë  kam zemër të ligë e mund të më ndalet e mjera! Zemra ime nuk duron lot!, i gjori general! – qesëndisi gjeneral Çullafiqi.

-Të lutem mos u tall me mua!- reagoi gjeneral Gexha .

- Je bërë për t’u tallur general! Do të të viktimizojmë për të shpëtuar ne! Të gjitha mëkatet tona do t’i paguash  përnjëherë! Njëqind vjet për ty ndoshta  nuk të duken  shumë në Sheveningen?! Ndërsa, kufomat që i vodhe,  në daç varrosi, në daç hudhi në Danub t’i hanë peshqit, në daç mund t’i hash vetë! Si i vodhe bëhu i mençur dhe bëj hallin t’i humbësh gjurmët e krimit!  Me kufoma të vjedhura deshe  të hysh në Librin e Ginisit, more i krisur! Ku ke pa ose ku ke dëgjuar të shiten kufomat, more i çmendur? Ose , a ke dëgjuar ndonjëherë të ketë blerë kush  kufoma?

Gjeneral Çiklopi për herë të parë u ndie i kënaqur që nuk kishte marrë pjesë në luftën për tokën e Shën Savës. U ndie i kënaqur edhe me prenë e luftës, që solli general Gexha, por frika e gjeneral Gexhës nga Gjykata e Hagës ngadalë filloi t’i hynte në zemër, në asht, në shpirt… edhe gjeneral Çiklopit . Pulpat e këmbëve filluan t’i dridhen. Flokët në kokë iu rrënqethën. Buzët iu shtanguan , gjuha iu trash, kurse  fjalët iu ngatërruan në fyt. E mori me shpirt drojën e gjeneral Gexhës nga Tribunali i Hagës, por zihej në vete.Rakia i kishte turbulluar mendjen. Edhe tymi i duhanit në labirinthin e errët të tunelit i vështirësonte frymëmarrjen. Kollitje të thata  i vinin  nga thellësitë e mushkërive  Nuk dinte si ta zgjidhë enigmën e vjedhjes së kufomave që vetë e kishte kurdisur.Nuk kishte asnjë ide si të dilte nga situata. Prapë heshtja pushtoi labirinthin e errët. Edhe rakia gati ishte harxhuar.

- Hë! Jepja dikah gjeneral Çiklop!- e theu heshtjen general Çullafiqi. Ti je i pari ynë! Nën komandën tënde jemi, more burrë! Gjithmonë të ka shkuar fjala si ngjala, kurse tash disi shumë po i përtypë fjalët dhe po i gëlltitë si mezen pas rakie. Shkrepe një të shkretë fjale se këtu nuk të gjen  dot Karla Del Ponte! Mos harro se indiferenca nuk të shpëton as ty , nuk më shpëton as mua! Kemi hyrë në valle dhe tash deshëm s’deshëm na duhet të kërcejmë! Krimi nuk vjetërohet kurrë, as gjaku nuk humbet dot! Gjaku nuk është  ujë, zoti general!

- E di! E di mirë se as gjaku as krimi nuk fshihen!- E kam ditur gjithmonë! Sikur të mos e  kisha ditur do të ishte më mire!- tha me një zë të mekur gjeneral Çiklopi. Të gjitha i  di, por në shtrat  të Hagës nuk mundem  të flë!  Nëse të lëshon shosha, sita nuk të lëshon të përzihesh me miell! Nuk mundesh t’ua humbësh atyre me kos! Shtrati i Hagës është i kudisur, tamam, si  Shtrati i Prokrustit. Nëse je i shkurtër të zgjasin , nëse je i gjatë të shkurtojnë! Për  atë shtrat , medoemos, duhesh të jesh tamam! Po e paramendoj si mund të tallen me mua gjykatësit e pashpirt! Si do të më hedhin barcoleta! Jo, jo , jo! Assesi nuk mundem të shkoj! Nuk e duroj dot nënshtrimin! Krenarinë e gjeneralit ta përdhosë një plakurushë nuk e duroj dot!

 -Do të shkosh! Do të shkosh bashkë me mua sikur te dajat, bile duke kënduar! – reagoi gjeneral Gexha. Xhevahirët e luftës i deshe! Xhepat  mbushe me marka e dollarë, tash  duaje edhe Karla Del Ponten! Mos u bën cinik , zoti general! Si mburracak që je, cinizmi nuk të shkon mirë për shtat! Gji më gji në një shtrat do të flemë në Sheveningen. Mundemi edhe të kurorëzohemi midis veti! Ama ,aty do të vdesim!

