Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Naim Dalipi: Pasqyrimi i masakrës ndaj popullsisë çame në krijimtarinë gojore të popullit

| E enjte, 30.09.2010, 09:59 PM |


PASQYRIMI I MASAKRËS NDAJ POPULLSISË ÇAME

NË KRIJIMTARINË GOJORE TË POPULLIT

 

-Kumtesë e mbajtur në sesionin shkencor në Tiranë, më 27 Qershor 1991.

 

Shkruar nga: Naim DALIPI

 

Shekulli i XX-të trokiti mbi siujdhesën e Ballkanit në agimin e vet të mbaruar me revolta, kryengritje dhe luftëra të përgjakshme për pavarësi dhe çlirim kombëtar duke paralajmëruar shpërbërjen e dy perandorive më të kalbura të kohës, atë të  Hasburgëve Austro – Hungareze dhe të sëmurin e Bosforit, Perandorinë Osmane .

Dhënia shpirt e këtyre kufomave jepte shpresa për kombet e shtypura dhe ngjallte dëshirën për një rilindje qytetëruese të këtij gadishulli aq shumë të sfilitur nga përpjekjet për emancipim politik e shoqëror .

Një ndër popujt më të vjetër të Ballkanit, ai shqiptar i cili përballoi sakrifica të panumërta dhe derdhi gjak në shekuj për këtë kontribut final u gjend papritmas në anatemën e të qenit ose të mos qenit të vet nga lakmitë e fqinjëve shovinistë grek dhe serb.

Që në orët e para të pavarësisë së tij jetoi dramën makabre të shkëputjes  së gjymtyrëve të veta në formën më drastike duke ushqyer lakmitë shoviniste të fqinjëve të vet. Ai jetoj masakrën më demoniake  që mund të ketë provuar në historinë e vet ndonjë popull. Duke mos pasur mbështetjen e asnjë fqinje , ndërsa përkundrazi urrejtjen , cinizmin dhe falsitetin më të larmishëm të kancelarive evropiane u gjend i vetëm dhe i paaftë për t’u  orientuar dhe për të mbrojtur tërësinë e vet tokësore, duke lënë jashtë trungut ëmë dy të tretat e popullsisë dhe tokave të tij amtare .

Evropa e mbarsur me paragjykime, dashakeqëse ndaj popullit shqiptar e sakatoi dhe e përçundoi këtë komb të qytetëruar pa përfillur asnjë aspiratë dhe asnjë nocion demokratik duke përligjur padrejtësisht dhe në mënyrë mospërfillëse të drejtat më elementare të një populli dinjitoz , aq të lashtë fisnik dhe aq patriot i cili jetonte në zemër të Evropës që në zanafillën e saj.

Prirjet nacionale , simpatitë politike dhe interesat e çastit e bënë aq të padrejtë Evropën plakë sa që të përligjë një akt aq monstruoz sa ai i vendosjes së kufijve të vitit 1913 që la jashtë trungut shqiptar territore të tëra në Mal të Zi, Kosovën dhe Çamërinë krejtësisht shqiptare.

Ky akt dhune ka gjetur pasqyrim edhe në krijimtarinë gojore popullore që me gjykim të drejtë shpalos faqen më tragjike të historisë së këtij populli të martirizuar nga shovinizmi i egër grek dhe politika e megalidhës .

Kosovës dhe Çamërisë martire ky shekull i ka borxhe të pafalshme . Dhëntë Zoti që në vitet e fundit të tij i riparoftë ato faje !

Qëndresa për pavarësi , shpërthen në betejat e Bezhanit në vitin 1913 duke u gjendur i vetëm përballë dy armiqve shumë të egër , ushtrisë turke dhe asaj greke. Në përleshjet e përgjakshme deri edhe trup me trup luftëtarët trima çam të ndodhur mes dy zjarresh  treguan akte heroizmi dhe vetëmohimi të pashoq sa  që anonimi popullor i përshkruan në vargjet e mëposhtme me këto fjalë:

 

Bezhane e zeza Bezhane

Na i grive djeltë si duhane

Në Sakaqe në Janinë

Djeltë e nënave çu grinë

 

Këtu filloj masakra çame që për tre dekada do të villte vetëm gjak, tmerr dhe shfarosje në masë . Këtu filloi apoteoza ogurzezë e kësaj krahine dhe këtij populli martir që padrejtësisht ky shekull i dha verdiktin e vdekjes .

