Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Luan Çipi: Ngjarje rrëqethëse

| E shtune, 25.09.2010, 02:35 PM |


NGJARJE RRËQETHËSE

 

Nga Luan Çipi

 

Në Fabrikën e Çimentos në Vlorë në detyrën e Shefes së Kuadrit erdhi për ca kohë, Sabrija, një ish-mësuese, grua e urtë dhe e dhimbshme. Që në fillim u duk se ajo qëndronte jashtë pozicionit të saj dhe se e kishte të vështirë të përshtatej me këtë detyrë të re, larg profesionit dhe misionit të vet. Grua e një oficeri ushtrie, që sapo ishte transferuar në Garnizonin e Vlorës, mësuesen e kishin caktuar provizorisht në atë detyrë, derisa të krijohej një vend i ri në arsim. Veç detyrave  të tjera për mbajtjen e dokumenteve të kuadrit të mesëm dhe pasurimin e tyre, Sabrija duhet të pranonte punëtorët e rinj, të kujdesej për ta dhe ti shpërndante e ti caktonte, sipas profesionit dhe aftësive, në turnet dhe në vendet përkatëse të punës.

Një ditë Sabrijes i vjen në zyrë një vajzë e re, por e veshur në mënyrë provokonjëse, me shpatullat gjysmë lakuriq dhe e nisur e stolisur tjetërsoj.

- Jam Flutura Isa, - i prezantohet. Kam ardhur me rekomandimin e shokut Petrit kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme. Ai më dha këtë letër për ju. Më tha se ju njeh personalisht dhe po qe se keni nevojë për ndonjë sqarim, porositi ta merrni në telefon. Deri në orën 1000 do jetë në zyrën e vet. Pasi Sabrija e thërriti shpejt në telefon kryetarin, u gjend para një përgjigjeje të gjatë shpjeguese dhe urdhëruese:

- Po, po, shoqja Sabrije. Jo vetëm duhet ta pranoni menjëherë në punë, por duhet ta caktoni në një vend të përshtatshëm, që t’i pëlqejë dhe të ngjallë interes për të. Të ketë me se të merret, të fitojë edhe lekë. Ajo vajzë, shpjegon i shqetësuar shoku Petriti në telefon, megjithëse familje lufte e me prindër të mirë, ka filluar ta lëshojë veten “pa doganë”. Kemi, kohët e fundit dhe shumë raste të tjera si kjo. Duket është ndikimi i radiove dhe i televizionit italian, që  fshehtazi po dëgjohet gjithnjë e më shumë në rrethin tonë. Siç e ka nisur ajo ka prirje të bëhet “vajzë rruge”. Duhet ta mbani afër, ta kesh ti posaçërisht nën patronazh, për ta riedukuar në gjirin e klasës punëtore. Partia jua a ka besuar juve këtë mision me rëndësi, duke qenë edhe edukatore profesioniste e brezit të ri. Pajiseni gratis, për llogarinë tonë dhe me literaturë marksiste-leniniste!

Sabrija, duke e dëgjuar me vëmendje kolonel Petritin në telefon, ( për të cilin kishte respekt të veçantë, nxitur dhe nga grada e lartë e tij, që e ndjente edhe më shumë si grua oficeri), hidhte sytë nga vajza e re dhe aq e bukur dhe veçanërisht kur mori vesh për prindërit e saj të mirë e atdhetarë, nisi të përlotej dhe ta shikonte, si mësuese e dhembshur që ishte, me dashuri e mëshirë këtë filiz, që siç i thanë, ishte gati të degjeneronte e të shkatërrohej, për t’u bërë si italiankat e përtej detit. Sa mbaroi biseda telefonike, Sabrija u ngrit, e mori për qafe Fluturën dhe nisi menjëherë detyrën e ngarkuar edukuese me fjalë të ëmbla prej mësueseje dhe me dashuri e ngrohtësi të ndjerë, si të ishte fëmija e saj.

Flutura e ndrojtur, krejt e hutuar në këtë mjedis të panjohur për të, e dëgjonte si e zënë në faj me kokë të ulur, por njëherazi rrinte në pritje si me padurim, për të mësuar për kushtet e reja të shtrëngimit dhe të riedukimit.

- Mbarove, shoqja shefe? Mjafton tani, boll, se më ënjte. Do të më bësh edhe mua për të qarë. Dhe, pasi kaluan pesë minuta, duke harruar ku ishte, e rikthyer në ndjesinë e në lëkurën e saj reale, e lirë dhe e pavarur, i thotë: Mos të ndodhet ndonjë cigare, se mu ça hunda?! S’ke? Nuk e pi? Çudi, goxha grua. Paske ngelur prapa dynjasë! Dhe pas pak, e rikujtuar për realitetin ku ndodhej, pyet: Ku më the se duhet të punoj?

- Te Pompat e Freskores. Këtu, fare afër, te Peshorja në hyrje të Fabrikës së Çimentos.

            - Oh, sa mirë! Faleminderit! Dashkam të freskohem, dashkeni të më çlodhni. Besoj se ato pompat e instaluara aty do të punojnë vet, për hesap të tyre dhe mua… s’do më bëhen më pompa .( Sa keq) Do të ngelem gjithnjë e freskët  e pa ënjtur dhe delikate, i tha  me ironi të thellë dhe duke qeshur.

