| E hene, 20.09.2010, 09:31 PM |
Ali Sh. Berisha
Muza e dhembjes
Çdo gjë ka marrë fund
Vetëm një thirrje e pres
Dhe çdo gjë merr fund
Do të nisem
Do të marr një pjesë të jetës
Aty do të lë vetminë që më ndjek
Se dua të jetoj
Do nisem për të ndihmuar
Përpjekjet e gjakut tim
27.09.2005
Arnues të ëndrrave
Ne s’jetojmë në të njejtin qytet
Shumë kufinj shtetesh na ndajnë
Largësia dashrinë tonë e nget
Në krahëror blerim të mbajmë
Male e fusha kanë hyrë në mes
Dashuria jonë qanë dhe rritet
Si zjarr i pashuar që diellin ndez
Dhe gjithëherë vetëm përtrihet
Në këtë largësi dashuria çmend
Zemrat i bënë me forcë t’vrapojnë
Mendjegjora përjetshëm ngarend
Copa ëndrrash gjithnjë arnojmë
Edhe pse bjeshkë të larta ndajnë
E në heshtje vrasin e s’bëzajnë
Ne as që vdesim e as që prajmë
Syrin në sy përjetshëm ta lajmë
Nga kjo largësi vetëm zëri vjen
Dhe flladshëm hyn nëpër damar
Ndonjë letër nga shkronjat zjen
N’dritë t’përjetshme për t’u var
25.02.2005
Ç’je ti që s’të shoh
Ç’je ti që s’të shoh
Me kamxhik tek më qëllon
Dhe s’të vjen keq
Ndal kamxhikun – fshikullimën
T’m’i përgjakësh sytë n’shikim
Dashuria nuk do dimër
Do ylberin në agim
Ç’je ti që gjakun më ngrinë
Dhe s’ngopesh me psherëtimë
Tregoje fytyrën e vërtetë
Qofsh ti engjull
Apo dreqi vetë
8.06.2005
Lermë të qetë
Mësyej në katin e tretë
Flokëgjata të ma thotë një fjalë
Rëndoj mbi rezë të derës
Ajo hapet në fytyrën bajate
Dhe në filxhanin me kafe
Ai syakull ngjesh në derë
Lëshon grimasë të vetmin zë
Lermë të qetë të pij kafenë
S’arrijë të mësoj për fatin tim
Se dera u mbyll përgjithnjë
Tek ngjisja shkallët grimasa
Përçudshëm më gërryente trurin
Tek zbrisja shkallët
Mbërtypa fjalorin e pistë
S’ta firmos udhtimin te zemra
Dhe pashë fundin e firmës sime
Tek më shponte thirrma
Lermë të qetë...
Largohem me Gallapin nën sqetull
Me rrezen e ngrohtë nën vetull
Nëpër turmën e heshtur
Që të nesërmen të lë grimasën
Dhe t’i ngjitem qiellit
Për t’i përqafuar tridhjetë vjetë
Të jetës së humbur
Prishtinë, 24.07.2005.
Armata ime
Ti linde
Nga vijat e gjyshit në oxhak
U bëre feniks
Për ta shporrë terrin
Gjithmonë mbeti
Një pikë gjak që s’tretet
Dhe rilind
Në mburojë
Armata ime
Tash rritu fuqishëm
Se fqinjë ke dreqin
Dhe sfida t’reja të presin
25.11.2005
Mos u brengos
E kalova portën e madhe
Qiellit do t’i ngjitem
Do t’i kalëroj mjegullat
Me rreze dielli do të mbështillem
Pastaj do të zbres
Për të hyrë në portën e fundit
Ku ti më pret
Perëndeshë e dashurisë
Mos u brengos
Do të më mbështjellësh
Me tërë bagazhin e etjes
Dhe zjarrin që përtrinë jetën
E dhembjet men
Mos u brengos
Se rrugëtimi përmes lotit
Në dheun e ngrirë
Do të të jetë krah
Perëndeshë e dashurisë
15.01.2006
E di se je ti
E di se je ti
Thuajma një fjalë çfarëdo
Mund edhe të më shash
Dua vetëm zërin ta dëgjoj
E di se je ti
Heshtjen tënde s’e kuptoj
Çfarë faji kam që s’flet
Hajde ndëshkom pra
Ç’ret
E di se je ti
Dhe ti e di se jam unë
Por vetëm cingrima s’mjafton
Se të dua si sytë e mi
Hajde dridhi telat
Çifteli
Edhe ti e diel që t’vetmin mëkat që kam
Dhe gjithë bota e adhuron
Quhet me një emër
Dashuri
7.02.2006.
Sa është ora, vëlla!
Ti tashmë sytë i ke mbyllë
Pa të të “ra për fytyrë”
Dhe në heshtje më kërkon
Që ta dëgjoj porosinë e fundit
Pa bërë gjëmë
Pa lëshuar zë
As lot
Ti s’më tregon për orën
As që do të ma thuash më
Se ti orët i ke gozhduar
Ndoshta edhe mua
Në këtë natë të gjatë
Pse nuk t’u gjeta
Kur t’u desha
Hej
Ndoshta 7 marsi i 1991 të thirri
E s’arrite t’thuash as ik as prit
As lotin të ma peshosh
Nën peshën e dheut
Përtej largësisë
(Ora 22 e dt.7.III.2006. Artani më njoftoi se vëllai, Musli Berisha kishte ndërruar jetë në orën 21)
Përvjetor dhembjeje
Ç’je ti që qanë errësirën
Nga anë e malit
Veshur me pëlhurë rrezesh
dhe zgjatë duart bilur
Ç’je ti që ndritë
Tek sulesh në fluturim
Tek hapë krahët n’përqafim -
Je shpirti që më deh
Jeta që lëshova në dhe
Zë nxjerr dritë e bardhë
Në kontura të bukurisë -
Nga breg i varreve sërish
Po kthehem thellë
Në zemër të dashurisë
Pandehja se nën dhe kam tretur
Dhe e harruar mbetur
Forcë më dha perëndia
Të të puth dritëzash
Se nuk vdes dashuria
16.08.2006
Fluturoni dallëndyshe
Fluturoni dallëndyshe
Përqafoni qiellin e bukurisë
Shuani mallin n’degë t’qershisë
Që varë m’janë mbi varr të babës
Dhe të nënlokës
Fluturoni dallëndyshe
M’i përqafoni mbesa e nipa
Ylberin mbi çati
Hënën mbi Germi tek buzëqeshje mbjell
Dhe dritaret e hapura nëpër rafte
Tek më përcjellin çdo çast
Në nënrrashtën time
Shi dhe diell
17.08.2006.
ALB-AN-I më thërrasin
Alb-an-i më thërrasin
Në Albanik e kam kokën
Sy të përlotur kam
Prespën,
Ohrin,
Shkodrën
Trupin e kam në Ballkan
Gjoksit tim Alp i thonë
Që për krah ka Skardusin
Me zemër Drenicën
Që dejt e jetës i shtrinë
Kah Adriatiku
Kah Egjeu
Kah Deti i Zi
Ndërsa dashurinë
Në nënsqetullën e Iliridës
Në Luginën e Preshevës
Në brigjet e Cemit
Alb-an-i më thërrasin
Në Prevezë
Në Janinë
Në Artë
Në Ulqin
Teksa Joni përqafon Adriatikun
Zeusi erën
Homerin
Uliksin
Në luftë me polifemët
Dhe pabesinë
Alb-an-i më thërrasin
Albanikun e kam kokë
Trup e kam Ballkanin
Prej se Zoti e quajti vetën Zot
Dhe në këtë dhe
Albanët mbolli
Me gjenin dhe gjuhën e vet
Zonja nënë
(Në vend të luleve për 8 Mars)
Zonja nënë e pavdekshme je
Ara t’grurit e ujë bilur ke
S’të duhen lule se lule je vetë
Ty të duhet dashuri e vërtetë
Zonja nënë ti bukëmira
Që rritë djem e vajza t’dlira
Je e lumtur kur ta ruajmë shtatin
Nga çakenjtë që presin çastin
Zonja nënë ti qerdhe shqipesh
E ndjen zemra kur ti ligesh
Kur pjella jote dredh n’mejhane
Ndaras n’kuvende e n’mejdane
Zonja nënë Kosovë e bukur
S’të duhen lustrat për t’u dukur
Ti do dashuri mësim e punë
Ti s’ke kohë fare për gjumë.
Ora 2.20 min. 7.12.2006.
Heilbronn
Flaka e Janarit
Pashë Gjarpinjtë e gjakut
Duke ngrënë koka
Pashë ndjekësin e të pavdekshmit
Shaban Shala në qelijat e padrita
Pashë Fazli Grajçefcin
Në gishtat e Zeqir Gërvallës
Të shndërruar në krahë valvitës
Flamurin ia preka me këto duar
E putha me këto buzë
Në nëntor të ´68-tës
Pashë qelinë e vuajtjes sime
Shqiponjën e përgjakur në të
Trupin e Ilmi Rakovicës pa frymë
Shndërruar në Feniks
Flakën nga shtat i Fazliut
Tek hynte në legjendë
Nuk vdiq thirrma për liri
Në germat e Kanjushes së Verdhë
Në telat e kitares shndërruar himn
Nga dhemba për notat e papërfunduara
Të Sypagjumit nën kurorë plepi
Për rrezet e ngrohta të Diellit
Pashë t’linte prehërin nënë Ajshes
Rrugëzdraltave të Bizmarkut
Të përpqej për t’u larë pisllëkun
Njëqindvjetësh krimi n’Ballkan
Për të kthyer në ylber gjakun
E prushtë të Kadriut e Bardhoshit
Janarin e akullt në flakë të lirisë
Dhe flaka qëndisi zemrat me prush
Robërisë t’i varen në gushë
Ta ngulfasin e rrëzojnë përdhe
Të shndërrohen në lule pranvere
Bajrami, Nuhiu, Rexhepi, Shemsiu
Në rrugë përqafimesh të gjata
Për lirinë që kërkonte haraqin e vet
Tash për ballë kanibalve mesjetar
Deri te janari i ´99-tës
Që të mbetem vetëm me shkronjat e shqipërimeve tua
Janare përvëluese të gjithë muajt
Dhe të gjitha vitet u bënë
Edhe marsi e tej marsit
Edhe prilli e tej prillit
Deri në Janarin e flijimit
Deri në Janarin e Adem Jasharit
Janarin e flakëve të fenikësve
Janarin e dhembjeve dhe çëndresës
Janarin të përmasave të lirisë
Deri te qershori i lavdisë
Me këta sy pashë shtatet
E vrimuara nga plumbat
Pashë gropa sysh pa e parë lirinë
I pyesja për emrat dhe vatrën
Përgjigjen e gjeja në xhepat e tyre
Në shamijat e gjysheve
Në zërat e gjëmës
“Oh, nënë”
“Baba, baba”
“Biri im”
“Vogëlushja ime”
“Vëlla, a ketu je, a?”
Me këto duar mblodha eshtrat
I rreshtova me fjalë e numra
Në truallin e nënë Mihrijes
Me ekspertizën e Tribunalit
Gunshot wounds to chest
Head and spinal injury
Multiple gunshot wounds[2]
Ekspozitë e dhembjes që s’shuhet
Në muret e qytetit tim të vrarë
Tek po ndiqja dashurinë
Dhe takoja dhembjen e fjetur
Sosa në faqet e mesme të historisë
Të dashurisë dhe qëndresës
Dhe pashë Sypagjumin tim
Pa varr në Untergrupenbah
I drejtohem me lotin dhe mllefin
E një shekulli gjaku të ngjizur
Vallë a do të ketë janar të tjerë
Pa dhembje në jetët tona
Në pritje pasojnë kurbanët
E gabimeve të Berlinit
Të Londrës
E Versajit
Deri te korrigjimi i historisë
1.2.2008