Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mërgim Korça: Shkrimtari poet Visar Zhiti - Vepra e tij “Ferri i Çarë”

| E diele, 12.09.2010, 05:58 PM |


Shkrimtari poet VISAR ZHITI

Vepra e tij “Ferri i Çarë”.

(Fusha’ e gjer’e diskutimeve që ai hap).

 

Shkruar nga: Mërgim Korça

 

Një mjek si edhe mik i imi, Thoma Ketri, më thotë një ditë se sa krenar ishte ndier kur duke e hedhur shikimin kureshtar nëpër raftet e bibliotekës lokale të qytetit Madison Hts., (ku ai banon në shtetin e Michiganit), kishte gjetur dy vëllime të shkruar nga shkrimtari shqiptar Visar Zhiti.  Padyshim që edhe un’u befasova dhe nuk rri dot pa shtuar se befasimi qé një befasim tejet’i këndshëm.  Mijëra kilometra larg vëndit tonë zëri i poetit e shkrimtarit na ndiqte e na tregonte se nuk duhej që na shqiptarët të ndjeheshim të harruar dhe askushi sepse, në saje të Visarit me ndonjë shkrimtar tjetër, ishim edhe ne dikushi ... qoft’edhe në këtë anë tjetër të botës !

Përgjatë këtij konteksti i tregoj mikut tim se Visar Zhiti ish i njohur si poet e gjithashtu edhe shkrimtar i cili qe dënuar nga organet e diktaturës me dhjetë vite burg për t’i kaluar në punë të detyruar në “galerit’e ferrit” të mbiquajtura Spaç si edhe Qafë Bari por megjithatë ... ai sipas meje, në fund të fundit duhet t’a quajë veten FATLUM !

E doemos në vijim, si rrjedhojë bashkëshoqërimi mendimesh, edhe un’i tregova dr. Thomait diçka tjetër vlerësuese e njëkohësisht edhe burim krenaríe për ne.

... Festonte bota ardhjen e mijëvjeçarit të ri.   Mes qyteteve të tjera europiane që donin t’u a tregonin njeritjetrit vlerat e ndërsjella të tyre, nuk kish  se si të mos ishte edhe Roma, Djepi i Kulturës Latine.  E pikërisht në Romë, në një kohë që tek Stacioni Hekurudhor Termini i saj qe vendosur një pllakat’e stërmadhe me vargjet e një poezie të Göethe-s që e çmojnë si gjeniun e poezisë që dijti në një varg të shkrijë mijëvjeçarë, në Piazza Navona, vatër e lasht’e rivalitetit profesional mes arkitektëve të famshëm Bernini e Borromini, kishin vendosur një tjetër pllakatë me vargjet e kujt, do thoni ju ?    Pikërisht ato të  Visar Zhitit, poetit tonë shqiptar !

Dy faktet, (vëllimet e Visar Zhitit në bibliotekën publike amerikane si edhe pllakata e stërmadhe me vargjet e të njejtit autor në Piazza Navona), siç e merr me mënd lehtësisht lexuesi, na i përfshinë mendimet si edhe ndjenjat tona, së bashku me mikun tim, në një vorbull’e cila nuk na linte të dilnim kollaj prej saj.   Objektiva krahasimi me kahje diametralisht të kundërta ... gjenim pafund.   Pika krahasimi, edhe ato të panumurta.  Përfundime për t’u nxjerrë, sa të trishta e gjithashtu edhe ngjethëse !

Me këtë hyrje të shkurtër desha t’a njihja lexuesin  me dy fakte të cilët flasin qartë se si në Itali apo Amerikë as që merret kush pa le t’i a kenë ngénë t’a vlerësojnë poetin dhe shkrimtarin Visar Zhiti si kundërrevolucionar, (paranojë kjo e ish pushtetarëve komunistë).  Përkundrazi, vlerësimi i tij është bërë e doemos edhe sa vjen e do të bëhet më fuqishëm sa më shumë që vepra e tij të njihet, thjeshtë për vlerat që mbart si edhe horizonte krejtë të panjohur që ajo u hap lexuesve perëndimorë.

E për t’a plotësuar në mënyrë të plotë kuadrin, nuk mënjanohem dot pa e ndriçuar lexuesin edhe me anën tjetër të medaljes.  Ndërsa poeti dhe shkrimtari i ri mëtonte që poezit’e tija të botoheshin në një libër  nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, po i a paraqis lexuesit disa “pjesëza” nga akt-akuza që i bëhet Visar Zhitit nga dy anëtarë të Lidhjes Shkrimtarëve dhe Artistëve si edhe redaktorë të redaksisë poezisë të Shtëpisë Botuese në fjalë.  Autorët e (ç)vlerësimit, Ramazan Vozga si edhe Pandeli Koçi kanë nënëshkruar dhe i a kanë dorëzuar Degës Punëve të Brëndëshme të Tiranës dokumentin që pason :

 

DOSJA 12102

Arkivi i Ministrisë të Punëve të Brendshme

Akt-Ekspertimi

Mbi krijimtarinë poetike të Visar Zhitit

 

.........................

... Ka shtatë vjet, që Visar Zhiti sjell për botim librin e tij. Ky ka qenë një problem serioz për redaksinë e poezisë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Edhe pas Pleniumit të 4-t të K.Q. ky letrar ka vazhduar me ndërgjegje të ecë në gjurmët e një poezie të huaj për shoqërinë tonë dhe të mbushur me ide të gabuara politike, me koncepte dekadente dhe me një ndikim të hapur të poezisë moderniste reaksionare.                                                     ........................

... Nëpërmjet një gjuhe të errët dhe plot nëntekste, ai ka synuar të mbjellë idetë e tij kundërrevolucionare. Në raste të tjera ai është krejt i mbyllur dhe përdor figura që nuk zbërthehen dot. Këto poezi hermetike e të pakuptueshme janë në kundërshtim me orientimet  e  Partisë  për  një  letërsi    qartë  e    kuptueshme. Ky pseudopoet me imitimet e shëmtuara të artit reaksionar është përpjekur të mbjellë barëra helmuese në kopshtin tonë të pastër letrar dhe të prishë kështu atmosferën tonë letrare.

.......................

... Në poezinë “Pakënaqësia ime” gjejmë vargjet: “pakënaqësia ime s’kënaqet nga gjoksi,/ brinjët i thyej copë-copë si frengji/ deri në pamundësi.” Kjo është esenca e gjithë këtyre shfaqjeve armiqësore. Autori nuk është i kënaqur me realitetin tonë dhe është gati të thyejë edhe brinjët e tij, vetëm të dalë nga ky realitet, të cilin ai e quan frengji.

.......................

... Më tej vjen poezia “Dritaret” me këto tri vargje: Dritaret/ janë britma ime që të braktiset me forcë/ dhoma e errët e vetmisë”. Ja si e karakterizon ky element armik vendin tonë “një dhomë të errët vetmie” dhe për këtë ai kërkon "braktisje me forcë” duke aluduar kështu në një veprim kundërrevolucionar                                         .......................

