Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lis Bukuroca: U dogja për të vërtetën

| E hene, 20.09.2010, 09:28 PM |


Lis Bukuroca

 

 

U dogja për të vërtetën

 

„Ju ndoshta keni më shumë frikë

të më shqiptoni dënimin,

se sa unë ta pranoj atë“,

u tha Giordano Bruno inkuizitorëve:

i gjunjëzuar dhe gërmuq

duke i parë në sy njërin pas tjetrit

 

pas gati tetë viteve burg

i ligsht, i lagësht dhe i tretur;

dhe shumë i zbehtë dhe shumë faqendezur priste Fjalën

sepse në fillim ishte Fjala

 

Mirëpo, megjithatë, e dogjën në “Campo dei Fiori”

Në “Fushën e Luleve”, në fillim zjarr

Pastaj tymnajë

Përsëri zjarr

Pastaj klithje

pastaj erë mishi nga Njeriu i pjekur,

pastaj pak prush

pastaj përdredhja e fjollave të fundit të tymit

Dhe,

në fund, shkrumb e hi

 

Pak më vonë turma e pagojë iku në shtëpi

erdhën pastruesit me fshesa e lopata

për ta fshirë Giordano Brunon

dhe e fshinë ashtu fët e fët duke futur atë në një kovë të ndryshkët

Shumë grimca të tij i fërfëlloi era:

Mbetje nga truri, fytyra dhe trupi fluturuan të harlisura në ajër

Pastaj çlirim; ngazëllim dhe mburrje, djegia e librave të tij dhe kështu disi...

Pasoi shiu lotues dhe i mërzitshëm shekullor

Pasoi kredhja, kruspullosja dhe lutja dhe pendimi i pjesshëm...

 

Për zhuritjen e plotë të Njeriut

vendosi Antikrishti i pa fre, i dalldisur:

Papa Klementi vet, “Ati i shenjtë”...

 

Nejse, t’ i biem shkurt dhe të shihemi në pasqyrën e vjetër,

të plasaritur dhe të varur para Njeriut:

Krishtin e patën gozhduar të gjallë

kurse zëvendësi i Krishtit në Tokë

poqi të gjallë Giordano Brunon

Dhe, nuk pati frikë ta luajë Pilatin!!!

Nuk pati frikë ta luajë Pilatin!!!

“Ati i shenjtë!”

 

Njeriu dhe aftësia e tij për të besuar!

 

 

Galileo Galilei

 

kaloi më mirë se Girodano Bruno:

vetëm tetëmbëdhjetë vite

burg shtëpiak nga papa Urbani,

zëvendësi tjetër i Krishtit në Tokë,

që nga kryqi klithi:

“Oh Atë, falja gabimin, nuk din ç’po bëjnë!

 

Këtë deshi t’ ua thotë edhe Giordano Bruno

por ata ia patën lidhur gojën

se mund t’ i fliste turmës së trishtuar

e lidhja e gojës, ishte parandalim...

Si edhe në komunizëm...

Si edhe në shumë vende të botës

Si dje, edhe sot

i lidhet goja Njeriut nga frika e vetëdijesimit

Diku për shembull vetëm grave

Diku tjetër krejt popullit

Sepse mbyllja e gojës si prevencion u siguron rehati

gjatë masturbimit...

 

Njeriu dhe aftësia e tij për të gjykuar!

 

 

Ligjet e ashpra të evolucionit

 

Dëmtuesit më të mëdhenj të Krishterimit

ishin pasuesit e tij, që

në vend të dashurisë, predikuan vdekjen

Rrënuesit më të mëdhenj të komunizmit

ishin ndërtuesit e saj, që

në vend të komunizmit

ndërtuan diktatura dhe burgje

Dëmtuesit më të mëdhenj të Islamit

janë ithtarët e tij, që

në vend të dashurisë

predikojnë vdekjen

 

Nuk mund të bëhet ndryshe:

Dogmat dhe idetë kanë afat skadimi

ato dëmtohen dhe rrënohen vetëm nga ithtarët

dhe pasuesit e vet!

 

Aq sa më shumë vdekje

Aq më afër shuarjes së dogmës

dhe zhdukjes së tymnajës

 

Njeriu dhe aftësia e tij për të besuar!

Njeriu dhe aftësia e tij për të gjykuar!