Kjo punë, e menduar dhe e zgjedhur me kujdes e dhembshuri nga shefja, ishte vërtet vendi më i parapëlqyer i punës, në gjithë Fabrikën e Çimentos. Mësuese Sabrija, për ta ndihmuar vajzën e re, hoqi prej andej një grua të moshuar me shumë fëmijë. Vendi i punës ishte dhe fare afër, te porta e hyrjes kryesore.  Sa futeshe në territorin e Fabrikës, duhet të zbrisje dhjetë shkallë dhe gjendeshe në një sallë të madhe, të freskët në verë dhe të ngrohtë në dimër. Detyra e punëtorit, në këtë vend pune ishte vetëm të puqte apo s’puqte një buton, për të vënë në lëvizje pompat elektrike të freskores së ujit qarkullues, për të kursyer konsumin e ujit teknologjik, që rikthehej i ftohur, pas kësaj, te furrat e klinkerit. Pra, këtu kishe kohë të lexoje e të studioje jo vetëm për të kryer riedukimin, siç mendonte shefja e kuadrit e porositur nga qendra, por dhe për të mbaruar shkolla dhe universitete. Në atë sallë kishte edhe një tavolinë, ku mund të haje dhe të mbështeteshe, si dhe një kanape me sfungjer, ku mund të shtriheshe e të çlodheshe. Aty mund të prisje e të bashkëbisedoje a të pije kafe me ndonjë shoqe, të bëje muhabet gjithë ditën, të ktheje filxhanët e kafesë e të rrëfeje fatin, ose edhe të luaje  shah apo domino.

Të gjitha këto favore e përparësi, shefja ia shpjegoi me hollësi Fluturës njomëzake dhe u duk se ajo i dëgjoj e i pëlqeu së tepërmi këshillat dhe porositë e Sabrijes, me mendimin, shpresën dhe çudinë se po vinin dhe për të ditët e lumtura për të realizuar kthesën vendimtare dhe për të hyrë në jetën normale, si të gjitha shoqet fatlume të  moshës së saj. E më pas fejesa, martesa, shtëpia, fëmijët...

 

 *

 

Kaluan, si pa u kuptuar, gati pesëmbëdhjetë ditë kur, ç’të shihje,  një të hëne, që në mëngjes herët, para derës së zyrën së Shefes së Kuadrit kishte zënë radhë edhe Flutura.

Sabrija, sa e pa nga dera e hapur, u ngrit më këmbë, e kapi për krahu, e futi në zyrë jashtë radhe pasi largoi gjithë të tjerët dhe nisi, si të ish nëna e saj, ta afronte, ta përqafonte me dashuri dhe ta  përkledhte në shpatullat gjysmë lakuriq si ditën e parë të njohjes, e ta pyeste:

- O, o, kush na ka ardhur? Po, mirë se erdhe, moj bukuroshja ime! Ç’u bëre, se më ka marrë malli. Si është mami, si është babi, ti vetë si ia ke çuar?

- Mirë, mirë! Po na, merri këto librat e tua me marksizëm, se nuk më duhen. I përgjigjet shkurtazi dhe e acaruar Flutura.

- I  lexove? Si t’u dukën?

- As që i kam zënë me dorë fare. Nuk kam pasur kohë të lirë. Ndërkohë Flutura, pa pyetur se ishte në zyrën e shefes, përkrahëses së saj të veçantë, nxjerr një cigare me filtër, e ndez rrufeshëm me shkrepëse dhe e heq me nervozizëm, duke nxjerrë shtëllunga të mëdha tymi, që ja përplas bezdisshëm në fytyrë Shefes.

- Pse? Ke qenë e sëmurë?

- Nuk kam pasur kohë, se nuk më kanë lenë rehat për asnjë minutë malukatët e tu. Ndaj, erdha të të njoftoj: Nuk e shtyj dot më atje në atë burg, për asnjë ditë. Po largohem nga puna qysh sot!

- Jo, nuk është e mundur!  Më dëshpërove. Po pse?

- Si pse? Po nuk ua kam borxh. Unë vërtet “kurvë” jam quajur dhe  ç’është e vërteta, s’e kam pasur për gjë të prostituoj disa herë në ditë, por për këtë  kam zgjedhur atë mashkull që dua, kur ta dua dhe sa të dua... Pas kësaj Flutura filloi të qajë me ngashërim dhe iu desh kohë të qetësohet e të japë shpjegime të mëtejshme për ngjarje rrëqethëse...

- Në vendin e  përzgjedhur të punës, që më dhe ti, pa pushim kam pasur vizita gjithë ditën dhe jo siç më the, nga gra për të pirë kafe e për të kthyer filxhane, por nga gjithfarë burrash, shumica me kapele letre në kokë e të mbuluar me një si perde tymi, që sapo hynin në derë kutërbonin era djersë dhe gaz karbonik. Veç një gjë donin me këmbëngulje… U rraskapita. Nuk kam borxh të mbaj çdo ditë, disa herë mbi vete, që nga Drejtori, Sekretari i Partisë e deri te punëtori i fundit i fabrikës, që ata deri me dhunë e me egërsi të shkundin mbi mua gratis, sa herë t’u teket, pa asnjë rezervë... gjithë pluhurin e çimentos.

 

Përpunuar shtator, 2010