Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Ernest Koliqi dhe fillimet e modernitetit në prozën shqipe

| E merkure, 08.09.2010, 09:57 PM |


Ernest Koliqi dhe fillimet e modernitetit në prozën shqipe

 

Nga Ndue Ukaj

 

1.

Me nocione "moderne" në letërsi konceptohet shfaqja e një dukurie të re letrare në sistemin e vlerave, që përthyhet në stile, ne forma e trajta të shkrimit, e procedime letrare. Modernia, kësisoj në letërsi, merr kuptimin e një vlere letrare, më të avancuar, më të mirëfilltë, në krahasim me modelet pararendëse të shkrimit letrar artistik. Ne e konsiderojmë si nocion bazik për atë tip të letërsisë që në mënyrë autonome, ndryshe nga paraardhësja, sjell risi në diskursin letrar, në procedimin strukturor te ndërtimit dhe funksionimit të tekstit letrar, dhe atë, në gjitha nivelet mbarështimit të tekstit letrar. Modernia, duke ardhur si rezultat i thyerjeve letrare dhe refuzimit ndaj shkrimi tradicional, natyrshëm merr konotime më komplekse, edhe nga fakti i risive që sjell në diskursin letrar përgjithësisht, por duke u shfaqur si  shenjë letrar në "konfrontim" me produksionin letrar tradicional dhe duke u ikur modeleve ligjërimore të mëparshme, trajtat e shkrimit modern, defamiljarizohen (çrendomtesohet, nocion i formalistëve rus), nga letërsia e mëhershme dhe ripozicionohet nga një diskurs më i avancuar, që përplotëson në shkalle më të lartë letrare, estetikën e tekstit. Në këtë aspekt, ky lloj shkrimi fut në lojë komplikime narrative, ndërfutje interkomunikuese, që na shfaqin karakterin intertekstual të teksteve letrare. Njëherit, edhe strukturën e hapur (Umberto Eco) dhe shumështresore. Në fusha të ndryshme të artit dhe letërsisë, nocioni "moderne" mbulon përmasa të ndryshme semantike, mbase edhe estetike e stilistike, përmasa që shpërfaqën edhe në formë, edhe në përmbajte. Ndërsa, brenda këtij konteksti letrar, modernia merr status të veçantë në poetikën e prozës, ngase Ernest Koliqi, ka sublimuar ligjësitë e artit letrar mjeshtërisht dhe me një procedim letrar sjell risi në diskursin letrar në përgjithësi në kulturën letrare shqipe. Ndërkaq në këtë tekst, modernia shënjon tipin e letërsisë, që ndryshe nga paraardhësja inkorporon brenda tekstit letrar elemente letrare, që deri atëherë proza jonë s'i kishte njohur, apo që i kishte vetëm ne fazën embrionale.

Në letërsi nocioni moderne u zhvillua nga fundi i shekullit XIX dhe fillim i shek. XX, dhe shquhej me karakteristika të shumta, që nga theksimi i individualitetit kreativ, invencioneve e deri te shfaqja e dukurive të reja, thyerja e konvencave letrare e stilistike, ndaj edhe prurja autonome e fenomeneve letrare, në forma dhe përmbajte të re letrare, ligjërimore dhe stilistike-estetike.

 

2.

Ernest Koliqi është padyshim themeluesi dhe krijuesi më i talentuar i fillimit të modernitetit në prozën shqipe. Këtë e vlerësim e kanë përqafuar në forma të ndryshme, shumë studiues të cilët janë marrë më krijimtarinë e tij artistike në zhanrin e prozës (Camaj, Hamiti, Plasari, Elsie, K. Gjika, Z. Rrahmani, A. N. Berisha, S. Bashota, K. Rrahmani, K. M. Shala etj.) Së këndejmi, shfaqja e modernitetit në prozën shqipe, si formacion letraro-stilistik, ndërlidhet fuqishëm me krijimtarinë e Koliqit në prozë, e të cilit mund t'i bashkohen autorët Kuteli, Konica, mbase edhe Lasgushi e Migjeni, në zhanrin e  poezisë.

Por më i veçantë, si në stil, ashtu edhe në format diskurseve, së këndejmi edhe në procedimet strukturore e letrare mbetet Koliqi, i cili "kishte shije të hollë dhe një ndjesi të ngritur për artin e fjalës" (Anton Nikë Berisha) të cilat i inkorporoi dhe manifestoi me mjeshtri e talent të fuqishëm fiksional në prozën e tij, duke rikontekstualizuar dhe rifunksionalizuar shtresime semantike, ritmike, leksikore, rrëfimtare, që njohin kodet e mëdha letrare, që nga oraliteti, deri tek letërsia e përbotshme, me të cilën komunikonte autori empirik (Umberto Eco). Nga ky këndvështrim, proza koliqiane ka bërë një kthesë cilësore prozës shqipe në përgjithësi, së këndejmi e ka pasuruar atë edhe si formë shkrimi, por më shumë si substancë dhe formë letrare, mbase edhe si strukture e ndërligjëshme artistike, me elemente të shumta novatore, të cilat vërehen edhe në dimensionet ideore, të shtresimit të ideve themelore që trajton ky univers letrar.

 

3.

Në kohën kur u paraqit Koliqi në letrat shqipe, proza akoma ishte zhanër i pa kultivuar, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Më tepër cilësohej, në përmasa të thellë moralizuese, sentimentaliste dhe didaskalike (proza e H. Stërmilli, N. Nikaj, M. Gramenos etj.), me mbipeshim të rolit të ngjarjes, e ndonjëherë edhe me imitim (jo ne kuptimin që na jep Aristoteli), madje, ishte larg shtjellimit si strukturë tekstore, mbase edhe si gjuhë e figurshme e kompozicion letrar. Për dallim, proza koliqiane duke njohur diskurset orale në jetë dhe në dijet empirike, rikontekstualizon dhe rifunksionalizonv në diskurs letrar origjinal në letërsi, ku autori empirik kapërcylljet e sistemit të shkrimit letrar, i identifikon me kërkesat e fondamentit të artit letrar: artistikes, gjë kjo, që mund të vërehet në të gjitha nivelet e tekstit letrar, nivele këto në të cilat letrarsia (Roman Jakobsoni) funksionon para se gjithash, ku shprehja dhe diskursi letrar, nga një gjuhë e thjeshtë, shkon ka gjuha figurative.

 

Intencë e sistemit letrar koliqian, në aspektin e formës, mbetet avancimi i procedimeve letrare, futja e ndërlikimeve narrative, të shtresuara me përimtime implicite e psikologjike, madje fabulat e thurura me mjeshtri narrative. Ndërsa në shtresimet tematike dhe idetë themelore që trajton, në tekstet e prozës së tij, Koliqi shtreson një botë e veçantë që ndërkomunikon me paramodelet në jetën e njeriut të tij, si dhe në tharmet e shpirtit shqiptar, që i veneron tek oraliteti dhe kultura e moçme nacionale, të mitet dhe legjendat, te e tashmja kryesisht e Malësisë së Shkodrës, për të shtruar edhe shumë vizione, ide, që mund të tumirën për receptuesin, si tejet progresive, në krahasim me letërsinë shqipe të mëhershme. Një karakteristikë e intencës së tregimeve të autorit mbetet paraqitja e dy kontrasteve të thella të botës shqiptare, përplasjet mes konservatizmit, kanunit, dhe ideve përparimtare, (Gjaku), që sjell gjenerata e re, pastaj ndeshja e dy kulturave të mëdha, Lindje e Perëndim, ndeshja e dy tipave të te jetuarit shqiptar, Urban e Rural. Këto tema autori i ka shtresuar me mjeshtri në shkrimin e tij letrar, veçantitë letrare artistike të së cilit implikon edhe autorin empirik. Koliqi në prozën e tij shenjëzojnë ide dhe teza të mëdha. Këto i zhvillon nga sensi që kërkon shndërrime të domosdoshme të kohës, e transformimeve esenciale në shpirtin shqiptar. Për dallim nga tipi i mëhershëm i shkrimit të prozës shqipe, proza e Koliqit shënjon kapërcim të dukshëm, si në zgjerimin e gamës tematike, ashtu edhe në aspektet e brendshme të organizmit, pra stilistiko-tekstore, letrare, duke bërë avancim, në plan të shtjellimit brendatekstor, si në rrafshin e shprehjes artistike, po ashtu në kodifikimin dhe funksionalizimin e elementeve të reja poetike që kësaj proze i jep dimension letrar specifik, duke e ngritur në shkallë të pranueshme, në raport me letërsitë e zhvilluara të kohës. 

 

4.

Krahasuar me prozën evropiane dhe me zhvillimin e madh të saj, proza në letërsinë shqipe është paraqitur relativisht vonë dhe si e tillë eci me një tempo të ngadalshëm. Në këtë kontekst, Koliqi më të drejtë konsiderohet prozatori i parë shqiptar me prirje moderne, me veçanti shkrimi, sidomos me tregimet e tij, që prozës shqipe në përgjithësi ia dha një formë të re, një përmbajtje të re, një tematikë të re, një stil të ri, një shprehje të re, një prirje të fuqishme novatore, fabulative, në mënyrë krejtësisht autonome, me një refuzim të linearitetit tregimor, dhe gjithnjë me tendencë për të sendërtuar dhe realizuar një raport të ri mes kohës dhe hapësirës, në krijimin e strukturave të hapura, shtresimeve kuptimore të ndryshme semantike; nga një gjuhë që eliminon gjuhën e zakonshme drejt një gjuhe figurative, me atribute letrare, stilistike e estetike. Si e tillë, kjo prozë është ndërthurur nëpërmjet dy tipareve harmonizuese: duke asimiluar eksperiencat e jashtme me eksperienca të brendshme. Këtu, eksperiencat e jashtme, janë dijet e autorit empirik, që rezultojnë nga literatura botërore e nacionale, ndërsa eksperiencat e brendshme, mishërohen përmes kulturës së moçme nacionale, miteve dhe oralitetit, të cilat autori i funksionalin për t'i dhënë karakter të intertekstalitetit të pastër prozës së tij. Ky karakter ec në funksion të përmbushjes së fiksonit letrar. Mbase, autori, edhe në trajtat ligjërimore (diskurset) interkomunikon. Këndej, tekstet e tij kanë karakter interdiskursiv, në relacion me paramodelet e diskurseve që kanë prejardhje nga oraliteti. Të inkorporohen në stilin e teksteve të tij, variantet ligjërimore derivohen dhe marrin konotacione të kontekstit letrar. Në këtë linjë, autori i shmanget narracioni linear dhe konstrukton procedime artistike të avancuara letrare me shpikje të reja estetike, ritmike, semantike, gjuhësore, të inkorporimit të asaj që është reale me atë fiktive, fantastike në tekstin letrar.

 

Ernest Koliqi është paraqitur në prozën shqipe, në kohën kur ajo ndjehej e varfër, si nga kufizimet tematike që shtjellonte, ashtu edhe për nga mënyra si ndërtohej dhe funksiononte teksti letrar. Në këtë kontekst, proza e Koliqit i jep një impuls të ri prozës shqipe, duke kontribuar në rrugën e integrimit në rrjedhat e prozës moderne evropiane, mbase edhe në stopimin e tipit të prozës pararendëse, kryesisht moralizuseo-didaskalike dhe sentimentaliste, ndikimet letrare të së cilit do të vërehen tek Martin Camaj dhe Anton Pashku. Në këtë aspekt, pa hamendje, mund të konstatojmë se proza koliqiane mbetet novatore e shkëlqyer e fillimeve të modernitetit në zhanrin e prozës letrare. Autori empirik, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me letërsitë e huaja, duke u pasuruar me një dije letrare solide, duke qenë i shkollar nëpër qendra të mëdha të kultivimit të letërsisë, autenticitetin e vet, imagjinatën e bujshme krijuese, motivimin burimor shqiptar shkodran, i shkriu dhe i brumosi në një prozë të mirëfilltë letrare e moderne.

 

5.

Për nga shtresat kuptimore (temat e motivet që shtjellon) kreacioni, perceptimi i botës dhe fenomeneve që e motivojnë, autori na jep një tekst me topikë të larmishme, duke inkorporuar realitetin aktual, nevojat e domosdoshme të transformimit të tij (te Gjaku, Diloca), legjendat, mitet, format e të treguarit oral (Nusja e mrekullueshme, Kërcimtarja e Dukagjinit), pastaj shfaqjet krejt personale tek Pasqyrat e Narçizit, që janë tekste krejtësisht personale, autobiografike, ku autori kërkon shenjat e identifikimit të tij autorial, identitetin krijues dhe ekzistencial, përmes shenjash e simbolesh, të cilat i gjen në ambientin shqiptar, proza këto artistikisht më të realizuara të Koliqit. Tekstet e këtyre shtatë prozave, që Koliqi dëshiron t'i quajë "poemtha në prozë", na ravijëzojnë një konfiguracion të pasur idesh, ndjesish dhe referencash, që pikënisjen dhe paramodelin e kanë në diskursin oral, dijet empirike, por që të transformuar marrin konotime dhe shtresime më të theksuara, si në kërkimet nacionale, ashtu edhe në ato autoriale; me simbolikë, të ndërlidhura me problemet imediate të kohës dhe të angazhimeve të autorit empirik karshi këtyre gjendjeve.

Tipin e prozës së Koliqit e karakterizojnë shumë elemente të fuqishme novatore. Madje në letërsinë shqipe karakterizohet edhe për një element krejtësisht të ri, të fuqishëm dhe të panjohur deri me atëherë, që studiuesi Aurel Plasari e koncepton si "tip i tregimit psikospektiv", ku siç vëren po i njëjti studiues vërehet tregimi, ku dallohet në mënyrë të ndjeshme, ndonjëherë edhe kërcitëse dimensioni i analizës psikologjike të llojit frojdist. Si e tillë proza kolqiane duke shtresuar realitet të ndryshme semantike, duke e fuqizuar procedeun stilistik te veçantë, mbetet proza tregimtare më e realizuar e fillimit të modernitetit në literaturën shqiptare, ndërsa autori i tyre stilisti i madh, "eruditi" i rrëfimit artistik, siç e cilëson studiuesi Anton Nikë Berisha. Duke sublimaur me shkathtësi të veçantë artistike, si pasurinë e folklorit, mitologjinë, dijen letrare, imagjinatën e bujshme e kreative, nga njohja e literaturës moderne, ashtu edhe talentin e botën kreativ, fuqinë e perceptimit dhe të transponimit të fenomeneve të ndryshme në tekstin letrar, përmes një vetëdijë të nivelizuar artistike, ai ka hapur parashenja të sigurta, gjithnjë duke mbetur në pozicionin e të marrurit me intencën e autorit, qëllimin e lexuesit, dhe qëllimin e tekstit, siç do të shprehej Umberto Eco.

 

6.

Zhanër që e kultivon më së miri Koliqi është tregimi, novela pastaj edhe tregimi i shkurtër, që disa studiues tek ne dëshirojnë t'iu thonë proza poetike. Ato shquhen për reflekse origjinale, të inspiruar nga tradita, e pasur dhe të ndërthura me bashkëkohësinë për të marrë gjithmoë konotacione të mësimit kombëtar, apo kulturimit të gjithmbarshëm (Sabri Hamiti) dhe gjithnjë me funksione të përmbushjes së kriterit artistik. Kundërvënia e këtyre dy botënave të kundërta mbetet risi, që vërehet kudo në prozën e Koliqit. Karakteristikë gjithëpërfshirëse mbetet oralja, që me njësitë e entite të veçantë, që na shfaq karakterin intertekstual (Kujtim Rrahmani), mbase, edhe do të thoshim karakterin ndërdiskursiv. Koliqi shfrytëzon me mjeshtëri edhe burimet e letërsisë gojore, ne të gjitha nivelet e organizimit të tekstit letrar. Shumë tregime të tij ndërtohen me përplot njësi që detyrojnë lexime intertekstuale, me modelet e tipit të prozave popullore. Në këso lloj tekstesh shfaqet përralla si zhanër oral, që përbën funksion letrar brenda diskursit letrar të teksteve letrare, sikur në idioma ashtu edhe në frazeologjia, etj.

 

"Të lexosh diçka si letërsi është ta trajtosh atë si një ngjarje që ka kuptim në lidhje me ligjërimet tjera" (Xhonatan Keller), që për autorin tonë, rikontekstualzon dimensione të veçanta të ligjërimit të tij artistik, sepse ai ndërkomunikon me tipe të ndryshme ligjërimi, dhe na shfaq bindshëm atë që Roland Barti thotë nuk ka ligjërim të virgjër. Tekstet koliqiane, kështu, bashkëjetojnë me mite, legjenda, forma të ndryshme të ligjërimit oral. Aty hasim idioma, frazeologji popullore, që shkojnë ka një tip i interkomunikimit më diskursin letrar të Fishtës, por që te ky zhvillohet në një trajtë tjetër shkrimi dhe me kërkesa tjera. Të gjitha këto njësi të vogla funksionalizohen në këtë prozë, për të na dhënë një tekst të njëmendët artistike, si në nivel të ideve, ashtu edhe të shprehjes artistike, të formës e kompozicionit, rrëfimit e letraritetit. Esenciale në prozën e tij, mbetet depërtimi në ndjesitë e njeriut të kohës, në psikologjinë dhe skutat e shpirtit shqiptar në ndjesitë e tij, dukuri këto të cilat i asimilon dhe sublimon përmes një gjuhë të figurshme e poetike, për t'i transponuar me talent të fuqishëm në tekstet letrare, ndikimi i të cilit do të jetë i fuqishëm në prozën e mëvonshme, në gjithë korpusin e letërsisë shqiptare.