| E premte, 01.10.2010, 09:21 PM |
Sejdi BERISHA:
KJO QERRE E KALBUR RRUGËVE
1.
Shkronjat e humbura m’i kërkon
Kjo letër
Që në dorë më ka mbetur
Këngën e ndrydhur
Fjalën e lotit
Ma kërkon
Nëpër rrudhat e kohës
Shikimin e tretur
Gjethin e vjeshtës
2.
Ec e mblidhi të gjitha
Në këtë letër
Kur bota më është humbur
Dita
As në ag as në terr
Jeta
Kjo qerre e kalbur rrugëve
Me tundë sa andej sa këndej
Unë vetëm këndoj
Brenda vetvetes
Kurse zjarri i zemrës
Ngadalë më djegë
Ama shumë ngadalë
Si qiriu me dritën e harxhuar
3.
Prekeni letrën time të lagur
Se lumi po rrëfen për dhembjen
E klithma e natës
Është pa gjurmë
Por rrugëve
Me lehje qeni ua ka mësuar melodinë
4.
Sa më ngazëllen kalliri i grurit
Për verën e mbarë
Sa më tremb
Tharmi i ankthit tim
5.
Kur vjen pranvera
Vargjet m’i kthen dikush
Atëherë kur më ikën letra
Çfarë pabesie është kjo
Edhe atëherë
Kur lulet qelin mbi gur
6.
Aromë është jeta
Krejt e pa definuar
Por mos e mallkoni
Këtë rrëqethje time
7.
Eh
Kjo qerre e kalbur rrugëve
Tharm i dhembjes