Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Plas sherri në komunitetin mysliman, Selim Muça akuzon: Duan të më heqin ata që vranë Sali Tivarin

| E merkure, 15.09.2010, 09:57 PM |


Kryetari i Komitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça deklaron se forca të errëta, të cilat pasi patën larguar ish kryetarin pak vite më parë në rrethana misterioze, realizuan vrasjen në zyrë të ish sekretarit të përgjithshëm të ndjerit Salih Tivari, tani po mundohen të largojnë me dhunë dhe kërcënime Kryetarin legjitim të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

 

“Këta individë, vazhdimisht ushtrojnë presion në mënyra të ndryshme mbi instancat e institucionit tonë, duke paralizuar dhe penguar me të gjitha mënyrat mbarëvajtjen e funksionimit të Komunitetit Mysliman. Këta persona ditën e sotme, duke u mbledhur në mënyrë të paligjshme dhe ilegale, sipas tyre kanë marrë disa vendime antistatuore dhe antiligjore, duke tejkaluar çdo normë institucionale, morale dhe islame. Vendimet nga ana e tyre nuk kanë asnjë bazë. Kryetari i KMSH-së është në krye të detyrës i zgjedhur nga Këshilli i Përgjithshëm me mandat ligjor dhe nuk do ta braktisë detyrën e tij për egon dhe ambicien e disa individëve karrieristë dhe destruktivë. Konkretisht ky grup kryesohet nga sekretari i përgjithshëm Betim Truçi, myftiu i Durrësit, Ilir Vokshi, Bujar Topçiu, myftiu i Kukësit Ali Hallaçi, dhe disa persona të tjerë destruktivë. Për personat që kanë organizuar këtë kaos në institucion, kryesia e KMSH do të marrë masa në bazë të statutit dhe rregullores së brendshme të KMSH”, shprehet Muça në një deklaratë për shtyp. Ndër të tjera ai duke u ndalur tek mbledhja e zhvilluar nga kryesia ditën e sotme, thekson se megjithëse të lajmëruar për të marrë pjesë në këtë mbledhje dhe megjithëse ndodheshin në selinë e KMSH Sekretari i Përgjithshëm Betim Truçi dhe ish myftiu i Tiranës Ilir Vokshi kanë bojkotuar mbledhjen duke cënuar rëndë statutin e KMSH dhe rregulloren. Nga ana tjetër, sipas tij pa asnjë baze statuore dhe juridike këto elemente, të shoqëruar nga pak militantë të tyre, në kundërshtim të plotë me statutin dhe çdo rregullore si edhe duke shkelur hapur me insistim çdo parim juridik, moral e fetar kanë nxjerrë në pah haptazi ambiciet e tyre me te ulëta për uzurpim me dhune te institucionit, duke u vetëshpallur drejtues te institucionit. “Bëjmë me dije të gjithë opinionin publik, se këta elementë nuk kane asnjë lloj atributi, kompetence apo të drejte për asnjë lloj vendimmarrje dhe se te ashtuquajturat takime dhe te ashtuquajturit vendime të dy apo tre anarkistëve nuk kane kurrfarë baze as vlefshmërie. Këto grupime te pamandatuara nga forumet përkatëse nuk munden kurrsesi te zëvendësojnë forumet e mandatuara në mirëfunksionim të plotë. Kryesia e Komunitetit Musliman shqiptar si edhe Kryetari i KMSH, me maturi e kulture qytetare, të përgjegjshëm për misionin fisnik fetar e mbarëkombëtar, janë në krye të detyrës me mandatin, kompetencat dhe fuqinë ligjore. Janë këto forume të cilat kanë te drejtën ligjore për marrjen e vendimeve dhe organizimin e mbarëvajtjes se aktivitetit në këtë institucion. Çdo takim tjetër, nuk i shërben asgjëje përveç përmbushjes se ambicieve te papërmbajtura, nuk i shërben asgjëje përveç anarkisë dhe kaosit qe përpiqen te provokojnë këto elemente ekstremiste, destabilizues e intrigante te cilët kanë për synim vetëm të shkatërrojnë këtë institucion te rëndësishëm, te ngritur me kaq mund e djersë në të mirë të besimit islam dhe vendit”, përfundon deklarata për shtyp, e Selim Muçës.

 

 

Gazeta Sot