Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Tahir Bezhani

| E diele, 12.09.2010, 03:38 PM |


Tahir Bezhani

 

 

EMOCION

 

Në ankth më ngacmojnë

Zëra të çuditshëm

Puhiza më përkëdhelë

Flokët e lodhura-bardh

Si i dehur shikoj

Goglat e kuqe në mal

Në pranverën e vonuar

Fërkim me gjethet e bleruara

Erë e këndshme mbushur plot mall

Në përqafim shpirti i dehur qanë

Për ikje kohe...

 

 

AKSIDENT

 

Dhelpra,

Rrugën e trupoi

Pa kritere njerëzore

Dhëmbët i mbetën në asfalt

Dëshmi,

Syri i pa mbyllur në tradhti

Jetën e kishte mbaruar

Në prezencën e botës

Analizat treguan për gjenet

Sa prirje kishte për djallëzi

E tradhtitë  kështu mbarojnë ...

 

22.korrik,2010

Gjakovë

 

 

FYELL I THARË

 

Dëgjojeni gjakun si ushton

Rrugëton damarëve të vet

Ashti fyell i tharë

Zëshëm kënga buçet

Kudo poreve të trupit

Si krojet në Alpet Shqiptare

Dhe,

Dëshmoj për dashuritë

Të tjerrura në furkën e djegur

Në bistakun e kohës

Gjatë,shumë gjatë

Lozur në episode dhimbje

Në teatrin e dramaturgjisë

Ngujuar në një sumbull loti

Në sytë e fshehur rrudhave

Si shkëmb mali...

 

Gjakovë,

Korrik,2010

 

 

IKJE NGA FRIKA

 

Pata frikë të rrija i vetmuar

Muret e çara e çatia e rrënuar

Piskamë pa pushim

Nata më kafshon pa mëshirë.

 

Kulla mitike gjëmonte

Lotonte e gjora!

Dëshmi tjetër nuk kisha

Loti i saj më shponte

Në terr luaj

Me hijen time....

 

Natë.

Kollitem tinëz

Për qetësinë e tjerëve

Skajeve të rrugës i strehuar

Uria më therë,

Iki nga frika diku larg...

 

Hija e Kullës më shoqëron

Qentë endacak lehin

Pas gjurmëve të mija

 

Qershor,2010

 

 

KUR BIE SHI

 

Sa mirë që ra shi sot

U fashit zjarri

Brenda shushurijnë gacat

Rreshkat buzëve ua zbuti

Shi e lot të përzier

Lëpijnë mallin e varur

Në degë shkrumbi.....

 

Gjakovë,

07.korrik,2010

 

 

SKLEROZA

 

Nëse më rrokë skleroza

E ti mbetesh në harresë

Strehohu në qerpikun tim

Kur malli përkund bjeshkët

Lotojmë bashkë.....

Si në përralla

Digjen kujtimet.

 

 

TORTURË NATE

 

Natën mendimet ç’frenohen

Shpirti dalldiset në erë

Të pa lexuara

Mbesin këngët e mjellmës

 

Fiki dritën për t’ia ruajtur ngjyrën

Frymëmarrja lehtësohet

Në strehën e natës heshtja

Kënga pëlcet në vaji

Në shtratin e zjarrit

Digjen fjalët e pathëna....

 

Shqisat e rraskapitura

Lodrojnë errësirës rrëqethëse

Sytë e lodhur yjet kërkojnë...

 

Sa më torturon errësira !

Dua të iki shtigjeve të jetës

Të çarat e kohës,

Dëshmi harrese mbesin....

 

01.qërshor,2010

Gjakovë