- Më parë do të vetëvritem në këtë tunel se sa të nisem atje! Unë jam njeri i vendosur! Fjala ime në dysh nuk ndahet!

Gjeneral Çullafiqi pasi piu edhe pikat e fundit të rakisë u përpoq  për të thyer monotoninë e bisedës midis  dy gjeneralëve. Ishte hera e parë që qortonte shefin e shtatmadhorisë për të cilin kishte respekt të veçantë. Ndjente dhembje për mikun e karrierës, prandaj u mundua ta inkurajonte që,  së pakut, mos të çonte dorë në vetëveten:

- Zotërinj gjeneralë, unë kam idenë si ta fshehim krimin dhe si  ta humbim gjakun!

- Fol more më shpejt se unë po çmendem!

-Ani , mirë de, çmendu nëse mundesh! Por mendët nuk janë aq budallaqe të të dalin  pa e paguar haraqin në Hagë! - u tall general Çullafiqi dhe kërkoi falje që e ngacmoi shefin. Unë! Unë ...! Unë kam  ide si t’ia bëjmë punës së kufomave të vjedhura.- dhe i zuri nga krahët dy gjeneralët dhe kolonel Xhungalliqin dhe të gjithë u afruan përreth tavolinës kokë më kokë. Me zë shumë të ulët, duke shikuar anash mos përgjonte  njeri, tha:

- Disa nga kufomat do t’ djegim! Disa do t’i hedhim në Danub! Disa do t’i varrosim në  varreza masive! Pajtoheni?

- Na shpëtove gjeneral! Shpirti i Shën Savës qoftë me ty!- uruan dy gjeneralët.

Kolonel Xhungalliqi idenë e gjeneral Çullafiqit e mori me rezervë dhe shprehu mospajtimin e vet:

-Mos po e trashim krimin më shumë, zotërinj generalë! Djegien ose  fshehjen e  kufomave  në luftë , Gjykata e Hagës e trajton si krim të rëndë, si gjenocid kundër njerëzimit! Për gjenocid nuk ngordhni vetëm ju në Sheveningen, por edhe shteti dënohet! Gjermania edhe pse shtet demokratik, qe pesëdhjetë vjet paguan haraq për gjenocidin e Hitlerit ndaj hebrejve !.

- Mbylle more  pshurran! A  di me kë po flet? Ku ke pa ti more të mos respektohet grada ushtarake? Pis more! Prej rreshterit gjysmëanalfabet të avancuam në kolonel e tash pa marifet i kundërvihesh fjalës sime !-iu kundërvu gjeneral Çiklopi. Ëëh! Budalla! Nuk e di ti  sa e këndshme është aroma e mishit të pjekur të njeriut!  Ajo aromë të dehë! Të duket se fluturon nëpër re! Çdo gjë të duket e mjegulluar! Vetja të duket satanë ferri, që ha rrashta mëkatorësh! Por , ata nuk ishin mëkataorë! Sa budalla jam që tash ngreh temën e mëkatit! Jo, jo! Mëkati , por fati! Në luftë të gjithë janë mëkatorë dhe të gjithë janë të pafat! Besomëni, dje jam dehur në shkrijetoren e Maçkaticës me aromën e mishit të njeriut! Besomëni, dje nuk isha njeri,isha vetë satana ! Dje isha kanibal! Dje isha hijenë e tërbuar! Sapo e hidhja kufomën në zjarr, mishi i dhjamosur sa hap e mbyll syt  shkrihej…! Avullohej…!  Tretej…! Shndërrohej në hiq…! Pastaj, në xehen  e shkrirë treteshin edhe eshtrat! Ashtu tretej edhe krimi! Gjurmët e  gjakut humbeshin përgjithmonë, kurse nga kufoma mbetej vetëm aroma magjepse që shndërrohej në eter dhe asgjë më shumë! Delirium magjik! Por nuk u kënaqa me kaq! Mjerisht, dje kam djegur vetëm kufoma që as nuk luteshin  që t’i falja, as nuk bërtisnin, as nuk qanin, as nuk i druanin  zjarrit !  Të gjitha kishin  sy të hapur!  Vezullonin si yjet, ndërsa kur i hudhja në zjarrë pëlcisnin duke  nxjerrë një krismë magjike! Oh, sa do të kisha dëshiruar që ato të mallkuara kufomash të ishin të gjalla! Britmat e tyre dhe hiri i aromës së tyre do të më shetisnin nëpër horizonte të blerta të parajsës?! 

