| E enjte, 16.09.2010, 09:09 PM |
Janaq Pani
VRIMË E MIUT 500 GROSH
Fabul
Thonë kjo na paska ngjarë
mijëra vite më parë...
...Një maçok sa një bulldog
dhe miushi vocërrok
shkonin rrugës të dy tok.
Miqësinë e mbanin fort
sa në botë s'u gjendej shok.
Miqësinë fort e mbanin,
në një pjatë bashkë hanin,
vllazërisht çdo gjë e ndanin,
bashkë qeshnin, bashkë qanin.
Por miushi kapedani
nisi e na "përmbys sahanin."
Ja që na mësoi vesin
gër, gër, gërr të shponte thesin.
" Sillu mirë! - i thosh maçoku,
- Ja, ia hapa grykën thesit,
ikë fut turinjtë e ngopu,
vetëm miell mos derdh sheshit.
Edhe thesin mos ma gris,
ndryshe, do të kullufis."
" Sot më fal, jo nuk bëj më!'
thosh miushi me një zë,
pastaj loz e qesh me të.
Ia kthen shoku: " Ja, ta fala!
Veç mos më lozësh nga fjala,
ndryshe të përpiu vala."
Dhe miushi ulte kokën:
" U pajtuam, jemi shokë!
S'ka maçok si ti në botë,
të kam mik e mik me kokë."
Kështu miu bënte lajka
deri sa të vinte darka.
Pastaj, fërr, te thesi shkonte
dhe zakonin s'e harronte,
gër, gër, gërr thesin e shponte.
Dhe premtimet, si ngahera
fu e fuu i mirrte era.
Veshëngritur dhe maçoku,
prapa shpine ç'punon shoku,
ky miushi vocërroku.
Gër, gër, gërr i vin te veshi
sikur po i shpohet thesi,
ndaj inati xixat ndezi.
Dhe si shpatë i nxjerr thonjtë:
" Miush, ti e nise lojën,
në ta pafsha diku bojën
ta dish, do të ta brej kockën!"
Që ta dini si e qysh
niset macja me yrysh,
miqësia na u prish.
Që ta dini, qysh aherë,
sa miushi bën poterë
dhe maçoku thonjtë nxjerr.
Po miushi ia ndjen frikën,
qoftë natën, qoftë ditën
dhe nga sytë - këmbët ikën.
Që lëkurën të shpëtojë
iu desh shumë të gërmojë
dhe turirin të hollojë.
Sa ia ndjen maces gërhimën
vrap te vrima e mban frymën.
Ndaj dhe frikacaku thosh:
" Vrimë e miut pesëqind grosh!"
E kur njeriu s'e do njerinë:
" Shkojnë si macja me minë..."