... Një udhëtar në një natë dimri troket në një shtëpi malësore. Derën ia hap një grua e re, e cila, thotë autori “s’e ngriti fenerin të shihte kush isha. Mjafton që fytyra ime ishte e njeriut”. Pra, malësori ynë, sipas këtij pseudopoeti, i hap derën kujtdo, mikut dhe armikut, mjafton që ai t’i vejë në shtëpi. Kurse realiteti ka treguar se malësori ynë s’e ka pranuar armikun në shtëpi. Mendja e sëmurë e bën këtë element armik që të sajojë edhe fenerë në Malësi, kur dihet që drita elektrike ka shkuar kudo në vendin tonë, edhe në skajet më të largëta të Atdheut.

Vijojnë nënëshkrimet e dy ekspertëve të poezisë si edhe data : 24 tetor 1979.  (*)

Pa patur si piksynim aspak të komentoj, duke nxjerrë përgjegjësítë përkatëse pa lé mangësít’e theksuara karakteriale të këtyre specialistëve të fushës poezisë, sepse do t’i a le lexuesit gjykimin e tyre, unë do të ndalem fare fluturimthi vetëm lidhur me disa nga cilësimet që ata i a kanë lejuar vetes t’i a mvishnin Visar Zhitit aso kohe. E kanë cilësuar bartës idéshë të gabuara politike si edhe konceptesh dekadente.   Vazhdojnë duke e karakterizuar si pseudo-poet edhe mbjellës barërash helmues në kopshtin e pastër letrar, duke e kulmuar akuzën me cilësimin e tij si element armik.   Me këto tri radhë e gjysëm mëtoj t’i a mbush mëndjen poetit dhe artistit Visar Zhiti se jo pa qëllim, në hyrje të këtij shkrimi, i a paraqis mikut tim poetin–shkrimtar me pohimin se ndonëse ai ka punuar në galerit’e ferrit të quajtura Spaç edhe Qafë Bari, prapseprap ai duhet t’a quajë veten FATLUM !   Pse ?  Sepse jo larg në kohë, por vetëm dy vite para se të hartohej akt-ekspertimi për të, mbështetur në një akt-ekspertimi tjetër, hartuar dhe nënëshkruar nga ekspertë të tjerë letrarë, gjykata e Librazhdit i dënoi me vdekje me pushkatim dhe në vazhdim edhe u ekzekutuan dy poetët e ndjerë Genc Leka  e Vilson Blloshmi !   Dhe ja ç’sjell rastësía, i drejtohem Thomait.  Kur ishim së bashku me t’ime shoqe në Tiranë, partia socialiste nëpërmjet gojës drejtuesit të saj Edi Ramës, shpalli t’ashququajturën grevë urije me pikësynim hapjen e kutive të votimit.   Pa u ndalur fare në këtë fakt por duke marrë shkas këtej ... një natë duke ndjekur në ekranin e televizorit një debat pikëpamjesh shprehur nga gjashtë të ftuar në emisionin OPINION të drejtuar nga zoti Blendi Fevziu, u ballafaquam me faktin se si, radhitur nga ana e mbështetësve të P.S.-së, ishte edhe një zonjë e cila fliste shtruar, jo me rrëmbime, por ama shquhej se mëtonte t’ua jepte përshtypjen shikuesve të programit televiziv, se e kishte marrë përsipër detyrën  e mbrojtjes çështjes si person skajshëm kompetent.  E ndërsa ajo fliste e fliste, zëri i saj sa vinte e venitej në veshët e mij duke mu fanepsur para syve të nënvetëdijes sime skena se si skuadra e ekzekutimit qëllonte me breshëri mbi dy poetët  librazhdaz  e ata dy të rinj plandoseshin përtokë të pajetë !   Atëbotë më pushtoi një ngashërim i thellë.   Dua t’a  theksoj se nuk e marr përsipër t’a gjykoj, përgjatë kësaj analize,veprimin e shkrimtares Diana Çuli lidhur me akt-ekspertimin ku ajo pohoi, e zezë mbi të bardhë, se poeti Genc Leka, ishte bartës konceptesh dekadente si edhe armik, (ndërsa për Vilson Blloshmin’e ndjerë mbase dëshmuan vetëm K.Petriti e M.Xhaxhiu dhe jo D.Çuli).  Por në parim shprehem :  e pastë hijen e saj ajo q’i mori përsipër ato pohime kriminale.  Ajo sot duhej të strukej në vetmín’e një dhome të errët e t’u lutej e t’u lutej nat’edhe ditë shpirtit të Genc Lekës si edhe Zotit, t’a falnin për ç’kish bërë.  E në qoft’ ajo mosbesuese ndaj Zotit duke mos e kuptuar dot harmonín’e gjithësisë si edhe përkryemjen e funksjoneve tek gjallesat mbi tokë, (deri tek njeriu, shëmbëlltyra e përsosmërisë),  e duke besuar se edhe ajo vetë është pjell’e rastësisë dhe për katragjysh e pranon majmunin, aq edhe më keq për të !   Ndërsa, duke vazhduar si deputete e partisë, praktikisht (jo)egzistuese me kryetar ish ministrin e qeverisë në kohën e Enver Hoxhës, kuptohet qartë se gjoja pendimi i saj për aktin e bërë ndaj poetit librazhdaz s’është gjë tjetër veçse hipokrizí e ulët.  Pastë hijen e saj.

Nga këto rravgime duke u endur thellësive të nënvetëdijes sime ku mplekseshin dritë-hijet e ngjallura nga moría e ndjenjave shkaktuar nga akt ekspertiza si edhe predikimet televizive nga i njajti person, më nxori kujtimi i Baba Rexheb-it të ndjerë që më pati cituar një herë një proverb arab që pohonte një të vërtet’e cila i përshtatet, si të qé shkruar enkas për shkrimtaren në fjalë se “Nuk është kurrë vonë të pendohesh në jetë” !   Kjo do të ishte porosía e ime e sinqertë për atë eksperte letrare lidhur me bëmat e saja të kaluara.

Në këtë çast e ndjej të nevojëshme të ndaloj e t’ia bëj me dije lexuesit se i kërkoj falje, në se u detyrova të zgjatem disi me këtë hyrje pak si të shpërqëndruar, (disi “pindarike”), por ... mendoj të domosdoshme që në vazhdim të përqëndrohem në pohimin e shprehur në titullin e shkrimit ku vlerat e veprës së Visar Zhitit “Ferri i Çarë” dua t’i trajtoj në mënyrë të zgjeruar, gërshetuar ato edhe me diskutimet që ngjallin.

Tek e lexoja “Ferrin e Çarë” dashur e padashur, nga autori udhëhiqesha nëpër disa shtigje të ngatërruar  të mbidhéshëm si edhe të nëndhéshëm të cilët nuk kishin se si të  mos më linin mbresa të thella.  Një intelektual i ri, i akuzuar si armik nga ekspertë  që shprehen me bindje si njohës të thellë të çështjes që shqyrtojnë :

“ … Ja si e karakterizon ky element armik vendin tonë “një dhomë të errët vetmie” dhe për këtë ai kërkon "braktisje me forcë” duke aluduar kështu në një veprim kundërrevolucionar.