Kolonel Xhungalliqi fshinte pandërprerë sytë e mjegulluar , por derisa gjenerali fliste nuk dinte nëse ishte në ëndërr apo esëll. Ngadalë, fare pa u diktuar, nxori nga xhepat prenë e luftës  që i dha  gjeneral Çiklopi , e lëshoi mbi tavolinë dhe nëpër errësirën e tunelit, tinëz, iku jashtë, duke u betuar se të gjitha do t’i rrëfejë në Gjykatën e  Hagës?! Të tre gjeneralët iu vurën pas, por këmbët iu ngatërruan në errësirë. Një krismë arme dhe britmat e lemeritura  të dy gjeneralëve  jehuan, pastaj u tretën  duke u thyer në muret e  labirintheve të  errta të tunelit. Gjeneral Çiklopi vërtetë mbajti fjalën e dhënë se do të vetëvritej.

     

                                           

 

 

                                                            

 6

 

 

 

Sapo hyri në ordinancë, doktor Miri hapi dritaren për t’u ajrosur.  Ajri i freskët dhe piklat e shiut hyrën nëpër kapakët e hapur të  dritares. Pasi  mori frymë thellë,  u kthye në tavolinën e punës dhe hapi librin e kujdestarisë së natës. Në heshtje lexoi të gjitha të dhënat për gjendjen shëndetësore të Lush Rebelit që i kishte shënuar gjatë tre muajve personeli mjekësor i Klinikës së Kirurgjisë . Të dhënat flisnin se pacientit  kishte marrë të gjitha ilaqet e nevojshme për kurim. Iu kishte  dhënë edhe sasia e nevojshme e gjakut. Pastaj lexoi edhe anamnezën  e rëndë me  të cilën pacienti ishte pranuar në spital. Të gjithë mjekët, veç e veç, kishin shprehur mendimin se pacienti tashmë ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe se plaga  e këmbës së këputur ishte mbyllur, ndërsa pacienti mund të shkonte plotësisht i shëruar në shtëpi.

- Eh, po si të shkojë i shkreti me një këmbë?- mendoi doktori duke mbyllur librin dhe duke nxjerrë një ofshamë të thellë. Ku do të shkojë? Kush do ta presë në shtëpi? Kush do të kujdeset për te? – ishin pyetjet sugjestive që i dilnin përpara doktor Mirit, të cilave nuk dinte si t’u përgjigjej. Jo, jo! Nuk mundem t’i them këtij  njeriu të dalë nga spitali, sidomos tani kur është ambientuar mirë dhe ndihet si në shtëpinë e vet. Të gjitha infermieret i thërret motra , ndërsa neve mjekëve vëllezër. Kush ka zemër ta nxjerrë jashtë këtë njeri të sakrificave kaq të mëdha? Cila infermiere apo mjek mund të jetë aq zemërgur  t’i komunikojë vendimin se duhet të shkojë në shtëpi?! Unë nuk mundem! Padyshim, i sëmuri do të ndihet keq. Do ta ndiej veten të shpërfillur nga personeli mjekësor!

Përderisa doktor Miri ziente mendimet  për Lush Rebelin,  meditoi për ardhmërinë: ”E shkuara të harron e ardhmja të shpërfill! Asnjëra nuk të japin dorë të ngrehesh në këmbë! Që të dyjat janë njerka ndaj thjeshtrit. Asnjëra nuk shpreh admirim se i ke shërbyer! Po, po! E shkuara harron njeriun, ndërsa e ardhmja mbyll syt para fatit të tij, shtiret  si lavirja sikur nuk të njeh, sikur nuk të ka parë kurrë! Sikur nuk është takuar kurrë me ty! Aq i bën të ardhmes për fatin e djeshëm të Lushit dhe të shkuarës për të nesëmen e tij? Ndërsa , Lushi i shkretë u sakrifikua edhe për të shkuarën edhe për të ardhmen!”

