Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Blerësi ''prodhimeve bujqësore'' me afate të skaduara

| E marte, 14.09.2010, 09:59 PM |


BLERËSI “PRODHIMEVE BUJQËSORE”

          ME AFATE TË SKADUARA

 

Nga KALOSH ÇELIKU

 

       Shqiptarët brez pas brezi kanë qenë profesionistë: në përdorimin e armës, të penës, në bujqësi, në blegtori, në shkencë dhe në politikë. Shqiptarët, kur kanë pasur Universitet, të tjerët i kanë besuar dhe i janë lutur Lopës si Zot. Edhe: del në shekullin e XXI Blerësi që blen “prodhime bujqësore’ me afate të skaduara: kunguj Stambolli, patate, speca, patlixhana... Edhe atë, i blen shumë lirë: 24 rroga mesatare me para të shtetit duke i përdhosur personalitetet kombëtare shqiptare. E blen Patriotin e Vonuar, e blen Këlyshin me zgjebe, e blen Këlyshmelez Sharrin, e blen Këlyshin e Llagut, i blen djemtë e shokut Tito... Fatkeqësia, i blen me paratë e shqiptarëve në emër të shtetit, që mezi i arrnojnë ditët e nesërme.

       Shqiptarët më nuk merren me kunguj Stambolli. Shalqi dhe pjepëra. Prodhime, që i kanë kultivuar që në kohën Ilire. Tashti, merren me prodhime të tjera bujqësore: shartimin e këtyre prodhimeve të egra.

       Edhe në këtë lëmi janë treguar profesionistë. Nëse nuk besoni, kur të doni ecni në vendlindjen e Xha Derallës: Jasakët e Tikeve. Vendin, ku ky burrë i ka shartuar dardhat gorrice. I ka shndërruar në mriza të Zanave të Fishtës. Dhe, do të bindeni se ata burra i kanë dalur zot bujqësisë, blegtorisë, pemtarisë. Shkurt: Natyrës.

       Vetëmse, kohët e sotshme ende janë me mjegulla të arnuara që enden si kope të deleve të nënkryeme nëpër qiell. Dielli më kot përpiqet të zbres më këmbë nga Çelvjollca. Mjegullat ia kanë zënë rrugën. Sytë ia lidhin me shami. Blerësi “prodhimeve bujqësore” i ka vënë pusi Diellit: me kunguj Stambolli. Edhe atë, rrëfangat i kanë nxjerrë nga brezi për mejdani si topuzë turku.

       Kungujt e Stambollit përditë na lulëzojnë në Kopsht. Edhe arave. Barkun e kanë nxjerrë cullak karshi qiellit dhe rreziten në Diell. I kemi me pakicë e shumicë, sa që kanë të hanë edhe lopët e shtetit. Vetëm, përçudi këta kunguj Stambolli kanë edhe rrëfanga. Edhe atë, rrëfanga si cungje shelgu që u mbesin lopëve në fyt. I ngulfasin lopët e shkreta në Kopsht, në mes të arës. Më kot bujku përpiqet t’ua heq nga fyti këto rrëfanga, kur ato më ua kanë zënë frymën. I kanë bërë t’i ngrejnë të katër këmbët përpjetë në hava. Kasapi i shpëton këto lopë shterpa. Kasapi. Edhe atë, pasi tua vë thikën në qafë. E pasi t’u ketë dalë shpirti t’i varë në një degë shelgu, rjepë lëkurën për opinga. Mishin, dihet ta bëj pastërma për dimër. E dini ju, sa e shijshme është grosha kur piqet në vorbë pranë oxhakut me një copë pastërma në dimër?! Jo, nuk e dini. Nuk e dini ju, edhe përgjigjen e Xha Derallës, kur ka dhënë provime në medrese për t’u bërë hoxhë katundi. Komisoni i hoxhallarëve, kur e pyet se me çka hahet buka? Plaku u prgjigjet plot krenari: me groshë. E ata të befasuar me përgjigjen e plakut, ia presin: pak më mirë, edhe pak më mirë. Edhe dy – tri fjalë duhet shtuar kësaj fjalie përpara bukës. Eh, do të ishte më e mirë sikur të kishte edhe një copë mishi, u përgjigjet plaku.

       Komisioni, kur shohin se plaku është larg me përgjigje, vazhdojnë me pyetjen e dytë: Mirë, pasi nuk ia qëllove pyetjes së parë, vazhdojmë me pyetjen e dytë: sa sharte i ka Islami? Plaku, pasi u thellua në mendime, i shkundi krahët dhe i vuri gishtin kokës, plot krenari u përgjigjë: Njëqind. Njëri, që ishte edhe ai në provim për hoxhë, i përshpëriti ngadal plakut: thuaj pesë! Xha Deralla iu përgjigjë plot zemrim shokut: Ky turku nuk pajtohet me njëqind, e do të pajtohet me shtatë. Dhe, ja kështu Xha Deralla mbeti pa u bë hoxhë katundi.

       Në oborrin e medreses, kur dolën jashtë i tha shoku Xha Derallës: a vërtetë nuk e dije se duhet thënë para buke: “Bismil lahi  Rrahmani Rrahim”, apo luajte gogëla me komisionin e hoxhallarëve të turkut?! Xha Deralla, qeshi me ironi. E dija, si nuk e dija, po desha pak të tallem me kungujt e Stambollit, që rrisin barkun sa një lodër edhe arave tona, rrëzë Çukës.

      E di, ju do të thoni një hoxhë më pak si lexues i këtij shkrimi. Po, nuk është këtu qëllimi, më mirë një hoxhë shqiptar si Xha Deralla se sa njëqind hoxhallarë turku. Edhe puna e këtij Blerësit të “prodhimeve bujqësore” është si puna e hoxhës turkut. Vetëm se, puna e këtij Kasapi kulturor dallon për nga strategjia. Sistem pas sistemi zvarritet edhe në kohën e sotshme “demokratike”. Edhe nëpër bar fshihet komunisti plak, ndonjëherë edhe duke ndrruar ngjyrën, merr parjen e ambientit ku e struk kokën. E veshë setren e partive politike. Gjatë shënimit të përvjetorëve të personaliteteve kombëtare, fotografohet para kamerave televizive krah për krahu në rendin e parë me prijësit e partive politike në pushtet. Edhe ferrave fshihet ky zvarritës helmues i “prodhimeve bujqësore” komuniste.

       Shpeshherë del edhe në pazar, me paratë e popullit në emër të Shtetit i blen “prodhimet bujqësore” me firma komuniste në ballë për njzetekatër rroga mesatare mujore. E “prodhimet bujqësore” teknefese, që u ka kaluar afati i përdorimit se, janë kalbur nëpër arat e Koperativave komuniste, kënaqen dhe janë të lumtur me humanitetin e këtij Blerësi që edhe në kohën e sotshme “demokratike” i ngarkon në qerre këta kunguj Stambolli për t’i shpie në Evropë si prodhime shqiptare ...