Kjo farsë e ngjizur në llumin e tradhtisë edhe nga ndonjë shqiptar renegat përshkruhet :

 

Janinë të raftë zjarri

Del se të kërkon Junani

Fal’ e  pati kumandari

Kumandari me valinë

Vet e prishën Shqipërinë

Shqipërinë e prishen vetë

Muarr lirat me surret

Mbushen xhepat e qeset

 

Këtu u përligj drama dhe tragjedia që do të pasonte për stërnipërit e Piros, Gjin Bue Shpatës , Pjetër Losh Mazarakës, Marko Boçarit, Hasan Caparit, Abedin Dinos , Hoxha Tahsinit , Elena Gjika e dhjetëra ithtarëve të tjerë, përfaqësues të denjë të këtij populli kreshnik të martirizuar .

Edhe këtu u shpalos flamuri i tradhtisë zyrtare , edhe këtu u gjenden dështak që në dejet e tyre lëvrinte gjaku i tradhtisë që populli me aq urrejtje i damkosë me vargjet:

 

Esat Pashë gjeq  belanë

Ti që na shite vatan

Me Hasan Pashë Mesarën

Na humbe muhareben

 

Akti zyrtar i gjenocidit ultrareaksionar të shovinizmit grek është maskra e Paramithisë e Marsit 1913 , që vrau, theri dhe masakroi 72 burra të krahinës në përruan e Selanit. Ky akt dhune, nga më të rrallët e sojit të vet i kryer në mënyrë solemne nga kapiteni i  asfalisë greke Deli Janaqi përshkruhet me dhimbje nga populli në vargjet e mëposhtme :

 

Dhespoti përpara – Epiti në brinjë

E ka pas Varnuli – në mitropoli

Del Deli Janaqi – del derë më derë

Shtatëdhjetë veta në Selan ç’ i therë

 

Dhe në një tjetër  vargëzim shprehet:

 

An’ e mbanë zure moj Paramithi

Pse s’u përvëlove e zeza Çamëri

Po i le e humbën shtatëdhjetë e di

Ca Deli Janaqi në Paramithi

 

Ky oficer ogurzi që mbolli vdekjen më të ashpër si organizator dhe drejtues i masakrës është damkosur me vulën e urrejtjes dhe turpit :

 

Seç u hap një lajm i zi

Në të tërë Çamëri

Deli Janaqi stihi ,

Mbolli vaj e mbolli zi...

 

Kjo masakër në stil Bizantin ishte prologu i një masakre që ky popull do ta jetonte në kurrizin e vet për 32 vjetët e ardhshëm dhe gjeti një shtrirje në gjithë territorin e Çamërisë ku pati për autor të zellshëm edhe figura të tjera që eposi popullor i ka damkosur në vargje :

 

Erdhën në Arpicë e lajmin na dhanë

Larot e Dhjonisit goditën Momonë

Na i morën dhëntë , i morën dogran...

 

Dhionis Xhima një tjetër oficer i asfalisë greke operoi në stil të gjerë në zonën e Pargër e Margëlliçit masakrën , përdhunimet, grabitjet dhe vrasjet .

Aksioni i armëve , një farsë e stërholluar e polikarëve grek gjeti një shtrirje mashtruese që përçudnoi në mënyrë barbare qindra çamë :

 

Dhionisi ki shpirt zi

Xirrte dhëmbët si stihi

Vuri burrat në grami

Shpejt e shpejt seç i zveshi

Me tërkuza i lidhi

Dhe i vari lartë në rrap

Kokën poshtë e këmbët lartë

Dhe ka poshtë u çeli flakë

Kërciste kapshiku i zi

Kërkonej dufeq i ri...

 

Në Globoçar Nazif Rexhon e arrestuan nën akuzën se kish sjellë nga Shqipëria 20 mijë armë për gjoja një kryengritje në Çamëri dhe i zhgënjeu në gjyq me argumentin: se përse më duheshin aq shumë kur as pesë mijë njerëz nuk ishin të aftë për një gjë të tillë në gjithë Çamërinë .

Në Arpicë vet astonomia nxiste dhe shiste nën dorë armë të Çamit mysliman dhe pastaj shkonte i arrestonte , ja se përshkruhet një rast i tillë :

 

Kush ti do një dufeq të ri

Të vej në astinomi

Të jap pesë flori

 

Kështu e njëjta armë është shitur mbi tridhjetë herë në të njëjtin fshat dhe terrori është legalizuar pa vështirësi .