Lidhur me minierën e Qafë Barit, (mëtoj t’a sqaroj lexuesin që nuk e di), drejtori i minierës i ishte drejtuar  qeverisë me kërkesën “ … Miniera nuk mund të shfrytëzohet dot nga klasa punëtore, sado revolucionare që është ajo, sepse tejet e vështirë … “ e prandaj kërkonte të sillnin një burg për atë punë, ku në fund kishin sjellë skllevër–armiq si Visar Zhitin me shokë t’i shfrytëzonin galerít’e minierës në fjalë.  E vetë poeti–shkrimtar, vite mbasi kishte dalë nga burgu duke hequr tmerret e galerive të minierës Qafë Barit, si shprehet duke e përshkruar  atë FERR ?   Ai nuk del dot nga vetvetja.  Shpirti i tij poetik, duke e kundruar rrethimin q’e ndante nga njerëzit që jetonin jashtë atij rrethimi, duke i kujtuar ditët e para n’atë vënd, shprehet “… S’po ngopesha duke parë telat me gjëmba të rrethimit, një solemnitet memec dhe tejdukshmërí e pabesueshme … !    Unë këmbëngul që të spikasë shpirti poetik i shkrimtarit që në fillimet e asaj që do të ishte spiralja e torturave të tija fizike si edhe psikollogjike.  Kjo, sepse dua që lexuesi t’a shoh’e t’i a prek edhe më ndjenjat e tija se si këtij  Visari të vyer të kulturës tonë, edhe mbas vitesh pune dërrmuese n’atë minierë e cila i a bloi në mes gurësh bloje gjigand’e të ashpër kockat si edhe ndjenjat e tija, nuk arriti t’i a mposhtë shpirtin e tij prej artisti !    E kjo del akoma më në pah teksa ai përshkruan një ditë posaçërisht të ftohtë dimri kur kamionët nuk e çanin dot dëborën edhe ngricën e kësisoji tramozhat qenë të mbushura me mineral i cili nuk transportohej dot e si rrjedhojë minatorët–skllevër nuk u shpërndanë galerive të nënëdheshme.  E Visar Zhiti, ai të cilin me këmbëngulje deshën t’a paraqisnin si armik edhe kundër-revolucionar, duke e kundruar rrethimin me gjëmba me shpirtin të cilit i a përçonin syt’e tij prej poeti ndjesít’e buta artistike … kundronte edhe shprehej “… Edhe telat me gjëmba guxonin të zbukuroheshin, lule të bardha bajamesh, dhe s’kish se si të mos ndiheshe i fisëm ashtu rob mes tyre !    Nga përgjumja në të cilën kisha rënë duke hipur në krahët e një gjysëm ëndërre me sy hapur tek i mendoja thellë ndjenjat e artistit, më nxjerr pohimi i mikut t’im doktorit që më pati thënë “… Leri të tjerat, po edhe pseudo-poet e kanë guximin t’a quajnë atë farë letrari ata që pranonin të hartonin ato akt-akuza ?”   Dhe mua krejt natyrshëm më erdhi në mëndje përkufizimin q’i ka bërë mendimtari si edhe mistiku i madh Baba Rexheb-i  së keqes më të madhe të njerëzimit, (siç e përcaktonte Ai egoizmin e njeriut) :

Egoizmi, (vetqendërzimi), dukuri e theksuar e cila ka mbruajtur e u ka dhënë shtat përgjatë shekujve tiranëve si dhe diktatorëve e më pas të gjith’atyre fatkëqinjëve që nuk dijnë të duan  njeri tjetër veç vetes tyre, pa le pastaj të sakrifikojnë për tjetrin ! Pa e luftuar dhe zhdukur egoizmin i cili u a zë sytë njerëzve, nuk kanë si të mbisundojnë dashuría si edhe mirësía e ndërsjellë.

Përcaktimi i Baba Rexheb-it të ndjerë flet aq qartë si lidhur me motivin pse në akt-ekspertim denoncuesit e quajnë Visar Zhitin   pseudo-poet  e doemos pastaj se si egoizmi i tyre  i ka rrokullisur në vazhdim aq poshtë  drejtë batakut në të cilin janë zhytur duke e akuzuar poetin shkrimtar !    Megjithatë, vepra që po le nga pas pseudopoeti (sipas ekspertëve të sigurimit), Visar Zhiti, ësht’ajo që e ballafaquar me akt-ekspertimin flet qartë e akoma më shquar flet lidhur me vetë sistemin diktatorial i cili kudo e në çdo kënd të vëndit, me paranojën e tij, shquante armiq edhe kundër-revolucionarë imagjinarë!    Përgjatë kësaj hullíje më kujtohet se si një ditë  doktor Thomai më kish thënë pak a shumë … aman more Mërgim, po a e beson se tamam më duket e pabesueshme se si përgjatë diktaturës ndesheshim çdo ditë me sjellje si edhe qëndrime njerëzish të nderuar si edhe profesorësh me emër që, në një rrethanë të caktuar në një mbledhje kolektivi apo takim personeli, në sytë tonë zvogëloheshin e bëheshin tamam si milingona … tek mundoheshin të tregoheshin se sa besnikë ishin ndaj partisë që na udhëhiqte !  Ky pohim i mikut tim më shërbente të më kthjellohej mëndja e ime aq e shpërqëndruar.   Dhjetra, qindra e mijëra fakte vërtiteshin në ato çaste në mëndjen time të turbulluar nga ç’kisha lexuar përgjatë radhëve të romanit të vërtetë, siç e ka emërtuar vetë Visar Zhiti “Ferrin e Çarë”, veç kur njëri syresh ndaloi e mori shtat.  Erdhi dhe u kristalizua para syve të mij, siç e përshkruan me mjeshtërí të lartë Visar Zhiti, një bisedë kokë më kokë të burgosurish “… në një guvë të errët galerie të nëndhéshme, të ndriçuar dobët nga ca kandilë të vjetër si në një komplot … njëri prej atyre fatkëqinjëve që kishte pas punuar me Ramiz Alinë, bën pohimin skajshëm interesant “… dhelpër prej kartoni është … aparatçik, matuf … s’ka këllqe, jo … do të bëhet karikatura e shefit të vet … “.   Ky pohim m’u ngulit në mëndje dhe të nesërmen, me t’u takuar me mikun tim Thomanë, vete e marr nga biblioteka një vëllim e teksa  kthehem për t’i u drejtuar, ai ma pret “… po ti more i uruar, jo që nuk qenke stepur dhe e paske gjetur  librin Jeta ime, me kujtime  të R.Alisë, por edhe e paske lexuar” ?   E hap në faqen 133 dhe i lexoj mikut tim se si shprehet sot, në 2010-ën, ish bashkë-autori i të gjitha krimeve si edhe ligjeve kriminale përgjatë të gjithë periudhës së diktaturës, Ramiz Alia :

