Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Halil Haxhosaj: Pesha e poetikës dhe figuracionit

| E hene, 13.09.2010, 08:55 PM |


PESHA E POETIKËS DHE E FIGURACIONIT

 

Martin Lleshi: “Peshë shekujsh”, poezi, botim i autorit, Gjakovë, 2010.

 

Nga Halil Haxhosaj

 

Emri i Martin Lleshit haset që në mesin e shekullit të kaluar, pra të shekullit XX-të, në periodikun tonë letrar. Ai qysh në vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar, kur botoi vargjet e para poetike, është i pranishëm në faqet e revistave dhe gazetave tona, si dhe në fillim të shekullit XXI edhe në ueb faqet e internetit. Andaj, interesimi i këtij krijuesi për letërsinë në përgjithësi dhe për poezinë në veçanti, kanë një shtrirje bukur të thellë kohore. Por, fatmirësisht kjo u kurorëzua më në fund me sukses me botimin e dy përmbledhjeve me poezi para pak ditësh që janë: “Peshë shekujsh”, Gjakovë, 2010 dhe “Antropologjia e rrënjëve”, poashtu, Gjakovë, 2010. Që të dy librat janë botime të autorit çka dëshmojnë se ende sot e kësaj dite krijuesit jo vetëm që duhet t’i shkruajnë veprat e veta, por ata patjetër duhet të sigurojnë donacione edhe për botimin e tyre nëse duan që ta shohin dritën dhe ta kërkojnë shijen e lexuesit.

 

Semantika kohë në vëllimin poetik

 

Shtresimet tematike të poezive dhe të mbarë opusit krijues të Martin Lleshit kanë një gamë bukur të gjerë interesimi. Kjo gjerësi tematike ka një horizontale dhe vertikale veprimi që në një mënyrë apo tjetër fuksionalizohet duke u shtrirë në shumë pore dhe sfera të individit, grupit, por më tepër të kombit tonë, nëpër të gjitha hallkat e historisë, të cilën kemi qenë të mësuar ta quajmë histori njerkë. Vargjet poetike të Martin Lleshit kanë ngjyrime dhe tone që nga lashtësia, edhe pse ndonjëherë duket se burojnë herët duke marrë edhe mesazhe biblike sipas maksimës “E para ishte fjala”. Mbase, ky poet ia vë obligim krijues vetvetes që në krye të vendit të vë fjalën, në këtë rast fjalën figurative dhe poetike, e cila skalitet me pendën prej poeti. Poetika e shprehur në këto vargje depërton artistikisht nëpër të gjitha poret që kanë lënë mbresa tek autori i tyre, në këtë rast, tek poeti Martin Lleshi, i cili është nisur rrugës së poezisë me bagazh bukur të mirë, pra me dy vëllime poetikë, të cilët janë garanci për një marshim pak sa më të sigurt në këtë marshutë artistike.

Vëllimi poetik “Peshë shekujsh” i Martin Lleshit nuk është aq voluminoz për nga sasia, por është voluminoz për nga cilësia. Kjo konstatohet me shtrirjen e poetikës së tij në një hapësirë kohore që fillon që nga vitet e ’70-ta të shekullit të XX  deri në fund të viteve të ’90-të të po këtij shekulli. Gama e shtrirjes semantike kohore e kësaj poetike nuk është gamë zori, por ajo shtrihet gjerësisht nëpër të gjitha ngacmimet krijuese të poetit, të cilat patjetër duhet të evidentohen poetikisht nga mendja, frymëzimet, ndjenjat dhe penda e tij. Duke vepruan kështu, poeti e ndërton këtë vepër poetike të semantikës kohë që shtrihet nëpër imazhin artistik të 51 poezive, të cilat kanë shtrirje në pesë qerthuj poetikë që janë: 1.”Peshë shekujsh”, 2. “Hëna në arkivol”, 3.”Udhë nëpër mjegull”, 4. “Pritja pranverë e vonuar” dhe 5. “Dritë gjaku”. Vepra hapet me poezinë “Inri”, e cila është jashtë qerthujve dhe mund të quhet poezi prolog, por edhe poezi çelës për vëllimin poetik. Madje, kësaj poezie i përgjigjen që të dyja këto epitete sepse ka një tematikë madje biblike, e cila shtrihet edhe tek disa poezi të tjera të këtij vëllimi: / E pashë me këta dy sy/ Ishte Ai/ Në shtyllë i kryqëzuar/ Tejpërtej me heshtë/ Në kraharor i shpuar/. Kjo pamje është një përshkrim artistik, në këtë rast poetik, i ngjarjes biblike të kryqëzimit, edhe pse autori jep sqarim, duke shënuar: “Inri është shprehje mbretërore: Iliri në rikthim në Ilirikë”. Me tematikë të këtillë janë marrë shumë poetë tanë nga e kaluara dhe kanë krijuar poezi me vlera të larta. Këtë qëllim e ka edhe autori i vargjeve të kësaj poezie. Në embrionin e vargjeve autori shpreh mllefin për mundimin, dhunën, torturën, masakrimin dhe tragjedi të tjera që përjetoi njerëzimi, e veçanërisht kombi shqiptar, nëpër hallkat e historisë që nga fillimi e deri sot, gjegjësisht që nga Iliria. Për t’i zhdukur të gjitha këto të këqija janë bërë shumë flijime. Martirët e tillë janë përjetësuar dhe pavdekësuar, të cilët sot kujtohen dhe çmohen për sakrificat e bëra.