Martirizimi i popullit çamë arriti kulmin në Mars 1917, aq sa 100 familje ortodokse shqiptare , natyrisht u çuan në këmbë , prenë komunikimin me Janinën dhe ndaluan çdo marrëdhënie me qeverinë  duke u vetëshpallur indipedent gjë kjo që zgjati deri në Gusht të atij viti :

 

Klaj o Çamëri , e klaj me lot

Fshatrat e shkreta

I qëllon me top

Po nga istikamet

Nuk i largon dot

 

Në kohën e sinomasisë në dyqanin e Meço Dalipit në Mininë u gjend në arkën e kripës një letër e vënë nga asfalia e cila po vet e ri zbuloi  ku jepeshin njoftime për fshehjen e disa dhjetëra , qindra arkave me armë në një përrua dhe i “zbuluan” , u arrestuan disa qindra çamë të cilët të lidhur u çuan në Paramithi e mandej në  Janinë ku gjatë hetimeve në forma nga më çnjerëzoret në mungesë të fakteve doli falsiteti i kurdisur nga ushtarakët për t’iu shmangur frontit Greko – Turk dhe u detyruan t’i  lirojnë Çamët:

 

S’ ka hudut për Shqipërinë

Ini kardhash me Turqinë

Tri herë greku i internoi

Haps në Janinë i dërgoi

I  hojn ka leshrat xarrë

“Palo arvanit” i thanë

Se  ti pënon propagandë

Thua “jemi shqiptarë”

 

Burgimet , internimet dhe vrasjet mbas shpine u bënë të përditshme dhe u vunë në sistem zyrtar :

 

Në shtatëmbëdhjetë të prin e të vranë

Jeshe shqipëtar andaj ti s’ tu ndanë

Kokën ta prenë në Pazar të vranë

Në Filat erdhën dhe suall xhevapn

Vranë Mete Duçen , atë kapedan...

 

Në Mars të vitit 1922 , një valë tjetër ogurzezë pllakosi Çamërinë. Monarkia Greke për të justifikuar situatën e rëndë tëkrijuar po prej saj në luftën aventureske kundër  Turqisë që sa dështoi me turp, duke mos përfillur të drejtat më elementare të së drejtës ndërkombëtare dhe çdo parim njerëzor vendosi që bashkë me pakicat turke, të bënte edhe shpërnguljen (Anadollinë) e gjithë shqiptarëve myslimanë çamë duke i cilësuar si “turqë” kundër kësaj padrejtësie u ngritën në radhë të parë me vendosmëri shqiptarët e Çamërisë. Indinjata që shkatoi ky veprim i ndërmarrë me forcë gjen shprehjen e revoltës së saj në qindra këngë që populli dënon këtë akt dhune  shkombëtarizues .

Marsi më njëzet e di

Detit vjen një epitropi

Të na bëjë andallai

Me daulle e sfungji

Mbledhin fshatra e pleqësi

..........................................

Ne s’ duam andallai...

S’kemi punë me Turqi

Me armë do vritemi

Me kordha do pritemi

...................................

 

Rezistenca popullore përballoj forma nga më të stërholluara që autoritetet greke përdorën për zhvendosjen e elementit shqiptar nga Çamëria dhe me gjithë forcën e përdorur ky aksion në rrafsh shtetëror nuk gjeti zbatim të plotë përballë vendosmërisë patriotike të masave të revoltuara, ja si përshkruhet më poshtë :

 

O të zest shqipëtarë

U erth vahti për të klarë

Erth Turqia qi tu marrë

-Arnaut a Junan je

Do bëhi muhadele

-Arnaut a elino

Do shisni vend apo jo

Çamët tu ngren më këmbë

Një fjalë thanë të tërë

-Sa ita dhe podhe do vëmë

Vendin Junanit s’ia lëmë

Vendin tënë do të mbajmë

Se ne jemi shqipëtarë

 

“Andallara” është një kapitull që do të donte një studim të veçantë sepse është një shpërthim revolte në krijimtarinë gojore popullore , është akt-akuza që populli i bën politikës shoviniste që me forcë zbrazi fshatra të tëra  të krahinës së Çamërisë si : Patrovico , Dragomia , Gordhiqi, etj. dhe detyroi të depërtohen në mëshirën e fatit , në skamje dhe mjerim, por është një sfidë që evidentohet me cinizëm në këngët popullore që disa vapore të ankoruara në bregdetin Jon për muaj të tërë u kthyen bosh përballë vendosmërisë dhe kundërshtimit të forcave popullore patriotike që nuk lejuan shpërnguljen në masë.

