Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agim Pipa: Radiotelevizioni shqiptar, si pjesë e ndërgjegjes së kombit…

| E shtune, 25.09.2010, 02:48 PM |


Hyrje

 

Radiotelevizioni shqiptar, si pjesë e ndërgjegjes së kombit…

 

Nga Agim Pipa

 

I ngjan një këmbane të madhe qiellore. Që, përhap papushim dhe pafundësisht, zëra njerëzore dhe tinguj muzikorë, nga toka jone e mirë, deri në hapsirat e largëta të globit, atje ku jetojnë mijra njerëz, si pjesë e pandashme e popullit tonë. Sa më shumë afrohesh pranë RTSH, aq më shumë e dashuron atë. Sa më shumë i largohesh, aq më shumë të merr malli për të. Për gjithçka. Nga mëngjesi i butë, kur ti i drejtohesh aparatit të thjeshtë të radios dhe kërkon me intuitë valët e saj, për të dëgjuar zërin e ëmbël të spikeres, që të përshëndet: “Këtu Radio Tirana…me valë të mesme…Ju urojmë një ditë të mbarë të dashur bashkëkombas dhe bashkatdhetarë!”, deri në mbrëmjen e thellë, ku muzika e Zadesë, e Harapit, Gjonit, apo zëri I M.Xhemalit, V.Zelës, i grupeve polifonike apo i rapsodëve të magjishëm të bjeshkëve tona, të përcjellin në gjumin e mirë! Po ashtu ka ndodhur deri dje dhe me televizionin”.

 

Kujtimet

 

Po nis kujtimet dhe rrëfimet, për një pjesë të legjendave të mikrofonit të Radios. Mikrofonit, që, sa njerëz patën fatin dhe folën në membranën e tij magjike, u dashuruan me të dhe e quajtën të shenjtë.Ishin ditë vjeshte. Viti 1979. Unë hyra në godinën e bukur, që i ngjante një godine të kristaltë zërash dhe, përballja e parë, ishte zyra e drejtorit të saj. Zotit Klimi Misa. Si bashkëpuntor i afërm i Radios, unë kisha vite që udhëtoja me magnetofonin e rëndë dhe të saktë, “Uher”, që, sapo e vije në sup, të jepte një forcë dhe pothuaj të tjetërsonte. Të bënte pjesë të logjikës dhe arsyes së kombit tënd. Pjesë të kulturës dhe të traditës. Të ritmeve të zhvillimit dhe të kapërcimit të hapsirave, prej Tiranës, deri në Vermoshin e largët në veri dhe Konispolin e bukur, buzë piramidash kufitare, në jug. “Eja, djalosh…Në hekurudhën Fier-Vlorë, duhet të shkosh. Tek aksionistët. Reportazh, mbi punën për ndërtimin e hekurudhës dhe jetën e të rinjve tanë atje…Do të udhëtosh me makina të rastit. Shko në redaksi, tako Pandin e lajmeve, pastaj mer edhe “Uherin” dhe nisu. Tri ditë, mjaftojnë?” U bëra me fletë…Udhëtova me një “Skodë”, që çonte dhe merte puntorë, nga Parku i Mallrave, pranë shkollës së mesme Teknologjike, deri në kampin e aksionistëve, ne Levan…Pas tri ditësh, gjithçka u krye thjesht, mirë, bukur…Ishte kohë e artë…

 

Fundvitet ‘80

 