“ Tashmë që ka kaluar gjysmë shekulli, mund të shihet më lehtë cilat kanë qenë rezultatet dhe ku konsistonin gabimet gjatë zhvillimit në rrugën socialiste.  Mund të shtrohet pyetja: A mund të ecej nëpër një rrugë tjetër, më frytdhënëse ?  A mund të ndiqej një politikë e jashtme që t’i siguronte vendit aleatë të qëndrueshëm, që do t’i hapte Shqipërisë rrugën drejt Perëndimit ?... “   Dhe këtë pyetje tamam retorike R.Alia e hedh ashtu, kuturu, as vet’i jep përgjigje dhe kalon e trajton “... Fola më sipër për gjëndjen e mjeruar në të cilën gjëndej vëndi gjatë sundimit të monarkisë.   ... “

E un’i drejtohem doktor Thomait duke i treguar se nga ç’këndvështrimi sa i poshtër edhe kriminal i akuzojnë vargjet e Visar Zhitit ekspertët e sigurimit duke e konsideruar poezin’e tij “Tregimet e dimrit” si “poezi ku spikat tendenca drejt një poezie me prirje borgjezo-revizioniste, që shprehet me shkrirjen e çdo kufiri të prozës me poezinë”  edhe shtroj problemin themelor :  Nëpërmjet hamëndjesh tejet dashakeqëse e ngatërrestare të qëllimëshme ata specialistë të poezisë, kthyer në vegla të sigurimit, vunë themelin e akuzave që Visar Zhiti të dënohej me dhjetë vite burg me punë të detyruar ose të ndjerëve Genc Lekës edhe Vilson Blloshmit ua shkurtuan jetët krejtë padrejtësisht.  E këto konsiderata të tyret mbështetur, as më pak e as më shumë, në direktivat që jepte në ato kohë sekretari përgjegjës për kulturën si edhe ideologjinë dhe anëtar i byrosë politike, Ramiz Alia.   Edhe unë, duke u munduar të jem krejtësisht’i paparagjykuar, u drejtohem lexuesve të ndershëm dhe të paanshëm me dy pyetje aspak retorike por të themelta :

1- E pranojmë për një çast  se akuzat ndaj Visar Zhitit ishin të themelta dhe se ligjet e asaj kohe u zbatuan me drejtësí.  Mbështetur në këtë arsyetim, ç’dënim duhet t’i jepet Ramiz Alisë sot, duke e gjykuar hiç ndryshe por mbështetur në ato ligje të miratuara prej tij, lidhur me sa ai sot pohon ?

2- Duke u shtruar sot pyetja lidhur me politikën e jashtme që mund t’i a hapte Shqipërisë rrugën drejt Perëndimit, a mendohet se këtë pyetje e shtron sot një përfaqësues i OSBE-së apo pikërisht njeri nga farkëtuesit si edhe zbatuesit e asaj politike të verbër kundraperëndimore dhe po aq kundrakombëtare që zbatoi diktatura ?

E doktor Thomai i trishtuar e me një ton tamam të përzíshëm pohon “ ... aman more Mërgim, po ky R.Alia i cili atëbotë i miratonte pushkatimet e poetëve librazhdaz apo dënimin galerive të vdekjes të Visar Zhitit, pa e patur asnjeri prej tyre as fajin më të vogël, e duke e proklamuar sistemin tonë të diktaturës proletare si kulmin e demokracisë, pse na drejtohet neve sot me atë paturpësí të pashëmbulltë ?  Sepse kujton që populli si dje, (kur nga frika e dhunës shtirej si budalla), vazhdon e është, sipas R.Alisë, vërtet idiot edhe sot ?

E shikoj doktor Thomain në sy dhe mëndja ime fluturon larg, mijëra e mijëra kilometra larg.   Jo vetëm larg, në kuptimin e distancës së mirëfilltë, por edhe mbrapa në kohë.   Sa mbrapa ?   Jo qindra, pa le mijëra vite mbrapa, por vetëm një çast.  Po, po.  Një çast, sepse krahas dhjetra e qindra shekujve q’e përbëjnë historinë njerëzore ç’është nga 2010 të shkosh me mëndje tek 1979-ta ?  Ç’janë tridhjet’e një vite, kur po ata hetues janë akoma gjallë, e jo vetëm të gjallë por ... mbase edhe advoketër me profesion që u dalin zotër (apo djaj) nevojtarëve ?   E po këta hetues, në emrin e asaj demokracie popullore, (që çdo gjë ish, por jo demokraci), e cila njerën nga shtyllat mbështetëse të saj e kishte pikërisht Ramiz Alinë, tek e torturonin në qelít’e Degës Brëndëshme të Kukësit  poetin e shkrimtarin Visar Zhiti, njeri i ulurinte “ ... po unë s’të lë të na përmbysësh “, ndërsa hetuesi tjetër i çirrej “... ne nuk do të presim që ti të bësh ndonjë faj, do të të dënojmë pa e bërë, që të mos e bësh”!   Po populli i shkretë ç’bën ?   Hesht.  Pse ?  Sepse i lodhur tashmë është njësuar me ... indiferentizmin.   Jo se nuk e di se themeli i së drejtës në demokraci është të konsideruarët të pandehurit të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij.   Po kur e shikon se Ramiz Alia nuk ndiqet si i pandehur për masakrën e Tivarit të 1 prillit 1945, kur për të patjetër që në arkiva egziston dëshmija e ish shifrantit të K.Q. Islam Kadeshit që telegramin e Ramiz Alisë, (e deshifroi dhe i a dorëzoi Koçi Xoxit në pranín’e Enver Hoxhës), ku pohohej nga Ramiz Alia se i kishin pushkatuar dhe asgjësuar disa mijëra kosovarë mes dy kodrave në një luginë, dhe me gjithë nismën e kryeministrit për t’i shkuar sot deri në fund asaj masakre, konkretisht mekanizmi i hetimit nxjerr pengesa mbas pengesash dhe nuk vihet në lëvizje, nisur pikërisht nga ky realitet ... populli bije në mefshtësí.   Po vetë Ramiz Alia si reagon ?  Ai vazhdon e mban leksjone etike si dhe morali, bile duke e nxjerrë veten të përndjekur nga shteti demokratik që e dënoi padrejtësisht me burg për disa shpërdorime karakteri ekonomik si pirje kafesh të tepruara etj.  (për të cilat e mori dëmshpërblimin të plotë e pa fare vonesë, bile me vlerë pagese për ditë burgu dyfishin e atij dëmshpërblimit që pret të marrë përgjatë tetë viteve të ardhëshme Visar Zhiti ynë që po e trajtojmë).

