Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


"The Independent" vlerëson "Aksidentin" e Kadaresë

| E merkure, 08.09.2010, 08:03 PM |


Ismail Kadare është një romancier i stilit të lartë, i cili e sheh veten në të njëjtën linjë me Shekspirin dhe Danten, dhe një fabulist modernist i cili, me anë të alegorisë dhe metaforës, ka nxjerrë lakuriq, mendjemprehtësinë, ironitë dhe idiotësitë e përvojës së kohëve të fundit të Ballkanit. Bindja e tij se shakatë më të mira janë ato të vjetrat - mizoria, xhelozia, egoizmi, intoleranca - e vendos atë në radhën e gjatë të satirikëve evropianë. Për shkak të vendit nga vjen, satira mund të kalojë në tragjedi.

"Kudo në botë, zhaurima e ngjarjeve që ndodhnin në sipërfaqe ishte në kundërshti të plotë me heshtjen e thellësisë", shkruan ai në romanin e tij të ri, "por askund ajo kundërshti nuk ishte aq e madhe sa në gadishullin Ballkanik".

"Aksidenti" merr një motiv të njohur të Kadaresë, pamundësinë e marrëdhënieve, dhe e shndërron në një alegori të një konflikti të kohëve të fundit në Ballkan, në të cilin u përfshi edhe pjesa tjetër e Evropës, lufta në Kosovë. Në fillim të romanit, dy protagonistët shqiptarë, një analist në Këshillin e Evropës, Besfort Y., dhe Rovena, stazhiere në Institutin Arkeologjik të Vjenës, janë në taksi, rrugës për në aeroportin e Vjenës. Papritur taksia del nga rruga, duke i flakur jashtë të dy udhëtarët. Hetimi i vdekjes së tyre kalon nëpër shumë duar, duke përfshirë edhe shërbimet e fshehta serbe dhe shqiptare. Shoferi i plagosur nuk mund të japë ndonjë arsye, me përjashtim se taksia e tij kishte dalë nga rruga pikërisht në çastin kur ai vështroi te pasqyrëza sipër timonit dhe pa se udhëtarët "po përpiqeshin të putheshin".

Kjo frazë, dhe përqafimi fatal i mundimshëm që ajo përshkruan, dominon hetimin, që në fund fare

vazhdohet nga një "hulumtues i panjohur", për të cilin mund të dyshojmë se mund të ketë diçka të përbashkët me romancierin. Hulumtuesi është më i vëmendshëm se shërbimet e fshehta. Tabloja e marrëdhënies dymbëdhjetëvjeçare të dashnorëve, e zhvilluar përgjatë Evropës në morinë e emrave të hoteleve - Lorelei. Schlosshotel-Lerbach. Ernst Excelsior - është e koklavitur, e tensionuar nga koha dhe vendndodhja, dhe banale, e praruar nga shkëlqimi i lehtë i dhomave të gjumit të hoteleve me pesë yje, të të brendshmeve të mëndafshta dhe bisedave të orëve të vona. Rrëfimi i sertë i Kadaresë, i zotëruar mirë në përkthimin e John Hodgson-it, vendos në ekuilibër të plotë përbërësit erotikë dhe emocionalë të historisë dhe këndshëm gozhdon edhe paaftësinë e të dy dashnorëve për t'u përkushtuar, edhe dhuratën e veçantë të modernizmit ndaj marrëdhënieve njerëzore. Edhe pse i gjendet shërimi, ajo mbetet e tillë: "I dukej se askush nuk besonte më në të (te dashuria)".

Marrëdhënia e tyre kumbon me jehonën e konflikteve politike. Kadare e fton lexuesin të luajë një lojë dhe se sa larg mund ta çojë alegorinë e tij të dashnorëve Serbi-Kosovë. Çfarë duhet të lexojmë në zbulesën se pas disa viteve të marrëdhënies së tyre, çifti po "kërkonin të maskonin dashurinë e tyre pas dukjes lavire-pusht".

Duket se ka një pështjellim të vërtetë dhe të qëllimshëm në thelbin e këtij romani; ashtu siç ka të panjohura në thelbin e të gjitha marrëdhënieve dhe marrëveshjeve politike. Talenti i admirueshëm i Kadaresë është se "Aksidentin" halucinativ, enigmatik dhe madje edhe irritues në fillim, nuk mund të lëshosh nga dora, por e ngacmon fort lexuesin që të përpiqet të kuptojë më shumë kuptimin e asaj se çfarë, saktësisht, pa shoferi në pasqyrëzën e tij.

 

Për ZSH: Gjergj Kabashi