| E hene, 20.09.2010, 09:26 PM |
Poezi që del nga thellësia e shpirtit të krijuesit
Gani Muhaxhiri: “AGU I DRITËS”, Poezi, Botoi KL “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2010.
Poezia e Gani Muhaxhirit në përgjithësi, ndërsa kjo e këtij libri, në veçanti, është një poezi e cila ngërthen në vete botën poetike, intelektuale dhe njerëzore të poetit. Që sublimon situata të ndryshme shpirtërore, emocionale, kohore dhe shoqërore të poetit, i cili nuk mund të qëndrojë indiferent në asnjë mënyrë
Nga Besim MUHADRI
Gani Muhaxhiri është një krijues, i cili për një periudhë të gjatë kohore kultivon artin e bukur të poezisë, por edhe atë të pikturës. Ai është një krijues serioz, i cili gjatë tërë jetës së tij është përpjekur të shkruajë poezi, në mënyrë që lexuesit t’i servojë krijimet e tij që burojnë thellë nga shpirti i artistit të shqetësuar dhe të preokupuar nga ngjarje, rrethana dhe gjendje të ndryshme shpirtërore e shoqërore.
Ndonëse në moshë bukur të shtyrë ( ka 72 vite mbi supe) ai deri më tani ka arritur të botojë vetëm një libër me poezi, mirëpo që ka shkruar një numër të konsideruar poezish për të rritur e fëmijë, të cilat presin dritën e botimit.
Poezia e Gani Muhaxhirit në përgjithësi, ndërsa kjo e këtij libri, në veçanti, është një poezi e cila ngërthen në vete botën poetike, intelektuale dhe njerëzore të poetit. Sublimon situata të ndryshme shpirtërore, emocionale, kohore dhe shoqërore të poetit, i cili nuk mund të qëndrojë indiferent në asnjë mënyrë. Duke qenë një njeri i lindur me shpirt poeti, edhe bota që konceptohet në poezitë e Muhaxhirit është një botë e ndërtuar nga situata të ndryshme, të cilat thuren dhe ndërthuren përmes vargjeve të shumta poetike që strukturohen në këtë vëllim poetik.
Poezia e Gani Muhaxhirit është një poezi e ndjenjës sublime, e preokupimit të vazhdueshëm poetik dhe njerëzor. Një poezi që del thellë nga shpirti i poetit që shkruan edhe atëherë kur ka dhimbje, edhe atëherë kur ka humor, edhe atëherë kur ka lodhje, edhe atëherë kur ka pikëllim, por edhe atëherë kur në shpirtin e tij vlon dashuria e madhe për jetën dhe njeriun. Për tokën e të parëve, fëmijët, këngën dhe librin. Pra, siç shihet, poezia e Muhaxhirit është një poezi që ngërthen në vete një botë të tërë, të mbushur me valë jete. Është një poezi në të cilën akumulohet dhe sublimohet një botë e tërë. Ajo bota e poetit të dashuruar në njeriun-njerëzoren, por edhe një poezi e revoltës së shprehur në momente dhe gjendje të caktuara shpirtërore e jetësore të krijuesit.
Siç shihet, Gani Muhaxhiri është poet që di të shkruajë edhe atëherë kur shpirti i “pikon” dashuri, por edhe dhimbje. Që di të shkruajë edhe ateherë kur kënga i ngulfatet nga bota e madhe e kërkimit, e harrimit, por edhe ajo e dëshmpërimit. Që di të shkruajë dhe ia arrin edhe atehërë kur zemra i dikton gjëra të bukura që shoqërohen nga vargje tejet të qëlluara dhe të pëlqyera nga lexuesi. Poezia e tij herë herë ka tone qortuese, herë-herë ka edhe tone didaktike, të cilat poezinë e këtij krijuesi e bëjnë që të jetë një poezi me një koncept didaktik-pedagogjik. Dhe e gjithë kja mbase vjen si rrjedhojë e punës së gjatë të krijuesit në arsim.
Poezia e Gani Muhaxhirit është një poezi me mesazh të qartë poetik. Në librin “Agu i dritës”, ai na vjen me një numër të konsideruar poezish (mikrosistemesh), të cilat i ka shpërndarë në disa cikle (makrosistemesh). Edhe pse të ndara në të gjitha këto cikle poezitë e Muhaxhirit na vijnë si një tërësi e pandarë poetike. Përveç poezive, poeti na sjell edhe disa copëza prozash poetike, që sikur e freskojnë librin dhe te lexuesi sjellin një risi. Në këto copëza poetike, poeti na del si një krijues që di çka kërkon dhe ku e kur kërkon. Ai është një shpirt kërkues dhe këmbëngulës. Dhe duke qenë i tilllë, ai ia arrin që para lexuesit të sjellë një mesazh të qartë poetik, që edhe është qëllimi i tij krijues.
Gani Muhaxhiri, me këto poezi të formësuara në format libri, përkatësisht vëllimi poetik, por edhe me poezitë e tjera që presin të formësohen në libra të radhës, është një poezi sa e thjeshtë, aq edhe komplekse, në brendinë e së cilës ngërthehet një botë e tërë e krijuesit të emancipuar në frymën e ideve të ndryshme kohore dhe hapsinore, që mbase nganjëherë sikur nuk qëndrojnë në linjë me kohën e botimit.
Prandaj, për të parë dhe dëshmuar të gjitha këto që i thamë, i mbtetet lexuesit që të ballafaqohet me botën poetike të këtij poeti dhe të vlerësojë e të debatojë me idetë dhe filozofinë e prezantuara në këtë libër, qoftë edhe në këtë formë.