| E shtune, 02.10.2010, 07:41 PM |
MONOGRAFI QË I NËNSHTROHET FAKTEVE ME RËNDËSI HISTORIKE
(Mr. Nazmi Beqiri “Kroni i kreshtave tona” (Monografi), Kumanovë, 2010 faqe 137)
Nga Bilall Maliqi
Përveq botimeve të tjera që u shkruan nga penda e poetit dhe studiuesit të njohur, i cili vjen nga trojet e ndara të shqipes Ilirida, fjala është për mr. Nazmi Beqiri i cili deri më tani shkroi edhe katër vepra të gjinive të ndryshme letrare duke filluar me poezi, publicistikë, studime etj., së fundi zoti Beqiri para lexuesve shpalosi panoramën monografike të fshatit të tij të lindjes të titulluar “Kroni i kreshtave tona”, botuar nga Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” të Kumanovës.
Në këtë Monografi autori ka paraqitur fakte dhe ngjarje me rëndësi për katundin e tij duke u përqëndruar në shenime të plota të ngjarjeve dhe zhvillimeve historike të këtij vendi legjendar duke filluar nga zanafilla e emrit të fshatit , toponimet, rrëfimet, dëshmorët ,luftëtarët e kësaj ane, të gjithë këta të përmbledhura në këtë libër me karakter monografik.
Kroni nëpër kohë
Zoti Beqiri në brendi të këtij libri ka bërë një ecejakje të fshatit të tij nëpër kohë duke prezantuar kështu denjësisht para lexuesve në letër këtë fshat të vogël malor i cili kaloi nëpër shumë sfida e që autori në mënyrë profesionale i renditi këto të dhëna nga më të ndryshmet dhe i futi brenda kopertinave të këtij botimi të veqantë të autorit .
Që në hyrje të librit autori flet për toponominë e fshatit, për të kaluar pastaj edhe në emrat e krojeve, të vendeve me një gjuhë të rrjedhshme dhe të kuptueshme.
Monografia në fjalë i nënshtrohet fakteve me rëndësi historike që kanë ndodhur nëpër kohë dhe përbëhet nga një laryshi temash e titujsh të cilat e bëjnë këtë monografi me vlerë të qëndrueshme artistike.
Në lexim e sipër të librit lexuesi ndeshet me tema të thukta të cilat duhet t’i ket çdo shkrim me karakter monografik me qëllim të arritjes së kushtit të kriterit të botueshëm. Pra nga kjo vijë e prezantimit të fshatit paraqitet jeta e njëpasnjëshme e gjeneratave të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në këtë skaj të relievit tonë të coptuar me shekuj. Autori në këtë monografi ka stenduar trashëgiminë e ruajtur nga shumë breza me një kolorit ngjarjesh me rëndësi jetike dhe historike, duke u mbështetur në burime dhe dokumente arkivore, si dhe dëshmitë faktografike të ruajtura në kujtesën e bashkëfshatarëve prej gjeneratës në gjeneratë.
Gjeneza
Në vazhdim të shtjellimit të librit autori kalon në gjenezën e fshatit duke shtjelluar në mënyrë të përgjithsuar prejardhjen e banorëve të Kronit, kështuqë autori bie në kundërshtim me të dhënat e makinerisë serbe se ky fshat e ka prejardhjen nga Opoja. Pra kjo është një dëshmi shtesë se historianët serbë kanë pasur prapavijë sa i përket të dhënave të tyre. Kjo dukuri nuk paraqitet vetëm për katundin Kroni, por edhe për gjithë gjithë Karadakun , madje edhe Pollog dhe Pellagoni. Sipas autorit prejardhja apo gjeneza e Kronit është se kanë dalur nga qyteti Zallishta (Sot Kumanova) dhe krijuan katundin e ri. Në lexim e sipër të librit autori kalon në kapitullin tjetër me titull “shtimi i familjes dhe krijimi i vendbanimeve të reja”, pastaj edhe në tituj të tjerë me rëndësi siqë janë:”Brezat e bashjanëve”, “Memet Izvori dhe Lidhja e Prizrenit”, “Jeta dhe bëmat e Danit”, “Veliu dhe gjestet e tij komike”,” Pasardhësit e Memet Izvorit” dhe “Beqa i sfidave të ndryshme kohore”.
Kroni gjatë luftrave
Këtë Monografi e shoqëron edhe shkrimi për Kronin gjatë luftrave si: Kroni në luftrat ballkanike (1912-1913), Kroni gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe Kroni pas Luftës së Dytë Botërore, ku autori paraqet ngjarje historike me rëndësi për këtë pjesë. Pra ky fshat në organizimet e luftës për çlirim nga Turqia ishte qendër e organizimeve për kryengritje kundër Turqisë nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, Isë Boletinit dhe Idriz Seferit, në Kroni ishte mbajtur tubimi ku ishte caktuar komandanti nga ky vend Kadri Hasani. Kjo mbledhje ishte mbajtur më 24 korrik 1912.
Kronin e shoqëruan të gjitha luftërat, por edhe lufta e fundit e organizuar nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare më 2001 dhe nga ky fshat morën pjesë këta luftëtarë dhe patriotë:Agim Hasani, Imri Fazliu, Fejzi Fazliu, Shaban Fazliu, Xhelal Murati, Besnik Murati, Isak Ramadani, Dilaver Ramadani, Ajet Murati, Fadil Abazi, Ridvan Asani, Hamzi Ramadani, Bajram Bajrami, Sadulla Murati, Emërzad Limani, Sabedin Ademi, Qamile Beqiri, Haki Beqiri, Idriz Beqiri, Osman Beqiri, Fatmir Beqiri, Ulusi Beqiri. Nazmi Beqiri (Autori i Monografisë) etj., të cilët ndërruan për shumë shkallë historinë e shqiptarëve në përgjithësi ashtu si e ndërroi UÇK-ja në Kosovë dhe UÇPMB-ja në Kosovë Lindore.
Në mënyrë tabelare autori i paraqet në vazhdim familjet e tjera të Kronit në formë gjenealogjie, pastaj paraqet edhe numrin e shtëpive, ku në vitin 1924 Kroni kishte atëbotë vetëm 20 shtëpi, mandej klima, flora dhe fauna, ndarja e kohës, bestytnitë, dasmat në katundin e Kronit, vdekja, legjendat dhe tregimet e veçanta në fshat, bujaria dhe mikpritja e Kronit etj., etj., këto të dhëna e bëjnë edhe më interesant librin dhe më të afërt për lexim sepse lexuesi nuk ndjen monotoni gjatë leximit…
Monografia në fjalë shoqërohet me foto të ndryshme, dorëshkrime të vjetra dhe me literaturën e konsultuar.
Nxjerrja në dritë e kësaj Monografie ka rëndësi të veqantë sepse aty paraqitet në mënyrë të thuktë Kroni që nga zanafilla duke vazhduar kështu edhe me toponimet, emrat e krojeve, emrat e vendeve, ku deri më tani për popullatën e kësaj ane dhe më gjërë kanë qenë enigmë e që me ndihmën e këtij libri u shpalos ky fshat i vogël malor. Poashtu ky libër do të mbetet udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme të cilët duan të merren me këtë lëmi, pse jo edhe për ndonjë studim eventual. Libri në fjalë përpos vlerave të arrira që ka i plotëson kriteret e librit si në aspektin teknik dhe ate grafik…