Shumë nga ata që të detyruar me forcë morën udhën e mërgimit , ndjen shpejt pasojat e rënda të këtij eksodi të imponuar me forcë dhe u rikthyen në Shqipër ose në Çamëri në rrugë nga më të ndryshmet dhe plot rreziqe duke përballuar pasoja të rënda , ja si stigmatizon në vargje këtë dukuri populli :

 

Vin posta di e di

Kush vjen në post të parë

Çuman Saliu me Serjan

Ç’e bëtë Zenel Islamn

Mbeti me Çelo Çafan

........................................

Sarandë e zeza Sarandë

Del të shoç cilët janë

Çuman Saliu me Serjan

Këmbë të ka dru i kanë

Ikën e lanë vatan

Pas kanë Xhelon

E Zejnel Islamin

 

Zëri i protestës së Çamëve u ngrit kudo dhe atë kohë e mbështeti edhe parlamenti pluralist shqiptar që nëpërmjet Fan Nolit ngriti në lidhjen e kombeve këtë tragjedi që po përjashtonin Çamët , nëpërmjet memorandumeve dhe notave të protestës u sensibilizua opinioni ndërkombëtar dhe u bë e mundur të ndalohet zhvendosja masive e Çamëve nga vatrat e tyre stërgjyshore .

Por qeverisë Greke e ndërgjegjshme në politikën e saj shkombëtarizuese ndërmori të tjera akte dhune dhe terrori ndaj çamëve , ajo nxiti politikën përçarëse ndërmjet shqiptarëve ortodoks duke i quajtur grekë dhe atyre myslimanë të quajtur turq .

Një valë tjetër reprezaljesh ishin ndërmarrje e shpronësimit të tokave familjare myslimane , të cilat krijuan valë protestash dhe peticionesh siç janë ato të fshatarëve të Gordhiqit e Grogemis më 1929-1931 , dërguar lidhjes së kombeve në Gjenevë .

Ja si e përshkruan kënga popullore këtë akt :

 

Një meshferet bin Agjia

Na  u mblodh  epitropin

Janj Duka me Papa Kozman

Në Athinë u nisn e vanë

Mish me makarona hajn

Ha Papa Kozma të ham

Se do i marrim Arpicës mall

Që në lum e në këtë anë...

Aj lopa Kozmath i Agjisë

Kërkon ullit e Oksinisë

Në sinuar të Gurisë

 

Diktatura e egër ushtarake e Metaksait erdhi si një vargua  i trefishuar për çamët , vrasjet , internimet dhe burgimet ishin të pranishme në çdo familje çame .

 

Të xhuman në sabah

Ca Agjot si fukara

Me dufeqe dhe me thika

Me dufeqe me sfungji

Bën merahmet moj perëndi

Për këto gratë edhe sabik

Baballarët eksori

Eksori kush i mblodhi

Kollo Koda edhe Loli

Me në krie astonomi

 

Ndërsa ajo që veniti jetën e Çamëve ishte lufta Italo-Greke, ajo erdhi si një hije ogurzezë që paralajmëronte një gjëmë, një kujë, një tmerr, një shpërbërje që hodhi në flakët e mortjes mijëra djem e vajza , fëmijë , pleq e plaka që kalojnë shifrën e 5 mijë viktimave nga 1940 deri më 1945.

Para se të hapej lufta Italo – Greke mijëra çamë që nga 14-vjeçe e lartë u internuan në ishujt e Egjeut: Hio, Midilini, Kretë e gjetkë dhe qindra e qindra prej tyre nuk u kthye pa lanë eshtrat në eksori pa identifikim .

Ja si përshkruhet kjo dramë:

 

Çamëri mori e mjerë

Ç’ fat i zi dhe këtë herë

Shkuan burrat eksori

Që më di sahati dhjetë

Mbill portat e mbill diert

Si e kemi shkuar siklenë?

