| E shtune, 18.09.2010, 06:32 PM |
Janaq Pani
PËR ATDHEUN TRE PISHTARË - poemth
Të tre - male Dangëllie
të tre - shqipe lartësie
dhe tri zemra Shqipërie.
Nisën të tre fluturimin
mençurisht shpallën kushtrimin
për lirinë e arsimimin.
Nga një nënë të tre lindnë
zemrat prush e shkëndi synë
për atdheun veten shkrinë.
2
Kush i mbledh e bën Kuvend
gegë e toskë në Prizren
me qëndresë kush i ushqen?
Kush prish pasuri me arkë
kush e shkrep fjalën me flakë
mbi Sulltanë e mbi Bismarkë?
Cilin ndjek Porta e Lartë
me afije ditë e natë
t'i burgosë fjalën e zjarrtë?
Shqipes kush ia rriti namin
kush me gjoks përball tufanin
kush në zemra lind luanin
Mic Sokolat e Sulejmanin?
Është Abdyli fjalë-shpatë
zemërzjarrti, oratori
ylber mbi malet e lartë
me një dritë meteori.
3
E kujt fjala i ka hije
ëndrrat kush i ngjit në yje
kush flet Gjuhë Perëndie?
Kush harxhoi penë e kartë
pena, kujt i kullon mjaltë
kush e mbjell fjalën e artë?
Zemra brenda kujt ia ndjeu
rrugën kush na i rrëfeu
të rilindim si Anteu?
Kush këndoi me mall biri
në çdo vatër, e kush hyri
si një zemër brenda gjiri?
Me durim, e kush ka nisë
në çdo gjoks të djalërisë
të mbjellë farën e lirisë?
Kush për atdhedashurinë
bëri verem mushkërinë
për të marrë pavdekësinë?
Kush u shtri në shtrat të këngës
kush u mboll në luk të zemrës
gur zmeraldi te loti i Nënës?
Kush u bë simbol i besës
kush shkurtoi ditët e tija
e kush qe bariu i shpresës
të mos humbë Shqipëria?
Në Stamboll, kush vetëm fill
larg atdheut sytë i mbyll
dhe në qiell lind si yll?
Kush një jetë si qiri
shqipen mbyllur në qeli
e çburgosi me poezi
i dha dritërim të ri?
Sogjetari që shpërndan
dritën si një flakadan
është Qiriu Naimjan.
4
E kë lodh malli te gjiri
e kujt dritë i bënte syri
kush kish përkushtim prej biri?
Kush mendoi për Shqipërinë
kush lëvroi diturinë
e në Perëndim mban synë?
Kujt në shpirt iu mblodhën dallgët
kush u tret në dhe të largët
për t'ia zbutë atdheut plagët?
Cilin brenga e mundoi
kush të ardhmen ëndërroi
e me shkronja t'arta shkroi?
Kë kërrusi mall i pritjes
kush shkeli shtigjet e ngjitjes
nismëtar i përtëritjes?
Kush kometë në qiell mbeti
kush kishte mendje Profeti
e në shpirt dallgë tërmeti?
Qe Samiu mendje - deti.
+ + +
Të tre - male Dangëllie
të tre - shqipe lartësie
dhe tri zemra Shqipërie.
Abdyl, Naim e Sami
zemra kurrë s'iu ka ndarë
gdhendur ju në histori
për atdheun Tre Pishtarë.