Mbasi i a vura pikën fjalísë pararendëse, mbas mbylljes së kllapës, sinqerisht u largova nga tryeza e punës dhe nga kompiuteri me mendimin ... pa i kthjelluar mendimet nuk do t’a vazhdoj shkrimin !   Nuk dua t’a lodh lexuesin.   Por, nga ana tjetër, që në krye  i a kisha vënë detyrë vetes  që romanit të vërtetë, siç e quan vetë autori, të mos i a bëja analizën, (doemos për aq sa unë do të isha në gjëndje t’a bëja), sepse nuk doja që lexuesit t’i a shuaja kërshërinë përgjatë leximit të kësaj vepre që unë, pa as më të voglën stepje, do t’a quaja të denjë për secilin prej çmimeve nga më madhorët që jepen për letërsinë edhe artet në botë !   Mirëpo tashti e shikoj se edhe detyra që i vura vetes të trajtoja disa nga dukurítë e fushës që kjo vepër hap, më ballafaqon me faktin që kur i a hyra punës, as që e kisha idénë më të zbehtë se nëpër çfarë shtigjesh të ndërlikuar analizash sa karakteri filozofik e po aq edhe psikologjiko-shoqërorë, do të isha i detyruar të çapitja !  Kjo më bën që, siç u ndala në fillim të analizës dhe hodha dritë mbi fakte pa të cilët lexuesi do t’a kishte ndoshta edhe të pamundur t’a gjykonte vetë autorin Visar Zhiti si edhe veprën e tij në gjithë gjerësinë si edhe thellësinë që i takon, po kështu edhe në vazhdim do të mundohem të ndriçoj elementë përbërës, fakte si edhe konsiderata, që në larmín’e saj e gjithë vepra të mund të gjykohet edhe përsa i takon fushës së pa an’edhe fund që ajo u hap diskutimeve.   Nisur nga këto konsiderata pra ... edhe vazhdojmë.

Për të vazhduar, në ndihmë më vjen novelisti, dramaturgu si edhe historiani rus Aleksander Solzhenitsyni i cili, si edhe Visar Zhiti ynë, qe dënuar sipas nenit 58 të kodit penal sovjetik, (kurse Visari sipas nenit 55 të kodit penal shqiptar), me internim dhe punë të detyruar në minierën e Ekibastuz-it, (ndërsa Visari në Spaç edhe Qafë bari).   Rusi shkroi veprën Arqipelagu GULAG, ndërsa shqiptari FERRI I ÇARË – roman i vërtetë.  Pavarësisht këtyre përkimeve ndërmjet dy talenteve të së njajtës fushë, marr shkas t’a justifikoj veten lidhur me përzgjedhjen e tematikës tek mëtoj t’a analizoj vëllimin e Visar Zhitit, nisur nga pohimi tejet madhor i mjeshtrit rus i cili pohon shprehimisht :

“Ne jetojmë praktikisht mes rrënojave, por bëjmë sikur kemi një jetë normale.  E vetmja mënyrë për të ndërtuar diçka të fortë dhe të shëndetshme është duke filluar nga rrënjët, ashtu siç rritet çdo gjë në natyrë”.

Që këtej nisem dhe e marr guximin t’a kundroj romanin e vërtetë Ferri i çarë me të cilin shkrimtari–poet i hedh dritë një pjese të jetës tij, asaj pjese të cilën e detyruan t’a jetonte, pa as më të voglin faj, galerive të Spaçit si edhe Qafë Barit, ashtu si e detyruan edhe kolegun e tij rus, Solzhenitsynin.   Pikërisht sepse tek ne nuk u fillua ndërtimi i së ardhmes së shëndetëshme nisur nga rrënjët, sapo u shkërmoq diktatura komuniste, pasojat do t’i ndjejë populli si edhe vëndi ynë për dhjetra e dhjetra vite në të ardhmen.  Kjo pak por e sigurtë.  Megjithatë, në mënyrë që brezat pasues t’a kenë informacionin e saktë se ç’ka ngjarë dhe cila ësht’e vërteta, pa as më të voglën mëdyshje, brezave tonë që e përjetuam diktaturën e egër komuniste dhe akoma jemi gjallë, u bije detyra që atë (diz)informacion që vazhdojn’e propagandojnë Ramiz Alia në krye të të gjithë ish mbështetësve të tij kriminalë, t’a hedhim poshtë me fakte të pakundërshtueshme.   Prandaj, nisur nga ç’kujton poeti shkrimtar Visar Zhiti lidhur me hetuesit e tij që e pohonin vetë se do t’a dënonin pa e bërë Visari fajin, (pikërisht që ai mos t’a bënte atë që bluanin ata kanibalë në imagjinatën e tyre), e marr këtë fakt dhe e sqaroj lexuesin :  Pikërisht kryetari i trupit gjykues i cili e dënoi Visar Zhitin, (për të cilin e kam informacionin të saktë dhe fatkeqësisht mban si emër të parë emrin tim), i quajtur Mergim Dragushi, pikërisht ndërsa un’i shkruaj këto radhë, ai ditë pas dite edhe sot e vesh atë togën e zezë dhe ulet në postin e gjykatësit !(?)  Nuk kam pse zgjatem më shumë rreth tij.  Kush do të nxjerrë përfundim le të nxjerrë, por fakti është se nga kryetar gjykate partiak ... u kthye në ëngjëll mbrojtës drejtësie demokratike !

Vazhdojmë me një temë tjetër tejet të mprehët bashkëkohore.  Flitet e përflitet rreth korrupsionit që ka zënë vënd në Shqipëri.  I vogël dhe i madh flet për të.   Shqiptarë  edhe të huaj veç me të e karakterizojnë shoqërinë shqiptare.  Dhe e keqja m’e madhe qëndron në faktin që pikërisht socialistët e sotëm, (ish komunistët e djeshëm ose pinjojt’e tyre më të rinj të sotëm), janë ata që me të madhe i bien kësaj kambane sot duke mëtuar të na bindin se përgjatë diktaturës ky fenomen as që njihej tek ne dhe se demokratët janë ata që e lindën dhe e zhvilluan atë !  Dakord, e pranojmë për një çast dhe,  nga që detyrën vetes i a kemi vënë të qëmtojmë nëpër fushën që na hap poeti – shkrimtar Visar Zhiti tek Ferri i Çarë, (as po ndalemi tek kundërthënja verbuese se si masa e madhe e businessmen-ëve bashkëkohorë janë militantë të P.S., pa le të thellohemi tek varfëria deri në dhimbje e deklaruar nga vetë kreu i P.S.-së i cili nuk ka as apartament banimi), por ndalemi e kundrojmë ç’na thotë poeti shkrimtar lidhur me korrupsjonin që zhvillohej e merrte shtat galerive të errëta nëntokësore !  Në sipërfaqen e atij shteti që vetëquhej shëmbull’i demokracisë dhe i lirisë popullit, (e për këtë i rrethuar me tela me gjëmba të elektrizuar si dhe brezash tokësorë kilometrikë të minuar), ku mirëqënja përfaqësohej nga tallonat e nga radhët e qumështit që ziheshin para mesnate, kishte njëkohësisht edhe galeri–várre të nëndhéshëm të përshkruar tamam rrënqethshëm nga autori “... Për një vit pune të llahtarshme nën tokë, me dhunë, nën policë e shkopinj gome, mund të ulësh rreth 70 ditë (dënimi-M.K.).  Pra mund të lirohesh më përpara, por do të vdesësh patjetër më shpejt nga mundimi i madh ... Del nga ky varr i gjallë për të hyrë në varrin tjetër i vdekur ... Po sa të këqija ligjet !  Dalin dhe kundër natyrës, kundër Zotit.  Shkurt jemi të dënuar me vdekje të gjithë, vetëm ndryshon dhe kohëzgjatja e ekzekutimit”.   I lexoj këta pohime, mbushem me ngashërim dhe ... vazhdoj e lexoj pikërisht se si zhvillohej korrupsjoni në ato kondita ku nuk merrej vesh se cila qe parësorja :  skámja e skajëshme apo vuajtjet e pakrahasueshme !  I burgosuri që kishte ditë ulje dënimi por që kish arritur në pragun e urísë ku nevoja qoft’edhe për një kafshatë buke ishte m’e fuqishme se sa dëshira të lirohej më përpara e t’i hidheshin fëmijët në qafë me dashurí, korruptohej për një filxhan vaj edhe një grusht sheqer dhe i jepte dy ditë pune !   Kurse në zyrën teknike, ata q’e kishin të drejtën e ndryshimeve nëpër regjistra pune, (por që nuk vuanin uríje), i transferonin ato ditë pune nga njeri tek tjetri por ... për 2 kg miell si edhe dy pako makarona !

