| E diele, 26.09.2010, 07:30 PM |
RESHAT KRIPA
RINI E COPËTUAR
Kujtime
DITARI I PAMBARUAR I TIM ETI
Ajo është një fletore e vjetër me shënime. Një fletore kineze, nga ato që përdoreshin në vitet pesëdhjetë. Është shkruar me stilograf. Vende-vende shkronjat kanë filluar të shuhen. Tek-tuk shihet edhe ndonjë njollë, e shkaktuar nga ndonjë pikë uji e rënë mbi to. Koha ka bërë punën e vet. Është ditari i tim eti, një ditar i pambaruar, i filluar në vitin 1957. Mosha e madhe, problemet që duhej të përballonte, gjendja e vështirë ekonomike, vdekja e parakohëshme e nënës tonë, nuk e lejuan ta përfundonte.
Kishte kohë që mendonte të shkruante, por problemet që përmenda më lart e pengonin. Më në fund, një ditë na tha:
- Kam dëshirë të shkruaj një ditar për historikun e familjes tonë. Si thoni, a jeni dakord?
Ne u gëzuam shumë dhe e nxitëm që të fillonte sa më parë. I blemë fletore e stilograf dhe ai filloi të shkruajë.
Tani, pesëdhjetë vjet nga dita e fillimit të këtij ditari, e rilexoj përsëri atë. Nëpërmjet tij mësoj synimet që ai kishte, prejardhjen e familjes dhe shumë çaste të tjera të rëndësishme të jetës së tij. Mbi të gjitha, më tërheq vëmendjen parathënia, që është
një lloj testamenti për ne.
Po e riprodhoj të plotë këtë parathënie, ashtu si e ka shkruar ai:
Kam një kohë të gjatë që dua të shkruaj diçka mbi origjinën e familjes tonë, mbi jetën time dhe shumë gjëra të tjera. Me sot me nesër, kaluan plot dhjetë vjet pa shkruar asgjë. Një mbrëmje, rastësisht, duke biseduar në familje e shfaqa këtë dëshirë dhe ata ma miratuan menjëherë, bile m’u lutën që ta filloja sa më parë.
Kështu sot po e filloj këtë vepër për t’ua lënë si kujtim të gjithë brezave të ardhshëm të familjes sonë. Nëpërmjet saj do të njihen dhe do të mësojnë se nga rrjedh familja jonë që sot ka mbiemrin Kripa, cilët janë të parët tanë dhe nga kanë ardhur. Pastaj do të shkruaj biografinë e gjyshit tonë që e kish emrin Halil dhe të babait tim që e quanin Hamdi. Pas kësaj do të shkruaj biografinë dhe kujtimet e mia, qysh nga dita e lindjes dhe deri në ditët e sotme që jam gjashtëdhjetepesë vjeç. Do të tregoj shumë gjëra nga jeta ime, nga zakonet e vjetra patriarkale dhe shumë sende të tjera, për të cilat brezat e ardhshëm, kur t’i lexojnë, do të çuditen.
Pasi të mbaroj këto që përmenda më lart, do të shkruaj edhe një testament që do t’ua lë amanet djemve dhe vajzave të mia, i cili për të ardhshmen e tyre, do t’u shërbejë shumë, nëqoftëse ata do të jenë në gjendje ta respektojnë dhe zbatojnë si duhet. Unë jam i sigurtë se me edukatën dhe kulturën që iu kam dhënë, ata pa tjetër do t’i respektojnë këshillat e babait të tyre të dashur. Kështu edhe unë pas vdekjes time, në atë jetë do të fle shpirtërisht i qetë dhe i lumtur përgjithmonë, pasi po lë prapa katër vajza dhe tre djem si asllana, që do të dinë të më nderojnë mua dhe veten e tyre.
Një gjë dua t’iu kujtoj. Dashuria ime për fëmijtë ka qënë e barabartë për sejcilin prej tyre. Por në këtë shkrim unë disa do t’i lavdëroj shumë, kurse disa do t’i kritikoj për gabimet dhe të metat e tyre. Një gjë e tillë nuk dua që të interpretohet, sikur unë nuk i kam dashur të gjithë njëlloj. Këtë libër po ua lë si amanet pasardhësve të mi, që ta kenë kujdes dhe ta ruajnë mirë, të mos e humbasin dhe të mos griset. Pasi të ketë kaluar një periudhë dyzet apo pesëdhjetëvjeçare, djemt e mi, apo kushdo qoftë nga familja jonë, këtë histori që fillova unë duhet ta vazhdojë edhe ai. Nëqoftëse vjetërohet apo griset, duhet ta shkruajë rishtas dhe ta përmbledhi në formë libri në shtyp, në mënyrë që të mbetet përgjithmonë i vlefshëm.