Shtatë furka në një derë

Kur hapej e bënej drita

Na ikën një çikë frika

 

Dhe luftën Italo – Greke e perifrazon në vargjet :

 

Viti nëndqind e dizet

Tetori njëzet e tetë

Ditë e hënë ditë e shkretë

U hap lufta në kufi

Italia me Greqi

Vunë zjarr në Çamëri

Çamëri moj Çamëri

Të zuri belaja ti

 

Dhe më poshtë :

 

Kjo luftë e dizetës

Seç u bë për ti

Klaj me lot oj Çamëri

Seç u ngre ki Greku

Dhe të bëri hi

Ca në internime

Dhe ca në ushtri

Pënojnë angari

Seç na mbenë gratë

Me foshnja në gji

 

Pushtimi fashist Italian dhe ai Gjerman mbolli terror dhe vdekje në Çamëri , por ai nuk gjeti  mbështetje tek populli çam , gjë të cilën e stimulonin autoritetet kuislinge Greke gjatë pushtimit dhe krijonin incidente ndërmjet ortodoksëve e myslimanëve çam, asnjëherë nuk u bënë pre e këtyre provokacioneve , por përkundrazi u gjet një mbështetje tek njeri tjetri  si përball pushtuesit edhe administratës kuislinge greke, por pabesia greke si gjithnjë gjeti mënyra për të krijuar incidente dhe për të justifikuar planet e saj djallëzore , ajo nxiti terrorin e zi, vrasjet mbrapa shpine , grabitjet, vjedhjet e të tjera fakte që çuan në fund tragjik për Çamët dhe Çamërinë, në masakrën më ogurzezë të Paramithisë e cila në dhjetëra këngë përshkruhet me dhimbje të madhe :

 

Huxhum buri Zerva në Paramithi

Klaj me lot moj Çamëri

Fshatrat i dogji i bëri shkrumb e hi

Foshnja , gra e pleq i shkoj në sfungji

 

Dhe në një këngë tjetër vajtohet :

 

E shkreta Paramithi

Të lik e more haber

Ditë e zezë erdhi për ti

Katërqint e ca tu therë

 

Barbarizmat greke nuk mund të gjejnë shëmbëlltyrë që të krahasohen . Ato janë të rralla për nga soji i tyre :

 

Ç’ bënë Edhësit në vent tënë

Në botë nuk ishte bërë

Vranë Çamërinë të tërë

Prenë  flishtat për ohnaza

U derdh mbi gra e vajza

Bënë Edhësit si deshën

Shkulën dhe vathët ka veshët

Burravet u vunë plumbnë

Dhe ca i dogjën në furrë

Ca me thika na i therë

Çamëri o moj e mjerë

Të dogjën e të bënë hi

S’ harrohet ajo kërdi

 

Pushtimi grek 32-vjeçar i kushtoi Çamërisë shpërbërjen më të egër , mbi 20 mijë viktima të masakruara në mënyrë barbare, dhjetëra mijë të burgosur dhe të internuar dhe zhvendosjes me forcë nga vatrat e tyre stërgjyshore te të gjithë çamëve myslimanë .

Ky ishte fati tragjik i këtij populli patriot që sot ka pushtuar të pesë kontinentet e hemisferës tonë dhe që pret me ankth të ndreqën ndonjë ditë padrejtësitë duke ëndërruar me shpresë se do rikthehet në vatrën e tij amtare në Çamëri .

 

*****

Sqarim:

Këtë material në dorëshkrim ia kishte dhuruar për kujtim autori Naim Dalipi, gazetarit gjilanas Gani Korçës .

Gani Korça duke e ditur se bartësi i këtij shkrimi (D. K.) është mbledhës besnik , koleksionist  dhe kultivues i folklorit burimor shqiptar , ia dhuroi për kujtim e respekt për punë të mëtejshme studimore.

Poseduesi i origjinalit të këtij shkrimi, mori për sipër që këtë studim – kumtesë të mos e mbaj vetëm në arkivin e tij, por e përgatiti për publikim në mënyrë që këtë kontribut ta lexojnë dhe ta kenë në disponim edhe të gjithë lexuesit e “Zemrës Shqiptare”!

Përshkrimi i kësaj kumtese – studimi është bërë pa asnjë ndërhyrje qoftë gramatikore, qoftë edhe tek shenjat e pikësimit, me qëllim që të ruhet në mënyrë besnike origjinaliteti i autorit Naim Dalipi.

 

Gjilan, më 30 Shtator 2010.                   

Për lexuesit e “Zemrës Shqiptare” e përgatiten:

Gani KORÇA dhe Demir KRASNIQI