Ndryshonin konditat si edhe kërkesat, doemos ndryshonin edhe ata që ballafaqoheshin me korrupsionin.   Dilje nga shtigjet e nënëdhéshme dhe ndryshonte vetë koncepti korruptim.  Në nivelet e ulëta korruptohej shitësi/ja ku mall shkëmbimi nga njera anë mund të ishte ruajtja e shishes qumështit deri në orën e drekës nën banak e nga ana tjetër nota mesatare vajzës ose djalit maturant ku i korruptuari ishte mësuesi/sja kujdestar/e.  Në morín’e korruptuesve dhe të korruptuarve ishin edhe ata që kishin interesa të ndërsjella rrugësh jashtë shtetit, në ç’rast doemos rritej edhe niveli pa le përmasat e mallit për t’u shkëmbyer !   Korrupsioni pra, n’ato kondita varfërie të thellë, zhvillohej në çdo qelizë jete, nuk ka rëndësi se ku, në sipërfaqen e shtetit diktatorial apo nëpër shtigjet e varrezave nëntokësore kilometrike të populluara me skllevër ... ende të gjallë !

Vazhdojmë me një paradoks tamam të pakonceptueshëm për një njeri i cili është lindur, rritur edhe edukuar në cilindo prej shteteve normale demokratike perëndimore.  Sado të mundohem unë t’ia shpjegoj kësaj kategorie njerëzore faktin që vijon, i cili doktor Thomait i kishte lënë mbresa të patjetërsueshme, për mirësjellje mund të bëjnë sikur më besojnë por ... .   Mirëpo faktet i mposhtin argumentet dhe dëshmija e autorit të romanit të vërtetë Ferri i Çarë flet shumë,   hedh dritë mbi një mendësí të tërë e cila u a kishte shplarë trutë injorantëve ... falë paditurisë tyre kurse, një kategorie të madhe të shkolluarësh ... falë servilizmit të tyre.  Fjala është për një inxhenier të burgosur, në themel dikur njeri i partisë, por në vazhdim pastaj njeri i konsideruar dhe i trajtuar si armik, vetëm për faktin se i u hapën sytë dhe e kuptoi se ç’mashtrim ishte e ashtuquajtura demokraci popullore e Shqipërisë.  Falë aftësive të tija, donin apo s’donin drejtuesit kriminalë të kampit Qafë Barit, inxhenier Ismail Farkës bënin sikur nuk i a vinin ré qëndrimin e tij deri në një farë mase  mospërfillës ndaj tyre, dhe i kishin lënë një farë liríje, (në kushtet e kampit famëkeq), me që ai, dhe vetëm ai, ishte mjeshtri që mirëmbante, riparonte dhe u shërbente të gjitha llojeve të mekanizmave ku vëndin kryesor e zinin ato suedeze që ngarkonin vargjet e pafund të vagonëve me mineral thellë nënë dhé.  Këtu tashti edhe grotesku i njerës ngjarje me të cilën na ballafaqon bashkëvuajtësi dhe autori i Ferrit të Çarë, Visar Zhiti.   Dëndur vinin grupe inxhenierësh nga miniera të ndryshëme, të cilët kishin edhe ata në shfrytëzim makineritë suedeze e kur u binte rasti të ballafaqoheshin me difekte të tyre ... o burra tek inxhenier Ismail Farka si i vetmi specialist ku mund të gjenin derman !   Doemos takimet mes dr. Faustit të shkencave mekanike si edhe inxhenierëve bij të partisë, bëhej në praní policësh.  Këtu tashti edhe ai këndvështrim të cilin asnjë perëndimor nuk e përfytyron dot.  Policët ishin gati t’a linçonin, (t’a ripnin të gjallë të burgosurin inxhenier Farkën), kur shikonin se edhe mbas shpjegimesh të hollësishme inxhenierët e lirë vazhdonin të mos kuptonin se ç’u shpjegonte ai !(?)   Pikërisht me këtë fakt Visar Zhiti na ballafaqon me dy koncepte krejt të papranueshëm nga palët e ndërsjella :  Koncepti i diktaturës ku si rregull drejtonin besnikët e partisë shtet, pavarësisht nga (pa)aftësit’e tyre në sektorin e dhënë, kurse në sistemin e tregut të lirë po nuk qé i aftë ... (normalisht) liroja vëndin të aftit !

Lundroj me sy përgjatë radhëve të shkruara nga autori i Ferrit të Çarë ku pjesa m’e madhe e tyre ësht’e shënjuar me ngjyra të ndryshëme prej meje, përgjatë leximit të parë, me përbrinjë edhe shënime nga ana e ime.  Mirëpo janë kaq të shumtë shënimet sa ... tek cili të ndalem ?  Cilin t’a veçoj e t’a sjell si shëmbull ?  E vështirë, shum’e vështirë por ... po ndalem tek sintetizimi me përkufizim krahasues se ç’është letërsia e Realizmit Socialist :  “... si një fuçí me ujë të turbullt, ka aty një dorë sheqer të tretur, janë ca vlera, por, që t’i përftoje ato, duhej të pije gjithë atë fuçí neveritëse të realizmit Socialist.  Donte stomak të fortë, stoicizëm.  Të duroje atë (kata)klizëm tmerri për ca kokrriza të ëmbla dituríe ...”.    Ndonjë nostalgjik i pandreqshëm mund të thotë me përçmim ... 47 vite prodhimtaríe Realizmi Socialist t’i hedhësh poshtë me tri radhë ?   E pse jo, ngul këmbë unë ?   A nuk e ka madhor pohimin e tij, të sintetizuar me vetëm 3/4 radhe Konfuci i madhërishëm, kur pohon e thotë se :

“ Në natyrë çdo gjë është diçka.  Injoranti nuk është asgjë !”

