| E diele, 26.09.2010, 07:26 PM |
Hazbi Lalinca, SHKOLLA SHQIPE E MËSIMIT PLOTËSUES NË UDDEVALLA
SUEDI 1998/1999 – 2008/2009
SHKOLLA FILLORE- DRITARE E JETËS
Autori I monografisë Hazbi Lalinca, i cili me vite të tëra shërben si punonjës I arsimit shqip në Suedi, me dëshirë e vullnet, me gatishmëri e përkushtim të vecantë është përpjekur që të hartojë një tekst monografik edukativo-pedagogjik, duke zbatuar metodat më të reja metodologjike e didaktike për demonstrimin praktik të njësive të ndryshme mësimore në gjuhën amtare shqipe.
Teksti në fjalë i është dedikuar nxënësve të shkollës fillore, duke filluar nga klasa e parë e deri në klasën e nëntë.
Kjo dëshmon se mërgata jonë shqiptare në rrjedhën e saj historike ka luajtur në të kaluarën, e po luan edhe sot, një rol shumë të rëndësishëm në kultivimin e vetëdijes e ndërgjegjës sonë kombëtare, në kultivimin e kulturës gjuhësore, letërsisë e traditave tona kombëtare shqiptare, sepse “Gjuha ruhet atje ku shkruhet”.
çdo pjesëtar I mërgatës shqiptare në diasporë është një përfaqësues tipik I popullit të vet, është një ambassador që në mënyrë më të denjë i manifeston cilësitë dhe tiparet e kombit dhe të shtetit tonë.
Mërgata shqiptare si kudo gjetkë, ashtu edhe në Suedi, nuk përfaqëson më një turmë njerëzish të paorganizuar si punëtor krahu fizik e analfabet si dikur, por ajo paraqet një shoqëri dhe komunitet të organizuar e të vetëdijësuar e të ndërgjegjësuar nëpër klube e shoqata kulturore, e madje edhe në arsimimin dhe edukimin e nxënësve shqiptarë në shkollën shqipe, ku flitet e mësohet shqip, ku nxënësi ynë që në fillet e para të shkollimit të tij, jeton e vepron shqip, sillet e frymon shqip, ku e ruan dhe e kultivon gjuhën tonë të bukur amtare shqipe, duke u nisur nga familja e shoqëria e organizuar në shkollën shqipe, nxënësi shqiptar edhe në Suedi, ndonëse larg atdheut të vet, me ndihmën e mësuesit e shkollës shqipe flet lexon e komunikon shqip, e mëson hisorinë e letërsinë shqipe, e kultivon kulturën e vet gjuhësore e kombëtare dhe mbi të gjitha e ndjen veten pjesëtar të kombit shqiptar.
Autori , Hazbi Lalinca, u motivua nga synimi dhe qëllimi, siç pohon edhe ai vetë: “ Kjo monografi I kushtohet nxënësve të arsimit fillor, mësuesve që punuan në këto dy komuna të Bohuslenit në vitet shkollore 93-94, por edhe më vonë, si dhe një statistikë të mësimdhënësve për vitet shkollore 2005-2006 në 94 komuna anembanë Suedisë bashkëpunëtorëve të arsimtarit Hazbi dhe ish nxënësve të tij, të cilët punojnë për të çuar përpara arsimin , kulturën, shkencën dhe artin shqiptar”. (f.3). Ai e ka këtu fjalën për shkollën shqipe të mësimit plotësues, të ndarë në katër kapituj.
Monografija në fjalë zgjeron njohuritë për punën e shkollës shqipe në diasporën shqiptare të Suedisë, ku autori vënë në spikamë numrin e nxënësve e të mësuesve shqiptarë, të cilët dhanë kontributin e tyre, nga njëra anë në historikun e arsimit shqip në Suedi, por edhe komunikimin me prindër, me mësues e drejtorë shkollash suedez, si dhe mënyrën e format e komunikimit me ta, gjthnjë në funksion të ndërplotësimit e përsosjes së metodave arsimore-edukative në raport të ndërsjelltë ndërkombëtar, nga ana tjetër.
Monografia është rezultat I një përvoje të gjatë në fushën e arsimit dhe edukimit shqip në Suedi, është një punë e zellshme dhe me përkushtim të vecantë e me përpjekje të vazhdueshme për të zbuluar metoda të reja në punë dhe për t ‘ i përsosur vijimisht ato, autori ia ka arritur synimit e qëllimit të tij që të zbatojë në praktikë metoda konkretizuese dhe premtuese për rezultate të dalluara e të sukseshme në punë, nga njëra anë, por edhe të lë gjurmë e tradita të pashlyeshme për punën e veprimin dhe funksionimin e shkollës shqipe në Suedi, sepse “ Kujtesa është gjah, kurse shkrimi është kurth”, që e përjetëson kujtesën e veprën në çdo fushë të veprimtarisë shoqërore, nga ana tjetër.
Dhe në këtë drejtim, autori Hazbi Lalinca, ia ka arritur qëllimit të hartojë një monografi praktike në fushën e metodologjisë pedagogjike e didaktike, arsimore-edukative, ndaj e përgëzojmë që kjo vepër të jetë në funksion të arsimit dhe të edukimit, në shërbim të fëmijëvë e nxënësve dhe mësuesve të popullit e të atdheut, të gjuhës e të letërsisë, të kulturës e të historisë sonë kombëtare shqiptare!
Recensues:
Prof.dr.Mehmet HALIMI, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës.