Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agron Fico: Beteja e Kosovës 1389, në një vështrim të ri

| E shtune, 18.09.2010, 08:13 PM |


Beteja e Kosovës 1389, në një vështrim të ri

 

Nga Prof. Dr. Agron Fico

 

EPOSI SHQIPTAR PËR BETEJËN E KOSOVËS 1389 - NË NJË VËSHTRIM TË RI
(Anna Di Lellio: "Beteja e Kosovës 1389 - Eposi shqiptar")


Libri i Dr. Anna Di Lellio-s "Beteja e Kosovës 1389 - Eposi shqiptar" shënon një arritje në studimet shqiptare dhe shquhet për analizën shumë-planesh. Aty gërshetohen të dhënat historike, sociologjike, kulturore dhe mbi të gjitha ato folklorike.

Akademik Eqrem Çabej jep kriteret e studimit të poezisë popullore

Do të veçoja si një nga kontributet e studimit të autores vështrimin tërësor e dyplanesh. Akademiku dhe albanologu i shquar Eqrem Çabej thotë: "Në studimin e poezisë popullore duhet të kemi parasysh dy aspekte: anën nacionale dhe anën ballkanike; e para, na vë në gjendje të vërejmë, nëpërmjet poezisë, shpirtin e këtyre kombeve, e dyta na bën të njohim ndërlidhjet kulturore. E para është një metodë sinkronike, e dyta diakronike. (Eqrem Çabej: "Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes", 1994, f. 32)
Studiuesja ka sjellë fakte të shumta se si janë ngjizur dhe si kanë jetuar baladat për Millosh Kopiliqin. Arkivat, autorët, historianët e ndryshëm, tregimtarët, lahutarët, dhe vetë vëzhgimet e autores në terren janë labortatori i punës së saj shkencore. Kjo është edhe arsyeja që libri i Dr. Anna Di Lellio-s lexohet me interes dhe ngjall diskutime.


Beteja e Kosovës më 1389 nyje-kyç për historinë e popullit shqiptar

Beteja e Kosovës më 1389 ka qenë përherë një nyje kyç për historinë e popullit shqiptar, por edhe për gjithë historinë e ngatëruar të popujve të Ballkanit.
Historia dhe ngjarjet faktike, kronikat e shumta dhe studimet e ndryshme e me kahje të kundërta, mitologjia e krijuar, legjendat, tradita gojore folklorike dhe politizimi i kësaj beteje edhe në ditët tona, e bëjnë studimin e kësaj ngjarjeje madhore tepër të ndërlikuar.
Studiuesja Anna Di Lellio ka marrë përsipër të shqyrtojë me seriozitet, me ndërtimin e një laboratori shkencor-kërkues objektiv, një nga dukuritë më të qenësishme të kësaj beteje - eposin shqiptar si dhe aktorin kryesor të betejës, Millosh Kopiliqin.
Studimi i Dr. Anna Di Lellio-s është tronditës për vlerat shkencore, për metodën objektive të ballafaqimit të pikëpamjeve dhe mendimeve të kundërta e disa herë tepër të skajshme, si dhe për përfundimet e reja që arrin. Studimi shoqërohet me një informacion të gjerë, me një bibliografi gati shteruese dhe dukuritë që shqyrton autorja i ndjek të në të gjitha fazat e shpalosjes.
Ekspedita ushtarake osmane që udhëhiqej nga vetë Sultan Murati synonte të shkatërronte qëndresën e popujve të Ballkanit, t'i nënshtronte dhe t'i vinte nën zgjedhën islamike.
Ndeshja midis koalicionit të popujve të Ballkanit dhe ushtrisë osmane u bë në Fushë Kosovë, më 1389. Kjo ndeshje, thënë fare shkurt, solli mundjen e forcave ballkanike, vrasjen e Sultan Muratit I, Llazari i Serbisë zihet rob e më pas ekzekutohet, Teodor Muzaku i II vritet në betejë.
Autorja, duke ndjekur planin e studimit, përqëndrohet fillimisht në shqyrtimin e literaturës që bën fjalë për faktorin shqiptar, për pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë betejë. Sjell pothuaj gjithë literaturën e njohur gjer sot. Burimet serbe, botimet dhe shkrimet serbe, ndjekin vijën antishqiptare, që fillon me zvogëlimin e pjesëmarrjes së forcave shqiptare, me mohimin e këtyre forcave, me deformimin dhe shtrembërimin e fakteve dhe personazheve. Autorja shkruan: "Reduktimi i Betejës në një përballje mes serbëve dhe turqve ka marrë forcën e idesë bazë nacionaliste, ndaj së cilës asnjë studiues nuk mban distancë kritike." (f. 30)
Ndërsa burimet joserbe, ato otomane, italiane, greke, shqiptare, etj. provojnë faktin se shqiptarët ishin pjesëtarë të koalicionit të krishterë ballkanik.
Historiani i njohur shqiptar Fan S. Noli shkruan: "Më 1389, Gjergji i II Balsha, Teodori II Muzhaqi, Gjergji Kastrioti, një stërgjysh i Skënderbeut, edhe disa kapedanë shqiptarë të tjerë u bashkuan me Kralin Llazar të Serbisë, i cili kishte organizuar një kryqëzatë kundër Sulltan Muradit I... Ushtria kryqësore... u përpoq me ushtrinë turke në Fushën e Kosovës". ( Fan S. Noli: "Historia e Skënderbeut", Tiranë, 1967, f.10) Një tjetër historian shqiptar, Prof. Selami Pulaha thotë: "Në Kosovë, shqiptarët luftuan kundër 'Islamit të prapambetur' dhe zunë një vend nderi në historinë e popujve të Ballkanit në betejën për të mbrojtur jo vetëm lirinë dhe pavarësinë, por edhe civilizimin europian." (Anna Di Lellio: Beteja e Kosovës 1389 - Eposi shqiptar, 2009, f.33)

Kompozicioni i studimit të autores të kujton formën e piramidave historike, kat pas kati gjer në pullaz.
Shqiptarët janë simbolizuar, tipizuar dhe mishëruar në figurën e Millosh Kopiliqit
Pjesa e dytë e studimit përqëndrohet te protagonisti i Eposit të Betejës së Kosovës më 1389, tek shqiptarët, të simbolizuar, të tipizuar, të mishëruar në figurën e Millosh Kopiliqit.
Kjo është edhe pjesa më e vështirë, më e diskutueshme, është siç mund të thuhej me një metaforë "thembra e Akilit" të këtij punimi serioz.
Autorja pajtohet me mendimin se, "Asnjë nga burimet e hershme nuk e përmend emrin apo përkatësinë etnike të vrasësit dhe japin përshkrime plotësisht ndryshe për vdekjen e Sulltanit." (Po aty, f.34)
Nga burimet bashkëkohore që përmendin vdekjen e Sulltanit - thotë Di Lellio - i pari është një shtesë e shkurtër në poezinë epike të vitit 1390, "Iskendername", shkruar nga Ahmedi, pseudonimi i një shkrimtari turk. Shkrimtari Ashik Pasha - Zade (më 1480) dhe shkrimtari serb Kostantin Mihailoviq nga Ostrovica (më 1497) përmendin emrin e vrasësit të Sulltanit. Pavarësisht nga forma si shkruhet emri, ky është Millosh Kobila.
Po ashtu burimet greke, italiane, etj. e përmendin protagonistin - vrasësin e Sulltanit - me emra të ndryshëm.
Një pyetje interesante do të ishte: Pse, nga tërë këto portrete të ndryshëm, gjithandej ka dalë qysh nga shekulli XVII vetëm si hero serb?
Bazuar në burimet e pasigurta historike dhe në traditën epike të Ballkanit Perëndimor është krijuar edhe rrëfimi nacional serb. "Bërja e këtij rrëfimi kombëtar, nuk është proces linear. Ka filluar me traditën gojore mbi Betejën, që është institucionalizuar në veçanti që në shekullin e XVI në forma liturgjike dhe politike të Kishës Ortodokse Serbe." (Po aty, f.38) Madje shkrimtarët ortodoksë në letërsinë mesjetare serbe ishin përqëndruar në fillim tek princi Llazar, kurse Obiliqin e shpërfillnin plotësisht.
Millosh Obiliç-i përbën një element shtesë relativisht të ri në mitin serb të Kosovës. Siç u vu në dukje më sipër, figura e Obiliqit, e shpërfillur nga letërsia mesjetare serbe, përmendet vetëm në dy pjesë të botuara nga Vuk Karaxhiq, poet dhe folklorist i shekullit të XIX.


Tradita folklorike dhe të dhënat gojore pasqyrojnë ndërgjegjen historike të banorëve

Në Kosovë Millosh Kopiliqi tradicionalisht ka qenë vetëm hero folklori, një figurë e njohur vendore. Emri dhe bëmat i janë përcjellë e i përcillen brez pas brezi dhe janë skalitur edhe në toponime të shumta dhe të ndryshme. Ende dëgjohen toponimitë si: kullat e Milloshit, bunari i Milloshit, livadhi i Milloshit, etj. "Në fshatin Kopiliq i Epërm, sipas historianit vendas Ibrahim Çitaku, që më tregoi një pus (pusi i Milloshit), gurë të vegjël të bardhë të shpërndarë nëpër fushë (kisha e Milloshit) dhe më të mëdhenj me shenja të shlyera, që mbase të kujtonin kryqin, të vendosur në një kodër (gurë varresh krishtere)... dëshmi e së kaluarës krishtere të vendasve." (Po aty, f.42)
Tradita folklorike dhe të dhënat gojore pasqyrojnë ndërgjegjen historike të banorëve. Ja disa prej tyre: "Jam nga Kopiliqi, ku ka lindur burri që vrau sulltanin." Të moshuarit thonë: "Millosh Kopiliqi është prej këtu (Drenicë) dhe ndonëse Llazari ishte serb, Kopiliqi ishte i yni."
Me një gjuhë bisedore, ja si lahutari shqiptar këndon për guximin trimëror të protogonistit, vrasësit të Sulltanit:
"Zgjatet mbreti e i jep kambën,
Ngrihet djali e i ban gjamën.
-Mik pa thirrë ka ardhë, aj,
Prej Azie n'Dardani,
Me na marrë magjet e miellit,
Me na zanë hisen e diellit.
Kjo Arbni ka bijtë e vet,
Të ven kryet maje kapicet,
Jam Miroshi prej Drenicet!" (Po aty, f.147)
Të dhënat gojore sjellin edhe fakte të tjera interesante. Justin Godart, politikan i njohur francez, mik i Shqipërisë, ka ardhur disa herë në Shqipëri në vitet 1921, 1922, 1923, 1937 dhe 1957. Herën e parë shkoi edhe në Qukës (Librazhd). Në ditar kujton se, "Selahedin Blloshmi, një oficer shqiptar, i cili na shoqëron, ngul këmbë që t'i bëj një nder duke vajtur për darkë në shtëpinë stërgjyshore të familjes, në Bërzheshtë. Selahedini, që mban emrin e një stërgjyshi, më tha se në shekullin e XIV, në Sopot, që është një lagje e Bërzeshtës, ka lindur Millosh Obiliçi. U largua nga vendi... vajti në Serbi... Dhe vrau me thikë sultan Muratin në Betejën e Fushë Kosovës." (Justin Godart: "Ditarët shqiptarë, mars 1921- dhjetor 1951", 2008, f.78)


Toponomastika shqiptare vërteton autoktoninë e popullit shqiptar

Antropologia Margaret Hasluck ka vërejtur se tradita e marrjes së emrave të fshatit si mbiemra ishte dhe vazhdon të jetë shprehi mes shqiptarëve. Hasluck ka parasysh se prejardhja e Milloshit nga Kopiliqi i Drenicës është dëshmuar me toponimi.
Çabej thotë: "Prej shumë vitesh kam formuar bindjen se toponomastika shqiptare përbën mbase dokumentin më kryesor që vërteton autoktoninë e popullit shqiptar... faktin që shqiptarët janë vendas në këto anë që nga kohët më të lashta të historisë, pa ndërprerje."
Drenica është më shumë se një vend, një krahinë kryengritëse, që historianët vendas e identifikojnë si qendër të Dardanisë, banuar nga ilirët. "Në Drenicë kombi shqiptar ka prodhuar një vijë heroike të luftëtarëve të lirisë, që fillon me Millosh Kopiliqin me 1389 dhe vazhdoi me Ahmet Delinë, me Azem Galicën dhe gruan e tij Shotën, që luftuan kundër mbretërisë serbe, me Shaban Polluzhën, Tahir Metën dhe kulmojnë me epopenë e Adem Jasharit dhe familjes së tij më 1998." (Po aty, f.46)


Baladat për heroin janë njëherazi historia dhe arti folklorik

Ndofta pjesa më interesante dhe më e mirëshkoqitur e studimit është ajo që i kushtohet vetë thelbit të eposit. Në variantet shqiptare të botuar nga Anna Di Lellio, pavarësisht nga ndyshimet midis tyre, ka një thelb, ka një kryemotiv - figura e Kopiliqit. Kjo figurë lartësohet në simbol të prejardhjes krishtere dhe të identitetit të shqiptarëve, që e pasuron më tej panteonin e heronjve dhe është themeli, baza e identitetit kombëtar. Luftëtari mesjetar nuk është vetëm simbol i karakterit shqiptar, por edhe dëshmi e së kaluarës së përbashkët të shqiptarëve me kombet e tjerë të Ballkanit.
Teorikisht dihet se këngët epike, historike ose legjendare ngërthejnë, krahas faktit, ngjarjes historike, edhe procesin krijues të bartësit. Baladat për heroin shqiptar, vrasësin e sulltan Muratit, Millosh Kopiliqin, janë njëherazi historia dhe arti folklorik.

Koha gërryen dhe shteron këngën, por thelbi i mbetet tek ndërgjegjia popullore

Një çështje më vete është edhe mosha e këtyre këngëve në këtë hark kohor gati 600-vjeçar, qysh nga Beteja e Kosovës më 1389. Koha dhe madje pushtimi i gjatë 5-shekullor islamik-osman e gërryen dhe e shteron edhe vetë këngën, por tek ndërgjegjia popullore mbetet shpirti, thelbi i saj.
Mendoj se, studimi, analiza e përkatësisë fetare, etnike dhe historike e pasuron dhe e provon shumëfish shqiptarësinë e këtij heroi, Millosh Kopiliqit.
Autorja thekson se traditat historike janë e ruhen të gjalla në Dardani, në Kosovën e sotme; ky shpirt heroik vjen nga Milloshi e gjer tek Adem Jashari.
Një meritë tjetër e studimit është ballafaqimi i tezave dhe mendimeve më të ndryshme të autorëve dhe institucioneve të shumtë shkencorë.

Heroi përfaqëson rrënjët kristiane-europiane të shqiptarëve

Cikli i këngëve për Betejën e Kosovës më 1389, në variantet e ndryshëm, i mëshon faktit se Millosh Kopiliqi përfaqëson heroin iliro-arbëresho-shqiptar, me rrënjë në Ilirinë e lashtë, Arbërinë mesjetare dhe Shqipërinë e kohëve të reja. Ai si hero përfaqëson rrënjët kristiane-europiane të shqiptarëve.

 

Shekulli - Për ZSH: Gjergj Kabashi