Pyes veten, a thua ndonjeri nga ata specialistët e letërsisë q’e hartuan Akt – Ekspertimin mbi krijimtarín’e Visar Zhitit ku pohuan’e zezë mbi të bardhë se “... tek vepra e Vizar Zhitit spikat tendenca drejt një poezie me prirje borgjezo-revizioniste, që shprehet me shkrirjen e çdo kufiri të prozës me poezinë ...”, ndërmjet tjerave a ndjehen të turpëruar edhe për faktin se ç’kategorie të pakarakter i shërbyen me servilizëm ?   Pikërisht atë veçorí të cilën unë e konsideroj vlera madhore stilistike e autorit ku lexuesi lexon prozë dhe i duket vargëzim, lexon fakte dhe i duket fantazí si edhe anasjelltas, por ama ballafaqohet me një realitet sa të përshkruar me vërtetësí e gjithashtu me sy skajshëm kritik.  Atje autori, me disa penelata me kundërtí të theksuar ngjyrash, nxjerr në pah (pa)personalitetin e asaj kategorie që dora-dorës e udhëhoqën vëndin e kur i internuan nëpër kampe përqëndrimi, (mbasi ua pushkatuan kryefamiljarët që në fjalët e tyre të fundit kërkonin mëshirë se partisë i shërbyen me besnikërí), autori rrëfen se si ato gjysma familjesh akoma vazhdonin të kishin shpresa tek shoku Enver i cili ishte keqinformuar, do të vinte dorën në zemër dhe do t’i rehabilitonte me shpresën se edhe ata nën dhé do t’i ngrinte !   Pa le sa bukur vihet në dukje se si njera nga ish familjet e bllokut ... të internimeve, tani nuk i fliste tjetrës se vërtet mund të ishte armike dhe nuk duhej përzier, por ama që të dyja palët i morën nga ish vilat ku banonin portretet e diktatorit dhe i mbanin së rishmi varur  në barakat ku i kishte katandisur po ai diktator !

Unë vërtet trajtoj fushën e gjerë që na hap Visar Zhiti për diskutim po për bashkëshoqërim mendimesh më del parasysh edhe figura e Liri Belishovës e cila, kur përgjatë një interviste bashkëkohore, në sinkron të plotë me (pa)karakterin e saj pohon pa pikë turpi se :  “ Para se të shkoja në Kinë unë isha për rrymën e filluar nga Kongresi i XX-të i P.K. të B.S. por zyrtarisht, këtë qëndrim unë nuk e shprehja, përkundrazi kur fillova të kem rezerva isha shumë e kujdesshme, përpiqesha që në diskutimet e mia etj. të mos lija të kuptohej që kisha rezerva.   Me të gjitha mënyrat jam përpjekur që të evitoja dënimin, i cili nuk do të ishte vetëm për mua, por do të merrte në qafë njerëzit e mi më të dashur ...”!   E sot po ajo Lirí, së cilës fantazmat e të pushkatuarve si edhe të torturuarve deri në vdekje, të burgosurve të dënuar fare pa faj si edhe familjarëve të tyre që u internuan me dhjetravjeçarë duke qenë krejtësisht të pafajshëm, duhej t’ia bënin jetën skëterrë se bashkëfajtore derisa i shkanë këmbët, më të madhe ankohet se akoma nuk i a kanë dhënë dokumentin e së persekutuarës politike nga diktatura !(?)  Mendoj se nuk ka nevojë për koment sa sipër e prandaj ... vazhdoj leximin e shënimeve anash faqeve tek Ferri i Çarë.

Mundohem të përzgjedh kalime nga ata më të veçantët, ësht’e qartë, nga ata prej të cilëve të nxirren përfundime rreth problemesh nga më të mprehtët.   Mirëpo, ndonëse në pamje të parë sjellja e shëmbullit vijues mund të duket si i një dore të dytë, nuk më le zemra mos t’ia jap të drejtën, edhe këtij shëmbullit që na sjell Visar Zhiti, t’a zerë vëndin që i takon.   Ja sepse.   Ish komunistët me ndejnjën e fajit mbi kurriz, të pasuar edhe nga trushplarët e diktaturës, sot jo që këmbëngulin të harrohet e kaluara dhe të mos gjykohen për veprimtarit’e tyre të bëra, se në fund të fundit, (sipas tyre), të tilla kanë qenë ligjet e asaj kohe, por edhe mëtojnë të harrohet fare e kaluara dhe as mos të flitet tashmë për të  ose ... teksa Ramiz Alia, njeri nga përgjegjësit kryesorë të të gjitha krimeve të komunizmit shkruan kujtimet e tij edhe e nxjerr veten ëngjëll të pafajshëm, ose ... Gramoz Ruçi përgjegjës i drejtpërdrejt’i krimit të 2 prillit të vitit 1991 në Shkodër, (për të cilin krim asnjëherë nuk dha llogari), i del nga ana e tij zot Ramiz Alisë për krimin e vrasjes disa mijëra kosovarëve në Tivar më 1 prill të vitit 1945 duke u shprehur se “... ai krim i kryer nga serbët fundja më në fund u krye jo në territorin e Shqipërisë e prandaj si mund të akuzohet Ramiz Alia si përgjegjës për të sot mbas gjashtëdhjet’e pesë vitesh ... ?”  Është pikërisht kjo mendësí e sëmurë e kësaj kategoríe njerëzish e cila më detyron të sjell edhe shëmbullin që si duket Gramoz Ruçi nuk e di :  Ndërsa unë po i hedh në letër këto radhë, është ekstraduar në Gjermani dhe në Munich po zhvillohet gjyqi i John Demjanjukut i cili duke pas qenë roje “SS” akuzohet si pjesëmarrës në krimet e kampit famëkeq të SOBIBOR-it, jo 65 por 67 vite të shkuara !   E nuk mundem të mos shtoj se Demjanjuku nuk qé urdhëruesi i krimeve por veç ... një nga gardianët – djaj !