Në rast se ju pasardhësit e mi, do të vazhdoni rrugën time, atëhere ky libër do të ketë një vlerë historike për gjithë familjen tonë, për shekuj me rradhë.
Sipas këtij ditari, gjyshi i tij Halil Efendiu, kishte lindur në Serez, një qytet afër Selanikut. Pasi kishte shërbyer për një kohë të gjatë në ushtrinë turke, rreth vitit 1870 ishte transferuar, me detyrën e komandantit të rekrutimit dhe gradën kapiten (usbash), në qytetet e Durrësit, Tiranës dhe së fundi Krujës. Gjatë periudhës që banonte në Tiranë, i kishte lindur djali i vetëm, Hamdiu, të cilin e kishte rritur dhe shkolluar për financier. Pastaj e kishte martuar me një vajzë krutane, Mahmudenë. Pak para vdekjes së Halilit, gjyshi ishte vendosur përsëri në Durrës, ku kishte lindur edhe im atë , në vitin 1892. Së fundi, me fillimin e shekullit të njëzetë, ishte emëruar drejtor i ndërmarrjes së nxjerrjes së kripës në Vlorë. Këtë detyrë e ushtroi për shumë vjet, deri në ditën që vdiq në vitin 1942. Është pikërisht ky shkaku që ne sot mbajmë mbiemrin Kripa.
Gjyshi u kujdes që fëmijtë e tij t’i shkollonte.
Tim atë, pas mbarimit të shkollës fillore ( qytetëse ), e dërgoi në Selanik, ku vazhdoi për gjashtë vjet studimet. Dy vjetët e fundit i kreu në Stamboll, në kolegjin “
Im atë, Qazimi, u kthye në Shqipëri kur ajo po përgatitej të shpallte pavarësinë, në vitin 1911. I ofruan shumë lloje punësh zyrtare. Vëndi kishte nevojë për njerëz të shkolluar. Nuk pranoi. Prirja e tij ishte tregëtia Fillimisht hapi një kafene dhe fitimet që nxirrte, i hiqte mënjanë për t’i investuar më vonë ku kishte synimin e tij.
Në vitin 1920 u martua me Myneveren, bijën e Mehmet Radhimës, një avokat i njohur i asaj kohe, ish-drejtor dogane në Vlorë në vitet 1913 – 1914. Vitin që u martua përfundoi ndërtimin e një shtëpie dy katëshe, që për atë kohë ishte nga më të mirat e qytetit. Ndërsa në vitin 1929 ndërtoi një fabrikë për prodhimin e vajit të ullirit. Ndërtoi edhe një dyqan të madh ku tregëtonte vajin. Por fabrika ishte e vlefshme vetëm për stinën e dimrit. Atëhere pruri nga Italia një makinë shirëse, me të cilën shkonte fshat më fshat në kohën e të korrave.
Në vitin 1936, së bashku me të vëllezërit, përfunduan së ndërtuari një vilë tjetër në plazhin e Vlorës, si dhe një shtëpi verore prej druri në Llogora. Ndërsa në vitin 1941 blenë një truall në Lagjen e Re, ku filluan ndërtimin e një fabrike të re vaji, më të madhe dhe më moderne se e para. Në kundërshtim
me tregëtarët e tjerë të Vlorës, që fitimet i kishin
kthyer në florinj, im atë kishte shpirtin e investimeve. Ai thoshte gjithmonë se po nuk investove, nuk ke
fitim. Ishte prototipi i tregëtarit modern.
Si rezultat i martesës lindën shtatë fëmijë: Liria, Qamileja, Drita, Fatushja, Agimi, Besniku dhe unë.
Nuk e di në se u zgjata pak si tepër. Por këtë e bëra për shkak se këta do të jenë personazhet e këtij shkrimi. Çdo ngjarje e përshkruar më poshtë do jetë e lidhur me emrat e tyre. Natyrisht do të dalin edhe personazhe të tjerë që do të kenë lidhje me ta.
Im atë ka qënë gjithmonë një njeri që nuk ishte përzierë asnjëherë në problemet e partive politike të vendit. Qëndrimet e tyre pak i interesonin. Por ishte i ndershëm dhe patriot.
Na këshillonte edhe ne të ndiqnim rrugën e tij. Por ne nuk e dëgjuam këtë porosi. Kohët kishin ndryshuar. Ato të rrëmbenin, ndoshta edhe pa dashjen tënde, në vorbullën e tyre. Bëmë mirë apo keq? Nuk e di. Po e lë në gjykimin tuaj. Dëgjoni si rrodhën ngjarjet dhe na gjykoni.