| E enjte, 30.09.2010, 07:21 PM |
Nga Oliverta Lila
Komiteti Kombëtar i Trashëgimisë Shpirtërore i ka dhënë statusin e kryeveprave shpirtërore isopolifonisë, shpallur njëkohësisht trashëgimi shpirtërore e UNESCO-s, Eposit të Kreshnikëve, ahengut shkodran, dialektit verior dhe jugor, këngës qytetare të Shqipërisë së Mesme, mjeshtërisë së të bërit instrumente. Tashmë këto kryevepra mbrohen me ligj dhe do hartohen projekte për ruajtjen e tyre
Listës së vlerave kulturore që mbrohen me ligj i janë shtuar edhe shtatë kryevepra të trashëgimisë shpirtërore. Komiteti Kombëtar i Trashëgimisë Shpirtërore, në mbledhjen e organizuar dje ka vendosur mbi listën përfundimtare. Ndër dukuritë e veçanta të trashëgimisë shpirtërore që specialistët kanë menduar se duhet të marrin statusin e kryeveprave janë isopolifonia, shpallur njëkohësisht trashëgimi shpirtërore e UNESCO-s, Eposi i Kreshnikëve(propozuar gjithashtu nga studiuesit të vihet nën mbrojtjen e UNESCO-s), ahengu shkodran, dialekti verior dhe jugor, kënga qytetare e qyteteve të Shqipërisë së Mesme, mjeshtëria e të bërit instrumente. Komiteti Kombëtar i Trashëgimisë Shpirtërore, në krye të të cilit qëndron ministri Ferdinand Xhaferaj, ka në përbërje specialistë të njohur në fushat përkatëse: etnologen Afërdita Onuzi, koreografin “Mjeshtër i Madh” Skënder Selimin, Ols Lafe si drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në MTKRS, muzikologun dhe akademikun Vasil Tole, muzikologun Klodian Qafoku, Esat Rukën, drejtor i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike dhe Eni Juca, sekretare e Komisionit Shtetëror të UNESCO-s pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në pragun e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore (29 shtator) dhe të Ditëve të Trashëgimisë Europiane (29 shtator-3 tetor), shpallja e kryeveprave të trashëgimisë shpirtërore do të pasohet nga të tjera aktivitete që do të organizojë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ndërkohë, sipas ligjit të miratuar në vitin 2003, kryeveprat e saposhpallura të trashëgimisë shpirtërore mbrohen me ligj dhe hartohen politika që ndihmojnë ruajtjen e tyre. Herë pas here specialistët e fushës kanë theksuar se disa prej këtyre dukurive rrezikojnë të zhduken si pasojë e zhvillimeve dhe rrethanave shoqërore të ditëve të sotme. Pikërisht për këtë arsye, ministri Ferdinand Xhaferaj së bashku me anëtarët e Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Shpirtërore do të mbajnë sot, ora 13.00 një konferencë për shtyp ku do të flitet për kryeveprat shpirtërore e njëkohësisht do të bëhet i ditur edhe kalendari i aktiviteteve që do të mbahen për ditët e trashëgimisë. Gjatë konferencës do të bëhet e ditur përfshirja e Shqipërisë me të drejta të plota si anëtare e Komitetit Ndërqeveritar të Konventës së Trashëgimisë Shpirtërore. Këtë pjesëmarrje vendi ynë e garantoi përmes miratimit të ligjit në vitin 2003 duke krijuar edhe KKTSH-në, organ kombëtar përgjegjës për strategjinë, politikat e zhvillimit dhe për mbështetjen financiare për këtë trashëgimi. Ministri Xhaferaj do t’u bëjë ftesë subjekteve të aplikojnë për projekte për ruajtjen e kryeveprave të trashëgimisë shpirtërore. Gjirokastra, një qytet simbol për trashëgiminë kulturore në vendin tonë, por pjesë edhe e trashëgimisë botërore do të bëhet edhe qendra e organizimit të Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Europiane nga datat 1 deri më 3 tetor. Projekti është një aktivitet që zhvillohet nga të gjitha vendet e Europës, përgjithësisht në muajin shtator nën patronazhin e Këshillit të Europës duke synuar ruajtjen, promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për potencialet reale që përbën dhe paraqet kjo trashëgimi. Sipas njoftimit të MTKRS-së, aktivitet që do të realizohen në Gjirokastër do të synojnë të paraqesin vlerat e trashëgimisë kombëtare si pjesë e trashëgimisë së madhe europiane.