Vazhdojmë tashti me çfarë na pohon Visar Zhiti, simbas kujtimeve të Nënës tij që, kur i a arrestuan të birin qante e zeza dhe kujtonte “... Po ku pyesin këta, luftë klase ulërijnë, duan gjak.  Plaçkat e tim shoqi, që mi nxirrnin kur i çoja për të ngrënë, me thonj brënda i gjeja dhe dhëmbë të përgjakur të shkulur me darë torturave ... Tani djalin.  Pse?  Pse?  Korba unë !  Vjersha bënte, s’bënte gjëra të liga.  Dhe ika me një frymë në Tiranë ... Dritëron’e kam dhe kushëri, Kryetar i shkrimtarëve është, i Partisë, me autoritet, i çqonjtur ... U qava hallë.  Dritëroi mezi fliste.  –Nuk të futin kot në burg,- më tha.  –Shokët s’i kishte të mirë, t’i zgjidhte.  Vetë ishte ndryshe, edhe vjershat ia kam lexuar, po ashtu janë vjershat, si të duash janë, të mira, të këqija ... ”.  “S’ka ç’bën Dritëroi, - tha Sadija, e shoqja, kur mbetëm vetëm, - s’mundet dot.  Ne ia dhamë dorën, por ai nuk diti ...”.   Morali që nxirret nga kjo ngjarje e pra, kësaj grimce realiteti përgjatë diktaturës ?   Jam “babai” i shkrimtarëve dhe artistëve, jam anëtar i K.Q.  Si i tillë, duke qen’edhe ithtár’i kësaj (gjoja)demokracie shëmbullore për të gjithë botën, të them ty, kushërirës sime “... lerna e mos na ngacmo t’a humbasim rehatllëkun si edhe takëmet që kemi ...”.  E sot, po kjo kategorí ish komunistësh, (njerëzit e ashtuquajtur krijesat e reja të partisë), mëtojnë të harrohet e kaluara, të mos zihet në gojë ç’u bë prej tyre por  kërkojnë me këmbëngulje të zbatohen një më një ligjet si edhe rregullat e shtetit demokratik, (kurse për të kaluarën të fshihen si struca pas pohimit :  E tillë qé ajo kohë e sipas atyre ligjeve edhe vepruam ... !).   Prandaj nuk mund të heshtja rreth kësaj së vërtete të madhe që na e kujton Visar Zhiti me sjelljen ndaj Nënës së tij,  të kushëririt të saj të  nderuar !

Nuk dua të zgjatem.  Por nuk dua as t’ia venit lexuesit kënaqësín’e leximit në origjinal, si edhe dhënjen e gjykimit, (mbas leximit), për sa ka shkruar  Visar Zhiti në një mënyrë mjeshtërore me titullin EDHE NJERIU I RI, KIMERË, se si e përshkruan autori, me një prozë poetike për t’ia patur zilí çdo shkrimtar, Njeriun e Ri Socialist e gjithashtu edhe krijuesin e këtij njeriu, diktatorin Enver Hoxha !

Duke i diskutuar herëmbashere, kur takohemi me mikun tim doktor Thomain, vlerat e veprave të Visar Zhitit jemi të një mëndjeje me të se rrallë kalon ndonjë faqe, nga vepra Ferri i Çarë, ku të mos gjesh qoft’edhe vetëm një kalim me pohim karakteri teorik, bërë nga autori.  Mbështetur në ato pohime, hapet fushë të diskutohen gjerësisht probleme nga më të ndryshmit duke nxjerrë përfundime jashtë mase të vyer përsa u takon ngjarjeve bashkëkohore ku p.sh. drejtues të rinj shtetesh, (në moshë pa le të papërvojë), mendojnë se kanë zbuluar gjurmë ecja nëpër të cilat do t’i çojë drejtë suksesesh të mëdhá !    Dhe Visar Zhiti u kujton se ata mundohen të shkërbejnë (imitojnë) ata që historia  u a nxorri bojën sepse “... veçse arritën të krijonin një atdhé me disiplinë burgu dhe qetësí varrezash ... shtirej si shtet që kishte vënë në plan të parë politikën, por kish vënë vjedhjen e vet, të hapurën dhe të fshehurën ... shtet që s’fliste kurrë për mirëqënjen, (e çastit të dhënë – M.K.), por për të ardhmen që s’vinte kurrë, dhe për ideale të zbrazëta ...”!   Doktori miraton me kokë edhe shton ... a thua se nuk i kanë shëmbuj të gjallë Korén’e Veriut si edhe Kubën, pa le shkërmoqjen e ish B.R.S.S.-së me gjithë t’ashtuquajturat vënde të ish kampit socialist e mëtojnë të krijojnë Venezuela të reja me gjithë Iranër të rinj !(?)

Nuk qëndroj dot pa e bashkë-ndërlikuar lexuesin e vëmëndshëm dhe krejtësisht asnjanës, duke i a paraqitur një pozicionim që merr autori i librit ndaj një pyetjeje nga më të hedhurat për diskutim dhe njëkohësisht më të vagëtat lidhur me mundësín’e një përgjigjeje të bazuar në fakte.  Pyetja që shtrohet është :  A DO TË KETË FALJE DËNIMESH KËTË VIT ?    Dhe i ziu VISAR, duke e justifikuar plotësisht emrin e parazgjedhur q’i kanë vënë kur u lind, e shtron pikëpamjen e tij sa të vyer, të drejtpeshuar dhe që pikon gjak tek radhiten gërmat për t’a fiksuar mbi të bardhën letër :  Kurrë.  Mund të falësh hajdutët, kriminelët, vrasësit, por s’fal dot të PAFAJSHMIT. NE JEMI TË PAFAJSHËM.  SI TË TILLË DUHET TË ZHDUKEMI , SE PROVOJMË FAJËSÍN’E TYRE ... !

Arritur në këtë fazë të analizës, e ndjej vetë fuqishëm një detyrim moral ndaj lexuesit të cilit duhet t’i rrëfehem :

E di me ndërgjegje të plotë se u zgjata shumë.   (Marr shëmbull nga mësimet e Nënë Terezës dhe i them) ... falmë dhe duromë, se kur t’a lexosh Ferri i Çarë, mbase do të ndjehesh m’i njësuar me kumtin që  na përcjell autori.

Nga që sinqerisht e ndjej se u zgjata shumë, do të ndalem.  Nuk do t’ia hyj e t’a komentoj periudhën e mbas burgut të Visar Zhitit, (sepse do të duheshin edhe një herë po kaq faqe analize).    Lexuesi vetë, në vazhdim, do t’i nxjerrë përfundimet ku unë personalisht nuk di se nga anon ballanca :  a qenë më të tmerrshëm hetuesía, burgimi pa faj si edhe jeta e tij galerive – vorreza, anonim mes skllevërve të gjallë që gëlonin në to, apo ai ankth i pafund që i shkaktonin si pasoj’e një trysníe çnjerëzore hetuesit q’e donin, mbas daljes nga FERRI,  edhe SPIUN !

Autori Visar Zhiti me Romanin e Vërtetë që ka shkruar, për mënyrën e sinqertë me të cilën na ballafaqon me faktet si edhe për fushën e gjerë që u hap lexuesve të bëjnë krahasime si edhe të nxjerrin përfundimet përkatëse, padyshim q’e radhit veten në vënd nderi në shkallaren e të gjithë shkrimtarëve që i përshkruan në veprat e tyre zhvillimet dhe pasojat e atij egoizmi të çfrenuar t’atyre që i udhëhoqën t’ashtuquajturit revolucione të kuq !   Vlerësimin tim skajor e lidh me faktin se vepra e poetit-shkrimtar Visar Zhiti, në dallim nga të tjerat e së njëjtës gjiní, është një ditar trimëror për kushtet si është mbajtur, (vërtet jo kalendarik), por njëkohësisht edhe akt akuze mbështetur në fakte të cilat udhëheqin drejt  konsideratash gjykuese e në vazhdim,  pse jo edhe dënuese !

 

(*)   Origjinali i akt – akuzës marrë nga libri i shkrimtarit poet Visar Zhiti me titull “Rrugët e Ferrit”.

 

(Michigan-Gusht 2010).