Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Pagjumësia e fjalëve

| E shtune, 02.10.2010, 07:58 PM |


Pagjumësia e fjalëve

 

Nga Baki Ymeri

 

Teksa shpërndahemi, vendtakim e kemi poezinë. Dëshira për t’u marrë me poezi është e hershme, aq sa ç’është i hershëm dhe njeriu, madje dhe ikja e tij në kërkim të vendeve të tjera, mbase në fund të fundit është kërkimi i poezisë së vetvetes, i thelbit, zbulim i së bukurës. Nëse përsëritet shpesh thënia e Dostojevkit se e bukura do ta shpëtojë botën, mua më pëlqen të shtoj se poezia është ajo që na shpëton ne nga kotësia dhe zvetënimi i gjërave dhe na jep emocionin e duhur, aftësinë për t’u mrekulluar, thekson Visar Zhiti në parathënien e antologjisë Pagjumësia e fjalëve, botim i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë. Ideja për botimin e antologjive të përbashkëta, me autorë shqiptarë dhe të huaj i përket Mardena Kelmendit nga Triesta. Në vargjet e tyre defilon bota e ndjeshmërisë, shpirti i kombit dhe forca e fjalës që mbisundon në shekuj. Nga pala shqiptare, në këtë vepër përfshihet Vezir Ukaj nga Dobraja e komunës së Lipjanit. Është mësues i gjuhës shqipe dhe ka studiuar  Letërsinë dhe gjuhën shqipe në Prishtinë. Si veprimtar i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, me Adem Demaçin në krye, ka qenë i dënuar politikisht dhe, për disa vjet. Dënimin e ka vuajtur në burgun më famëkeq të Serbisë, në Nish. Edhe pas vuajtjes së këtij dënimi, është arrestuar disa herë. Ka botuar tri përmbledhje me poezi dhe redakton revistën pedagogjike “Shkëndija”.

       Pason Sadik Krasniqi nga Llukari i Prishtinës. Ka kryer studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në kuadrin e Universitetit të të Kosovës në Prishtinë. Pas studimeve ka punuar si arsimtar i Gjuhës Shqipe në fshatin e lindjes, derisa ka emigruar me familjen në Gjermani, ku jeton dhe vepron. Me shkrime është marrë si student dhe krijimet e tij janë botuar pothuajse në të gjitha gazetat dhe revistat e kohës. Ka botuar poezi, tregime dhe vështrime kritike. Poezitë e tij janë të përfshira edhe në antologjitë Asht e gjak Arbërie (Doruntina, Hanover/Prishtinë, 2007), Pëshpëritjet e shpirtit dhe Pagjumësia e fjalëve (Bukuresht, 2010). Është laureat i çmimit të parë dhe të dytë në Konkursin letrar organizuar nga Universiteti Popullor Shqiptar (UPSH), në Gjenevë (2005), i nderuar edhe me çmimin letrar „Agim Ramadani” (2006). Bibliografi letrare: Ofshamë në urnë (Faik Konica, Prishtinë, 2008), Lacrima vie?ii/Loti i jetës (Bukuresht, 2010).

        Një poet tjetër nga Kosova i përfshirë në këtë vepër është Remzi Limani. U lind në Shalë të Drenicës, mbaroi shkollën e artit në Pejë dhe më pastaj u diplomua në Fakultetin e Arteve,  Dega e Dizajnit në Prishtinë. Në krijimet artistike, kryefjalë dhe kallëzues i ka artet e bukura me intensitet të ndryshëm. Përmes shprehjeve artistike në fushën e dizajnit, pikturës, poezisë, prozës, eseve, aforizmave, por edhe përmes kuptimeve për artin,  përkatësisht kritikës  për artet pamore dhe muzikës profesionale. Në të gjitha këto krijime ai ruan baraspeshën e arsyes dhe të ndjenjës, në atë mënyrë që arti të shtrihet gjerë e gjatë në rrafshin e vlerave kombëtare. Për merita në fushën e kulturës, të arteve figurative dhe aplikative, është nderuar me 11 shpërblime e mirënjohje vendore dhe ndërkombëtare. Ka botuar 7 vepra, ndër të cilat edhe vëlimin poetik bilingv “Tinguj të humbur “ (Bukuresht, 2010).

          Abdullah Konushevci është njëri nga poetët e Kosovës që përfshihet për herë të parë në spektrin e antologjive të hartuara nga autori i këtij shkrimi. Ka studiuar letërsinë krahasimtare në Universitetin e Zagrebit dhe ka bashkëvepruar mbi 20 vjet si gazetar në "Bota e Re" dhe "Rilindja".Pasqyrë dhe diell, Rënia e mollës, Qerrja e diellit, Loja e strucit, Të qenët të mosqenë, janë disa nga vëllimet e tij me pozi. Ka botuar tekste shkollare si dhe një monografi kushtuar legjendës aktuale të Kosovës, Adem Demaçit. Ka përkthyer disa vepra të rëndësishme nga gjuhët të huaja, ndërsa për  poezinë e tij kanë shkruar Ibrahim Rugova, Vehap Shita, Hysni Hoxha, Ali Aliu, Sabri Hamiti, Ramadan Musliu, Rushit Ramabaja, Emin Azemi, etj.  Pason Eduard M. Dilo nga New Yorku, i prezantuar kohë më parë me një vëlllim poetik Shpirt i trazuar (Bukuresht, 2010); nip i gjuhëtarit erudit Ilia Dilo Sheperi, pjestar i njërës nga familjet më të persekutuara në Shqipërinë e fortë ushtarakisht dhe të shpartalluar ekonomikisht të Enver Hoxhës. Nga pala shqiptare prezantohen me vargje në gjuhën rumune edhe Pal Sokoli, i lindur në Kosovë, me banim në Gjermani, dheElona Zhana, e lindur në Shqipëri dhe me banim në Belgjikë, për të cilët do të shkruajmë më shumë pas botimit të vëllimeve të tyre në Bukuresht, ndërsa nga pala rumune i kemi përfshirë këta autorë: Gheorghe Râmboiu-Bursucani, Nicolae Grigore M?r??anu, Viorela Codreanu Tiron,Constantin Gherghinoiu, Sterie Bucoval?, Vali  Ni?u, Florin Gochia, së bashku me një poet grek, Dimitris P. Kraniotis, dhe një poet nga Azerbajxhani, Elchin Isgenderzade. Autorët tanë dhe të huaj shkruajnë për ëndërra të përmbushura, për bukurinë që fshihet në kotarin e zemrës, për zërin e sirenave dhe lotin e jetës, për shpatin e dashurisë dhe lindjen e pavarësisë etj.