Ndërsa , doktori meditonte për të të shkuarën dhe të ardhmen e Lush Rebelit, një trokitje e lehtë në derë sikur e zgjoi nga  amullia e mendimeve, ndërsa fijet e  enigmës së  ngatërruar për fatin  e  Lushit nuk mund t’u gjente fillin.  Doktori ngriti vetullat e trasha që takoheshin midis dy syve , rregulloi pak gravatën e lidhur pa kujdes dhe tha: ”Hyr!” Bagllamat  dhe brava e  derës së vjetëruar  nxorën një ”ngiiic” dhe pastaj  një  kërcëllimë para se të shfaqeshin brenda  togere Bubulina dhe komandant Gurra. Doktori mori një pamje gëzimi . Fytyra e tij shëndriti  nur, u ngrit  dhe përqafoi së pari togeren e pastaj komandantin. Ata thuaja se vinin përditë për ta vizituar shokun e luftës. Sapo hyri brënda  komandant Gurra u mahit pak me doktorin që nuk përfilli traditën e respektit ndaj burrit:

- Shihe , shihe doktor Mirin sa modern  na u paska bërë, more! Po  ku ke pa more doktor të përshëndetet femra para burrit? Qenke bërë feminist, doktor, a? Nëse iu shmangesh traditave nuk do të thotë se je  modernizuar!

- Jo, mor jo! Bubulina është musafire, more djalë, e musafiri te ne ka tretman të veçantë nderimi, ë?

- Ashtu është, por togere Bubulina nuk është musafire! Vendase është! Luftoi për këtë tokë më shumë se unë, bile!

Doktor Miri u skuq pak se nuk ishte luftëtar dhe për ta përmirësuar gabimin u kërkoi falje komandantit dhe togeres:

-Po mahitem doktor!- reagoi komandant Gurra. Desha të hap muhabete dhe asgjë më shumë.

Togere Bubulina qeshi lehtazi. Dhëmbët e bardhë e të shpeshtë shëndritën si xhevahirë në gojën me buzë të kuqe që u përngjante aguliqeve kur çelin në pranverë.

-Një atmosferë e ngrohtë miqësie midis musafirëve në ordinancën e doktor Mirit duhet të ëmbëlsohet me nga një kafe të ëmbël, apo jo ? – propozoi doktori.

- Mos po e varfëron buxhetin?- prapë u mahit komandant Gurra. Ju doktorët, besa, jeni bukur dorështrënguar, por pa juve mos na lashtë Zoti!

Kryeinfermierja Vjollcë  para se t’u servirë musafirëve e doktorit kafetë me  llokume, përqafoi ngrohtësisht togere Bubulinën e komandant Gurrën sikur t’i kishte vëlla e motër. Një kafe e kishte porositur edhe për vete dhe iu bashkangjit muhabeteve!

- Unë po shkoj ta thërras Lushin! Jam mësuar me te e nuk më shkojnë muhabetet kur më mungon. Do të kthehem me Lushin. Kafenë time do pijë Lushi!- tha infermierja duke dalur në korridor.

- More , si qenkam habitur unë i krisuri pa e thirrë Lushin!- tha doktori i penduar. Besa, ka të drejtë të hidhërohet, por Lushi nuk është cikrrimtar! Burrë është Lush Rebeli. Zemra e tij është e gjerë sa një oqean, por nuk ia ka ëndja ta harrojmë! Nuk e do vetminë në asnjë çast. Derisa ta zë gjumi mahitet me infermieret dhe u rrëfen barcoleta.  Gjatë tërë ditës  me kukëza  vrapon nga  një shtrat te tjetri.  Me fjalë mundohet t’i mundë dhembjet e të sëmurëve. Më besoni,nuk ka bar në botë që shëron sa fjala e Lush Rebelit!  Me ne mjekët sillet  sikur të ishim fëmijë të tij. Shpesh  na qorton! Ngrit zërin! Ndonjëherë kur vonohemi, Lushi di edhe të hidhërohet!

Infermierja e zuri nga krahu Lushin kur u ngrit nga krevati, por Lushi nuk pranoi që infermierja ta mbante.

- Kësaj radhe do të ec  vet! Do të provoj  njëherë forcën time! Togerja e komandanti do të gëzohen kur të më shohim se unë ec pa më mbajtur njeri. Po ndihem mirë! Po kush nuk ndihet mirë me këso zogëzash lazdrane si jeni ju infermieret, more!- u mahit Lushi. Nuk dua ta lëndoj as zemrën e doktor Mirit, as të komandantit, as të togeres.Zemra të lënduara janë që të tretë, infermiere! Nuk dua që as fati as trupi im të lëndojë njeri! Tash çdo kush duhet të merret me vetëveten, me hallet e veta! Lufta i ka bërë të gjithë hallexhinj.  Ndërsa me mua...! Me mua do të merret...! Nënë Naza... do të merret?!

