Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poradeci, akademik dhe intim

| E premte, 24.09.2010, 08:01 PM |


Nga Elsa Demo

 

Në serinë e veprës së plotë së Lasgush Pordecit dalin dy vëllimet, publicistika dhe ditari intim.

 

Dy vëllime nga seria e veprës së plotë të Lasgush Poradecit kanë hyrë në qarkullim. Njëri përfshin publicistikën, kritikën letrare. Tjetri është ditar dhe korrespondencë intime.

Përveçse nuk i gjeje më në librari, ribotimi me rastin e 2009-ës "Vit i Lagush Poradecit", jepet i plotësuar në dy aspekte të cila i referohen: shënimeve që autori u ka bërë botimeve të mëparshme; materialeve arkivore që dalin në dritë pas vdekjes së njërit prej poetëve më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit të njëzetë.

Vepra I që përmbledh poezinë, bazohej në botimin e parë, Bukuresht, dhe merrte parasysh korrigjime dhe shënimet që ka pasë lënë autori.

Kur flasim për informacion të ri, Vepra II që prezanton Poradecin publicist, kritizer, nxjerr në dritë "Antologji shqipe e kësikohëshme" e cila ruhej në Arkivat e Shtetit . m Studiuesit janë të mendimit se kjo antologji dëshmon përmasën akademike të Poradecit. E kishte provuar veten në këtë fushë me mbrojtjen e titullit shkencor në Universitetin e Gracit më 1933, me tezën "Eminesku i shpërfillur dhe ideologjia e tij popullore dhe atdhetare", një studim gjenetik duke pasur sidomos parasysh lidhjet me kulturën gjermane.

 

Te Vepra II janë shënimet e tij për "Netë shqiptare" të Mitrush Kutelit, botuesi i Poradecit, shënimet për "Siç më thotë nënua plakë" të Musine Kokalarit, për Gjergj Fishtën lirik dhe lirikën e Naim Frashërit. Shkruan për artet figurative dhe skenike.

Publicistika ka natyrë propagandistike kur është fjala për njohjen e kontributit të shqiptarëve të Rumanisë në punët e kombit, dhe është protestues kur thërret ndihmë për shpëtimin e albanologut Norbert Jokl nga fushata spastruese kundër hebrejve.

 

Poradecin studiues e gjen te "Shënime rreth literaturës shqipe" e vitit 1937. Ai bën një klasifikim kronologjik dhe krahinor të letërsisë së vjetër dhe moderne, me karakterin e vendit "ku pat lindur". Ngjitet te veprat e autorëve klerikë, te letërsia arbëreshe, trajton marrëdhëniet me mitin dhe legjendën dhe zbret tek bashkëkohësit, Ali Asllani e Ethem Haxhiademi. Përfundimi është ky: "Sikundër poezia popullore shqiptare mban karakterin e saj dinamik, që është një art dramaciteti pa elementin lidhës të rrëfimit, siç ka çfaqur literatura shqipe e vjetër, me gjithë fenë përgjithësisht zotëronjëse të kohës, instinktin e papërmbajtur të mallëngjimit ndaj gjuhës dhe ndjenjën e mëvetësisë etnike të saj, ashtu dhe lëvizja literare moderne e Shqipërisë sjell në çdo krahinë dhe natyrën e veçantë respektive: elementaritetin pothuajse mitologjik të Veriut, qetësinë e zellëshme ndërtonjëse të Qëndresës, heroizmën legjendare dhe shpirtin kontemplativ, të ngrohët, plot me çqetësi krijonjëse të Jugut."

 

Te "Antologji shqipe e kësikohëshme" trajton poezinë dhe prozën e shkurtër të autorëve bashkëkohës me atë vetë: Zef Skiroi, Asdreni, Çajupi, Loni Ligori, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Hamid Gjylbegaj, Ali Asllani, Mitrush Kuteli, Kostandin Kristoforidhi, Lumo Skëndo, Anton Logoreci, Toger Hilmi Leka. Kjo letërsi e re sipas tij, "është një zgjatje e drejtpërdrejtëshme e asaj të shekullit të kaluar e cila kish marrë në një trajtë ekspresërisht të theksuar hovin e saj nga vala e madhe e Revolucionit francez pasi ky kish rigjeneruar, dyke i ngritur si entitete me fizionomi të prerë nacionale shtetet e Europës dhe ato të Ballkaneve."

Korrespondencat dhe ditari intim që përbëjnë Veprën III janë të njohura tashmë për një pjesë lexuesish. Ato prezantojnë çiftin Nafije Mema-Llazar Gusho prej takimit të parë më 1937. Lidhja me martesë u dha dy vajza, Kostandina dhe Maria. Por periudha e intensive e njohjes janë tre vitet, 1937-1940, me letërkëmbime ndërmjet Durrësit, Pogradecit, Tiranës. Shënimet e Poradecit për ditë të zakonshme në provincë, janë të mbushura me detaje që rrëfejnë edhe atmosferën e një vendi në luftë.

 

Trashëgimtaret, mendojnë të botojnë korrespondencat që babai pati me personalitete të kulturës, Eqrem Çabej, Asdreni, Tefta Tashko, Odise Paskali, Mitrush Kuteli.

Ndërsa pjesa e dytë e ditarit, do të zërë një vëllim më vete: epoka prej vitit 1942 deri më 1982.

Botimet janë përgatitur për shtyp nga vajzat e autorit Kostandina dhe Maria Gusho, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për 110-vjetorin e lindjes së Lasgush Poradecit.

 

Shekulli - Për ZSH: Gjergj Kabashi