| E marte, 28.09.2010, 08:36 PM |
Vehbi Klaiqi
Blini plak
Pa mëshirshëm na ndau jeta
Blinushi im
Ti mbete vetëm
Unë ika në perëndim
Përveç foleve
Rrënjët tua ruajnë shumë fshehtësi
Kulla besnike
Nga kurora jote
Nuk do të hapet kurrë
Që fshehtësitë të mbeten fshehtësi
Vetëm për mua dhe ty
Unë ika nga Atdheu
Ti mbete në vetmi
Blinushi im
Shumë furtuna kaluan mbi ty
Vringëllima armësh
Krenari të rreme të armiqve
E çka nuk përjetove o i miri im
Ika nga ky pejsazh hyjnor
Me frikën se s’do të shoh më
O bukurosh
Të gjeta
Prapë të takova
Miku im
Ndërsa gjyshi me qelibarin
Kishin vajtur në amshim
Nën lëkurën e blertë
Ruaj kujtimet e mia
Ndërsa
Gjakun ta dhuroi
Që të rrjedh gjatë
Damarëve tu të përjetësisë
Korrik/2010
Poezisë
Në prehrin tënd
Edhe dhembjet pushojnë
Mbretëresha ime
E vetmja ti ëndrrat mi kupton
Askush s’mund t’më shëroi
Nga dashuria për ty
Virgjëresha ime
Kënga mund të mos jehoi
Oqeani të shterroi
Hëna t’mos ndriçoi
Por dashuria për ty
S’mund t’pushoi
Kjo natë ekstazë
Plot ëndrra
Ëndrra
Për
Poezi dhe dashuri
E kot çdo përpjekje
Për të bind ty
Besoj se këtë e kupton
Nga
Sytë e mi
Korrik/2010
Kroi im
Sa buzëve etjen ua shove
Dashurinë sa vashave ua more
Plagët sa trimave ua shërova
Ngjyrat e ylberit
Që te ti ujë pinë
Gjerdan rreth qafe të rrinë
A e mban mend
Stërgjyshin me dymbdhjetë
plagët në gjoks
Nga Jemeni i largët
Po gjyshin me plagët stoli nga Tivari
Dimrin e madh “t’otkupit” e di me siguri
Kur fatkeqi u var n’qershi
E di ti të gjitha i di
Por s’rrëfesheh për histori
Të harruar
Në skaj të botës
Vetëm freskia jote më bën të lumtur
Katroshi im kroi im
Korrik/2010
Sekret
Ai që zbuloi dashurinë
Nuk shpëtoi nga zjarri i saj
Kush formoi fshatin dhe kanunin
U dënua në fshat me kanun
Ai që lulen e zbuloi
Ngjyrë e saj e verboi
Ata që prijësve u dhanë urtësinë
Për vete fituan robërinë
Kush n’zemra të huaja zjarr shkakton
T’veten n’prush e përvëlon.
Vehbi Klaiqi, Dardanë, Kosovë
Korrik/2010