Para se të hyrte në ordinancë ku muhabeti ishte shtruar mirë, Lushi u ndal para derës. Pasi pushoi pak, me njërën kukzë trokiti në derë, ndërsa në tjetrën u mbajt dhe thirri me të madhe sa zëri jehoi në koridoret e klinikës.

- A ka zot kjo shtëpi, ore?!- thirri Lushi. Doktori dhe musafirët u ngritën në këmbë.

Prapa  Lushit vinte infermiere Vjollca , e cila nuk mundi t’i fshehte lotët. Edhe doktor Mirit iu përvodhën disa pikla , ndërsa togerja dhe komandanti mezi u përmbajtën.

Pasi u ul, Lushi pa lotët e doktorit dhe infermieres, por nuk reagoi. ”Lotët lajnë dhembjet....! Pastrojnë edhe shpirtin...! ”- mendoi Lushi. Një heshtje e papritur turbulloi jo vetëm muhabetin, por edhe gëzimin. Asnjëri nuk kishte forcë t’ia niste bisedës. Bisedat e atyre ditëve ishin me mallkime, dhembje, lot e ngashërime.  Nuk di pse, por të gjithë i druanin bisedës. Të gjithë njerëzit ishin nevrikë, të padurueshëm, prepotentë... Lushi do të ngacmohej, do të prekej...! Do t’i hapeshin plagë të reja...! Lushi e kuptoi mirë filozofinë e heshtjes! E kuptoi edhe filozofinë e dhembjes dhe lotëve dhe, pasi u mendua pak,  piu një hurp  kafeje, vendosi ta thente heshtjen:

-Më leht paska qenë të thyhet kufiri se heshtja juaj!- mendoi Lushi. Gjithnjë i pari hyja në beteja ...! Edhe në këtë luftë do të hyjë i pari...

- Hë! Ç’ke doktor? Ç’je ngrysur,burrë? Nuk jam mësuar të të shoh kështu të mërrolur! Qehre burrë! Mos t’u dhimbt aq shumë kafja...?! Vetë më thirrët, more! Po ty, togere ku të treti burrëria? A e di sa burrërisht qëndrove në bunker...? Hë! Komandant Gurrë, mos mendon se ligështimi të bën burrë,a? Sa të vrarë i ke parë...! Sa të maskruar i ke varrosur me dorën tënde...? Sa fronte të armikut ke thyer e tash ligështohesh?! Dhe... Këngën e pushkën e nisje i pari në çdo betejë...!

Ju ndoshta i frikësoheni ardhmërisë time? Ndoshta i frikësoheni edhe jetës time...! Por... Ju jap besën se do t’ia dal edhe në luftën e re me jetën!  Ju lutem qeshuni! Qeshu togere! Qeshu edhe ti motra infermiere! Qeshu doktor Miri! Qeshu komandant Gurrë! Qeshni! Flisni! Hiqni mërrolat nga fytyra... ose do të çmendem! Heshtja e lotët tuaj po më vrasin më rënd se mina e kufirit...!

Doktor Miri nxori një buzëqeshje të lehtë për ta shpërblyer optimizmin e Lushit, komandant Gurra nisi  barcoletat , ndërsa togerja dhe infermierja  kuvendonin midis veti, sigurisht për fatin e Lushit.

- Eh, këso atmosfere dua, doktor Miri!- tha Lushi me një buzëqeshje të ëmbël duke mos mundur ta fshehte disponimin! Kur njerëzit i shoh të buzëqeshur e të gëzuar të gjitha dhembjet përnjëherë më pushojnë, rinohem. Djalë i ri bëhem!- filloi bisedën  Lushi, pasi mundi zymtësinë e heshtjes. Por... Dua të them diç që me siguri nuk do ta pëlqejnë doktor Miri e infermiere Vjollca... Por nuk po mundem... As nuk po di si ta them... Ndoshta tash jam shëruar?! Varra m’u  është mbyllur... Dhe , ka ardhur koha...!- tha me një lloj skepse Lushi, ndërsa  bashkëbiseduesit nuk kuptonin ç’donte të thoshte e që nuk mund ta thoshte Lushi.

