| E marte, 28.09.2010, 09:59 PM |
Sabile Keçmezi-Basha
METAFORË IBERIKE
DIKUSH KËRKON
Dikush vazhdimisht kërkon
Siluetën e përkryer
Dhe qerpikun prej bari
Dikush pastaj shkon edhe më larg
Ta kërkon edhe dhëmballën
Të kohës shtërbane
Që nuk e kemi pasur
E dikush
Qanë e përqeshë
Pa e njëjtësuar
Pse skutëlohet
LIRIA nga robëria
Duke u akuzuar me njëra tjetrën
Për Mata Hari kryeneçe
PRITJE
Sa pritje e gjatë
Në udhëkryqet noprane
Të historisë
Dhe
Në kokat tona
Në pritje
Ishte zhaposur edhe errësira
E netëve të stivuara
Në Ballkanin
Hijerëndë
Sa gjethe të djegura
Në qirinjtë e duarve të plakura
Në pritje pritja e bardhë
Nuk na kishte përshëndetur
Dje edhe vonesa u vonua
Edhe harrimi u harrua
Edhe hidhërimi u hidhërua
Për njëqind vjet të shkuara
Për njëqind vjet të ardhura
Nga lëngat e bartur
Mbi supet tona
PSE ME PIKËPYETJE
Pse duhet kërkuar
Blerësin e bleruar
Në dosjet që nuk hapen
Në signaturat që nuk deshifrohen
Në memorien e ATDHEUT
Me shumë pikëpyetje
Megjithatë
LIRIA
Ka emër
Dhe mbiemër
ATDHEU MË QETË GJUHËN
Atdheu gjenerohet
Në kafkën time
Me tri rrudha gërmuqe
Frymëmarrja vegjeton tek harrimi
Ardhja mungojnë tek ikja
Atdheu më qet gjuhën
Asnjëherë nuk është vonë
Për numërimin
E QAFAVE të munguara
ISHTE NJË KOHË
Ishte një kohë e pakohë
Kur nuk u rritnin
As thonjtë
E as bari
Ishte një kohë
Kur grisej lëkura
Dhe ëndrrat
Gjumë nuk venin në sy
Në cepat e atdheut
Dominonin korbat
Vaj për grigjën
E më tej...
Edhe pritja ishte e pritshme
Në prag të shtëpisë
Për ditën e RE
Barcelonë, 2 gusht 2010
KOSOVA NË ANDOR
Në Andorë
Atdheu im kishte ardhur para meje
Dhe të gjitha udhët
Mi tregoi
Në shuplak të dorës
Të mbrojtur nga zjarret
Merri edhe leckat e fundit
Më tha
Të ëndrrës që me shekuj e pate
Dhe lëpij me gjuhë
Fërkemet e Evropës të mplakur
Në guvën e tharë nga dielli që përcëllon
Merre me vete
Më porositi
Edhe samarin e rëzbitur nga ndryshku
Që me vite dritë e bartë mbi shpinë
Se duhesh patjetër
Ta dorëzosh në ATDHE
Në fund
Më la amanet
ATDHEU im...
ATDHEU im...
Andorrë, gusht 2010
AROMË FLAMENGO
Në Kataloni mbrëmë
Çdo gjë kishte aromë të kuqe
Prej Flamengoje
E Shota
Ku ishte vallë
Me toreadorin
Vallëzonte paturpësisht
Monserat Kavaje
Në mes të Madritit
Salvador Dali
Pikturonte kuq e zi
Gur mbi gur
Ishte ndërtua
Ura e Rozafës
Dhe Sagrada Familia
Nga Gaudi plak
Pikaso edhe sot
Pikturon ilirisht
Në fushat e Vaterlout
Gernikën e dyzuar
Për të mos e mbuluar
Pluhuri i natës
Malgrad de Mar, (Spanjë), korrik 2010
KUR TË SHKOSH PËR UDHË
Kur të nisesh për udhë
Merri të gjitha udhët me vete
Bile
Edhe përrallën për Borëbardhën
Që nuk kishte gishta
Nga ecjet e lodhura
Merri edhe sytë e verbër
Që nuk na shikojnë
Dhe nuk na shohin
Në muzgun e Homerit
E bari vazhdimisht rritet
Në qerpikët e ditës
KUQË E ZI
Që të gjithë jetonim
Kuqë e zi
Në kohën kuqezezë
E Jerusalemi
Rritej në mes nesh
Muri i lotëve
Lotonte
Kuqë e zi
Në Qafën e Thanës
Kuqë e zi
U përshëndetem
Në ndarje
Me korbat
Jerusalem, gusht 2008