Por, do të vij tani tek fundvitet ’80 dhe fillimvitet ‘90. Kur Radio Tirana, u quajt aorta e madhe e zërave dhe ndërgjegjes kombëtare. E viteve të ndryshimit të madh. Që, po niste e po përgatitej prej vitesh, nëpër studiot dhe redaksitë. Nëpër  sheshet e punës, qytetet, fshatrat, shkollat, në Universitet, në uzina dhe punishte, fabrika dhe ferma, nëpër institucione dhe akademi shkencore. Janë të shumtë emrat e gazetarëve, regjisorëve. Të redaktorëve, folësve, shefave të redaksive, të dispeçërve, inxhinjerëve, teknikëve, montazhirëve, shoferëve dhe administratorëve. Prej të cilëve po kujtoj: Agron Cobanin, Kiço Fotiadhin, Timo Luton, Pandeli Shehun, Zamira Kolecin, Korab Hoxhën, Liljana Shanton, Arqile Ndinin, Alfred Kaninin, Xhelil Aliun, Afërdita Selimin, Feruze Bajon, Meropi Matlinë, një prej spikereve brilante të Radios dhe Elsa Xhain, Viron Notin, Agim Xhekën, Atli Dacin, Jani Durin, Vangjo Kozmain, Arjana Qatipin, Shefqet Mekon, Amilda Dymin, Adi Krastën, Valdete Andonin, Frida Shytin, Paulin Shkjezin, e sa e sa gazetarë, redaktorë, regjisorë, folës, dhe bashkëpuntorë të tjerë të redaksive dhe emisioneve të Radio Tiranës. Dhjetori i vitit 1990, ishte koha e provës së madhe. Atëhere, ishdrejtori I Radios, z.Thimi Nika, një gazetar me përvojë nga shtypi i shkruar, e ktheu zyrën e tij në një central, që gjeneronte ide dhe punë gjigande. Po tronditeshin themelet e ishdiktaturës. Dhe hapat duhet të hidheshin me kujdes. Por, duke prurë në mikrofonët e studiove, uraganin e madh të zërave popullorë. Të protestuesve të rrugës së Kavajës fillimisht, në korrik, që shpërthyen muret e ambasadave. Më pas, të studentëve. Të sindikalistëve, të qytetarëve të ngritur në revolucion, për mposhtjen e sistemit të kalbur të diktaturës. Dhe Radio Tirana, e dha provën e saj. Ishte provë zjarri, jo shaka…Ishte kohë, kur në studiot e transmetimit, natën e rënies së bustit të diktatorit, grupe ushtarakësh patrullonin nëpër koridoret e gjatë të Radios dhe jepnin urdhëra për transmetimin edhe të antimitingjeve dhe mbledhjeve të byrosë politike të asaj kohe, të kthyer në çerdhe intrigash dhe fantazmash. Që kërkonin kurbanë koka njerëzish, gazetarësh, teknikësh, folësish, teknikësh…Ishte koha e përplasjes së madhe. Dhe, Radio Tirana, e fitoi betejën. E fitoi sprovën, me kohën…Pas revolucionit, ne ishim të gjithë të lumtur. Me kolegen time Arjana Qatipi, gazetaren deri atëhere të emisioneve për gratë dhe femrat shqiptare, ideuam dhe çelëm një program të drejpërdrejtë, me problematikë dhe fytyrë sociale. Gjithpërfshirës. Me tre ore transmetim. Nga edicioni i radhës i lajmeve, marë nga redaksia e informacionit, deri tek rubrikat me debate, intervista, lojra argëtuese dhe zbavitëse radiofonike, muzika e përzgjedhur…dhe një grup vajzash, studente nga histori-filologjiku, apo maturante në gjimnazet e Tiranës, si bashkëpuntore të këtij programi, që, duke e menduar si një spektakël radiofonik, e quajtëm “Sot. Po nesër?” Për të hapur membranën e mikrofonit të Radios, për ta kthyer ate në një bashkëfolëse gjigande me zërat popullorë, ne hapëm edhe dy linja telefonike, të drejpërdrejta dhe, më ndihmën edhe të drejtorisë teknike në Radio, përgatitëm një bërthamë të vogël gazetarësh dhe një regjisore, për transmetime të drejtpërdrejta, me një studio levizëse modeste. Mbaj mend se, në Kuvendin e parë pluralist shqiptar, ate kohë, miratoheshin ligjet e para me debate të mëdha. Në portin e Durrësit vazhdonin dyndjet e njerëzve të dëshpëruar, që kërkonin të rrëmbenin për herë të dytë anijet, për të shkuar në Tokën e Premtuar për një jetë më të lumtur, ndërsa në rrugët e Tiranës, shiteshin ushqime të ardhura nga ndihmat për popullsinë e mbetur pa punë dhe pa përkrahje sociale. Programi “Sot. Po nesër?” ishte i pari, i drejpërdrejtë dhe treorësh ku, përmes telefonatash direkte, për herë të parë, hyri zëri i njerëzve të lirë, i pacensuruar, i pakontrolluar nga dora e hekurt e ishdrejtuesve partiakë konservatorë dhe dogmatikë. Sa përmes të ftuarve në studio dhe transmetimeve direkte me studion e vogël lëvizëse, aq edhe përmes telefonatave. Ku do të kujtoj debatin në telefon, ndërmjet gruas së ish-diktatorit, me një vajzë nga Tirana, studente, që fliste nga Universiteti i Torinos. U përplasën dy botë dhe fitoi e reja. Moderatorja e emisionit, Arjana, ndërhynte mençurisht me pyetje të sakta, tek të dy bashkëdialogueset, ndërsa drejtonte debatin, ndërsa vajzat në studio, duartrokisnin bashkëmoshataren e tyre…Po atë ditë, unë dhe kolegia tjetër, Amilda Dymi, transmetonim direkt nga Durrësi, revoltat e qindra njerëzve, që po përplaseshin me ushtrinë në dyert e portit…Ishte gjithckca direkt, për herë të parë. Ndërkaq, pas këtij program vijuan edhe dy të tjerë, në formë ciklesh. Por kulmin transmetimet direkte e arritën me programin “Zemër”, kushtuar emigrantëve shqiptarë…

 

Radio Tirana sot

 

Radio Tirana, sot vazhdon të transmetojë 24 orë në 24, me frekuenca që shtrihen në horizont, nga Shqipëria, deri në Amerikën e largët. Ajo i ngjan sërish një aorte gjigande, që përçon oksigjenin e miliona dëgjuesve, nga e gjithë bota. Për fat të mirë, disa prej ikonave të saj, vazhdojnë ende të punojnë në studiot dhe redaksitë e këtij institucioni të madh publik. Me këtë rast, unë dua të falenderoj gazetarin, publicistin, poetin dhe shkrimtarin Albert Zholi, që, me kulturën dhe saktësinë, dashurinë dhe talentin e tij, po mbjell një pemë të gjelbërt, në fushën e kulturës sonë kombëtare, përmes librit të tij, me pjesë brilante nga historia e Radio Televizionit Shqiptar. Punë të mbarë dhe faleminderit, Albert. Edhe ti, si pjesë e këtij institucioni të madh, ke gjurmët e tua të arta, përmes qindra emisioneve, lidhjeve direkte, reportazheve, poezive, skicave e tregimeve, komunikimit të madh me qindra e mijëra mërgimtarë, të cilët, tek fjala jote e mençur dhe e ëmbël, kanë gjetur shtegun drejt Atdheut. Kanë mësuar, kanë shkruar, kanë folur dhe kanë qarë hallet me ty, miku im, sikur të ishin fare pranë studios së Radios apo studios së Televizionit.Punë të mbarë miku im dhe faleminderit! Zëri yt, i ngjan shpresës. Dhe dritës. Librin tënd, do të doja ta mbanin në xhep miliona bashkëkombas dhe bashkëatdhetarë. Si pjesë gjithashtu të ndërgjegjes sonë kombëtare. Si pjesë të jetës dhe historisë së RadioTelevizionit tonë të dashur.

 

Mars 2010