Koncepti semantik i kohës shtrihet gjerësisht në veprën poetike “Peshë shekujsh” të Martin Lleshit. Ai këtë e ka qëllim të parë, andaj ia arrin mirë. Bile disa poezi dhe vargje të tyre kanë shtrirje gjithëpërfshirëse dhe korrespondojnë prej kohërave më të lashta e deri në bashkëkohësi: / Kur vajtëm në dyluftim/ Ti Kain/ Ma dredhove thikën e fshehtësisë/. Madje ky koncept i kohës ka shtrirje që nga lashtësia, që në kohën e faraonëve të Egjiptit, për të cilët autori ka poezinë me të njëjtin titull. / Ndërtoi piramidat e gjakut/ Asht mbi asht/ Kafkë mbi kafkë/.

Koha bile shtrihet deri në bashkëkohësi dhe trajton të gjitha poret më të ndjeshme të njerëzimit duke filluar nga të metat, veset dhe virtytet. Andaj autori shkruan edhe për mërgimin si plagë kulluese e shqiptarëve të shekullit XX-të: / Prej skajit në skaj u mblodhën/ Lis e plis të gjithë një fis.../ Shpatë e Gjergjit u rrinte pranë/Dhe sheshi në drithërimë spërndritej/ për të vazhduar më tutje duke shkruar për skamjen, varfërinë, gjenocidin e kohës, luftën, por edhe për martirët, ushtarët e UÇK-së, luftëtarët, edhe për të zhdukurit, viktimat dhe rivarrosjen e tyre. Të gjitha këto plagë dhe disa të tjera paraqiten poetikisht në vargjet e kësaj vepre poetike të Martin Lleshit.

 

Në vend të përfundimit

 

Martin Lleshi me këto poezi të këtij libri, por edhe me ato të librit tjetër ka treguar se tashmë është nisur me hapa pak sa më të sigurt në rrugën e letërsisë, gjegjësisht të poezisë. Mbase ka kaluar një kohë bukur të gjatë pa botuar përmbledhje poetike, por siç duket kjo ia ka vlejtur sepse tash ky autor i botoi dy vëllime poetike. Me këtë e theu akullin që kishte qenë pengesë bukur e madhe në trasenë e shkrimit të poezisë nga penda e tij. Andaj, nuk është fare e tepërt nëse thuhet dhe konstatohet se shpesh mosha e krijuesit nuk është limit, madje as kufi që përcakton veprimin poetik. Bile, ky element, pra elementi i kohës dhe moshës, shpesh ka rol të rëndësishëm në këtë aspekt. Ekziston një mendim se krijuesit e prozës, tregimit, novelës, romanit e të tjerë, kohën më solide të krijimtarisë së frytshme e kanë pas viteve të dyzet të jetës. Të gjitha këto, mbase mund t’i atribuohen si virtyte edhe autorit të këtyre vëllimeve poetike që po i përurojmë sot.

Në qerthujt e veprës kapërthehen vlera që nuk duken të thëna me zori dhe forma të tjera. Madje vargjet poetike të poezive nuk janë thënë vetëm sa për të shkruar poezi, vetëm sa për të thurë rima, figura e të tjera, por ato në radhë të parë qëndrojnë mirë dhe të latuara në të gjitha poret e vëllimit. Frymëmarrja e tyre është sa individuale po aq edhe e bashkuar për të shprehur idenë, pse jo edhe porosinë e autorit të tyre, në këtë rast të poetit Martin Lleshi.

Dhe, kësaj ai ia arrin me sukses. Kjo vërehet, këtu, në këto vargje, në këto poezi dhe në këtë figuracion poetik, por me siguri edhe më shumë do të vërehet në vargjet, poezitë dhe veprat e tjera që do t’i shkruaj dhe botojë në të ardhmen krijuesi Martin Lleshi.