- Vetëm mos thuaj se do na ikësh!- ndërhyri infermierja.

- Gratë edhe zemrën edhe shpirtin ta lexojnë! Edhe letrën ta lexojnë në xhep!– tha Lushi . Me keqardhje ju them se dua të dal nga këtu. Nuk mundem më të mbetem  barrë e spitalit! Pastaj... Nënë Naza akoma nuk e di ku jam! Sigurisht që më kërkon, por nuk i shkon mëndja se gjendem në spital?! Diku në male, atje tek bëhej lufta , padyshim , që më kërkon?! Është plakë e mund të  pësojë diku e shkreta...! Shpirti i saj nuk mund të gjejë prehje pa më gjetur! Hë, doktor si thua? A është koha të ju lë rehat!?

Kur Lushi  përmendi emrin e Nënë Nazës shikimet midis komandant Gurrës dhe doktor Mirit u kryqëzuan dhe u thyen në sytë e njëri tjetrit. Fjalë të liga ishin dëgjuar nga Mëhalla e Xhehenemit se Nënë Nazën e kishin masakruar në luftë dhe e kishin ngarkuar në një kamion për të cilin nuk dihej kah kishte shkuar! Fjalët iu ngatërruan në grykë, ndërsa  nuk dinin si t’i përgjigjeshin Lushit. Togerja dhe infermierja u stepën , pastaj edhe u zverdhën. Të gjithë e dinin të vërtetën për fatin  e nënë Nazës nga thika e major Zhugës! I tërë kryeqyteti e dinte si kishte pësuar plaka e shkretë. Asnjëri nuk kishte fuqi ta thoshte të vërtetën. Prapë një heshtje varri pushtoi ordinancën e doktor Mirit. Ndërsa , heshtja e tyre Lushit i fliste... e brente...e gërryente si krimbi lisin... ”Diçka po fshehin nga unë...!-” mendoi Lushi. Këtë fshehje nuk ua kam borxh! ” Kuptoi se diç e papëlqyer i kishte ndodhur nënë Nazës, por të keqen nuk ia donte zemra. Nuk ia thoshte goja . Nuk ia donte shpirti.

- Pikërisht për të nxjerrë nga spitali kemi ardhur, Lush Rebeli!- theu heshtjen komandant Gurra. Ditë më të lumtur se sot  kurrë nuk kemi pasur. Edhe doktor Miri thotë se je shëruar. Pastaj... doktori thotë se këmbës sate do t’i ngjesim protezë! Thotë se do të ecësh si dikur! Madje... doktor Miri thotë se me këmbën artificiale do t’u ngjitesh përsëri maleve si dikur t’i vizitosh vendet  ku e bëre luftën ... Do të shkojmë edhe te gropa e  gurit të kufirit  që nguli anlezi Grejs , e cila qëndroi si fantazmë nëntëdhjetë  vjet, të  cilin e  nxore me gjithë rrënjët dhe e rrokullise në greminë. Ç’thua doktor Miri?-përfundoi komandanti.

- Lush Rebelit nuk mund t’ia prish qejfin...por disi jemi mësuar me te. Do  mërziten mjekët...infermieret...pastrueset...Edhe pacientët do të mërziten... Lushi plotësisht është shëruar, por nuk duhet të harrojë se kjo shtëpi është e tij...! Po të mos ishte Lushi as ne nuk do të ishim këtu! Zoti e di ku do të ishim tash të shpëndarë si vezët e qyqes nëpër shkretira apo metropole të botës...- u pajtua doktor Miri.

Togere Bubulina  e infermiere Vjollca hapën gojët të flisnin diç, por komandant Gurra

u shkeli syrin, duke u dhënë shenjë se çdo fjalë e tyre mund t’i shkaktojë emocione Lushit.

Lushi përnjëherë u ngrit në këmbë dhe pasi u mbështet mirë në kukëza tha:

-Pra, lamtumirë doktor Miri! Lamtumirë infermierja Vjollcë!- dhe doli në koridor. Hyri nëpër dhoma të të sëmurve dhe prej shtrati në shtrat u përshëndet me të gjithë të sëmurët. Lotë gëzimi kurrë Klinika e Kirurgjisë së kryeqytetit nuk kishte derdhur  sa në atë  pasdite  shtatori, kur Lushi doli nga spitali.

-Lumtumirë Lush Rebeli! Mirupafshim !- u dëgjuan shumë zëra nga dritaret e spitalit.